Ndërkohë që ditët e muajit të Ramazanit – secila më e bukur e më e begatë se tjetra, po kalojnë një e nga një, nuk ka imazhe më të bukura se të shohësh fytyrat e besimtarëve duke çelur iftar: dritë, përulësi, gëzim për përmbushjen e një detyrimi të madh ndaj Zotit, lutje, e pak më vonë të gjithë duke përshpejtuar për të falur namazin e taravive – xhamiat secila më plot se tjetra.
Qëllimi i Ramazanit është devotshmëria. “A ju të cilët keni besuar, agjërimi u është bërë detyrim juve ashtu siç ka qenë detyrim për ata përpara jush me qëllim që ju të bëheni të devotshëm.” El-Bekare 183.
Agjërimi – distancimi nga ushqimi, uji, apo marrëdhëniet intime nga agimi deri në perëndim të diellit – nuk është kusht i mjaftueshëm për t’u bërë i devotshëm, por është një premisë e rëndësishme, është një hap i madh drejt devotshmërisë, është një ndryshim rrënjësor i të jashtmes me shpresë që ajo ta ndryshojë të brendshmën, ashtu sikurse është demonstrim domethënës i kontrollit të vetvetes e të epsheve bazike ndërsa pikërisht janë epshet burimi kryesor i cënimit të devotshmërisë.
Devotshmëria është forca e besimtarit; është morali, vetëdija ndaj Zotit, përulësia, dhe feja e përkthyer në vepra.
Devotshmëria nuk është fjalë boshe, nuk është propagandë, nuk është një selfie, nuk është imazh, as pretendim bosh i të qenurit musliman, por është marrje seriozisht e fesë.
Thotë i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të), në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra:
“Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk e tradhton atë, nuk e gënjen e nuk e zhgënjen atë; çdo gjë që i përket muslimanit është e ndaluar: nderi, pasuria, dhe gjaku i tij. ‘Devotshmëria është këtu’ (dhe i Dërguari i Allahut e drejtoi gishtin tre herë nga zemra).’ Do t’i majftonte njeriut si një vepër e keqe nënçmimi i vëllain të tij musliman.” Transmeton Tirmidhiu.
Edhe pse është kënaqësi t’i shohësh muslimanët të grumbullohen kaq shumë nëpër xhamia – janë pamje optimiste, por e vërteta është se muslimanët çalojnë më së shumti tek devotshmëria.
Në kohën tonë, dituria është bërë shumë e lehtë. Muslimani nuk ka nevojë të udhëtojë, të largohet me vite të tëra nga familja për të mësuar Kur’anin, për të mësuar arabisht, apo shkencat e tjera të fesë islame, por, nga ana tjetër, devotshmëria është bërë gjë shumë e vështirë e shumë e rrallë.
Devotshmëria është ta besosh Zotin në çdo aspekt: në zëmrën tënde, në fjalët e tua, e në veprat e tua.
Devotshmëria është ta besosh ligjin e Allahut, ta vësh atë në praktikë, ta marrësh atë me plot seriozitetin e mundshëm, dhe të besoh plotësisht se veprat kanë pasoja – qoftë në këtë botë, e qoftë në llogaridhënien e madhe përpara Allahut ditën e Kijametit.
Nuk është vështirë të gjesh muslimanë të ditur, të artikulueshëm, të pasur, oratorë, mbajtës diplomash të ndryshme, por është shumë vështirë të gjesh muslimanë të devotshëm – njerëz të besës, të fjalës së dhënë, të sinqertë, seriozë në praktikimin e fesë, për të cilët ligji i Allahut është kriteri mbi të cilin e bazojnë jetën e tyre, dhe përpiqen fort për ta përsosur veten.
Historia ka treguar se vetëm kur muslimanët t’i kthehen devotshmërisë, vetëm atëherë ata do të jenë triumfues, vetëm atëherë Allahu do t’iu japë atyre pushtet.
Arsenali më i madh i shokëve të Profetit Muhammed (ﷺ) nuk ishin shpatat, shtizat, mburojat, apo mjetet e tyre luftarake të asaj kohe. Përkundrazi, romakët e persianët ishin shumë herë më të fuqishëm e më të përgaditur ushtarakisht, por sahabët (Allahut qoftë i kënaqur me ta) ishin të pajisur me devotshmëri, dhe kjo ishte pikërisht arma që i bëri ata ngadhënjimtarë në tokë, duke mundur sëbashku romakët e persianët.
Mbas ajeteve të agjërimit në suren el-Bekare, Allahu flet për haxhin ku thotë:
“Haxhi kryhet në muajt e caktuar. Kushdo që vendos ta kryej atë, atëherë nuk lejohen për të të bëjë marrëdhënie intime (gjatë kohës së ihramit), as të kundërshtojë dispozitat e sheriatit, e as të shkaktojë grindje. Çdo të mirë që të bëni, Allahu e di atë, dhe përgadituni me furnizim (për udhëtimin), por përgaditja më e mirë është devotshmëria.” El-Bekare, 197.
Devotshmëria është përgaditja më e mirë për besimtarin; është forca, bukuria, dhe krenaria e tij. Devotshmëria është praktimi i fesë islame në çdo aspekt: në lidhjen me Zotin e në marrëdhëniet me njerëzit.
Nëse muslimani e merr seriozisht muajin e Ramazanit, atëherë ai ka një mundësi të artë për t’u bërë i devotshëm.
Sabri Lushi
Mars 2025