Nuk ka dyshim se drejtësia është objektiv madhor e qëndror i fesë islame; nuk është diçka episodike, e trajtuar në mënyrë dytësore; përkundrazi, Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) është dërguar për të vënë drejtësi në tokë, ashtu siç janë dërguar të gjithë të dërguarit e tjerë përpara tij, që në vetvete përputhet plotësisht edhe me objektivin e shpëtimit të njeriut edhe në botën tjetër.
Të gjithë flasin për drejtësi. Të gjithë në pampje të parë e duan drejtësinë. Njeriu është krijuar që ta dojë drejtësinë. Të gjithë kanë një përfytyrim të përgjithshëm rreth drejtësisë. Secila fe, kulturë, ideologji politike apo civilizim pretendon se është e drejtë apo i drejtë. Madje, secili nga ne mendon se është i drejtë, se veprimet e tij përfaqësojnë drejtësinë.
Ç’ËSHTË DREJTËSIA?
Deri diku, natyrshmëria e pastër e njeriut e drejton atë tek drejtësia, porse natyrshmëria nuk mund të mbetet kurrë e pastër në një botë të mbushur me padrejtësi, me mëkate, e me ndotje kulturore. Sa i përket natyrshmërisë, Kur’ani ka zgjedhur krahasimin me natyrën për t’ia parafruar njeriut kuptimin e konceptit të drejtësisë në suren Err-Rrahmān (Mëshiruesi):
“Mëshiruesi; që ia mësoi Kur’anin; që krijoi njeriun; që ia mësoi atij të folurit; dielli dhe hëna udhëtojnë sipas një përcaktimi të përpiktë; ujet dhe pemët i përulen (Zotit); Ai e ka ngritur qiellin dhe ka vënë Peshoren; që të mos tejkaloni në Peshore (drejtësi); dhe mbani drejtësi në peshojë dhe mos lini mangët në të; dhe tokën e ka vendosur për krijesat.” 1-10
Në këto ajete, Allahu në mënyrë të qartë tërheq një paralele mes ligjeve të natyrës, siç është lëvizja e diellit, hënës, ujeve, dhe botës së bimëve me jetën e njerëzve. Po ashtu, përdorimi i fjalës peshore apo balancë për të nënkuptuar drejtësinë është domethënës në vetvete.
Me fjalë të tjera, jeta e njeriut i ngjan një makinerie apo një mekanizmi kompleks – i përbërë nga shumë pjesë, dhe secila pjesë ka një dhe vetëm një vend të caktuar, një funksion të caktuar, dhe funksionon vetëm sipas një protokolli apo radhe të caktuar. Po ta lëvizësh nga vendi një pjesë, apo ta zëvendësosh atë me një pjesë tjetër jo të duhurën, atëherë makineria mund të punojë përkohësisht, por herët a vonë ajo do të pushojë së funksionuari sepse ose i mungon një pjesë, ose pjesë të saj janë vendosur jo në vendin e duhur.
Drejtësia është ta vendesosh çdo gjë në vendin e saj, të bësh gjënë e duhur në raport me vendin e kohën e duhur; drejtësia është të flasësh gjënë e duhur, të mendosh gjënë e duhur, apo të marrësh vendimin e duhur.
Ashtu siç dielli dhe hëna i nënshtrohen rregullave univesale fikse, siç është forca e gravitetit, fotosinteza, forca molekulare dhe ajo atomike, dhe ashtu siç yjet e trupat e tjerë qiellorë kanë vendin dhe funksionin e caktuar, dhe madje ashtu siç edhe bota e bimëve funksionon me rregulla fikse, ashtu është edhe jeta e njeriut në tokë – mund të fuksionojë vetëm sipas rregullave fikse që Zoti i ka vendosur, përveçse Allahu ia ka lënë në dorë vetë njeriut që të mbajë drejtësi.
CILA ËSHTË E DREJTA DHE E DUHURA ATËHERË?
Ashtu siç Allahu e ka thënë në ajetet e lartpërmendura, Ai i ka mësuar njeriut fjalën dhe ka vendosur në të natyrshmërinë – siç thotë në Suren er-Rrum, ajeti 30, “kjo është natyrshmëria që mbi të e ka krijuar njeriun,” por mbi të gjitha, Allahu i ka mësuar njeriut Kur’anin dhe ka dërguar Profetin Muhammed (ﷺ) si modelin e drejtësisë absolute.
Se ç’është e drejta dhe jo e drejta, këtë nuk mund ta di njeriu me logjikë apo nga mendja e tij edhe pse natyrshmëria e tij e pastër mund ta përafrojë me drejtësinë. Gjithësesi, është Allahu Ai i Cili e mëson njeriun se ç’është e drejtë, e ç’është e padrejtë, se cila është gjëja e duhur dhe cila është e gabuara. Drejtësia është të vendosësh çdo gjë në vendin e duhur, dhe pikërisht se cili është vendi i duhur i çdo gjëje këtë na e mëson Allahu dhe i Dërguari i Tij (ﷺ)
Prandaj Allahu ka dërguar të dërguarë, siç thotë në suren el-Hadid,
“Ne i kemi dërguar të dërguarit tanë me argumente të qarta dhe zbritëm me ta Librin dhe Peshoren (e drejtësisë) ashtu që njerëzit t’i përmbahen të së drejtës.” Surja el-Hadid 25.
