LOGIN
Home » ÇFARË ËSHTË KUR’ANI?

ÇFARË ËSHTË KUR’ANI?

by Kukes Post
0 comment

Ashtu siç njohja e Allahut është një proces i një dimensioni të veçantë, edhe njohja e Kur’anit është po ashtu një dimension i veçantë, ndryshe nga njohja shkencore e fenomeneve natyrore. Kur’ani është krejt ndryshe. Ai është kombinimi i një sërë cilësishë.

Si fjala e drejtëpërdrejtë e Allahut e zbritur në gjuhën arabe të pastër dhe i trasmetuar nga Engjëlli Xhibril tek Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) – më elekuenti arabisht folës, Kur’ani është fjala më e bukur, më e lehta për gjuhën, më e ëmbëla për veshin, dhe më qetësuesja për zemrën.

Kur’ani është kombinim i habitshëm. Ai është libër që përmban në të teologji, ligje, rregulla, histori profetësh, histori të popujve të mëparshëm, që ka subjekt kryesor njeriun si qenie, që flet për shoqërinë, për luftën, për paqen, për shtetin, për familjen, për martesën, për tashëgiminë, për farefisin, për armikun, dhe gjithashtu flet për zemrën, dhe e gjitha kjo e thënë në një gjuhë të bukur që recitohet përmendësh dhe lehtë.

Kur’ani flet për besimin dhe besimtarin, për moralet e tij, për besën, për modestinë, për sinqeritetin, për bujarinë, për devotshmërinë, për bashkëpunimin mes besimtarëve, për ndershmërinë, për kontributin në shoqëri, e thënë në kontekste pikërisht në atë mënyrë që ka kuptimin më të plotë, dhe e gjitha kjo e recituar përmes një gjuhe madhështore.

Kur’ani është libër ligjesh, por nuk është aspak i ngjashëm me kodin penal apo atë civil të shtetit modern, i mbushur me detaje të lodhshme, me gjuhë teknike, që ngjan si gjuhë e huaj për njerëzit e thjeshtë, e që duhet të paguajnë një avokat për ta kuptuar se çfarë thuhet në të.

Kur’ani është libër që mund të recitohet në mënyrë rutinë, në çdo namaz, gjatë Ramazanit, apo çdo ditë. Pra, Kur’ani përmban në të ligjin themelor për muslimanin, por ndryshe nga ligjet moderne, ai është i përshtatshëm të recitohet kudo, kështu që besimtarët ekspozohet pafund tek ligji. Rrjedhimisht ata e dinë se çfarë kërkon Allahu prej tyre, çfarë ka ndaluar, çfarë ka lejuar, çfarë dënimi ka për krimet themelore, siç është vraja, vjedhja, imoraliteti, shpifja, apo prishja e rendit në tokë, dhe të gjitha këto recitohen në mënyrë rutinë; nuk janë ligje të shkruajtura në libra voluminozë të sistemit gjyqësor modern, ligje të cilat vetëm kur të shkosh në gjykatë e kupton që ekzistuakan.

Kur’ani ngjan me universin në hapësirën e urtësive që ai përmban. Ashtu sikurse universi është i pafund, edhe Kur’ani nuk ka fund në urtësitë dhe mësimet e tij. Ai nuk është si librat e njerëzve që shumica e fjalëve të të cilëve kanë funksion mbushës. Në Kur’an, çdo fjalë ka vendin, kuptimin, dhe kontekstin e duhur. Asnjë fjalë nuk është e thënë nga Allahu rastësisht apo thjesht për të mbushur librin.

Urtësitë e Kur’anit gjenden në fjalët e tij, në shembuj që parashtron, në kontekstin e fjalëve, në radhitjen e sureve e të ajeteve, në gërmat e tij, në përmendjen e emrave dhe në mos përmendjen e tyre, në të thënurit e gjërave në mënyrë të përgjithshme, e në të thënurit të tyre në mënyre specifike, në përjashtimet, në abrogimet, në ligjet, në kontekstin e përmendjes së tyre, në kritikat, në përmendjen e zjarrit të xhehenemit, në përmendjen e parajsës, në mënyrën se si i drejtohet njeriut, në gjatësinë e sureve dhe në kohën kur kanë zbritur ato, në çdo gjë ka urtësi e mësim.

