Të pretenduarit se feja islame është unike në vërtetësinë e saj apo në rëndësinë e mesazhit që mbart, në pamje të parë duket si pretendim subjektiv, jo gjë e veçantë; ngjan me partitë politike. Në fakt, shumë njerëz e krahasojnë fenë me politikën, “fetë janë si partitë politike: secila lufton për interesin e vet.”
Nuk ka dyshim se fetë ngjajnë me partitë politike apo anasjelltas. Fetë janë grupime shoqërore, po kështu janë edhe partitë; fetë janë grupime ideologjike në manifestimin e tyre, të tillë rol luajnë edhe partitë; fetë janë përdorur nga pushteti politik ndërsa partitë janë një mekanizëm kryesor mashtrues i mbajtjes së pushtetit politik, sidomos të pushtetit modern.
Kështu që, panorama ideologjiko-politike e shoqërisë duket në pamje të parë kaotike, komplekse, apo një konglomerat relativizmash që nuk i gjendet as fundi e as fillimi: nga çdo anë që t’i qasesh, të duket njëlloj.
Në të vërtetë, ky konstatim – se nuk merret vesh se cila fe është e vërtetë, nuk është i saktë. Përkundër asaj që duket, realiteti është më i thjeshtë se sa perceptohet. Paraqitja e panoramës ideologjike apo e rrafshit politik si tepër kompleks, kaotik, apo se e vetmja e vërtetë absolute është se çdo gjë është relative e subjektive nuk është asgjë tjetër veçse strategji lufte, a në luftë armiku është në të drejtën e tij të përdorë çdo gjë.
Për të qenë objektivë e të sinqertë me vetet tona, sigurisht që bota mund të klasifikohet në mënyra më të dobishme, më të duhura, më orientuese, e më bindëse. Në vetvete, kjo është logjika e Kur’anit: i ngre premisat mbi të vërteta të thjeshta, të verifikueshme, të perceptueshme nga ne të gjithë përtej çdo dyshimi, e kështu e bind njeriun për të vërteta që duken më abstrake e më të vështira për t’u pranuar.
Duket sikur bota ka shumë grupe, raca, parti politike, fe të ndryshme, sekte fetare, blloqe politike, aleanca mes shtetesh, luftëra, dimensione ideologje, shkenca të larmishme, dhe mendimtarë e opinionistë pafund nëpër mediat tracionace e në rrjetet sociale. Cila është e vërteta, atëherë? Në fakt, a ka kuptim që madje të flitet për të vërtetën? A ka disa të vërteta? A është e vërteta diçka relative? Cila fe është e vërtetë? Cila parti? Cila ideologji? Cili grup apo sekt? Si të orientohemi në këtë labirinth grupesh? Të gjithë duken njëlloj.
Në këtë aspekt, sigurisht që Kur’ani e ka trajtuar në mënyrë esenciale këtë dilemë, nëse mund ta quajmë të tillë.
Sipas Kur’anit, bota klasifikohet në mënyrë shumë më të thjeshtëzuar. Nuk ka me mijëra grupe, fe, e parti, por bota ndahen në dy kampe: e vërteta dhe e kota. Në njërën anë është e vërteta, në tjetrën është mashtrimi; në njërën anë është Parajsa, në tjetrën është Ferri. Në ditën e Kijametit, njerëzit ndahen në dy grupe: në besimtarë e në mosbesimtarë, apo në grupin e djathë e në atë të majtë. Besimtarëve iu jepet libri i rekordeve – të çdo gjëje që kanë bërë në jetë – në dorën e djathë, e pabesimtarëve në dorën e majtë.
Në njërën anë është Zoti – Krijuesi i çdo gjëje, dhe në anën tjetër është armiku i Tij, pra Iblisi, me ushtrinë e tij. Ka vetëm dy grupe: grupi i Allahut dhe grupi i Djallit.
