Gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë. Roli i tyre në zhvillim e popullsisë dhe në ofrimin e një rezistence politike kundër padrejtësisë dhe kërcënimeve që na kanosin ne të gjithëve është i patjetërsueshëm, ashtu siç është edhe roli i burrave. Gratë dhe burrat janë vetë shoqëria, dhe rrjedhimisht nuk mund të ketë prosperitet shoqëror pa emancipimin e gruas dhe fuqizimit të pozicionit të saj.
Ashtu sikurse burrat, gratë kanë pikat e tyre të forta, porse ato kanë edhe të metat dhe pikat e tyre të dobëta. Në mënyrë të përsosur, avantazhet biologjike, psikologjike, dhe sjellja natyrore e tyre i mbulojnë të metat e burrave, dhe anasjelltas. Në fakt, gruaja është krijuar nga një pjesë e njeriut të parë, që duket sikur ai, pra Ademi, është ndarë në dy pjesë, dhe se këto dy pjesë janë të ndryshme, por që plotësojnë të tërën.
Per ta forcuar rolin e gruas, duhet që:
Së pari, ajo duhet të mbrohet nga shteti apo nga qeveria. Nuk ka dyshim se çdo qeveri, sidomos qeveritë sekulariste, qëllimi kryesor i saj është kontrolli i shoqërisë. Në fund të fundit, ky objektiv është krejt legjitim e logjik. Puna e pushtetit është të kontrollojë, mirëpo natyralisht gratë janë më të cënueshme nga pushteti. Përballja me pushtetin nuk është pika e tyre më e fortë. Për këtë arsye, forcimi i rolit të gruas dhe çlirimi i saj kërkon që ajo të mbrohet nga kërcënimi i pushtetit dhe shfrytëzimi i saj politik e seksual.
Çdo pushtet është kërcënim për gruan nëse ajo nuk mbrohet nga familja e saj. Edhe po të jetojmë nën një qeveri muslimane, pushteti gjithmonë ka tendencën për ta kontrolluar shoqërinë, dhe kërkon ta realizojë këtë me çdo formë, sidomos përmes kontrollit të gruas, aq më tepër nëse jetojmë nën qeveri sekulariste. Në mënyrë të dukshme, pushteti sekularist ka tendencë edhe më të madhe për t’i kontrolluar e për t’i shfrytëzuar gratë politikisht.
Pra, hapi i parë është çlirimi dhe mbrojtja e grave nga pushteti, nga qeveria, nga shteti, e nga politika. Duam apo nuk duam ne, gratë e kanë të pamundur të përballen vetë me pushtetin apo me qeverinë.
Së dyti, në mënyrë që gruaja të shkëlqejë në rolin e saj natyral dhe të japi më të mirën e saj, qoftë intelektualisht e qoftë politikisht, ajo duhet parësisht të qëndrojë në shtëpi – vendi më i mirë e më i mbrojtur për të. Shtëpia është kështjella e grave. Bota e jashtme – vendi i punës, tregu, kompanitë, ndërveprimi me politikën e me shtetin, është botë e egër. Kjo lloj bote kërkon forcën, vrazhdësinë, dhe qëndrueshmërinë e një burri për t’u përballur me të. Nuk është pika më e fortë e grave që ato të merren me pushtetin, por kjo është puna natyrale e burrave, që në vetvete nuk përfaqëson ndonjë nder apo vlerë.
Sa më shumë që gruaja të qëndrojë në shtëpi, të ndërveprojë më pak me botën e jashtme, sidomos me botën mashkullore, aq më e lirë dhe e fortë është ajo. Për më tepër, shtëpia nuk është thjesht një ndërtesë e ngjashme me hotelin, që përdoret vetëm për të kaluar natën, por ajo është kështjella e familjes. Aty rriten fëmijët. Aty bëhen planet e familjes. Aty caktohen objektivat e jetës. Aty edukohen fëmijët. Shtëpia është një institucion që kërkon dikë që të punojë në të me kohë të plotë, qoftë për t’u kujdesur për të, për ta menaxhuar, apo edhe për ta mbrojtur atë, dhe këtë rol nuk mund ta mbulojë askush më mirë se gruaja.
