NDËRTIMI I XHAMIAVE DHE LUFTIMI I FESË: NJË PARALELIZËM I FRIKSHËM APO I RASTËSISHËM?!
Dy fenomene po ecin paralelisht krah njëri tjetrit: ndërtimi i xhamiave dhe luftimi i fesë islame në rang botëror. Kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht kanë lidhje me njëri tjetrin, por dhe të mendosh se po zhvillohen paralelisht në mënyrë krejt rastësore është pak vështirë të pranohet si i tillë.
Kur Profeti Muhammed (ﷺ) bëri hixhret nga Mekka në Medine (e njohur si Jethrib në atë kohë), veprimi i parë që ndërmori ishte ndërtimi i një xhamie. Ky fakt tregon rëndësinë që xhamiat kanë për komunitetin e besimtarëve. Ky është mësimi që i Dërguari (ﷺ) na ka dhënë kur ai mori nën kontroll qytetin dhe komunitetin e Medines, që do të bëhej shteti i parë i muslimanëve i themeluar nga vetë dora e bekuar e Profetit Muhammed (ﷺ).
Xhamia e parë që u ndërtua në Medine është Xhamia Kubā. Dijetarët e tefsirit përmendin në shpjegimin e ajetit 108 të sures et-Teubeh se “xhamia e themeluar mbi devotshmëri që ditën e parë” i referohet kësaj xhamie, pra Xhamisë Kubā, xhamia e parë e ndërtuar nga i Dërguari i Allahu (ﷺ) në Medine.
Në fakt, ky ajet kuranor i sures et-Teubeh vjen direkt mbas ajetit në të cilin Allahu përmend një fenonem problematik apo një kurth që iu bë besimtarëve dhe udhëheqit të tyre Profetit Muhammed (ﷺ).
وَٱلَّذِينَ ٱتَّخَذُوا۟ مَسْجِدًۭا ضِرَارًۭا وَكُفْرًۭا وَتَفْرِيقًۢا بَيْنَ ٱلْمُؤْمِنِينَ وَإِرْصَادًۭا لِّمَنْ حَارَبَ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ مِن قَبْلُ ۚ وَلَيَحْلِفُنَّ إِنْ أَرَدْنَآ إِلَّا ٱلْحُسْنَىٰ ۖ وَٱللَّهُ يَشْهَدُ إِنَّهُمْ لَكَـٰذِبُونَ
“Dhe ata (hipokritët) të cilët ndërtuan një xhami dëmtimi, mosbesimi, e përçarje mes besimtarëve, dhe si bazë për ata të cilët e luftuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij më parë – dhe ata patjetër që do të betohen se ‘nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse mirësi,’ porse Allahu dëshmon se ata janë gënjeshtarë.” Et-Teubeh 107
لَا تَقُمْ فِيهِ أَبَدًۭا ۚ لَّمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى ٱلتَّقْوَىٰ مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَن تَقُومَ فِيهِ ۚ فِيهِ رِجَالٌۭ يُحِبُّونَ أَن يَتَطَهَّرُوا۟ ۚ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلْمُطَّهِّرِينَ
“Kurrë mos u fal në të. Vetëm ajo xhami që është themeluar që në ditën e parë mbi devotshmëri është më e drejtë të falësh në të. Në të ka burra të cilët duan t’i pastrojnë vetet e tyre. Vërtetë Allahu i do ata që i pastrojnë vetet e tyre.” Et-Teubeh 108.
Pikërisht fakti që xhamiat kanë rëndësi shumë të madhe në fenë islame – mes të tjerash janë institucioni i ndërtimit të komunitetit të besimtarëve dhe edukimit të tyre, ato janë njëkohësisht edhe objekt i keqpërdorimit të tyre, sidomos nga armiqtë e fesë islame, nga ata të cilët duan ta luftojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
Nëse Xhamia e Sherrit që ndërtuan hipokritët si kurth për një atentat ndaj të Dërguarit të Allahut (ﷺ), sepse plani ishte që ta ftonin në iangurimin e saj e ta vrisnin Profetin (ﷺ) brenda saj, sot kjo strategji përdoret nga armiqtë e fesë islame për ta vrarë Sunnetin e të Dërguarit të Allahut, të përçarjes së besimtarëve, të luftimit të vetë fesë, të maskimit të luftës shtetërore në rang botëror kundër muslimanëve, dhe njëkohësisht edhe si strategji për tjetërsimin e rolit të përgjithshëm të xhamiave – si institucion i ndërtimit të komunitetit të besimtarëve me devotshmëri e sinqeritet.
