Për të gjithë ata që nuk janë të njohur me konceptin e “teuhidit,” kjo fjalë përkthehet në gjuhën shqipe si “monoteizëm,” që do të thotë, të adhurosh e të besosh vetëm një zot në kuptimin më rigoroz e më literal të fjalës. Nëse një besimtar ia kushton një akt apo ritual adhurimi, siç është namazi, frika mbinatyrore apo besimi mistik në diçka, siç janë tipikisht varret, atëherë ky person e ka kompromentuar dhe minuar teuhidin apo të gjithë konceptin e monoteizmit.
Për më tepër, teuhidi është rezultat; ai është produkt ose objektiv. I gjithë Kurani në thelb i kushtohet teuhidit, edhe pse si term nuk është përmendur në të. Pra, teuhidi është term akademik, që dijetarët e kanë përdorur si fjalë për lehtësi studimi dhe për ta bërë të kuptuarit e fesë më të thjeshtë për masat, dhe nuk ka dyshim se kjo është gjë e lavdrueshme.
Me fjalë të tjera, teuhidi është thelbi i fesë. Ai është fillimi dhe mbarimi i saj. Thotë Allahu në Kuran:
“Me të vërtetë, nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm se të më adhurojnë. Nuk kërkoj prej tyre furnizim, as nuk dua që ata të më ushqejnë. Vërtetë, Allahu është furnizuesi i madh dhe i pamposhtur në fuqinë e Tij.” – Surja edh-Dharijat 56-58
Po ashtu Allahu thotë në një ajet tjetër:
“Thuaj, ‘namazi, kurbani, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botërave.” – Surja el-En’am 162.
Pra, feja islame e mëson besimtarin se e gjithë jeta e tij, të gjitha veprat, punët e veprimet duhet të jenë për Allahun. Feja është një manual që e çon individin tek Allahu ndërsa çdo punë, veprim, besim në zemër që i kushtohet dikujt tjetër, atëherë kjo gjë e minon thelbin e këtij objektivi, që është njohja dhe vajtja tek Allahut, sado e vogël apo e parëndësishme të duket ajo punë sipas kritereve të njerëzve.
Në terminologjinë fetare, të gjitha ato veprime, fjalë apo besime në zemër që duhet t’i dedikohen vetëm Allahut, por që i kushtohen dikujt tjetri quhet “shirk” – politeizëm.
Gjithësesi, teuhidi nuk është sllogan politik, nuk është lojë fjalësh, nuk është fjalë që ka rëndësi në vetvete aq sa ka rëndësi thelbi i tij dhe rezultati. Çdo term që nuk është kuranor nuk e ka rëndësinë tek struktura gjuhësore, por tek thelbi apo kuptimi që përmban.
Nga të gjitha vendet e botës, Arabia Saudite, dijetarët dhe hoxhallarët e saj, e ka kthyer këtë fjalë, pra teuhidin, thuajse në një sllogan politik. Patjetër, në pamje të parë nuk është gabim. Të madhështosh fenë dhe simbolet e saj, kjo është prej devotshmërisë së zemrave.
Gjithashtu, nuk ka dyshim se dijetarët e Arabisë Saudite kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm, aq sa ne nuk mund t’ua shpërblejmë, për mësimin e fesë në mënyrë të saktë dhe për sqarimin e shumë koncepteve, siç është teuhidi. Kontributi i tyre nuk mohohet kurrë.
Mirëpo, çdo ditë e më shumë po vëmë re një përdorim të gabuar të termit teuhid. Nga një term akademik, që mbart mbi vete një koncept fetar të rëndësishëm, ka filluar të përdoret më shumë si sllogan politik, si për shembull, “Arabia Saudite është toka e teuhidit,” “ne jemi vendi i teuhidit,” “ne mbështesim teuhidin,” “elhamdulilah, këtu ka teuhid,” “vëllezër, teuhidi, teuhidi,” “teuhidi mbi të gjitha,” “mesojuni fëmijëve tuaj teuhidin,” etj. Ashtu siç duket qartë, këto ngjajnë më shumë me sllogane politike apo propagandë se sa reflektojnë një realitet.
Mënyra dhe konteksti se si po përdoret fjala teuhid – që është fjalë shumë e bukur dhe përmban thelbin e fesë, shpesh janë të gabuara. Jo rrallë, ‘teuhidi’ po përdoret për t’ia mbyllur gojën secilit që mund të mos bie dakord me politika të caktuara të Arabisë Saudite, apo për të justifikuar një pozicion politik të këtij shteti, pozicion politik që shpesh është më shumë se problematik.
