REFLEKTIM MBI SUREN EL-MĀ’IDEH: LIGJI DHE DEVOTSHMËRIA
Teksa po reflektoja këto ditë për devotshmërinë, pasi qëllimi i agjërimit të muajit të Ramazanit është arritja e devotshmërisë – madje i gjithë Kur’ani është udhëzim për të devotshmit, shpesh ne e lidhim atë me mirësjelljen, asketizmin, me vepra vullnetare, apo me adhurimet e shumta personale – që kanë të bëjnë me marrëdhënien e individit me Zotin, siç është namazi, por anashkalojmë komponentin më të rëndësishëm të devotshmërisë: ligji dhe drejtësia sipas përkufizimit të fesë islame.
Surja el-Mā’ideh [Tryeza] është ndër suret e fundit që i është shpallur Profetit Muhammed (ﷺ), e cila përmban ajetin e famshëm të zbritur ditën e Arafatit se “…sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…;” kjo sureh flet për ligjin, për përmbushjen e premtimeve, për kafshët mishi i të cilave është i ndaluar të konsumohet, për lejimin e konsumimit të ushqimit të ithtarëve të Librit dhe të martesës me gratë nga radhët e tyre, për pastrimin (abdesin) si kusht për kryerjen e faljes së namazit; flet për zotimin që Allahu ka marrë nga izraelitët; flet për historinë e Habilit dhe Kabilit – dy djemëve të Ademit (alejhi-selām), historia e së cilëve flet për krimin e vrasjes apo për krimin e parë në tokë, ashtu sikurse flet për ndalesën e akoolit dhe bixhozit si vepra të shëmtuara të nxitura nga djalli.
Gjithashtu, surja el-Mā’ideh përmban tre ajetet (44, 45,47) e rëndësishme kur’anore të cilat përcjellin qortim të ashpër se “ata të cilët nuk gjykojnë me atë që ka zbritur Allahu janë…” respektivisht “mosbesimtarë,” “të padrejtë,” dhe “kundërshtues të dispozitave të sheriatit.”
Për më tepër, në këtë sureh gjendet edhe historia e Musës (alejhi-selām) me popullin izraelit të cilët refuzuan të luftojnë për çlirimin e Jeruzalemit. Si dënim për mosbindjen e tyre, Allahu ua bëri të ndaluar hyrjen në tokën e shenjtë për dyzet vjet, kohë gjatë të cilës ata do të silleshin në shkretëtirë si të hutuar.
Pra, surja el-Mā’ideh trajton rëndësinë e ligjit, drejtësisë, pasojat e padrejtësisë, rëndësinë e marrëdhënieve të njerëzve me njëri tjetrin, rregullat e ushqimit, ashtu sikurse thekson shumë fortë pasojat negative të kundërshtimit të urdhërave të Zotit, të kundërshtimit të profetëve apo të vrasjes së tyre, të rëndësisë së adhurimit të Allahut në mënyrë absolute, pa i shoqëruar askënd në adhurim, qoftë edhe kur bëhet fjalë për Isën (alejhi-selām).
Allahu është Zoti fuqiplotë i Cili meriton të adhurohet i vetëm, dhe ligji i Tij është i vetmi ligj i drejtë për jetën në tokë.
Në mënyrë të veçantë, Allahu i urdhëron besimtarët prerazi që të mos i bëjnë padrejtësi askujt, qoftë edhe armikut të tyre, ndaj të cilëve mund të jenë të shtryrë nga urrejtja për t’iu bërë padrejtësi, ku thotë në dy ajete:
“Urrejtja ndaj një populli, që iu pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos iu shtyej të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre. Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në devotshmëri, e jo në mëkate e armiqësi. Kini frikë dënimin e Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.” el-Mā’ideh 2.
“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhni të drejtë se ajo është më afër devotshmërisë. Kinie frikë Alahun se Allahu di holësiht për atë që veproni.” el-Mā’ideh 8.
Mbi të gjitha, surja el-Mā’ide flet për devotshmërinë. Allahu i urdhëron besimtarët që të jenë të devotshëm, ta kenë frikë Atë, të mbajnë drejtësi, të zbatojnë ligjin e Tij, të mos i bëjnë padrejtësi askujt, të mos bëjnë shkatërrime në tokë, të mos vrasin njëri tjetrin, të përmbushin premtimet e tyre, të jenë të kujdesshëm ndaj ushqimit që hanë, dhe të tregohen të vëmendshëm ndaj pasojave që mund të vijnë nga mos zbatimi i ligjit të Allahut.
Surja el-Mā’ide mbyllet me komunikimin e Allahut me profetët e Tij Ditën e Gjykimit, se çfarë ka ndodhur me njerëzit e nëse ata i kanë zbatuar urdhërat e Allahut apo jo.
Devotshmëria nuk është aktrim; nuk është luatje roli; nuk është thjesht paraqitje, slogan, apo pretendim bosh. Ajo është zbatimi i ligjit të Allahut, pranimin e Tij si Zotin e vetëm, bindjen ndaj Tij pa asnjë kusht, dhe mos barazimin e urdhërave të Tij me askënd tjetër.
Devotshmëria nuk është një fjalë e mirë boshe, por është drejtësi, qoftë edhe me armikun ndaj të cilit kemi urrejtje. Është dëshmimi i të vërtetës.
Qëllimi madhor i agjërimit të Ramazanit është devotshmëria, e devotshmëria është mes të tjerash drejtësi – drejtësi me çdo njeri, dhe drejtësia nuk mund të përkufizohet pa lexuar Kur’anin dhe Sunnetin e Profetit Muhammed (ﷺ). Devotshmëria është adhurimi vetëm i Allahut dhe zbatimi i ligjit të Tij ndërsa distancimi nga ushqimi është një pjesë nga devotshmëria.
Devotshmëria dhe padrejtësia nuk mund të bashkëjetojnë tek i njejti person.
Sabri Lushi
Mars 2025