Nderimi që Qarku i Shkodrën i bëri dijetarit të shquar musliman Muhammed Nasirudin el-Albani meriton mirënjohje e falenderim publik, për kryetarin Edmond Ndou e për të gjithë ata që kanë kontribuar në marrjen e këtij vendimi e në organizimin e ceremonisë. Vlerësimi i dijetarëve është nga shenjat më pozitive të një shoqërie, dhe një shkëndijë shprese për të ardhmen e saj.
I lindur në Shkodër në vitin 1914 – në një periudhë shumë të vështirë për muslimanët shqiptarë, i mërguar në Siri në vitin 1923 në fillimin e një lufte politike kundër fesë islame në Ballkan, me një baba dijetar e me aspirata të palëkundura për mbrojtjen ideologjike të familjes e për edukimin e fëmijëve me mësimet e fesë islame, Imam Albani jo vetëm që e realizoi ëndërrën e babit të tij për t’u bërë dijetar musliman, por ai në fakt u bë dijetar me famë botërore në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të aq sa figura të rëndësishme të botës islame, siç ishte muftiu i përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite Sheikh Abdul Aziz ibën Baz, e kanë konsideruar atë si ‘muxhed-did’ – rinovues i diturisë fetare, ashtu siç Profeti Muhammed ka thënë, “Allahu do të nxjerrë në krye të çdo njëqind viteve një dijetar që do ta rivonojë diturinë fetare.” – Hadith i transmetuar nga Abdu Dawud.
Përveç një pjese të vogël të kohës së tij që e shpenzonte në punën e tij prej orëndeqësi, punë e cila i siguronte të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjes, Imam Albani ia kushtoi të gjithë jetën e tij shkencës së hadithit, më saktë, të verifikimit të saktësisë së transmetueshmërisë së haditheve të Profetit Muhammed (paqja e Allahut qoftë mbi të), punë e cila u kurorëzua me dy librat e tij të famshëm ‘Silsilah el-Ahadith as-Sahiha’ (11 volume) dhe ‘Silsilah el-Ahadith ed-Da’ifah’ (14 volume).
Imam Albani na dha shembullin e dijetarit të palodhshëm, të guximshëm, që nuk u frikësua nga të ecurit kundër rrymës nëse ajo ecje ishte për hirë të së vërtetës, të dijetarit i cili nuk luftoi për nam, por emri i tij u bë ndër më autoritativët e më të famshmit në shkencën e hadithit aq sa opinioni i tij në vërtetësinë e transmetimeve të traditës profetike gjendet thuajse në çdo libër fetar të botuar në kohën tonë.
Imam Albanit i interesonte e vërteta dhe e drejta, dhe gjatë gjithë jetës së tij ai luftoi për të – për përhapjen e të vërtetës së fesë islame. Madje edhe nëse prononcimi i të vërtetës mund t’ia rrezikonte atij pozitën, statusin, apo leje qëndrimin e tij kur ai po punonte si profesor, ai nuk nguronte nga e vërteta apo opinioni i tij i pavarur.
Në një botë ku janë shtuar gënjeshtrat, mashtrimet, propaganda politike, mashtrimet historike, mungesa e përgjegjësisë akademike, e humbja e besueshmërisë së intelektualëve e klerikëve, Imam Albani na dha mësimin më të mirë, ose më saktë e rinovoi këtë aspekt të rëndësishëm të fesë islame: se gjërat duhen verifikuar dhe se fjalët duhen hulumtuar, aq më tepër kur vjen puna tek tradita profetike.
Imam Albani gjithashtu e rinovoi edhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm të fesë islame: bazimin e opinioneve fetare mbi argumente nga Kur’ani, Tradita Profetike, e nga kuptueshmëria e tre brezave të parë të begatë – çdo kush mund të flasë në emër të fesë, mund të japë opinionin e tij, por për aq kohë sa opinioni nuk mbështetet mbi argumente fetare, atëherë ai ngelet një fjalë e thatë. Ky ishte mësimi i Sheikh Albanit.
Vdekja i tij në vitin 1999 ishte një dhimbje e madhe për të gjithë botën islame dhe humbja e një zëri autoritativ. Opinioni i tij dëgjohej dhe i vihej veshi nga miliona muslimanë nga e gjithë bota. Përveç kontributit të tij të paçmuar në rinovimin e shkencës së hadithit e të davetit, emri i Imam Albanit u bë ambasadori më i mirë edhe për Shqipërinë. Kudo që të shkosh, në Lindje të Mesme, në Indonezi, në Malajzi, në Indi, në Afrikën Veriore, e në Perëndim, muslimanët e njohin emrin e Muhammed Nasirudin el-Albanit, e për rrjedhojë, ata e njohën Shqipërinë përmes tij.
Nuk ka dyshim që Republika e Shqipërisë nuk ia ka dhënë nderimin që meriton ky dijetar, dhe nuk ia ka shpaguar sadopak kontributin që Imam Albani ka bërë për famën dhe për njohjen e Shqipërisë në botën islame, aq më tepër që ‘el-Albani’ ishte kthyer në mbiemrin e tij.
Zoti i Madh e mëshiroftë Imam Albanin, dhe ia shpërbleftë gjithë punën e tij kolosale në emër të mbarë muslimanëve e të mbarë shqiptarëve. Edhe një herë, mirënjohje e thellë Qarkut të Shkodrës për vlerësimit që i bëri dijetarit tonë të dashur Muhammed Nasirudin el-Albani (1914-1999).
Korrik 2024