Home » A JANË SHTETI SEKULARIST DHE EKONOMIA MODERNE E CENTRALIZUAR BURIME KYÇE MOSBESIMI NË ZOT?!

A JANË SHTETI SEKULARIST DHE EKONOMIA MODERNE E CENTRALIZUAR BURIME KYÇE MOSBESIMI NË ZOT?!

by Kukes Post
0 comments

Një nga fenomenet më të dukshme të shoqërive moderne nën pushtetin sekularist botëror është përhapja si anjëherë më parë e ateizmit. Për shembull, Kur’ani flet për politeistë, për njerëz që adhurojnë dhe u binden zotërave të tjerë përveç Allahut, por që njerëzit ta mohojnë Zotin tërësisht dhe të pretendojnë se nuk besojnë në asnjë zot – edhe pse njeriu gjithmonë i përulet një zoti të caktuar – ky është një fenomen i ri në tërësinë e tij, sidomos kur marrim parasysh masivitetin e ateizmit.

Madje, përveç ateizmit dhe largimit të njerëzve nga Zoti, edhe besimtarët në vetvete karakterizohen me një rënie të dukshme të cilësisë së tyre apo të lidhjes së tyre me Zotin. Edhe ky është një fenomen i ri: besimtarë vetëm me emër, besimtarë vetëm në dukje, besimtarë vetëm me fjalë e me pretendim, por që besimi në Zot nuk lë gjurmë në ta dhe nuk demonstrohet siç duhet.

Nuk ka dyshim se shtrimi i kësaj pyetje apo teze është me interes sepse kemi të bëjmë me diçka që na prek jetët tona në mënyrë të përdishme, bëhet fjalë, pra, për shtetin. Të kuptosh rolin e shtetit tek njerëzit, tek feja e tyre, tek morali, dhe tek sjella e tyre sigurisht që përbën një përparësi të madhe.

Kur Ibrahimi (paqja e Allahut qoftë mbi të) u përball me popullin e tij politeist, ai e definon Allahun kështu:
“Të gjithë ato zotëra që adhoruni ju dhe baballarët tuaj të mëparshëm janë armiqtë e mi përveç Zotit të Botërave: i Cili më ka krijuar dhe më ka udhëzuar; i Cili është Ai që më ushqen dhe më jep të pi; i Cili kur sëmurem më shëron; dhe gjithashtu, i Cili ka në dorë vdekjen time dhe pastaj më ringjall.” Surja esh-Shu’arā 75-81.

 USHQIMI?!

Të ushqyerit është nevoja më imediate e njeriut, nevoja më e perceptueshe sepse trupi i njeriut kërkon energji të vazhdueshme që nga çasti i krijimit të tij në barkun e nënës e deri në çastin e vdekjes. Trupi i njeriut është makineri e cila nuk pushon në asnjë moment; nuk mund të mbyllet në garazh për disa muaj, e madje as nuk mund të bie në letargji për disa javë apo muaj gjatë dimrit.

Kështu që, nevoja për ushqim, apo nevojat fiziologjike në përgjithësi, të njeriut janë nevoja të vazhdueshme dhe imediate. Për t’i përmbushur këto nevoja të menjëhershme e të pandërprershme, njeriu është në kërkim: në kërkim për të punuar, për të mbledhur ushqim, për të bërë plane, për t’u organizuar si shoqëri, për të bashkëpunuar, dhe për të ngritur sisteme politike e ideologjike. Mbi të gjitha, është pikërisht kjo nevojë e cila duhet ta shpie njeriun tek Furnizuesi apo Ai që ka në dorë ushqimin, që është Zoti i Botërave. Ky është qëllimi i jetës dhe qëllimi i sprovës.

Besimi në Zot nuk është diskutim teorik, nuk është estetikë morale apo aventure ideologjike, ashtu sikurse nuk është mburrje mes njerëzve. Besimi në Zot është nevojë. Njeriu ka nevojë në çdo moment për Krijuesin ashtu sikurse çdo gjallesë ka nevojë për Të në çdo çast.

Krijesat, mes tyre edhe njeriu, nuk janë krijuar e që më pas të funksionojnë në mënyrë autonome, siç shpeshherë filozofë e mendimtarë të caktuar kanë menduar, porse ato kanë nevojë drejtëpërdrejtë për Zotin. Nëse Zoti do të shkujdesej një moment, të gjitha gjallesast do të zhdukeshin.

Sa i përket nevojës për Zotin, Allahu e përkshruan njeriun si gjallesën më të nevojshme për Zotin e Botërave.
“O ju njerëz, ju jeni të nevojshmit për Allahun ndërsa Allahu është i Panevojshëm për askënd, i Lavdruar.” Surja Fātir, 15.

