Home » MONOTEIZMI [TEUHIDI]: ARSYETIMI LOGJIK, MORALI, DHE NATYRSHMËRIA

MONOTEIZMI [TEUHIDI]: ARSYETIMI LOGJIK, MORALI, DHE NATYRSHMËRIA

by Kukes Post
0 comments

MONOTEIZMI [TEUHIDI]: ARSYETIMI LOGJIK, MORALI, DHE NATYRSHMËRIA

Në suren ez-Zumer, Allahu flet në mënyrë të hollësishme rreth besimit në Zotin Një. Mes të tjerash, hidhet poshtë arsyetimi i gabuar i atyre që adhurojnë zota të tjerë përveç Allahut; nxirret në pah gjendja e çuditshme e njeriut mosbesimtar i cili ia kthen shpinën Zotit sapo t’ia largojë vështirësinë e t’i dhurojë të mira; Allahu e kujton njeriun me të vërtetat e mëdha të jetës: se kush e ka krijuar atë, si e ka krijuar, se si vdekja dhe gjumi ngjashmërisht përbëjnë dorëzim të shpirtit, se të gjithë njerëzit do ta përjetojnë vdekjen, e pas vdekjes ka parajsë për besimtarët dhe zjarr përvëlues për mosbesimtarët, dhe se si politeizmi e shkatërron veprën e njeriut, porse njëkohësisht Allahu iu bën thirrje njerëzve se dera e pendimit dhe e kthimit tek Ai është e hapur paravësisht mëkateve të shumta që ai mund të ketë kryer.

Një nga shembujt e bukur e domethënës që Allahu sjell në këtë sureh për t’a ilustruar dobinë dhe logjikën e besimit në një zot është ajeti 29:

ضَرَبَ ٱللَّهُ مَثَلًۭا رَّجُلًۭا فِيهِ شُرَكَآءُ مُتَشَـٰكِسُونَ وَرَجُلًۭا سَلَمًۭا لِّرَجُلٍ هَلْ يَسْتَوِيَانِ مَثَلًا ۚ ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ۚ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْلَمُونَ

“Allahu sjell shembullin e një burri [robi] i cili është nën kontrollin e disa zotërive të përçarë mes vete, dhe shembullin e një burri i dorëzuar plotësisht ndaj një zotërie të vetëm. A janë të njejtë këta shembuj?! Falenderuar qoftë Allahu [që përgjigjja është e vetëkuptueshme], porse shumica prej tyre nuk dinë.” Ez-Zumer 29.

Secili njeri në këtë botë i bindet dikujt, është rob, pason dikë, mëson nga të tjerët, kontrollohet nga dikush, merr dikë për model, ndikohet nga dikush, adhuron dikë, dhe ka një sistem vlerash që ia drejtojnë jetën. Çdo gjë që bëjmë në jetë nuk e kemi shpikur nga vetja jonë, por e kemi mësuar nga të tjerët, ndikohemi nga të tjerët, dhe na është servirur si model.

Allahu na parashtron premisën logjike në këtë ajet: se cili model është më i arsyeshëm, më racional për njeriun, më i thjeshtë, dhe më i dobishëm – të kesh disa zotërinj të përçarë mes vete që të të komandojnë, apo të kesh vetëm një zotëri të cilit i bindesh plotësisht.

Mosbesimtari apo politeisti (mushriku) kontrollohet nga shumë zota dhe kërkesat e këtyre zotave nuk janë në harmoni, nuk puqen, nuk kanë të njejtin interes për robin, secili zot ka drejtimin e tij, ka idenë e tij, dhe pikëpamjen personale. Madje këta zotërinjë – zotat që ky rob iu bindet – janë në konflikt me njëri tjetrin, grinden mes vete, nuk kanë moral fisnik, dhe secili është më konfliktual se tjetri, dhe urdhërat e tyre ndaj këtij robi të vetëm do të ishin shkatërruese për të.

Kështu është jeta e atij që nuk beson në Allahun Krijues: i bindet shumë zotave në jetë; mosbesimtari i bindet traditës, kulturës, nganjëherë parimeve shkencore, pjesërisht një feje që e ka mësuar si pjesë të kulturës, i bindet babait, bosit tek puna, bashkëshortes, shokëve, mësuesit, i bindet pushtetit politik, ligjeve e rregullave të mosbesimtarëve, një sharlatani, i bindet karrierës, dëshirës për të dominuar, lakmisë, një idhulli, një magjistari, zbaton disa mësime që i ka lexuar në një libër krejt të rastësishëm, një intelektuali që i është servirur në rrethin e tij shoqëror, një kleriku fetar, dhe mbi të gjitha i bindet unit të tij (arabisht: el-hawa) – dëshirave të tij personale, mendimeve të prodhuara nga turbullirat e tij intelektuale, pasionit, epsheve, apo mbrapshtirave psikologjike.

