Home » SHEMBULL NGA FAMILJA E IMRANIT: MOS E NËNÇMO VETEN TËNDE!

SHEMBULL NGA FAMILJA E IMRANIT: MOS E NËNÇMO VETEN TËNDE!

by Kukes Post
0 comments

SHEMBULL NGA FAMILJA E IMRANIT: MOS E NËNÇMO VETEN TËNDE!

 

Të gjithë ata muslimanë të cilët nuk e kuptojnë rëndësinë e lutjes (du’āsë), le t’i kthehen në Kur’ān historisë së Merjemes (paqja e Allahut qoftë mbi të) dhe të nënës së saj – Gruas së Imranit.

Një familje e thjeshtë, e devotshme, duke jetuar në një shoqëri të cilën e kishte mbuluar korrupsioni, prishja morale, dhe materializmi, Gruaja e Imranit i lutet Zotit që t’i dhurojë një djalë që t’ia dedikojë fesë dhe adhurimit të Allahu.

 

إِذْ قَالَتِ ٱمْرَأَتُ عِمْرَٰنَ رَبِّ إِنِّى نَذَرْتُ لَكَ مَا فِى بَطْنِى مُحَرَّرًۭا فَتَقَبَّلْ مِنِّىٓ ۖ إِنَّكَ أَنتَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْعَلِيمُ

 

“Kur gruaja e Imrānit pat thënë: ‘Zoti im, unë këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd, pra pranoje këtë prej meje, vertetë Ti je Ai që dëgjon e di!” Surja Āli Imrān,

 

Ky është kontributi që Familja e Imrānit kishte në dorë t’i japte shoqërisë, t’i japte fesë, të bënte aq sa mundej për ta mbajtur gjallë fenë e Allahu, ligjin e Tij, lidhjen e shoqërisë njerëzore me Krijuesin, dhe ky është modeli i devotshmërisë që nëna e Merjemes kërkonte t’i jepte shoqërisë.

 

Ajo u lut, dhe Allahu ia pranoi lutjen në një mënyrë që edhe ajo vetë nuk e kishte menduar.

 

Ajo lindi një vazjë – Merjemja. Mendoi se nuk i ishte realizuar dëshira që kishte, por Allahu sapo i kishte bërë dhuratë një vajzë që do të bëhej më e famshmja në historinë njerëzore sepse Allahu e dinte sinqeritetin e kësaj gruaje të thjeshtë, të kësaj bashkëshortje të një burri të sinqertë e të kësaj familje të devotshme në mesin e një shoqërie materialiste.

 

Merjemja lindi, u rrit në shtëpinë e Zotit nën përkujdesjen e Profetit Zekerija (alejhis-selām), dhe jeta e saj ishte mrekulli dhe e mbushur me mbrekullira, aq sa edhe vetë ky profet u inspirua nga këto mrekulli që t’i lutej Zotit t’i dhuronte një fëmijë edhe pse ishte në moshë të thyer.

 

Historia e Merjemes dhe e nënës së saj të devotshme (paqja e Allahut qoftë mbi to) duhet të jetë inspirim për të gjithë ne. Sado i parëndësishëm të duket vetja, sidomos në një shoqëri të korruptuar e të zhytur në zullum, mos e nënçmo rolin tënd, ashtu sikurse Gruaja e Imranit nuk e nënçmoi rolin e saj edhe pse jetonte në një shoqëri të zhytur në zullum.

 

Historia e Familjes së Imranit duhet të jetë shembull për të gjithë ne, që të mos i dorëzohemi shoqërisë e cila na tërheq drejt zullumit e prishjes.

 

Nga kjo familje Allahu nxori Isain (alejhis-selām), i cili nuk u bë thjesht një djalosh që do të rritej në faltore duke iu lutur Allahut, por u bë një nga pesë të Dërguarit më të mëdhenj të të gjithë historisë njerëzore, e të cilit Allahu i shpalli Ungjillin.

 

Lutja e një gruaje të thjeshtë, të devotshme, e modeste ndoshta ka ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore, kështu që mos e nënçmo rolin tënd, mos e nënçmo lutjen, mos e nënçmo devotshmërinë, dhe mos të të dëshpërojë zullumi i shoqërisë. Në sytë e njerëzve ndoshta nuk ke vlerë, por Allahu ka standarte të tjera.

 

Ndoshta Gruaja e Imranit nuk kishte ndonjë peshë në syte e një shoqërie materialiste; ndoshta shoqëria e nënçmonin atë familje, aq më tepër zullumqarët romakë dhe mercenarët e tyre nga izraelitët të asaj kohe, por tek Allahu u vërtetua që paska pasur peshë shumë të madhe, e Ai iu përgjigj lutjes së saj.

 

Sabri Lushi

 

Maj 2025

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post