Ata që e përdorin këtë fjalë si sllogan polilik, duket sikur duan të na thonë se meqenëse Arabia Saudite mbështet teuhidin, atëherë nuk mund të guxoni ta kritikoni këtë vend. Nëse e bëni një gjë të tillë, atëherë ju në thelb urreni teuhidin, që do të thotë, ju urreni fenë islame, që do të thotë, ju jeni armiq të fesë.
Unë nuk jam në gjendje të jap një verdikt fetar mbi këtë çështje sepse kërkon hulumtim të thellë dhe dituri fetare, por t’ia bashkangjitësh thelbin e fesë një shteti, që në fund të fundit e ka formuar Perandoria Britanike, personalisht e mendoj si mashtrim politik të kësaj të fundit.
Arabia Suadite është një vend musliman, ashtu siç është Jordania, Kuvajti, Jemeni, Egjipti, Siria, Iraku, Pakistani etj, me të mirat e me të këqijat e saj. Në çdo vend islam, ka muslimanë të mirë, ka injorantë, ka njerëz të prishur, të pamoralshëm, ka dijetarë, ka hoxhallarë, ka agjentë e spiunë britanikë, ka armiq të fesë, ka dhe njerëz që e duan fenë shumë. Arabia Saudite i përmban të gjitha këto.
Arabia Saudite është shtet që e ka formuar Perandoria Britanike siç ka formuar çdo shtet tjetër mbas pushtimit ushtarak në fillim të shekullit të 20-të kur ra Perandoria Osmane.
Sigurisht që Arabia Saudite lejohet nga Perandoria Britanike ta respektojë ligjin islam më shumë se të tjerët, kjo për arsye të ndryshme, për shkak të Mekkës, për shkak se aty ka dijetarë, por edhe për shkak të një strategjie britanike, por në fund të fundit, ky shtet është i detyruar të zbatojë ligjin ndëkombëtar, që e tejkalon sheriatin islam për nga fuqia politike.
Ashtu si çdo vend tjetër musliman, Arabia Saudite nuk është vend i pavarur, na vjen apo nuk na vjen mirë. Ashtu si çdo qeveri tjetër muslimane, qeveria e Arabisë Saudite është e detyruar politikisht dhe ushtarakisht të zbatojë udhërat e pushtuesit – Qeverisë Amerikane dhe Monarkisë Britanike. Ne mund të mendojmë si të duam, të mashtrojmë vetet tona, të bëhemi pragamtistë të sëmurë, mund t’i themi të bardhës të zezë e anasjelltas, por pushtimi ngelet pushtim me të gjithë kuptimin e tij klasik.
Për ata që nuk janë shumë të vetëdijshëm se ç’është pushtimi, ai është një gjendje politike ku qeveria dhe populli janë të detyruar t’i binden urdhërave të pushtuesit, t’i shërbejnë pushtuesit sipas interesave dhe strategjive të tij, dhe mbi të gjitha, të mos e cënojë pushtetin e pushtuesit.
Arabia Saudite, ashtu si çdo qeveri tjetër muslimane, nuk ka guxuar dhe nuk guxon të refuzojë urdhërat politikë të Perandorisë Britanike – Qeverisë Amerikane dhe Monarkisë Britanike. Jo vetëm kaq, por qeveritë muslimane janë të detyruara të burgosin, shtypin, shkatërrojnë, bllokojnë ekonomikisht, apo vrasin çdo musliman për të cilin vjen urdhëri nga pushtuesi britanik. Arabia Saudite nuk bën përjashtim.
KU QËNDRON KLEÇKA APO MASHTRIMI POLITIK?
Arabia Suadite, duke e përmendur teuhidin vend e pavend, jashtë çdo konteksti dhe pa kriter, kërkon të na mbush mendjen neve se ky shtet është kaq i pavarur, kaq i fortë, kaq i rëndësishëm sa po mban flamurin e fesë islame. Ajo po mban flamurin e teuhidit. Kuptohet, termi teuhid dhe fe islame përdoren thuajse në mënyrë të ndërsjellë, por pa e thënë në mënyrë eksplicite.
Arabia Suadite kërkon të na thotë neve se, “po leje ore politikën, ushtrinë, bizneset, aksesin tek burimet natyrore, të drejtat për shkollim, për jetë të pavarur, të drejtat politike, për aftësitë për të mbrojtur familjet dhe pasurinë tonë, të drejtën për të mësuar fenë, të drejtën për të zbatuar fenë, aftësinë dhe kapacitetin për t’u mbrojtur nga qeveritë e armikut, mbijetesën shoqërore, identitare e fetare, porse mbi të gjitha, teuhidit.”