DREJTËSIA DHE LUMTURIA
Padrejtësi është t’i marrësh jetën njeriut me pa të drejtë, t’i marrësh pasurinë, t’ia cënosh nderin atij, t’ia dëmtosh reputacionin, të vjedhësh pasurinë e të tjerëve, të lëndosh njerëzit, të gënjesh, të tradhtosh, të presësh në besë, të mos mbash premtimin e dhënë, të hash mbi gjakun e të tjerëve, të ushqesh fëmijët me pasuri të padrejtë, të shpifësh apo të dëshmosh rrejshëm, të lëndosh komshiun, të mos respektosh më të moshuarit, të mos mëshirosh më të vegjëlit, të shkëpusësh lidhjet farefisnore, apo të nxisësh konflikte e zënka mes njerëzve.
Këto janë forma nga format e padrejtësisë që disa prej tyre janë logjike dhe natyrshmëria jonë i percepton si të tilla, por ka edhe forma padrejtësie të cilat është dashur urdhëri hyjnor për t’i nënvizuar, siç është dhënia apo marrja e borxhit me interes monetar, çështje që kanë të bëjnë me ushqimin, siç është konsumimi i alkoolit, ngrënia e mishit të derrit, kafshës së ngordhur, konsumimi i gjakut të kafshëve, ngrënia e parave të fituara nga bixhozi, apo edhe çështje që kanë të bëjnë me martesën, divorcin, marrëdhëniet intime, trashëgiminë, luftën, tregtinë etj.
Megjithatë, padrejtësia më e madhe që njeriu mund të bëj është të mohojë Zotin e tij, Ai i Cili e ka krijuar, e ka formësuar, e ka furnizuar, dhe tek i Cili varet jeta e tij në çdo çast. Allahu e ka quajtur shirkun – politeizmin – si padrejtësinë më të madhe. Allahu thotë gjithashtu, “Mosbesimtarët janë të padrejtët.” El-Bekare, 254.
Drejtësia është që njeriu të bëjë gjënë e duhur, dhe gjëja e duhur është të besoh Allahun, ta adhurosh Atë dhe vetëm Atë, të ndjekësh modelin dhe rrugën e Profetit të Tij Muhammedit (ﷺ), të zbatosh urdhërat e Zotit, të largohesh nga ato që Ai ka ndaluar, të sillesh me njerëzit sipas standartit të fesë islame – standart i cili përputhet plotësisht me natyrshmërinë e njeriut, të angazhohesh në tregti të lejuar, ta kërkosh pasurinë vetëm në ato rrugë e mënyra që feja i ka ligjëruar, të ushqehesh me ushqim të lejuar, të shëndetshëm, dhe pa e tepruar, t’i respektosh të tjerët, të respektosh veten, të evitosh kotësirat dhe shoqërinë apo modelet e gabuara, të ushqesh shpirtin me ushqimin e tij ashtu siç ushqen trupin, të sakrifikosh aty ku nevojitet sakrifica, të kontribuosh në shoqëri me pasurinë tënde, dhe të ushtrosh apo mbash mbi vete të gjitha përgjegjësitë që Zoti t’i ka caktuar.
Kjo është drejtësia, dhe këto janë gjërat e duhura.
Nëse njeriu bën gjëra e duhura, pikërisht ashtu siç Allahu dhe i Dërguar i Tij (ﷺ) i kanë caktuar si të duhura, atëherë kjo është drejtësia. Kjo do të thotë që njeriu po jeton një jetë ku çdo pjesë e saj është vënë në vendin e duhur dhe po funksionon në mënyrën e duhur.
Një jetë e drejtë e me drejtësi është pikërisht lumturia. Të kesh para, pasuri, famë, shëndet, apo edhe një pozicion të rëndësishëm politik ose shoqëror, asnjëra nga këto nuk të garanton lumturi për aq kohë sa ato nuk janë arritur në mënyrën e drejtë.
Feja islame ka ardhur për të vënë drejtësi, për ta promovuar drejtësinë, dhe për t’ua mësuar njerëzve se ç’është e drejta e ç’është e padrejta, dhe se cili është vendi i duhur për çdo gjë. Kush është i mençur dhe e kupton drejtësinë, atëherë ai do të jetojë një jetë të lumtur, ndërsa kush mendon se padrejtësia dhe drejtësia janë koncepte relative dhe se njeriu është i lirë të bëjë ç’të dojë për të shtuar pasurinë apo rritur famën, atëherë një njeri i tillë po jeton në iluzion – në një gjendje injorance ku në radhë të parë po i bën dëm vetes së tij.
Drejtësia nuk është një koncept moral apo diçka relative, por një e vërtetë absolute, e ngjashme me të vërtetat fizike apo kozmike, si pozicioni dhe funksioni i çdo pjese të një makinerie komplekse dhe bashkërendimi i punës së këtyre pjesëve me njëra tjetrën për t’i dhënë jetë punës së vetë makinerisë. Nëse ia ndryshon vendin një pjese, makineria nuk punon. Kështu është dhe jeta e njeriut: ajo nuk funksionon me padrejtësi pavarësisht iluzionit të njerëzve, dhe padrejtësia më e madhe është të mohosh Zotin, Ai i Cili të ka krijuar – garantuesi i drejtësisë absolute dhe i lumturisë së vërtetë.
Sabri Lushi
Mars 2024