Feja islame nuk i ka kushtuar rëndësi asgjëje aq sa i ka kushtuar diturisë. Pesë ajetet e para që i kanë zbritur Profetit Muhammed (ﷺ), katër prej tyre flasin për diturinë.
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi; krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur; lexo se Zoti yt është më Bujari; Ai i cili e ka mësuar njeriun përmes penës; që i mësoi njeriut atë që nuk e di.” Surja el-‘Alak, 1-5.
Kur’ani është libër diturie. Ai përmban një pjesë të diturisë së Allahut të zbuluar për njerëzit më qëllim që ata të udhëzohen, që të dalin nga errësira e injorancës në dritën e dijes, nga padrejtësia dhe shtypja e zullumqarëve në dritën dhe prosperitetin e drejtësisë hyjnore.
“Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërëfyes për njerëzi dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe Furkan (standarti i të vërtetës).” Surja el-Bekare 185. Pra, Kur’ani është dituri dhe udhëzim për të gjithë.
Dituria e Kur’anit është e manifestuar në shumë nivele. Ai përbën fillimisht librin më të saktë gjuhësor. Është pikërisht Kur’ani i cili e ka bërë gjuhën arabe që të mos vdesë, por të jetojë ashtu e pandryshuar bashkë me të. Kujdesja ndaj fjalës së Allahut, shkrimi i tij kaligrafik, mësimi i tefsirit (interpretimit të tij), mësimi i analizës së tij gramatikore (el-‘iraab), mësimi i shkencës së retorikës etj. kanë shërbyer për promovimin e shkencës së gjuhësisë ndëra gjuha në vetvete është ditur, armë, dhe mjet për atë arritur diturinë.
Kur’ani është libër i ligjit hyjnor apo sheriatit, dhe dituria ndaj ligjit garanton drejtësi. Thotë Allahu, “Ne i kemi dërguar të dërguarit tanë me argumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe Peshoren (e drejtësisë) që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës.” Surja el-Hadid 25. Ky ligj nuk është shpallur në mënyrë sekrete tek një person, apo me një gjuhë tepër të komplikuar që mund ta kuptojnë vetëm një pjesë e caktuar e njerëzve – që mund të kenë një status politik, por është ligj që kuptohet nga të gjithë.
Për më tepër, dituria e Kur’ani qëndron tek historitë që Allahu ka treguar në të, tek këshillat e tij, tek shembujt e dhënë, në përshkrimin e realitetit të kësaj bote, në përshkrimin e botës tjetër, në përshkrimin e Ditës së Kijametit, në parashtrimin e argumenteve logjike rreth ringjalljes, ashtu sikurse në Kur’an gjendet udhëzimi më i mirë për të jetuar jetën e kësaj bote.
Kur’ani është fjala dhe dija e Allahut, dhe si i tillë ai është një komunikim i drejtëpërdrejtë i Krijuesit me njeriun. Nuk ka pengesë mes Kur’anit, pra, fjalës së Allahut, dhe robit të tij sepse Kur’ani lexohet kudo: në namaz, në xhami, në faljen e barjamit, në faljen e xhumasë, në radio, në TV, nga fëmijë, nga të rritur, nëpër shtëpia, në rrugë, me autobuz, në tren e kudo. Dituria e Allahut lexohet kudo, dhe kjo në vetvete meriton të theksohet.
Pikërisht, ky është liberalizimi i madh i dijes. Allahu e ka zbritur Kur’anin për të gjithë njerëzit, për arabët e jo arabët, për të gjitha racat, ngjyrat, kombet, për burrat e për gratë, për njerëzit e lirë e për ata që janë skllevër, për fëmijë, pleq, të rritur, për politikanë, për masat, e madje edhe për botën e xhindëve. Kushdo që dëshiron të përfitojë nga Kur’ani – nga dija e Allahut, ai është aty, për të gjithë pa përjashtim.
“Me të vërtetë e kemi bërë Kur’anin të lehtë për mësim; kush do të marrë mësim?!” – thotë Allahu në Suran el-Kamer, 17.