Këtë logjikë propagande dhe mashtruese e kam kuptuar për herë të parë në Kanada. Sa herë që personalisht jam goditur nga Qeveria Kanadeze, nga spiunët apo gjykatësit e saj, nga punëdhënësit apo ushtarët e këtij rregjimi, më kanë dërguar spiunë të veshur me petkun e fesë për të më ngushëlluar, “mos u mërzit bre vlla sepse kemi teuhidin.”
Sigurisht që feja ka rëndësi më shumë se çdo gjë, më shumë se familja, toka, pasuria, shëndeti, liria fizike, paratë, apo pozicionet politike e ushtarake, por këtë ngushëllim nuk mund të na e bëjë armiku kur ai na godet. Këtë ngushëllim ia bëjmë ne veteve tona, dhe falendorojmë Allahun që na ka udhëzuar në fe. Nëse armiku na shkatërron dhe ne prap e mbajmë fenë, këtë e bëjmë se na është mundësuar nga Allahu, e jo se armiku na e ka dhënë këtë të drejtë.
Nëse armiku – më saktë, pushtuesit britanikë, na kontrollojnë jetën tonë, na kontrollojnë burimet natyrore, të drejtat civilie, të drejtën për ndërtime, për të punuar, për të bërë biznes, të drejtat politike, na kontrollojnë financat tona, na shtypin politikisht e intelektualisht, na kontrollojnë xhamitë tona, caktojnë imamllarët tanë, na kontrollojnë shkollat tona, na detyrojnë t’iu bindemi ligjeve të padrejta e shtypëse të armikut, nëse armiku na ka hyrë në familje, në shtëpi e në katandi, nëse ne nuk mbrojmë dot fëmijët tanë nga armiku, atëherë ne si muslimanë jemi të destinuar të zhdukemi sepse nuk kemi peshë. Çfarë teuhidi atëherë flitet këtu? Pse ngatërrohen gjërat?!
Teudihi dhe lufta politike e ekonomike shkojnë bashkë dhe nuk e kundërshtojnë njëra tjetrën.
Pikërisht, këtu qëndron klaçka e ‘teuhidit’ të Arabisë Saudite. Ata, apo propagandistët e paguar nga armimku, na e përmendin këtë fjalë sa herë kemi nevojë për të kuptuar se çfarë nuk po shkon mirë, se ku po na lufton armiku. Na e përmendin teuhidin atëherë kur nevojitet thjesht një zhurmë politike, që të mos kuptojmë armikun.
Kjo është ekzaktësisht si kritika që iu bë nga rebelët khauarixhë Aliut të cilët e akuzuan se nuk po gjykonte me ligj të Allahut, duke cituar ajetin kuranor se “vërtetë gjykimi i takon vetëm Allahut”. Përgjigja e tij ishte monumentale:
كلمة حق يراد بها باطل
“Fjalë e vërtetë, por që përdoret për të justifikuar të kotën.”
Arabia Saudite nuk na e përmend teuhidin si një kërkese ideologjike për bashkimin e muslimanëve dhe forcimin e tyre në aspektin ideologjik, në mënyrë që të bashkohemi kundër armiqve amerikanë e britanikë, por na e përmendin vend e pavend për të na hedhur hi syve.
Çfarë teuhidi na përnend Arabia Saudite kur është vendi që i ka rregulluar imazhin armikut – Amerikës dhe Britanisë së Madhe, më shumë se çdo vend tjetër?
Çfarë teuhidi na përmend Arabia Saudite kur është vendi që ka kontribuar që muslimanët të mos e njohin armikun: Qeverinë Ameriane dhe Britaninë e Madhe – armiqtë dhe pushtuesit e muslimanëve, ata që po na vrasin e po na shkatërrojnë me shtëpi e katandi?
Çfarë teuhidi na përmend Arabia Saudite kur të gjitha universitetet, shkollat dhe programet mësimore të saj kontrollohen nga armiku?
Çfarë teuhidi na përmend Arabia Saudite kur ajo nuk ka ushtri sepse nuk e lejon armiku, ashtu siç nuk lejohet të mbajë ushtri asnjë vend tjetër musliman?
Çfarë teuhidi na përmend Arabia Saudite kur edhe imamët e Qabes nuk kanë lirinë për të folur atë që mendojnë – ua kontrollon khutben qeveria më parë, sepse kanë frikë nga armiku? Nëse një imam flet në mënyrë të lirë, ai arrestohet menjëherë me urdhër nga Qeveria Amerikane. Ky është teuhidi?
