Edhe pse ekzistenca e grupeve të interesit është diçka shumë e hershme, partitë politike, nga ana tjetër, siç argumentohet nga historianët, janë shpikje moderne. Ato janë shfaqur për herë të parë në Britaninë e Madhe në shekullin të 18-të; madje Perandoria Britanike e mban për krenari shpikjen e këtij mekanizmi politik i cili ka për qëllim aparent përfaqësimin e interesave politike të qytetarëve. Pra, ato nuk janë një shpikje e Perandorisë Osmame apo të civilizimit islam, nuk janë të importuara nga civilizimi kinez apo ai indian, as nuk janë aformuara nga ndonjë libër hyjnor; për ta theksuara përsëri: partitë politike janë shpikje angleze dhe janë një element dallues i sistemit laik apo sekularist.
Partitë politike moderne mund të kenë shumë qëllime apo mund të luajnë role të ndryshme. Ato mund të përdoren nga shteti modern si mjet për t’iu shmangur llogaridhënies apo përgjegjësisë. Për shembull, nëse një qeveri e caktuar merr disa vendime që kanë pasoja negative për ekonominë apo jetën e qytetarëve, siç mund të jenë ndryshimi i një ligji, rritja e taksave, ndryshimi i ligjit të tokave, mbyllja e një biznesi, prishja e një ndërtese, zhvlerësimi i parasë apo inflacioni etj. është shumë e rëndësishme që qytetarët të mos i lidhin këto vendime apo pasoja me shtetin në tërësi apo me sistemin politik sekularist, por me një parti politike të caktuar. Zemërimi i qytetarëve me një parti të caktuar është shumë kollaj i menaxhueshëm sepse pushteti i vërtetë – që nuk ka lidhje me vetë partitë politike, e largon atë parti apo person nga pushteti, ndërsa po të zemërohen njerëzit me vetë shtetin apo pushtetin e vërtetë, atëherë kjo ka përgjegjësi e kosto të madhe politike. Mes të tjerash, ky është një prej roleve të partive.
Gjithashtu, sipas vendit apo kontekstit politik, ato mund të luajnë edhe role të tjera. Ato mund të përdoren nga pushteti i vërtetë për të mashtruar njerëzit, për të nxitur luftëra, siç është rasti tipik i partisë naziste në Gjermani apo asaj fashiste në Itali, për të kontrolluar qytetarët, për të rekrutuar agjentë për shtetin, për t’i përfaqësuar qoftë dhe pa dëshirë turmat e zemëruara të qytetarëve, siç ishte rasti i partisë socialiste në Shqipëri gjatë luftë civile të 97-të kur qytetarëve shqiptarë iu ishin vjedhur paratë nga qeveria shqiptare. Ka raste kur partitë politike përdoren edhe për të rrëzuar pushtete, siç ka qënë rasti tipik i xhonturqëve gjatë Perandorisë Osmane apo largimi i mbretit Faruk I në Egjipt në vitin 1952.
Gjithësesi, partitë politike mund të kenë shumë funksione apo mund të luajnë role të ndryshme, por ato asesi nuk janë formuar dhe nuk ekzistojnë për atë qëllim që njerëzit mendojnë: që të përfaqësojnë interesat e njerëzve në mënyrë të organizuar. Pikërisht, këtë funksion nuk e kanë.
Një funksion tjetër kryesor i tyre është që ato të shërbejnë si pengesa ideologjike për qytetarët apo si kurthe ideologjike.
Duke marrë parasysh se pushteti sekularist është pushtet që bën shumë padrejtësi, i cili i trajton njerëzit si kafshë, dhe mbi të gjitha është pushtet super i centralizar, që do të thotë, nuk merr fare parasysh opinionin apo shqetësimin e qytetarëve në marrjen e vendimeve politike, për ndryshime të rëndësishme, apo për gjëra që kanë të bëjnë direkt me jetën e tyre, atëherë është e paevitushme që qytetarët të përballen me ndryshime të mëdhe, pozitive apo negative qofshin, edhe pse në tërësi janë negative.