Njëri grup beson se vdekja nuk është fundi, tjetri është i shkujdesur apo mohues ndaj këtij fakti. Njëri beson se njeriu do të japë llogari për çdo gjë ditën e Gjykimit përpara Zotit, e përfundimi do të jetë në përputhje me veprat: Parajsa ose Zjarri, grupi tjetër jeton e vepron në mënyrë krejt të papërgjegjshme e dritëshkurtër se mbas vdekjes nuk ka as jetë e as llogari.
Të navigosh në rrafshin ideologjik të botës është më e thjeshtë, përkundër asaj që mashtruesit apo tiranët e politikës promovojnë, se gjoja bota na qenka kaq komplekse sa vetë pyetja “cila është e vërteta?” nuk ka kuptim.
PËRSE FEJA ISLAME ËSHTË UNIKE?
Elementët të cilët e kategorizojnë fenë islame si të vetmen fe të vërtetë janë të shumë, diçka që dijetarët e burrat e mençur muslimanë e kanë trajtuar në mënyrë shteruese ndër shekuj. Gjithsesi, do të veçoja vetëm një element që mendoj se është i mjaftueshëm që një jobesimtari t’i bëjë përshtypje seriozisht, derë në atë masë sa të detyrohet të bëjë kërkime të mëtejshme për vërtetësinë e fesë islame, nëse nuk bindet menjëherë për statusin e saj unik.
Një nga realitetet më të hidhura të shoqërisë njerëzore, apo karakteristikë e jetës në tokë është censura apo kontrolli ideologjik. Nëse njerëzit, fiset, e shtetet bëjnë luftëra për burime natyrore, madje janë të gatshëm ta shfarosin njëri tjetrin, pjesë e kësaj lufte është edhe kontrolli ideologjik.
Ata që kanë pushtetin, nuk e mbajnë atë vetëm me armë, por mbi të gjitha me kontroll ideologjik. Pushteti kërkon t’i kontrollojë mendimet e njerëzve, idetë e tyre, njohjen e botës, vetëdijen rreth historisë, aftësitë për shfrytëzimin e burimeve natyrore, kureshtjen shkencore, aftësitë mendore, burimet ideologjike, librat që lexojnë, emisionet që shikojnë, ritet fetare, besnikërinë ideologjike, kapacitetin e tyre për ndriçim ideologjik etj.
Me fjalë të tjera, puna e pushtetit njerëzor është të kontrollojë çdo gjë, jo vetëm burimet natyrore, por edhe ideologjinë e diturinë e njerëzve. Kontrolli përfshin në mënyrë të drejtëpërdretë angazhimin e pushtetit për ta ndryshuar apo eleminuar çdo gjë e cënon atë, qoftë libër, përkufizim, të vërteta shkencore, të dhëna historike, të dhëna statistikore, biografitë e figurave historike, e mbi të gjitha tekstet fetare e ideologjike.
Për politikën, vetëm ajo që i shërben asaj duhet ta shoh dritën e diellit; çdo gjë tjetër duhet të censurohet apo të zhduket. Politikës nuk i intereson e vërteta. Nuk është në natyrën e këtij sektori shoqëror që të promovojë të vërtetën. E vërteta, për pushtetin, është vetëm ajo që i shërben atij, dhe politika posedon të gjitha mjetet për t’i sërvirur publikut vetëm atë të vërtetë subjektive që çon ujë tek pushteti e tek mbajtja e tij.
Mjetet për censurim janë më të volitshme se kurrë. Pushteti kontrollon akademitë e shkencave, botimin e librave, shkollat, kërkimet shkencore, programet shkollore, mediat, biblotekat, libraritë, klerikët fetarë, tempujt apo ndërtesat e adhurimeve etj. Pushteti kontrollon paratë, bizneset, vendet e punës, bërjen e ligjeve, dhe shpërndarjen e burimeve natyrore. Kontrolli është totalitar, kështu që censura jo vetëm që është pjesë organike e kontrollit politik, por në kohët moderne mund të realizohet në mënyrën më eficente të mundshme.