Jeta e mosbesimtarit nuk ka se si të jetë e qetë, të ketë harmoni të brendshme, të manifestojë racionalitet, rregull, apo urtësi sepse jeta e tij është e kontrolluar nga shumë komanda – secila komandë e tërheq në drejtime të ndryshme: dëshira personale i dikton diçka, bosi i tij ka një kërkesë tjetër, politika i bën presion nga ana tjetër, gruaja në shtëpi ka kërkesat e saj, lakmia e shtyn në një drejtim tjetër – dhe kështu është jeta e tij, e çoroditur, kaotike, pa ndonjë qëllim, vend numëro, dhe në fund humbje.

Thotë Allahu në Suren el-Kehf, 28:

“… dhe mos iu bind atij zemrën e të cilit e kemi bërë të shkujdesur ndaj Përmendjes Sonë, dhe që pason el-hawa (unin e tij, epshet, dëshirat, apo mendimet iracionale të veta), sepse çështja e tij është në humbje.

Në fakt, jo vetëm që jeta e mosbesimtarit është në humbje, kaotike, dhe e lodhshme, por besimi në shumë zota e prish moralin e njeriut. Duke jetuar gjithmonë nën presionin e urdhërave, komandave, apo kërkesave konfliktuale, njeriu zhvillon cilësi negative: zhvillon hipokrizinë, mashtrimin, gënjeshtrën, besëprerjen, tradhtinë, frikën, dhe mungesën e dinjitetit etj. Njeriu nuk gënjen rastësisht, për shembull, porse kur kërkon t’u bindet dy apo disa urdhërave apo kërkesave të ndryshme: një njeriu ndaj të cilit ka një obligim dhe dëshirës personale. Besimtari i vërtetë, nga ana tjetër, nuk gënjen nëse besimi është kthyer në modelin e tij të bredshëm sepse nuk ka arsye.

Gjendja e besimtarit është diametralisht e kundërt: ai ka vetëm një zot, dhe Ai është Allahu. Besimtari ka vetëm një qendër komande e cila merr përparësi në hierarkinë e komandave të tjera. Ai i jep përparësi asaj që urdhëron Allahu, që ka legjitimuar Allahu, pason shembullin që e ka caktuar Allahu të pasohet, pra profetët (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta), zbaton urdhërin e Allahut mbi urdhërin e çdo kujt tjetri, aq më tepër kur këta urdhëra janë në konflikt me njëri tjetrin. Nëse Allahu urdhëron diçka ndërsa shoqëria, bosi, prindi, shteti, politika, interesat personale, bashkëshortja, karriera, epshet, uni, apo edhe mendimi i tij iracional urdhërojnë ndryshe apo shtyjnë në një drejtim tjetër, për besimtarin urdhëri i Allahu merr prioritet. Ky është thelbi i monoteizmit. Ky është besimi në një zot. Ky është besimi në Allah – që t’i dorëzohesh plotësisht Atij.

Të kesh një zot të vetëm që të ta kontrollojë jetën është më logjike, më e arsyeshme, dhe më e dobishme se sa të kesh disa zota mbi vete ndërkohë që këta zota janë grindavecë e secili ka tekat e tij.

Të kesh për zot vetëm Allahun jo vetëm që është më e dobishme nga pikëpamja e unifikimit të komandës në jetë, por do të thotë se ke për zot Atë i cili të ka krijuar, i Cili ka krijuar gjithçka, di gjithçka në hollësi, kontrollon gjithçka, ka në dorë thesarët e qiejve e të tokës, di të shkuarën, të ardhmen, të njeh ty më shumë se çdo kush tjetër, është më pranë teje se sa vetja jote, të përgjigjet nëse i lutesh, të ka zbritur Kur’anin e qartë si udhëzim, është i qartë në urdhërat e Tij, të premton jetën më të mirë në këtë botë dhe shpërblim mbas vdekjes, të furnizon natë e ditë, të gjendet afër kur ke nevojë, dhe është më i mëshirshmi. Ky është Allahu.

Zotat e tjerë janë të kotë, të mashtrojnë, ta humbasin jetën, të mbajnë të ngërthyer me gënjeshtra, secili të tërheq në drejtimin e tij që të të humbasin, dhe nuk të garantojnë asgjë për të ardhmen përveç se gënjeshtra e mashtrime.

Sabri Lushi
Prill 2025

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post