Së treti, gruaja është e fortë dhe e lirë vetëm nëse ajo jeton apo vjen nga një familje e fortë. Pa forcimin e familjes, gruaja nuk mund të forcohet. As forca e burrit e as a gruas nuk qëndron në individualizmin e tyre, por në forcimin e familjes. Familja është ajo që e mbron gruan, që i jep asaj dinjitet e liri; nuk është shteti apo pushteti ashtu siç perceptohet gabimisht.
Familja është si një kompani apo si një mini shtet, por që përbëhet nga role natyrore. Gruaja forcohet vetën duke forcuar familjen dhe rolin e saj natyral në familje. Forca e gruas nuk qëndron tek puna e saj në një kompani nën urdhërat e një punëdhënësi – që normalisht të gjithë janë pjesë e armatës sekrete shtetërore. Forca e gruas nuk qëndron tek përulësia e saj ndaj ujqërëve të politikës apo të qeverisë. Forca e saj është në propocion të drejtë me forcën e familjes.
Së katërti, roli i gruas mund të forcohet dhe ajo mund të çlirohet vetëm nëse ajo adopton ideologjinë e duhur. Një grua pa dituri e pa ideologji eventualisht përfundon në skllave e nënçmuar. Në fakt, nevojshmëria e ideologjisë nuk qëndron vetëm për gratë, por edhe për burrat. Njeriu pa dituri e pa ideologji është i verbër, aq sa mund t’i mbushet mendja se zinxhirët e skllavërisë janë në fakt çlirim.
Në këtë aspekt, ideologjia e vetme që mund ta çlirojë gruan nga kthetrat e robërisë dhe nga tirania e qeverisë apo pushtetit është vetëm feja islame. Sa më shumë që një grua ta përqafojë fenë islame dhe sa më shumë që ajo t’i zbatojë mësimet e parimet islame në jetën e saj, aq më e lirë e më e fortë bëhet ajo.
Për ta mbyllur, fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri dhe çlirimi i saj janë esenciale për zhvillimin e shoqërisë dhe për arritjen e një niveli të kënaqshëm prosperiteti.
Gruaja forcohet duke e mbrojtur së pari nga qeveria. Pushteti, sidomos pushteti sekularist, është kërcënuesi më i madh i lirisë së individit. Për shkak të natyrshmërisë së saj – me të meta e me avantazhe, ajo është më e kërcënueshme e më e cënueshme nga pushteti, i cili kërkon ta kontrollojë çdo qytetar, ta robërojë çdo individ, e ta bëjë spiunë çdo njeri të rritur, përfshirë gratë.
Përveç mbrojtjes së saj nga pushteti, gruaja mund të çlirohet e roli i saj mund të forcohet duke e konsideruar shtëpinë si vendqendrimin e saj më të rëndësishëm. Sa më pak të dalë një gruaj jashta e të ndërveprojë me botën e egët materialiste, aq më e mbrojtur është ajo nga kjo botë e egër dhe e pamëshirshme. Vendi ideal i gruas është shtëpia – kështjella saj.
Për më tepër, gruaja ka nevojë për një familje të fortë që ajo të mos kërcënohet nga pushteti apo nga shoqëria e egër që na rrethon. Forca qëndron tek familja, dhe gruaja është njeriu i duhur për ta trajtuar shtëpinë dhe përkujdesjen për familjen si punë me kohë të plotë.
Thënë kjo, gruaja nuk mund të çlirohet plotësisht pa përqafimin e idologjisë së duhur, që është feja islame. Sa më shumë ta zbatojë një grua fenë islame, aq më e lirë e aq më e fortë bëhet ajo. Forca qëndron tek përsosja e moralit, tek dituria, tek feja, e tek bindja ndaj mësimeve të fesë islame. Nuk ka dyshim se një prej qëllimeve madhore të fesë islame është çlirimi i njeriut nga robërimi i tiranëve njerëzor.
Pa forcimin e çlirimin e gruas nuk ka prosperitet.
Sabri Lushi
Dhjetor 2023