Për këtë arsye, një kriter unik për kategorizimin e një feje si të vërtetë apo jo është fakti se sa i ka rezistuar apo i reziston censurës, ndryshimit të teksteve, apo kontrollit ideologjik. Vështirësia më e madhe e mbijetesës së një feje është mbijetesa e teksteve të saj. Ky ka qenë vazhdimisht problemi: ndryshimi i librave, censura, mbulimi i fakteve, ndryshimi i librave hyjnorë qoftë përmes tekstit origjinal e qoftë përmes ndyshimit të gjuhës e të interpretimit të tekstit.
Po të hedhim një vështrim mbi të gjitha fetë apo shkollat ideologjike të botës, do të vëmë re se problemi më i madh është autencitetit apo vërtetësia e tekstit. Librat e kanë të pamundur të mbijetojnë sepse interesi e nevoja politike e pushtetit për t’i ndryshuar e për t’i eleminuar ata është e pashmangshme. Ky është realitetit, deshëm apo nuk deshëm ne. Madje, librat e shenjtë përballen edhe me sfida politike të brendshme për t’i ndryshuar ato.
Po të marrim Ungjillin, për shembull, pra revelatën që i është zbritur Profetit Isa (paqja e Allahut qoftë mbi të), ky libër nuk ekziston në tekstin origjinal. Fragmente e përkthime të këtij libri janë ruajtur në gjuhën koine greqisht. Pra, krishtërimi nuk posedon librin origjinal mbi të cilin është themeluar kjo fë. Kjo lë për të treguar se në ç’gjendje e ka çuar censura apo kontrolli politik këtë fe.
Edhe fati i Teuratit – librit që i ka zbritur Musës (paqja e Allahut qoftë mbi të) nuk është shumë më ndryshe se ai i Ungjillit. Në Biblën hebreje, Teurati përbëhet nga pesë librat e parë: Zanafilla, Eksodi, Levitiku, Numrat dhe Ligji i Përtërirë. Askush nuk e garanton autencitetin e tyre ashtu siç i janë zbritur Musës (alejhis-selam). Janë shkruar e rishkruar disa herë, pa përmendur mos-prezervimin e gjuhës hebreje në origjinalitetin e saj.
Sa i përket librave politikë e ideologjikë të shkrujatur nga dora e njeriut, edhe nëse ato përmbajnë ca të vërteta shkencore e historike, ndryshimi e censurimi i tyre është shumë më i lehtë. Kur feja e krishterë, me kaq pasues të shumtë, nuk ka arritur ta prezervojë librin e shenjtë, mos-ruajtja e librave të shkruar nga dora e njeriut është diçka edhe më e vështirë.
KUR’ANI
Në krahasim me gjithë fetë, sektet, grupet fetare, lëvizjet politike, feja islame është unike. Ajo veçohet me prezervimin e teksteve të saj. Është feja e vetme që libri i saj nuk ka ndryshuar. Kur’ani është libri i vetëm në botë që ka mbijetuar për katërmbëdhjetë shekuj pa u ndryshuar: teksti është identik me tekstin që është shkruar në kohën e shpalljes dhe fonetika e tij është identike me recitimin e Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Që nga koha e shpalljes, Kur’ani është trasmetuar brez pas brezi përmendësh nga mijëra e mijëra njerëz për çdo brez ndërsa shkrimi i tij është kthyer në art kaligrafik po ashtu brez pas brezi. Procesi i trasmetimi apo ruajtjes së Kur’anit nuk ka qenë thjesht proces mbijetese – libër i shkruajtur me zor, por është kthyer në art qoftë recitimi i tij, e qoftë shkruajta kaligrafike.