Kafshët dhe krijesat e tjera kanë nevojë për Zotin, por ato janë të programuara për ta përmbushur nevojën nga Zoti, kurse njeriut i është lënë në dorë për ta kuptuar se ka nevojë për Zotin. Pra njeriu ka nevojë për të kuptuar se ka nevojë. Prandaj, njeriu është definuar nga Kur’ani si qenia më me nevojë për Zotin pavarësisht që është krijesë shumë e rëndësishme, me kapacitete komplekse, por kjo nuk e bën atë të panevojshëm.

Në fakt, kur njeriu nuk e kupton se ka nevojë për Zotin, ky është në thelb mesbesimi i tij që në vetvete manifestohet, me të tjerash, me arrogancë, e që përfundimin e ka në Zjarr.

 SHTETI SEKULARIST DHE EKONOMIA MODERNE: BURIME MOSBESIMI DHE SHKATËRRIMI

Edhe pse logjikisht njeriu duhet ta kuptojë se shteti apo ekonomia nuk janë asgjë tjetër veçse organizime njerëzore, dhe se Furnizuesi i vërtetë është Allahu – Zoti i Botërave, qenia njerëzore është krijesë shumë komplekse, ka ndjenja, ka psikologji, akumulon eksperiencë, përbëhen nga një trinom kyç – të dëgjuarit, të shikuarit, dhe zemra, dhe mbi të gjitha, është krijesë që ka aftësinë të marrë vendime. Ky është vullneti i lirë dhe dallimi unik mes njeriut dhe gjallesave të tjera.

Shteti dhe ekonomia moderne të ngritura mbi parime sekulariste apo komuniste perëndimore, që përbëjnë thelbin e civilizimit perëndimor, kanë për qëllim që t’i përmbushin njeriut të gjitha nevojat apo që përmbushja e nevojave të kalojë vetëm përmes tyre.

Ndryshe nga ç’e perceptojnë shumë qytetarë në mënyrë të gabuar, komunizmi nuk është thjesht parti politike, por model apo pikëpamje e gjërë ideologjike që ka të bëjë pikërisht me përmbushjen e nevojave.

Komunizmi, që është themeli ideologjik i shtetit modern dhe i pushtetit amerikano-britanik botëror, ka për objektiv që të gjitha format e pushtetit t’i delegohen shtetit apo kabalës së pushtetit. Kështu që, ekonomia moderne, shoqëria, dhe sistemi politik janë ndërtuar në atë mënyrë që i gjithë pushteti t’i përkasë shtetit.

Në mënyrë jo shteruese, format kryesore të pushtetit janë: pushteti ekzekutiv – që është forma më e dukshme e pushtetit, pushteti legjislativ (ligjbërja), pushteti ekonomik, pushteti familjar, pushteti prindëror, pushteti tribal, pushteti intelektual, pushteti klerikal, pushteti mediatik apo influencues, pushteti organizativ shoqëror, pushteti i martesës, pushteti i mjekësisë, dhe pushteti i profesioneve. Të gjitha këto janë forma pushteti sepse përmbushin nevoja.

Në shtetin modern i ndërtuar sipas modelit të Perandorisë Britanike, që është model komunist, të gjitha format e pushtetit duhet t’i delegohen shtetit – që nuk është asgjë tjetër veçse një grup njerëzish apo një kabalë sekulariste.

Shteti modern ushtron kontroll në mënyrë të pakrahasueshme me çdo lloj forme pushteti të mëparshëm. Shteti kontrollon ekonominë, ligjbërjen, tregtinë, spiunazhin, ushtrinë, mediat, martesat, mjekësinë, profesionet, punësimin, shërbimet etj., dhe këtë monopol të tmerrshëm e ka arritur fal edhe zhvillimeve teknologjike në industri, prodhim armësh, mjete të shpejta transporti e komunikimi.

 PËR T’U KTHYER TEK NEVOJAT

Shteti modern është ndërtuar në mënyrë të atillë që të ketë monopolin e përmbushjes së nevojave. Edhe pse në pamje të parë kjo duket diçka pozitive, kjo në vetvete është diktaura apo tirania që po e shkatërron njerëzimin.

Tashmë njeriu adhuron shtetin. Shteti është kyther në zot përveç Zotit të Botërave sepse shteti është ai i cili i përmbysh nevojat, apo ai që ka monopolin për përmbushjen e nevojave. Madje shteti modern lufton çdo mënyrë paralele të përmbushjes së nevojave: shpeshherë i ndalon me ligj, e shpeshherë me konkurim, dhe herë të tjera me propagandë.

