LOGIN
Home » CILI ËSHTË LIGJI MË I MIRË E MË I DREJTË NË BOTË?

CILI ËSHTË LIGJI MË I MIRË E MË I DREJTË NË BOTË?

by Kukes Post
0 comment

Besoj se të gjithë ne jemi të përditësuar me atë që po ndodh në Palestinë, ku po vriten gra e fëmijë, po shkatërrohen vendbanime, ku interesat politike e gjeopolitike janë më të komplikuara e më të ndërlidhura se kurrë, ku media dhe propaganda politike është më aktive se ç’mund të jetë, çështje që ndoshta ka zënë vëmendjen e njerëzve anembanë botës më shumë se çdo çështje tjetër këto shtatë dekadat e fundit.

Xhamia e Shenjtë e Aksasë na kujton jo vetëm udhëtimin e Profetit Muhammed (ﷺ) për në qiell në takimin me Zotin, por toka e bekur – ashtu siç e ka quajtur Allahu në Kur’an, na kujton gjithashtu Musën (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) – një prej pesë të dërguarëve më të mëdhenj dhe profeti i cili i është zbritur Teurati.

“Ne e kemi zbritur Teuratin, që në të gjendet udhëzim e dritë, që me anë të të cilit profetët, që iu dorëzuan Allahut, gjykojnë në mesin e jehudive, dhe po ashtu këtë e bëjnë edhe dijetarët dhe priftërinjtë, të cilëve iu është besuar ruajtja e Librit të Allahut dhe ata ishin ndaj tij dëshmues. Kështu që, mos iu frikësoni njerëzve, por Mua të më frikësoheni, dhe mos i shkëmbeni ajetet e Mia me një çmim të vogël. Ai i cili nuk gjykon me atë që ka zbritur Allahu, të tillët janë mosbesimtarë.” El-Ma’ide, 44.

Teurati ishte libri që Allahu i zbriti Musës (ﷺ). Ai përmbante ligjin për izraelitët, të cilët Allahu i shpëtoi nga shtypja dhe skllavëria e Faraonit. Nuk kishte ligj më të mirë se sa Teurati. Në të gjendej drejtësia dhe udhëzimi. Pikërisht, Teurati zbriti në tokën e bekuar, aty ku sot bëhet luftë e vriten njerëz të pafajshëm, që tregon se është një vend me rëndësi të madhe.

Megjithatë, Teurati ishte libër i dedikuar vetëm për izraelitët, dhe ruajtja e tij i ishte ngarkuar dijetarëve të tyre, mision të cilin nuk e kryen me sukses.

Në vitin 609 pas lindjes së Krishtit (paqja qoftë mbi të), në një kohë kur botën e kishte mbuluar errësia e padrejtësisë, shkujdejsa morale e ideologjike, kur pjesa më e madhe e popullsisë jetonin si skllevër poshtë Perandorisë Romake dhe asaj Persiane, kur ligji i xhunglës ishte kthyer në normalitet, Allahu i zbriti Profetit Muhammed në Mekke pesë ajetet e para të Kur’anit, dhe kështu bota hyri në një epokë të re, dhe ajo nuk do të ishte më si më parë sepse në tokë kishte filluar të zbriste libri më i rëndësishëm, më i bekur që njerëzimi kishte parë ndonjëherë, dhe ligji më i drejtë për njerëzit – Kur’ani.

Pas një periudhe 23 vjeçare, në vitin 632, pak përpara se Profeti Muhammed (ﷺ) – profeti i fundit dhe më i rëndësishmi, të vdiste, zbritja e Kur’anit u plotësua. Gjatë kohës që Profeti ishte në haxh, Ditën e Arafatit, Allahu zbriti ajetin e rëndësishëm që shënjoi përfundimin e ligjit, “Sot e plotësova fenë tuaj, e përmbusha mirësinë Time ndaj jush, dhe jam i kënaqur që feja islame të jetë feja juaj.” El-Ma’ide, 3.

Kur’ani është libri që – sipas përshkrimit që vetë Allahu i bën atij, udhëzon tek më e mira, që është udhëzim për njerëzit, qartësues i udhëzimin dhe kriteri (i dallimit të vërtetës nga e pavërteta.)

Kur’ani është shfuqizuesi i librave të mëparshëm dhe autoritativ mbi çdo libër tjetër, “Dhe Ne ta zbritëm Librin me të vërtetën, pohues i Librit (Teuratit) përpara tij dhe autoritativ mbi të. Kështu që, gjyko mes tyre me atë që të ka zbritur Allahu, dhe mos ndiq tekat e tyre në kundërshtim me të vërtetën që të ka ardhur…” el-Ma’ide, 48.

Kur’ani, ashtu siç e ka quajtur Allahu në disa ajete të ndryshme, është dritë, mëshirë, dhe shërim për njerëzit. Këtij libri, “nuk mund t’i afrohet e pavërteta as nga para e as nga mbrapa; është shpallje e të Urtit, të Lavdishmit.” Fusilet, 42. Ky libër nuk mund të ndryshohet, nuk mund të luaj djalli më të, nuk mund ta deformojnë njerëzit, dhe nuk është libër që kundërshton vetveten – atë që e thotë diku e kundërshton diku tjetër.

Kur’ani është ligji më i drejtë sepse është i zbritur nga vetë Zoti, Ai i cili i ka krijuar njerëzit dhe e njeh natyrën e tyre më mirë se ne vetë. Allahu e di se çfarë nevojash kanë njerëzit, se cilat janë problemet e shoqërisë, problemet politike, problemet psikologjike, dhe se si mund të arrihet drejtësia absolute.