Për më tepër, mbrekullia e ruajtjes së Kur’anit në arabisht nuk kufizohet në ruajten e tekstit të tij në formën origjinale, por edhe të ruajtes së gjuhës arabe: të leksikut e të gramatikës së saj në mënyrë identike ashtu siç ka qenë në kohën e shpalljes në kohën e Profetit Muhammed (ﷺ).
Prezervimi i Kur’anit i ka motivuar dijetarët muslimanët që të themelojnë shkolla e shkenca gjuhësie si nevojë për ruajten e tekstit të shenjtë. Përkujdesja për ruajten e gjuhës arabe si nevojë esenciale e ruajtes së leksikut të Kur’anit ka shkuar deri aty sa dijetarët kanë prezervuar edhe një inventar të madh të krijimtarisë letrare – të poezive arabe – të kohës para profetike, e njohur ndryshe si Epoka e Injorancës së Hershme.
Si pjesë e pandashme e ruajtjes së Kur’anit, dijetarët muslimanë kanë transmetuar në mënyrë të besueshme edhe Traditën Profetike (hadithet) përmes një mekanizmi që veçohet feja islame në mesin e të gjitha feve tjera: zinxhiri i transmetimit.
Feja islame – Kur’ani dhe Tradita Profetike – është përçuar brez pas brezi nga dijetarë – nga gardianë – që i kanë ruajtur tekstet fetare të pandryshuara, kanë ruajtur gjuhën arabe, kanë reportuar thëniet e brezave të parë, kanë dekumetuar biografitë e dijetarëve të cilët e kanë mbajtur këtë fe mbi supe, kanë themeluar shkolla juridike e shkolla teologjike, dhe kanë shkruar libra pafund rreth shpjegimit të Kur’anit e të Traditës Profetike.
Kur’ani – mbrekullia sfiduese më e madhe që i është dhënë Profetit Muhammed (ﷺ), nuk është libër i fshehur në arkivat e shtetit, që deshifrohet me vështirësi, që lexohet vetëm nga ekspertët e që mund ta interpretojnë si të duan. Jo!
Kur’ani është libër që ka liberalizuar diturinë. Ai ndodhet në duart tona. Muslimanët e lexojnë atë në arabisht (formën origjinale) në çdo namaz. Gjatë muajti të Ramazanit, xhamitë gumëzhojnë nga recitimi i Kur’ani gjatë faljes së taravive. Ata të cilët e dinë përmendësh atë janë me miliona, e me miliona janë ata të cilët e lexojnë Kur’anin në mënyrë periodike çdo javë e çdo muaj.
Praktikisht, Kur’ani është i pamundur të ndryshohet teksti i tij, as recitimi, as leksiku, e as gramatika e tij. Është libër i ruajtur në mënyër perfekte ashtu siç i është zbritur Profetit Muhammed (ﷺ) që ditën kur ka zbritur ajeti i parë në Shpellën Hira në Mekke në vitin 610 pas Krishtit.
KONKLUZIONI
Fakti që ka shumë parti politike, fe të ndryshme, ideologji e libra pafund, kjo nuk e bën klasifikimin e të vërtetës të pamundur. Nëse njeriu e do të vërtetën, ajo identifikohet lehtë nëse përdor kritere objektive.
Ka vetëm dy rrugë: e vërteta dhe e kota. E vërteta nuk ndryshon; ajo reziston. Ajo është e qartë. Mesazhi i saj është unik, transparent, bindës, i bazuar mbi parime e jo mbi interesa. Dijetarët që mbartin të vërtetën janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë për ta ruajtur atë ndërsa ushtarët e të kotës – të politikës, të interesit ekonomik, e të epsheve njerëzore, e vërteta për ta është interesi, kështu që ata e braktisin “të vërtetën e tyre” sa herë ndryshon interesi.