Xhamia Kubā, Xhamia e Profetit – që më pas u ndërtua si xhamia kryesore në Medine, pra xhamia e shenjtë, dhe të gjitha xhamiat e ndërtuara nga Sahabët e të Dërguarit të Allahut ishin xhamia të thjeshta, pa tapete, pa zbukurime, pa stolisje, pa mure artekturore mahnitëse, të mbuluara me degë e gjethe palmash, të ndërtuara me gurë e llaç, por ato xhamia ishin xhamia devotshmërie të dedikuara plotësisht për Allahun dhe fenë islame.
Në to besimtarët falnin namazin, takoheshin, lexonin ajetet e Allahut, i studionin ato, mësonin Kur’anin përmendësh, mësonin fenë, mësonin hadithet e Profetit Muhammed (ﷺ), bënin pyetje, edukoheshin, burrëroheshin, mësonin moralin, njihnin njëri tjetrin, mësonin hallet e njëri tjetrit, i luteshin Allahut me përkushtim, dhe ato ishin as më pak e as më shumë institucioni i ndërtimit të komunitetit të besimtarëve.
Në xhaminë e tij, i Dërguari i Allahu (ﷺ) bënte takime me delegacionet e fiseve arabe, edukonte shokët e tij, oborri i saj përdorej si shtëpi për ata të cilët nuk kishin shtëpi, siç ishte rasti i sahabiut të famshëm Ebu Hurejrah. Në xhaminë e tij, udhëheqësi i besimtarëve dhe i dashuri i zemrave të tyre – Profeti Muhammed (ﷺ) – nxorri burra të cilët e mbajtën këtë fe mbi supe dhe u siguruan që të ngrinin themelet institucionale të transmetimit të saj për brezat e ardhshëm.
Ndërtimi i xhamiave dhe rikonstruksioni i tyre na gëzon sepse jemi besimtarët dhe ato janë shtëpitë e Allahu në të cilat adhurohet vetëm Allahu dhe përmendet vetëm Madhështori, por nëse paralelisht me këtë fenomen luftohet feja në mënyrë të organizuar, po minohet vetë koncepti i komunitetit, fuqia e komunitetit të besimtarëve po luftohet nga shteti sekularist, zëri ekonomik e shoqëror i besimtarëve po shtypet nga shteti sekularist, dijetarët po burgosen, radhet e muslimanëve po dynden nga intelektualë e kerikë që i shërbejnë agjendave shtetërore sekulariste dhe përçarjes së muslimanëve, dhe më keq akoma, xhamiat po e humbasin rolin e tyre të përgjithshëm, që është edukimi i besimtarëve, rritja e burrave, mësimi i Kur’anit dhe diturisë fetare, forcimit të komunitetit të besimtarëve në çdo aspekt – politik, ekonomik, shoqëror, psikologjik, dhe shpirtëror, atëherë kemi të drejta të ngremë pikëpyetje sidomos nëse ndërtimi i xhamiave përdoret si strategji për ta fshehur këtë luftë të shtetit sekularist ndaj muslimanëve në rang botëror.
Besimtarët nuk kanë nevojë për mure arkitekturore të shtrenjta, mahnitëse, e komplekse, por për devotshmëri, besnikëri, sinqeritet, dhe shpirt komunitar të vërtetë.
Historia ka treguar se sa herë që i jepet përparësi fasadës, mureve, ndërtesave të larta, dhe projekteve gjigande infrastrukturore, ato fshehin një zullum të madh. Kur’ani e ka nënvizuar këtë fakt.
Sabri Lushi
Maj 2025