Çfarë teuhidi na propagandon Arabia Suadite kur çdo talent, çdo person që ka aftësi për të ecur, çdo mendje e ndritur shtypet nga qeveria me urdhër nga armiku? Flas me garanci matematikore se asnjë talent dhe asnjë mendje e ndritur nuk lejohet të studiojë për fe në Arabinë Saudite e në asnjë vend tjetër musliman. Për çfarë teuhidi flitet këtu?
Teuhidi nuk është propagandë politike. Nuk është një kartë jeshile që nxirret nga xhapi sa herë duhet për të justifikuar tradhtira apo mbrapshtira politike. Teuhidi nuk është spiunizëm, as gënjeshtër, as mashtrim, e as lojë politike.
Teuhidi është rezultat. Teuhidi është e vërteta. Teuhidi është t’i thuash të bardhës të bardhë e të zezës të zezë. Teuhidi nuk është diskutim bosh filozofik. Teuhidi është adhurimi i Allahut një të vetëm, porse teuhidi ka nevojë për ekonomi, fuqi apo zë politik, fuqi ushtarake, vetëdije mbi armikun, mbi qeveritë e armikut, mbi kurthet e armikut. Teuhidi ka nevojë për para, për drejtësi, për bashkëpunim real e të vërtetë mes besimtarëve, jo për sponsorizim spiunësh e propagandistësh.
Teuhidi nuk mbahet duke bashkëpunuar me armiqtë më të mëdhenj të Islamit e teuhidit – Amerikën dhe Britaninë e Madhe, e duke kërkuar ndihmë nga këto vende barbare kundër muslimanëve sepse teuhidi atëherë kthehet në një gënjeshtër, në një flamur të rremë, në një qesëndi apo mashtrim.
Teuhidi ka nevojë për dije e për dijetarë, që në këtë aspekt i falenderojmë dijetarët e Arabisë Saudite. Madje falenderojmë edhe qeverinë e Arabisë Saudite dhe familjen mbretërore për çdo kontribut që kanë dhënë në përhapjen e fesë së drejtë. Për këtë, i falenderojmë nga zemra, por kjo nuk duhet të bëhet shkas për të mashtruar muslimanët.
Qeveria e Arabisë Saudite duhet të mbajë vendin që meriton: një qeveri që e ka mandatuar në atë pozicion politik Monarkia Britanike – armiqtë e fesë islame. Si e tillë, qeveria e Arabisë Saudite ka fuqi politike të limituar. Edhe po të dojë t’i ndihmojë muslimanët, ata nuk munden sepse nuk e lejon armiku.
Nuk dua ta kritikojë qeverinë e Arabisë Saudite në vetvete, as popullin saudit, e as atë vend të bekuar, por dua të sqaroj pozicionin politik të atij vendi, dhe faktin se jemi të pushtuar.
Lufta jonë nuk është me Arabinë Saudite, që e duam si vend dhe i lutemi Allahut ta mbrojë nga çdo e keqe. Lufta jonë për mbijetesë është me armiqtë tanë – me Amerikën dhe Britaninë e Madhe, sepse këta armiq kërkojnë të na zhdukin fenë, kërkojnë të na bllokojnë ekonomikisht, kërkojnë të na bllokojnë politikisht, kërkojnë të na shkatërrojnë në çdo aspekt.
Unë e mirëkuptoj popullin arab saudit – dijetarë e hoxhallarë. Ata nuk kanë lirinë t’i flasin shumë tema sepse i pret burgu me urdhër nga Amerika dhe Britania e Madhe. Qëllimi im është të sqarojë të vërtetën siç e shoh në mënyrë objektive, dhe të demaskojë kurthet e armikut – Monarkisë Britanike dhe Qeverisë Amerikane.
Për ta mbyllur, Kurani – libri më i mirë i teuhidit, flet për konceptin teorik të teuhidit, e sqaron atë me forma të ndryshme, me logjikë, me shembuj, me argumenta, por Kurani flet për ekonomi, për moral të lartë, flet për rrezikun që na vjen nga armiku, flet për luftë e për ushtri, flet për moral e për familje, flet për kontribute ekonomike e për sakrifica, flet për politikë e për ideologji sepse të gjitha këto shkojnë bashkë; nuk mundë të ndahen pavarësisht hierarkisë në rëndësinë që kanë.
و الله أعلم
Sabri Lushi
Nëntor, 2023