LOGIN
Home » Ç’ËSHTË SKLLAVËRIA DHE PËRSE PERANDORIA BRITANIKE I DHA FUND ASAJ?

Ç’ËSHTË SKLLAVËRIA DHE PËRSE PERANDORIA BRITANIKE I DHA FUND ASAJ?

by Kukes Post
0 comment

Besoj të gjithë ne kemi dëgjuar për skllavërinë – imazhin e njerëzve duke punuar në plantacionet e skllavo-pronarëve amerikanë, shpeshherë të lidhur me zinxhirë, apo shërbëtorët e veshur me rroba të grisura që i shërbejnë një zotëriu të pasur, apo imazhin e një zonje fisnike që i qëndrojnë nga pas një grup shërbëtoresh që mbajnë çadrën e diellit mbi kokën e saj.

E vërteta është se shumica e njerëzve nuk e kanë të qartë se çfarë është vërtetë skllavëria.

Shkurt: skllavëria ka të bëjë në thelb me të drejtën apo lirinë e individit për të marrë vendime. Ajo nuk ka të bëjë me nivelin e jetesës, me mirëqënien, apo me të drejtën që ka njeriu për ushqim e vëshmbathje, edhe pse humbja e aftësisë vendim-marrëse i ndikon të gjitha këto, por kjo gjë është pasojë, jo veçori dalluese e skllavërisë.

Një skllav mund të jetojë në një shtëpi të madhe, në një vilë të bukur, mund të vozitë një makinë luksoze, mund të veshë rroba të shtrenjta, por ai përsëri ngelet skllav. Nuk janë rrobat, shtëpia, makina apo ushqimi që e kategorizojnë një person të lirë apo skllav, por liria për të marrë vendime.

Atëherë, skllavëria mund të përkufizohet si mungesa e të drejtës së një personi për të marrë vendime – ekonomike, politike, apo familjare, porse një e drejtë e tillë i përket në mënyrë ekskuzive zotërisë së tij. Në mënyrë tipike, skllavëria trajtohet si mall tregu, ashtu siç në botën moderne mund të trajtohet edhe punësimi.

Arsyet e skllavërisë janë të ndryshme. Ato ndryshojnë sipas civilizimit, kulturës, modelit ekonomik të një shoqërie, kohës, apo fesë.

Në shumë vende apo civilizime, një individ mund të përfundojë në skllav për shkak të borxhit, mos shlyerjes së detyrimeve të caktuara, me ligj nga qeveria mbi një grup të caktuar shoqëror, përmes luftës – robërit e luftës, përmes rrëmbimit të njerëzve të lirë dhe përdorimit të tyre si krah pune, siç kanë bërë evropianët në Afrikë gjatë periudhës së revolucionit industrial.

Sipas fesë islame, ekziston vetëm një mënyrë që një individ mund të përfundojë në skllav, dhe ajo është si pasojë e luftës. Nëse muslimanët luftojnë kundër jo muslimanëve, në një lufte që i përmbush kushtet e paracaktuara nga feja islame, ata kanë të drejtë që robërit e luftës t’i kthejnë në skllevër. Kuptohet, robër lufte konsiderohen vetëm jobesimtarët. Muslimani kurrë nuk mund të merresh si rob lufte nga një musliman tjetër e të kthehet në skllav.

Nëse një skllav pranon fenë islame, ai përsëri ngelet në gjendjen e skllavërisë. Për më tepër, fëmija në fenë islame trashëgon pozicionin e nënës sa i përket skllavërisë, jo të babait. Nëse nëna është skllave, edhe nëse ajo martohet me një burrë të lirë, fëmijët ngelen skllevër.

Feja islame e ka lidhur shlyrjen mëkatëve të caktuara, thyerjen e zotimeve etj. me lirimin e skllevërve, ashtu siç ajo i nxit besimtarët që t’i lirojnë skllevërit nëse ata posedojnë të tillë. Njëkohësisht, një skllav mund ta fitojë lirinë edhe me anë të pagesës.