Është fakt se ne të gjithë e vëmë re se si sekularizmi guxon të preki edhe gjërat më të shtrenjta të njerëzve: konceptin e familjes, gjinisë, martesës, fesë, të drejtën e pronësisë etj. Rrjedhimisht, kjo jo vetëm që çon në pakënaqësi të qytetarëve, por nën një sistem sekularist është e sigurtë që gjithmonë do të ketë një kontingjent njerëzish që do të ngrenë pyetje ekzistenciale për shkak të shokimit që iu vjen nga pushteti i zhveshur nga moraliteti e racionaliteti natyral.
Pushteti e di dhe e pranon faktin se patjetër që do të ketë njerëz që do ta vënë në dyshim vlefshmërinë e sekularizmit apo të pushtetit laik britanik. Jo vetëm logjika të çon në këtë përfundim, por edhe eksperienca. Sot po flitet se Amerika është në krizë indentitare, se rinia në Perëndim vuan nga mungesa e qëllimit apo motivimit, se stresi është shtuar në radhët e të rinjëve, sidomos në vendet e zhvilluara, dhe se njerëzit po e vënë në dyshim demokracinë apo shumë elementë të sekularizimit.
Pushteti i vërtetë është i vetëdijshëm se ka plot njerëz që janë në kërkim të përgjigjeve për shumë pyetje që ngrenë rreth qëllimeve të mëdha, politikës apo të ardhmes. Ka plot të rinj që janë të zhgënjyer. Mbi të gjitha, ekziston një boshllëk shpirtëror në mënyrë të dukshme, të paktën tek të shtypurit e sistemit sekularist.
Një mundësi e madhe është që ata që janë në kërkim të një kauze, kuptimi, apo përgjigje mund të përfundojnë tek feja dhe aty ata gjejnë përgjigjet. Aty ata gjejnë një sistem funksional e natyror. Aty ata gjejnë kuptim, motivim, dhe mbushje shpirtërore, e thënë ndryshe, të vërtetën e madhe.
Sekularistët e dinë këtë dhe ata gjithmonë e kanë këtë frikë, se njerëzit mund t’i kthehen fesë për shkak të zhgënjimit të tyre nga pushteti. Ka raste që ata e shprehin haptas këtë shqetësim, “se rinia mund t’i kthehet fesë.”
Atëherë si mekanizëm për t’i penguar të pakënaqurit apo të zhgënjyerit me sekularizmin apo pushtetin që t’i kthehen fesë, këtu vjen roli i partive politike, sidomos i atyre të opozitës. Si mashtruese profesionale, apo si fallxhore klasike, partitë politike të opozitës mundohen pikërisht në mënyrën më mashtruese që t’iu serviren qytetarëve si strehë ideologjike, ku, përveç politikës së ditës, ato marrin përsipër të japin përgjigje ideologjike, filozofike, shpirtërore, sikur ato do të sjellin ndryshime të mëdha. Kuptohet, gjithçka është mashtrim momenti për t’i penguar njerëzit që të vazhdojnë me kërkimet e tyre ideologjike, që mund t’i shpie në fe.
Pavarësisht një dobie të vogël, ashtu sikurse edhe alkooli ka një dobi të vogël në krahasim me dëmin e tij të madh, partitë politike janë shpikje djallëzore në kuptimin e parë të fjalës. Nuk ka organizata më mashtruese dhe më të rrezikshme se partitë politike. Jam i bindur se shumica e njerëzve kurrë nuk e kanë menduar seriozisht se sa problematike janë këto organizata të shpikura të Perandoria Britanike.
Mes të tjerash, ato janë pengesa apo kurthe ideologjike për këdo që përballet me pyetje mbi të vërtetat e mëdha, ekzaktësisht sikur një i etur që kërkon ujë, e partitë politike ofrojnë një gotë bosh që përshkak të iluzionit optik duket sikur ka pak ujë në të për të shuar etjen, e kështu kërkuesi i ujit heq dorë nga kërkimi sepse mendon se ka arritur tek burimi.
Partitë politike, sidomos kur ato janë në opozitë, janë organizata të korruptuara, mashtruese, imorale, e pengesa serioze ideologjike.
Sabri Lushi