AGJËRIMI: NGA KU BURON FORCA, QËNDRUESHMËRIA, DHE DRITA
Po të mendojmë rreth arsyeve se pse njerëzit e mohojnë Zotin, do të vëmë re se ato nuk janë ideologjike apo racionale aq sa kanë të bëjnë me qasjen e tyre ndaj përmbushjes së nevojave fiziologjike – të manifestuara si lakmi, pangopësi, grykësi, apo dëshira për të grumbulluar sa më shumë të mira materiale, pa përmendur dëshirën për të donimuar mbi të tjerët. E gjitha kjo vjen si rezultat i vetë faktit se burimet natyrore janë të kufizuara, dhe këtu qëndon sprova e njeriut në këtë botë.
Në këtë aspekt, agjërimi është ilaçi i kësaj sëmundje; e trajnon njeriun që ta kontrollojë veten, ta ulë varësinë ndaj të mirave materiale, e ta bëjë atë sa më të pavarur e sa më të disiplinuar si qenie njerëzore.
Nëse e gjithë feja islame përmban paketën e plotë të plotësimit ideologjik, moral, psikologjik, e shpirtëror të njeriut, agjërimi ka funksion unik: kontroll mbi epshet e mbi nevojat fiziologjike në përgjithësi.
Agjërimi e rrit njeriun, e zhvillon atë shpirtërisht, ia çel sytë, dhe i jep dritë për ta parë realitetin e materiales – se njeriu nuk ngopet kurrë derisa barkun e tij ta mbulojë dheu, por lum si ai që i është dhënë suksesi për të agjëruar.
Agjërimi është maturi, pavarësi, qëndrueshmëri, disiplinë, heqje dora nga gjërat që të mbajnë të varur, të jep guxim, të jep forcë përballë armikut i cili mund të të kërcënojë me uri, të jep durim, zhvillon të brendshmen, shpirtëroren, e moralin, ndërsa i tregon vendin e duhur materiales.
Agjërimi është praktika e të gjithë profetëve të Allahut. Musa (alejhis-selam) agjëroi dyzet ditë përpara se të fliste me Krijuesin Madhështor. Daudi (alejhis-selam) agjëronte një ditë po e një ditë jo, e ky është agjërimi më i mirë, siç transmetohet të ketë thënë i Dërguari i Allahut (ﷺ).
Agjërimi e tjetërson njeriun. Është ilaç. Është ekseriencë e pazëvendësueshme. Në tërësinë e tij, njeriu nuk e mohon Zotin për shkak të konkluzioneve logjike, por shkak mund të jetë lakmia, varësia e tij e tepruar ndaj materiales deri në atë masë sa e bën atë të verbër.
Allahu ua obligoi besimtarëve agjërimin e muajit të Ramazanit shumë pak kohë përpara betejës së Bedrit – që është beteja e parë e zhvilluar mes Profetit Muhammed (ﷺ) dhe armiqve mosbesimtarë, dhe nuk ka dyshim se në këtë ka urtësi.
Përgëzime për agjëruesit!
Sabri Lushi
Mars 2025
Discover more from Kukes Post
Subscribe to get the latest posts sent to your email.