Kur’ani është për të gjithë. Nuk është monopol i një elite të caktuar; nuk është libër sekret që mund ta përdorë elita politike për kontrollin apo shfrytëzimin e njerëzve; nuk është libër i dërguar tek një fis i caktuar, por i zbritur për të gjithë njerëzimin, dhe lehtësia, ëmbëlsia dhe bukuria e recitimit të tij, aq më tepër të lidhur me namazin, e ka bërë Kur’anin kaq të arritshëm për njerëzit, dhe ky është argumet i qartë i liberalizimit të dijes.
“Me të vërtetë, Allahu ngre me këtë libër popuj, dhe ul përmes tij të tjerë.” – ka thënë Profeti Muhammed (ﷺ) në hadithin e Umer ibn el-Khatab të transmetuar nga Muslimi.
Rrëfen el-Hakim një diskutim mes kalifit Abdulmelik ibën Merwaan dhe Imam ez-Zuhri. E pyet kalifi imamin se nga po vinte, dhe i përgjigjet se po vinte nga Mekka. E pyet se kush po iu prinë atyre ndërsa imam ez-Zuhri i përgjigjet duke i treguar emrin e personit; më pas e pyet për disa vende të tjera, dhe gjithashtu përgjigjet duke përmendur emrin e secilit person që printe, dhe të gjithë bënin pjesë tek grupi i el-mawaali (popullata me origjinë nga shtresa e skllavërisë, por të liruar).
Më pas kalifi e pyet për prijësin e Kufes, Irak. Imam ez-Zuhri thotë se atje është Ibrahim en-Nekha’i. “Nga arabët apo el-mawaali?” – pyet kalifi. “Nga arabët” – përgjigjet ai. “Më çlirove, o Zuhri” – ia kthen kalifi, “betohem në Allah, el-mawaali do t’i sundojnë arabët. Ata do të ligjërojnë nëpër minbere ndërsa arabët do të qëndrojnë poshtë tyre duke dëgjuar.
Imam ez-Zuhri i thotë se kjo është çështja e Allahut dhe feja e Tij; kush e mëson atë, ngrihet; e kush e lën atë pas dore, ngelet mbrapa.
Historia e fesë islame është e mbushur dhe e ndriçuar me shembuj pafund të njerëzve jo me origjinë fisnike të cilët janë ngritur në grada të larta diturie dhe janë ngjitur në ballin e popullit të tyre për shkak të diturisë që ata kanë mësuar. Ka prej tyre që kanë arritur nivele të larta të dijes aq sa emrat e tyre përmenden edhe sot e kësaj dite nga umeti islam, siç janë Hasan el-Basri, Ikrime, Ta.us ibën el-Kisan, Muhamed ibën Sirin, Ataa ibën Ebi Rabaah, Abdullah ibën el-Mubaark, dhe Imam Abu Hanife – Allahu i mëshiroftë të gjithë.
Ditura është gjëja më e rëndësishme. Ajo është arma më e fortë e popujve dhe mjeti më i mirë për çlirimin e tyre nga padrejtësia dhe shtypja.
E veçanta e Kur’ani është se Allahu e ka marrë përsipër për ta ruajtur atë Vetë, dhe e ka ruajtur. Kur’ani nuk mund të fshihet, nuk mund të monopolizohet, nuk mund të mbahet sekret nga elita politike, nuk mund të ndryshohet sipas orekseve apo interesave politike, nuk mund të kanonizohet apo shtrembërohet sipas dëshirave të njerit apo tjetrit. Po ta kishin në dorë njerëzit, patjetër që do ta kishin ndryshuar, por kjo nuk mund të ndodhë sepse Kur’ani është udhëzim për të gjithë me garanci nga vetë Zoti.
Kur’ani është dije për të gjithë, dhe historia e fesë islame është historia e ndritshme e liberalizimit të madh të dijes – për të gjithë pa përjashtim, pavarësisht origjinës, racës, ngjyrës, gjinisë, pozicionit politik, apo statusit ekonomik.
Sabri Lushi
Mars 2024