Simbolet janë të rëndësishme. Ato janë të domosdoshme për vizibilitetin e pushtetit, për identifikimin e tij, për ndërveprimin dhe për lidhjen me të. Çdo pushtet ka simbolet e tij – identifikohet dhe shfaqet mes të tjerash përmes simboleve. Respektimi i simboleve përfaqëson respektimin e atij pushteti, apo afirmimin e tij.
Edhe pushteti i Allahut ka simbolet e tij, ashtu sikurse ligji apo feja e Allahut përbëhet nga simbolet. Nga shenjat e pushtetit të Allahut është krijimi i qiejve dhe i tokës, krijimi i mashkullit e femrës, krijimi i gjuhëve dhe i ngjyrave të ndryshme të njerëzve; janë jeta dhe vdekja, dielli dhe hëna, dita dhe nata. Çdo gjë nga krijimi i Allahut tregon se Ai është Një dhe i Vetëm.
Nga simbolet e fesë islame janë falja e namazit, ezani, haxhi, agjërimi i muajit të Ramazanit, festat e dy bajrameve, urdhëresat dhe ndalesat, kurbani, ndërtimi i xhamijave etj.
Thotë Allahu në Kur’an:
ذَٰلِكَ وَمَن يُعَظِّمْ شَعَـٰٓئِرَ ٱللَّهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى ٱلْقُلُوبِ
“Këto [të lartpërmendurat], dhe kush i madhështon simbolet e Allahut është prej devotshmërisë së zemrave.” Surja el-Haxh, 32.
Pra, çdo pushtet e çdo fe ka simbolet e tij apo të saj.
PUSHTETI PAGAN BRITANIK
Edhe Perandoria Britanike, që mund të quhet gjithashtu Perandoria Amerikano-Britanike, ka simbolet e saj si çdo perandori tjetër, edhe pse kjo perandori është më e komplikuar se ato klasike pasi është transformuar në një perandori globale, që operon më shumë në prapaskenë, që ka tentuar të maskohet përmes OKB-së, por gjithsesi, pushteti pagan amerikano-britanik është pushtet formal, i cili kontrollon botën me të mirat e të këqijat e tij.
Pushteti amerikano-britanik ka gjuhën e tij zyrtare, që është gjuha angleze, ka politikat e tij gjuhësore për çdo shtet, ka politikat e tij, ka ligjet dhe sistemin legjislativ global, ka ushtrinë dhe mbretin si autoritetin politik më të lartë. Në vetvete feja zyrtare e Perandorisë Amerikano-Britanike është Sekularizmi Britanik – fe pagane.
Nga simbolet e pushtetit britanik është edhe festa e vitit të ri. Është e vetëkuptueshme se kjo festë është festë pagane, që promovon vlerat (apo antivlerat) e paganizmit britanik, dhe simbolizon pushtetin amerikano-britanik tiranik.
Kudo ku ka vënë këmbë pushteti pagan britanik, kjo festë festohet, qoftë edhe në mënyrë simbolike, duke përfshirë edhe botën islame, ndoshta me një përjashtim të pjesshëm të Arabisë Saudite, por edhe atje ka elementë festimi e urimi.
Festa e “Vitit të Ri” simbolizon pushtetin britanik, pushtetin e Monarkisë Britanike, pushtetin e paganizmit britanik, pushtetin e zullumit britanik, pushtetin e armiqve të fesë islame, pushtetin e atyre që vrasin gra e fëmijë, pushtetin e opresorëve e atyre që nuk kanë din e iman.
Festa e “Vitit të Ri” përfaqëson luftën e pushtetit britanik ndaj familjes, ndaj vlerave fetare, dhe të çdo gjëje që përbën rezistencë ndaj këtij pushteti zullumqar.
Festa e “Vitit të Ri” simbolizon dehjen, mbushjen e barkut me ushqim haram, muzikën, imoralitetin, seksin, përdhunimin, rebelimin ndaj çdo caku që ka vënë Zoti, dhe injorancën totale të njeriut.
“Viti i Ri” është festa e pushtetit dhe i kushtohet rëndësi fetare. Çdokush që nuk e feston këtë festë, pushteti e nënvizon emrin e tij apo të saj.
“Viti i Ri” përfaqëson pushtimin britanik dhe fenë sataniste të këtij pushteti.
QËNDRIMI IM PREJ MUSLIMANI
Nëse kjo festë simbolizon pushtetin zullumqar të Perandorisë Britanike, unë i them “jo!” kësaj feste pagane.
Nëse kjo festë simbolizon besëlidhjen ndaj pushtetit zullumqar amerikano-britanik, unë i them “jo!” kësaj feste zullumqare, dhe i them “jo!” pushtetit zullumqar amerikano-britanik. Unë nuk i respektoj tiranët, shtypësit, ata që varsin gra e fëmijë, ata që vjedhin ditë e natë pasurinë e muslimanëve, dhe ata që nuk kanë as besë, as moral, dhe as dinjitet.
Nëse kjo festë simbolizon pranimin e pushtetit të monarkut britanik, unë i them “jo!” kësaj feste dhe këtij monarku zullumqar dhe vrasës fëmijësh.
Unë distancohem plotësisht nga kjo fetë zullumqare, nga kjo festë pagane e pushtetit britanik, dhe nga kjo festë që simbolizon imoralitetin, përdhunimin, shkatërrimin e familjes, dhe mbi të gjitha, rebelimin ndaj Zotit.
Zoti im është Allahu, kështu që respektoj vetëm ligjet e Allahut dhe fenë që Ai e ka ligjëruar për ne. E refuzoj zullumin britanik, paganizmin e kësaj perandorie zullumqare – perandori hajdutësh, dhe e refuzoj festën e “Vitit të Ri” si festë e kësaj perandorie pagane zullumqare.
Gëzuar të gjithë muslimanëve festën e Kurban Bajramit dhe të Fitër Bajramit – festat e devotshmërisë, e madhështimit të Allahut, e forcimit të familjes, e promovimit të sinqeritetit, të drejtësisë, e të sakrificës për njëri tjetrin.
Sabri Lushi
Janar, 2025