Kur’ani është minierë diturie, porse kjo dituri nuk arrihet vetëm duke e lexuar atë. Që besimtari të përfitojë nga dituria e Kur’anit, ai duhet të tregohet i sinqertë, të bëhet i devotshëm, ta praktikojë Kur’anin, të jetojë sipas tij, të ngre pyetje, të përdorë mendjen, të logjikojë, të mendojë thellë, dhe mbi të gjitha t’i lutet Allahut që t’ia hapë zemrën që ta kuptojë Kur’anin, mësimet e së cilit nuk mbarojnë kurrë.

Kur’ani është libri i vetëm që sa më shumë ta recitosh atë, të tërheqë që ta lexosh përsëri, dhe besimtari nuk mëzitet me recitimin e tij. Nuk ka libër të ngjashëm që të lexohet kaq shpesh dhe njeriu të mos lodhet me të sepse ky libër është i zbritur nga Allahu me gjuhën dhe formën më të veçantë e më unike.

Kur’ani nuk është libër i ndarë në kapituj, ku në secilin prej tyre flitet në mënyrë të veçantë për ligjin, për histori, për teologji, për moralin, për familjen etj. Jo! Të gjitha këto janë të kombinuara e të ndërthurura nga fillimi e deri në fund, dhe shpesh gjërat përsëriten por në kontekste të ndryshme për të dhënë mësime të ndryshme.

Kur’ani nuk është libër i mbushur me fjalë boshe, me direksione, me shpjegime të tepërta, me fusnota, me emra, me data, me detaje të rëndomta e të panevojshme, me ngjarje jo konsistente. Jo! Kur’ani nuk përmban asgjë nga këto. Kur’ani është libër unik, i përshtatshëm për t’u recituar nga besimtarët gjatë gjithë kohës.

Kur’ani është i pakonkurueshëm. Është libër i vetëm që flet me autoritet, me konfidencë, që sfidon, që iu bën thirrje njerëzve e xhindëve sëbashku, që madje edhe të bashkëpunojnë, e që të sjellin një libër të ngjashëm, por Kur’ani me sigurinë më të palëkundur thotë që kjo është e pamundur sepse ky është libër i Zotit.

Kur’ani është mirësia më e madhe që Allahu i ka zbritur njerëzimit. Është libri më i nderuar tek Zoti. Ai është libri më i lexuar dhe vazhdon të recitohet nga miliona njerëz çdo ditë pa ndërprerje. Kur’ani është mrekullia më e madhe që Allahu i ka dhuruar Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), dhe ai është libri që ka frymëzuar civilizimin më të madh që njerëzimi ka parë ndonjëherë sepse Kur’ani është univers – pafund në mësimet dhe urtësitë e tij.

“Betohem në vendodhjen e yjeve; dhe vërtetë ky është një betim i madh sikur ta dinit; me të vërtetë ky është Kur’ani i famshëm, në një libër të mirë-ruajtur, dhe nuk e prek atë vetëm se të pastrit (engjëjt).” – Surja El-Wakia, 75-79.

Kur’ani është univers, por nuk është libër kompleks me gjuhë teknike që mbahet praktikisht i kyçur nga gjykatësit që hapet vetëm në sallë të gjyqit për të goditur mbi kokë armiqtë, as libër që mbahet në zyrat sekrete të priftërinjëve që përdoret për të trembur masat, as libër që mbahet nga mbretër që përdoret për të kontrolluar apo zhvatur njerëzit.

Kur’ani është libër i qartë, i zbrituar në gjuhën arabe të pastër, që mësohet përmendësh shumë lehtë, që të gjithë janë të lirë ta mësojnë e të ngrihet me të, madje ky libër është i zbritur në gjuhën e atillë që po ta lexosh me mijëra herë nuk të lodhë, dhe në fakt në umetin islam me mijëra e me miliona janë ata që e kanë lexuar këtë libër me mijëra herë, e ka nga ata që e kanë lexuar dhe vazhdojnë ta lexojnë edhe branda një dite në mënyrë të vazhdueshme sepse është libër i veçantë, por i aksesueshëm për të gjithë ne. Ai është Kur’ani – libri i Allahut i zbritur si dritë për njerëzit.

Sabri Lushi

Mars 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post