Gjithashtu, në fenë islame, skllavi ka të drejtë të vishet e ushqehet ashtu siç ushqehet zotëria i tij. Skllavëria pra ka të bëj vetëm me lirinë vendim-marrëse, jo me nivelin e jetesës. Madje, një skllavopronar musliman mund të jetë asket dhe të vishet në mënyrë shumë modeste ndërsa skllevërit e tij mund të vishen me rroba të bukura e të shtrenjta.

Të gjithë të drejtën e vendim-marrjes së një skllavi e ka në dorë ai i cili e posedon atë. Përveç mungesës së të drejtës së vendim-marrjes, skllavi nuk ka të drejtë trashëgimie, ashtu siç nuk ka të drejta politike e ushtarake.

Arsyeja se pse po mundohem të japë detaje rreth skllavërisë është për të nxjerrë në pah gjendjen reale të shoqërisë moderne. Ne mendojmë se nuk jemi skllevër, sepse zyrtarisht nuk quhemi të tillë, por në të vërtetë pozicioni ynë i ngjanë shumë një skllavi klasik.

Teorikisht ne jemi të lirë, kemi të drejtë vendi-marrje, dhe kemi të drejta politike, apo jo? Në fakt, sistemi modern politik është ndërtuar në mënyrë të atillë që, në mos e pezulloftë, ai e limiton pa masë të drejtën vendim-marrëse apo të drejtën për të dhënë mendime politike. E drejta vendim-marrëse ose kufizohet përmes imponimit indirekt nga sistemi politiko-ekonomik, ose ajo realizohet përmes iluzionit të zgjedhjes, që eventualisht personi zgjedh atë që i imponon sistemi.

Edhe pse Perandoria Britanike ishte pionere për dhënien fund të skllavërisë, madje në pampje të parë duke e tejkaluar edhe fenë islame, ajo nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka ndryshuar kuptimin e skllavërisë, duke e fshehur apo anashkaluar thelbin e saj, që është koncepti i vendim-marrjes.

Të gjithë ne sot mendojmë se jemi të lirë sepse kështu na është thënë, apo se kështu mendojmë, aq më tepër duke marrë parasysh gjendjen ekonomike shumë të mirë të shumë prej nesh – që ngjanë me feudalët apo agallarët e dikurshëm.

E vërteta është se ajo çfarë e bën një njeri të lirë apo jo është aftësia vendim-marrëse dhe e drejta për të dhënë mendime politike, për të pasur një zë në shoqëri, për të pasur vetëdije mbi rëndësinë e vendim-marrjes në mënyrë të pavarur. Liria e skllavëria nuk janë thjeshtë sllogane, fasadë, vozitja apo mos vozitja e një makine të shtrenjtë, por ato janë liri për të marrë vendime e për të dhënë mendime ose mungesa e tyre.

Në këtë aspekt, Perandoria Britanike nuk i ka dhënë fund skllavërisë, por ajo na ka kthyer të gjithë ne në skllevër. Gjëja që pushteti modern e lufton më shumë është aftësia dhe vetëdija e njerëzve për të marrë vendime në mënyrë të pavarur e në gjendje të lirë. Pushteti e urren një gjë të tillë. Pushteti kërkon të influencojë vendimin e çdo personi. E gjithë makineria e pushtetit modern – mediat, universitetet, sigurimet sekrete etj., kërkon të kontrollojë dhe influencojë vendimet e çdo njeriu, por në pjesën më të madhe kërkon të bëjë këtë në mënyrë indirekte e jo formale.

Feja islame, nga ana tjetër, e ka prezervuar kuptimin real të secilës: lirisë e skllavërisë. Është e vërtetë se skllavëria mund të duket diçka çnjerëzore dhe e ashpër, për në fund të fundit ajo është mjet ushtarak për sundimin e armikut. Është një e vërtetë e shoqërisë njerëzore, duam apo nuk duam ne, porse feja islame e trajton atë në mënyrën më të drejtë, ashtu siç i ka dhënë konceptit të vendim-marrjes vendin që meriton.

Perandoria Britanike nuk i ka dhënë fund skllavërisë, por e ka kthyer të gjithë njerëzimin në skllevër. Fjala ‘skllav’ është hequr, por ka ngelur thelbi: mungesa e lirisë për të marrë vendime.

Sabri Lushi

Nëntor, 2023

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post