Nëse njeriu zotëron aftësi për shkak të eksperiencës për të kuruar njerëz nga ana mjekësore, shteti modern e ndalon një gjë të tillë. Duhet certifikim shtetëtor apo license. Nëse shoqëria bën donacione për të ndihmuar njëri tjetrin, shteti ngre alarmin përmes spiunëve dhe agjensive sekrete, dhe një gjë të tillë mund ta ndalojë me ligj për asrye nga më banalet. Këto janë vetëm dy shembuj për të ilustruar faktin se shteti kontrollon apo kërkon të kontrollojë të gjitha format e përmbushjes së nevojave, madje edhe pushtetin prindëror e shpirtëror.

Jetojmë, pra, nën sistemin diktatoral që bota kurrë nuk e ka dëshmuar më parë edhe pse njerëzit nuk kanë mjete ideologjike për ta kuptuar këtë fakt.

Pra, shteti përmbush nevojat. Shteti kontrollon ekonominë. Shteti ka në dorë rrogat dhe vendet e punës. Shteti kontrollon biznesin dhe tregun. Shteti ka në dorë spitalet. Shteti ka në dorë martesat. Shteti ka në dorë ligjbërjen. Shteti ka në dorë gjykatat. Shteti jep asistencë finaciare, dënon njerëz, falë të tjerë, jep viza për të udhëtuar nga një vend në tjetrin, ka në dorë të drejtat e studimeve, dhe shteti ka mundësinë për t’u bërë favore njerëzve.

Shteti në pamje të parë ka mundësitë për t’ua përmbushur të gjitha nevojat njerëzve, kështu që njerëzit praktikisht e perceptojnë si Zot. Jo vetëm praktikisht, por një pjesë e njerëzve e trajtojnë shtetin plotësisht si zot, i binden si zot, dhe as që nuk e njohin më Zotin e Botërave. Për këtë arsye, ne shikojnë që jemi rrethuar nga ateistë, nga fetarë të dobët, nga hipokritë, nga spiunë, e nga njerëz me morale të sëmura.

 PËRFUNDIMI?!

Në një aspekt, ky lloj shteti modern është rezultat i asaj që vetë njerëzit kanë gatuar, pra si shoqëri e tërë. Është shoqëria njerëzore që e ka lejuar dhe po e lejon këtë formë pushteti që kontrollon çdo gjë. Jemi pikërisht ne të githë përgjegjës që e kemi lënë komunizmin amerikano-britanik të monopolizojë gjithçka që ka të bëjë me përmbushjen e nevoja, kështu që çmimin do ta paguajmë të gjithë ne: ata që zgjedhin ta refozojnë Zotin për shkak të vështirësive do ta paguajnë çmimin në Ferr ndërsa besimtarët do ta paguajnë ‘çmimin’ duke zgjedhur t’i bindet Zotit pavarësisht vështirësive, porse atyre u është premtuar shpërblimi në këtë botë dhe në botën tjetër.

 PO FEJA ISLAME A NUK KA PËR QËLLIM PËRMBUSHJEN E NEVOJAVE?

Përbushja e nevojave në vetvete është akt jetik, por përmes saj mund të shtypen njerëzit, me fjalë të tjera, mund të shkatërrohet shoqëria njerëzore.

Feja islame është sistemi më i mirë i përmbushjes së nevojave dhe më i drejti. Feja islame përban mekazima dhe parime të përmbushjes së nevojave në mënyrë që jo vetëm që nuk e largojnë njerin nga Zoti – Përmbushësi i vërtetë i nevojave, por, përkundrazi, e shpien njeriun tek Zoti i Botërave.

Qëllimi final është që njeriu të shkojë tek Zoti i Botërave, tek Krijuesi i vërtetë, jo se Allahu ka nevojë për njeriun, porse njeriu ka nevojë për Të.

Vërtetë shteti në aparencë sillet sikur ka në dorë monopolin e përmbushjes së nevojave, por shteti është zot i gënjeshtërt. Shteti nuk ka në dorë çdo gjë. Ky fakt nuk kërkon diskutim. Nëse shteti do të kishte mundësi reale për t’i përmbushur nevojat, atëherë ai do të ishte zot i merituar, por shteti nuk është asgjë tjetër veçse një krijesë prej krijesave të Zotit.

Sipas fesë islame, shteti ka pushtet të limituar sepse një shtet i modelit sekularist britanik është shumë i gabuar: e sprovon njeriun në maksimum deri sa ta largojë nga Zoti i vërtetë.

Sipas modelit islam, shteti nuk ka pushtet ligjbërës. Qeveria nuk mund të bëjë ligje. Shteti nuk mund ta kontrollojë kodin civil. Shteti nuk mund t’i monopolizojë marrëdhëniet apo solidaritetin mes njerëzve. Shteti mund mund ta monopolizojë pushtetin familjar. Me fjalë të tjera, shteti nuk ka monopolin e përmbushjes së nevojave.