Kur’ani nuk është ligj i shkruar sipas interesave politike, i mbushur me shtigje e hapësira juridike që lë vend për abuzim juridik, i shkruar me një gjuhë që mund të interpretohet sipas dëshirës së këtij apo atij gjykatësi, që ndryshon sa herë ndryshojnë interesat apo nevojat e politikës, apo që diferencon njerëzit. Kur’ani nuk është i tillë.

Kur’ani nuk është një sërë ligjesh të miratuara nga parlamentet moderne të mbushara me deputetë injorantë, apo i formuluar nga juristë të shtetit që shkruajnë çfarë t’iu diktohet nga elita politike, ligje të cilat iu shërbejnë interesave të tyre – që lejojnë e ndalojnë sipas interesave politike, e jo sipas një logjike natyrore.

Kur’ani nuk është një ligj i cili favorizon të pasurit, dhe nuk është një çekiç në dorë të politikës për të goditur popullin e thjeshtë, siç janë ligjet moderne të padrejta.

Kur’ani është ligji i drejtë i formuluar nga vetë Allahu, e jo nga ky apo ai mbret për interesat e tij. Ky ligj përmban komponentët e plotë për të garantuar një shtet të së drejtës sepse ky ligj nuk mund të ndryshohet nga politika dhe nuk është në dorë të gjykatësve, siç është rasti i shteteve moderne të cilat pretendojnë të jenë shtete të së drejtës, por në realitet kjo është gënjeshtër. Shtetet moderne janë shtete të interesave politike dhe të kontrollit drakonik.

Kur’ani iu kushton rëndësi pikërisht atyre gjërave që njerëzve nuk iu duken shumë të rëndësishme, aq më tepër ato çështje që politika dhe shtetet moderne i kanë kthyer në mekanizma të kontrollit të popullsisë e të shtypjes. Kur’ani i ka kushtur rëndësi konceptit të borxhit monetar pa interes, për shembull, si një masë për të shpëtuar njerëzit nga shtypje e shfrytëzimi ekonomik.

Kur’ani i ka kushtuar rëndësi të veçantë konceptit të familjes, martesës, divorcit, se cili është kryetari i familjes, se cili është roli i gruas, dhe se ku fillon e ku mbaron pushteti i politikës mbi familjen – diçka që politika moderne e ka kthyer në biznes të kontrollit politik të shoqërisë.

Kur’ani ka caktuar kufijtë e të ndaluarës dhe të lejuarës, qoftë në lidhje me ushqimet, me tregtinë, me bashkëpunimin mes njerëzve, me bashkëpunimin me shtetin, dhe konturet e rrethin të njerëzve që është e ndaluar martesa me ta dhe të atyre që është e lejuar martesa. Këto kufij i ka caktuar Allahu, dhe nuk ia ka lënë në dorë as parlamentit, as gjykatës, e as pushtetarëve të radhës, ashtu siç po ndodh në shoqërinë moderne kur gjykatat e parlamentet janë kthyer ne tempuj perëndishë të gënjeshtërta që iu lejojnë e iu ndalojnë njerëzve ashtu siç ata e shohin të arsyshme apo ashtu siç i shërben më mirë politikës dhe interesave të tyre.

Kur’ani është ligji absolut, që ka shfuqizuar Teuratin – i cili ishte dritë e udhëzim, e aq më tepër ai refuzon çdo ligj tjetër të miratuar nga parlamentet moderne – tempujt e korrupsionit, e njerëzve injorantë e të pamoralshëm, e individëve që simbolizojnë mungesën e dinjitetit dhe degradimit njerëzor.

Kur’ani është libër që nuk ndryshon, tek i cili kanë askes të gjithë, ruajta e së cilit është garantuar nga vetë Allahu, dhe ky libër përmban drejtësinë absolute, i vlefshëm për çdo situatë, kohë, vend, e shoqëri njerëzore, e për më tepër, pjesa dërrmuese e Kur’anit është i zbatueshëm mes njerëzve edhe pa mbikëqyrjen e shtetit apo të politikës.

Nesë e bazon jetën në Kur’an, ai nuk ndryshon. Nëse e nis një biznes sipas kritereve të Kur’anit, ai nuk ndryshon, ndërsa ligjet moderne mund të ndryshojnë brenda natës, e kështu që gjendesh përpara një situate të papritur, që mund të ketë dëm ekonomik e social.

Një ligj që nuk ndryshon e që nuk e kanë në dorë njerëzit për ta ndryshuar garanton stabilitet dhe konsistencë, ndërsa ligjet moderne nuk garantojnë as stabilitet, as barazi përpara ligjit, dhe as konsistencë, por promovojnë vetëm stres, konflikte, zhurmë, kontroll, dhe shtypje.

Kur’ani është dhurata më e madhe që Allahu i ka dhënë njerëzimit: ligji i drejtësi absolute, garantuesi i zhvillimit njerëzor, promovuesi i rendit të fortë familjar – si mekanizmi më i mirë natyror i organizimit shoqëror, ashtu sikurse ky libër promovon vlerat dhe moralin më të lartë të shoqërisë njerëzve sepse ky libër është i zbritur nga Allahu, i Gjithëdijshmi, i Urti.

Sabri Lushi

Mars, 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post