Për më tepër, lufta për burime natyrore të limituara, që nënkupton luftën për pushtet, ka bërë që e vërteta – librat e saj – të përballen me censurë e me vështirësi mbijetese. Nuk është kollaj t’i shpëtosh censurës, kontrollit ideologjik të politikës, ndryshimit të librave, ndryshimit të historisë, tjetërsimit të biografisë së dijetave apo të njerëzve të shquar, censurës shkencore, dhe kontrollit ekonomik, sidomos në këtë kohë kur pushteti posedon mjete mjaft të sofistikuara të kontrollit.
Terreni ideologjik nuk është fushë e hapur. Ky është ligji i Zotit për jetën e kësaj bote. Përballë furtunës së censurës e të kontrollit politik, vetëm feja e vërtetë mbijeton; e kota çrrënjoset nga stuhitë e luftës për burime natyrore.
Në këtë aspekt, nuk është aspak e vështirë për ta identifikuar fenë islame si të vetmen fe të vërtetë. Armiqtë e fesë islame, ata të cilët kanë pushtetin politik botëror, po shpenzojnë me miliarda dollarë, janë ngritur departamente universitetesh, po botohen libra të shumtë, po hidhen hipoteza gjoja shkencore, e po përpiqen ditë e natë për të hedhur dyshim mbi fenë islame, për ta ndryshuar Kur’anin, për ta ndryshuar Traditën Profetike, po arrestohen dijetarë, po aplikohen persekutime ekonomike e politike, megjithatë feja isalme po mbijeton e vetme me tekste të pandryshuara: Kur’ani është përpara duarëve tona i pandryshuar.
Që Kur’ani nuk ka ndryshuar, kjo nuk është rastësi, por mrekulli. T’i shpëtosh censurës politike, aq më tepër një libër i tillë i cili përmban në të ligj, udhëzim, teologji, ideologji, histori, shkencë, moral, estetikë linguistike etj. është e pamundur. Pushteti nuk të fal sepse burimet natyrore janë të limituara. Lufta është e ashpër. Por, Kur’ani ka mbijetuar si asnjë libër tjetër.
Ky është një prej shumë kritereve që do ta veçonte fenë islame si të vetmen fe të vërtetë. Bota klasifikohet në dy grupe: feja islame në njërën anë dhe e kota në anën tjetër. Sado komplekse të duket e kota – me grupe e parti politike, me shkolla ideologjike e fe të ndryshme, në fund ngelet e kotë, ngelet vegël e pushtetit dhe e politikës, dhe mbi të gjitha, e kota ndryshon.
Nga ana tjetër, sado që të përpiqen armiqtë e të vërtetës për ta censuruar atë, për ta mbuluar atë, për ta dëmtuar, ndryshuar, për të hedhur dyshime, e për t’i persektuar pasuesit e të vërtetës, ajo mbijeton sepse është e vërteta.
Kur’ani ka mbijetuar i vetëm. Tradita Profetike ka mbijetuar. Feja islame është e gjallë dhe e fortë përballë stuhisë politike për ta shuar atë. Kjo nuk është rastësi, por një kriter mrekullie që e karakterizon fenë islame si fenë e vetme të vërtetë.
يُرِيدُونَ لِيُطْفِـُٔوا۟ نُورَ ٱللَّهِ بِأَفْوَٰهِهِمْ وَٱللَّهُ مُتِمُّ نُورِهِۦ وَلَوْ كَرِهَ ٱلْكَـٰفِرُونَ
هُوَ ٱلَّذِىٓ أَرْسَلَ رَسُولَهُۥ بِٱلْهُدَىٰ وَدِينِ ٱلْحَقِّ لِيُظْهِرَهُۥ عَلَى ٱلدِّينِ كُلِّهِۦ وَلَوْ كَرِهَ ٱلْمُشْرِكُونَ
“Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu e plotëson (e përhap) dritën e Vet, edhe pse këtë e urrejnë jobesimtarët. Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërguarin e vet me udhëzim të qartë e fe të vërtetë për ta bërë ngadhënjyese mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë.” Surja Es-Saff: 8-9.
Sabri Lushi
Shkurt 2025