Mbi të gjitha, besimtarët janë të obliguar që përmbushjen e nevojave t’ua plotësojnë të tjerëve në emër të Zotit. Babai kujdeset për fëmijët në emër të Zotit. Burri kujdeset për gruan në emër të Zotit. Gruaja i bindet burrit në emër të Zotit. Ndihma ofrohet në emër të Zotit. Përmbushja e nevoja ka për qëllim që njeriun ta shpie tek Zoti – Ai i Cili është Përmbushëshi real i nevojave. Është krejt e kundrëta e sistemit sekularist.

KONKLUZIONI

Nuk ka dyshim se njeriu është qenie që ka nevojë, madje është qenie me nevoja më të mëdha e më të theksuara se kafshët apo trupat qiellorë. Fakti që njeriu ka nevoja, kjo e bën atë që të mos jetë kurrë zot, porse të ketë nevojë për Zotin e vërtetë.

Si sprovë në këtë botë, përmbushja e nevojave i nënshtrohet sistemeve e mënyrave të ndryshme, porse njeriu i arsyeshëm e kupton se në fund fare vetëm Zoti mund t’i përmbushë nevojat, dhe askush tjetër. Furnizimi i njeriut është në dorë të Zotit.

Nuk ka dyshim se shteti modern është një mekanizëm politik që përmbush nevoja, majde kërkon të ketë monopolin e përmbushjes së nevojave, duke kontrolluar ligjbërjen, pushtetin ekzekutiv, ekonominë, martesat dhe marrëdhëniet mes njerëzve, shëndetësinë, punësimin, ashtu sikurse ka në dorë një numër të madh favoresh.

Për këtë arsye, shumë njezër, nga injoranca dhe arsyetimi i tyre i cënguar, e trajtojnë shtetin si zot: i binden atij, kanë frikë prej tij, e duan sepse u përmbush nevojat, janë gati t’i shërbejnë atij si spunë, dhe shumë prej tyre kanë kaluar në ekstrem: as që nuk pranojnë ekzistencën e Zotit të vërtetë, dhe këta të fundit janë ateistët.

Ateizmi nuk është pasojë e zhvillimeve intelektuale. Është pasojë direkte e modelit ekonomik modern apo e modelit politik komunist britanik i cili mban monopolin e përmbushjes së nevojave.

Si çdo zot i gënjeshtërt dhe si çdo statujë që politeistët e Injorancës Paraislamike adhuronin, edhe ateistët apo skllevërit e shtetit modern mendojë se zoti apo statuja ‘shtet’ ka diçka në dorë: përmbush nevojat.

Besimtari i vërtetë e di që ky lloj zoti, siç është shteti modern, është statujë boshe, që mashtron, që i shërben një grupi njerëzish, një kabale të caktuar që ka interesa të lidhura drejtëpërdrejtë më këtë fe mashtruese, porse Furnizuesi i Vërtetë është vetëm Zoti i Botërave, i Cili ka në dorë jo vetëm ushqimin, punësimin, spitalet, apo strehimin, por ka në dorë jetën dhe vdekjen, ka në dorë ditën dhe natën, ka në dorë ngritjen e pushteteve dhe uljen e tyre, ka në dorë ditën e gjykimit dhe suksesin e njeriut në këtë botë.

Njeriu mund të zgjedhë ta marrë për zotin shtetin mashtrues modern, porse është e sigurtë që do të paguajë çmim të madh si në këtë botë, duke jetuar një jetë pa dinjitet, pa moral, pa vlera, si mashtrues, si i nënçmuar, si gënjeshtar, si servil, si sahanlëpirës që është gati të bëjë çdo gjë për zotin e gënjeshtërt në shkëmbin të përmbushjes së një nevoje të përkoshme, dhe përfundimi i tij në botën tjetër është Zjarri.

Njeriu i mençur e di dhe është i bindur se përmbushjen e nevojave e ka në dorë vetëm Zoti, jo shteti, dhe asnjë krijesë tjetër. Fakti që një zot i gënjeshtërt, siç është shteti i modelit komunist amerikano-britanik, kjo është vetëm sprovë për besimtarin. Jeta është sfidë, dhe kjo është sfida e besimtarit, i cili zgjedh t’i bindet vetëm Zotit të Vërtetë, të jetojë me dinjitet, dhe me shpresë të palëkundër se Allahu ka përgaditur shpërblime të mëdha për ta mbas vdekjes – së cilët nuk do t’i shpëtojë askush, as ata të cilët e kanë marrë shtetin modern për zot.

Sabri Lushi

Janar 2026


Discover more from Kukes Post

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

You may also like