LOGIN
Home » CILA FE ËSHTË MË E MIRA?

CILA FE ËSHTË MË E MIRA?

by Kukes Post
0 comment

Kjo është një pyejte plotësisht legjitime, logjike, dhe madje e domosdoshme. Të dish se cila ideologji është më e drejta, se cila fe më e mira, se cila kulturë, sistem politik, ligj, zakon, mendim, opinion, mënyrë të jetuari, apo metodologji jete është më e mira, kjo jo vetëm që nuk i bën dëm njeriut, por është dituri e cila e bën atë të suksesshëm dhe i jep avantazh të madh në jetë.

Normalisht, secili nga ne mendon se po bën gjënë e duhur, dhe se po ndjek ideologjinë më të saktë. Atesistët, të pafetë, grupet politike, grupet idologjike, partitë politike, kulturat, kultet fetare, shkollat filozofike, shkollat e mendimit, lëvizet ideologjike e politike, apo edhe grupet ushtarake pretendojnë se po bëjnë gjënë e duhur, dhe se ata janë në të vërtetën.

Njeriu nga natyra është politik apo ideologjik, dhe ka tendencën t’i ftojë njerëzit tek rruga e tij, të përhapë mendimin e tij, ta shoh botën si vetja – qoftë edhe kur është në rrugë të gabuar, qoftë edhe kur është zhytur në mëkate apo veprime moralisht e ligjërisht të dënueshme. Në fakt, shpesh njeriu e përdor këtë edhe si justifikim për veprimet e tij.

Pra thelbi është se bota është e mbushur me lloj lloj ideologjishë, sekte e kulte fetare, grupe, parti politike, grupe nacionaliste e kombe, kultura, norma shoqërore, e lëvizje ideologjiko-politike.

Cila fe është më e mira atëherë? Cili ligj është më i drejti? Cili sistem politik është më i përshtatshmi dhe më i favorshmi? Cili grup apo sekt brenda fesë është më i sakti? Me pyetje si këto secili nga ne përballet në jetë edhe nëse jeton në vendet më të izoluara të botës.

Këtë përgjigje e ka trajtur Kur’ani, qoftë në mënyrë eksplicite, e qoftë në mënyrë të tërthortë. Në lidhje me të, Kur’ani nuk i ka kushtuar rëndësi emrit të grupit, vokalitetit të lëvizjes politike, madhësisë së partisë politike – nëse ajo ofron punë apo jo, superioritetit të vetëshpallur të një kulture apo civilizimi, ngjyrës së lëkurës së anëtarëve të asaj shkolle mendimi, modës apo popullaritetit të kulturës, paratë që ofrojnë për pasuesit, apo se sa mistike një kult është.

Asnjëra nga këto nuk kanë rëndësi për Kur’anin sepse nuk janë esencë, por imazh apo amballazh apo paketim. Këtë lloj fenomeni apo mentaliteti Allahu e ka përmendur në Kur’an duke thënë, “kështu ia kemi zbukuruar secilit popull atë ç’ka bën, e më pas kthimi i tyre është tek Zoti i tyre që do t’i bëjë me dije për atë ç’ka kanë punuar.” El-En’ām, 108, apo siç thotë në një ajet tjetër, “Të cilët e përqanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ku secili grup i gëzohet idesë së vet.” Er-Rūm, 32. Zbukurimi apo vetëkënaqësia me diçka bëjnë pjesë tek amballazhi, paketimi, apo tek pjesa e jashtme, jo tek esenca prandaj nuk kanë rëndësi tek Allahu.

SA I PËRKET FESË MË TË MIRË:

Allahu thotë në Suren En-Nisā (Gratë), 125, “E kush ka fe më të mirë se ai i cili i nënshtrohet Allahut, ndjek rrugën (e të dërguarit të Tij), dhe pason fenë e Ibrahimit.”

Feja më e mirë është ajo fe që është ligjëruar nga Allahu dhe ka zbritur nga Ai, pasi vetëm Ai e di më të mirën për njeriun sepse Ai është krijuesi i tij.

A mund të krahasohet feja apo ligji i Allahut – i Atij që di çdo gjë, me ligjet e këtij sistemi politik apo të atij sistemi? Të këtij njeriu apo të atij grupi? Të kësaj kulture apo të atij sekti? Feja e shpikur nga njerëzit, ideologjitë, ligjet, lëvizjet apo partitë politike etj. janë krijesa të njeriut, që reflektojnë interesat e tij, padrejtësitë, mangësitë, shfrytëzimin e njëri tjetrin, dhe në pjesën më të madhe, kontrollin politik.

A mund të krahasohet ajo që ka ardhur nga Allahu, atë që e bën për Allahun, dhe modeli i Profetit të Allahut – i Zotit të gjithëditur, me fenë e bërë nga njeriu – kjo qenie e dobët, injorante, dhe e padrejtë?! A mund të krahasohet ai person që është i sinqertë me Zotin, i bindet Atij, pason rrugën e Profetit të Tij, me hipokritët, që nuk i motivon asgjë tjetër ne jetë përveç se servilizmi, interesi, shfrytëzimi, epshet momentale dhe drita e tij e shkurtër?

Feja e Ibrahimit (alejhis-selam) është më e mira sepse ai përfaqëson njeriun e sinqertë e të përkushtuar ndaj Zotit, të cilit që në moshë të re i ishte dhuruar udhëzimi, i cili sfidoi popullin e tij dhe parinë për adhurimin e statujave, i cili ndërmori veprime konkrete për ta çrrënjosur paganizmin djallëzor e të padrejtë duke i thyer statujat, duke debatuar me popullin e tij me logjikë e me zgjuarsi, duke i dalë në ballë rrezikut, duke rrezikur jetën për hirë të të vërtetës, i cili u hodh në zjarr për veprimet e tij – porse Allahu e shpëtoi, i cili u përzë nga vendi i tij për shkak të refuzimit të fesë pagane të popullit të tij, dhe emigroi përgjithmonë për hirë të Zotit në vendin e bekuar.

Ibrahimi simbolizon njeriun e sinqertë, që besoi në Zotin një – jo në shumë zota, i cili sakrifikoi gjithçka për hirë të Allahut, i cili ishte gati të sakrifikonte edhe djalin e tij të cilin ia kishte dhuruar në moshë të thyer si bindje ndaj Zotit, e për këtë arsye ai u bë një ndër njerëzit më të dashur tek Allahu.

Feja më e mirë është feja e atij personi që i bindet Zotit, jo statujave apo që pason paganizmin, dhe që është gati të sakrifikojë për Zotin e për të tjerët. Feja është sakrificë. Në themelin e jetës së kësaj bote është sakrifica dhe kontributi për të tjerët. Këtë përfaqëson Ibrahimi dhe këtë përfaqëson Profeti Muhammed (ﷺ) – sakrificën dhe njeriu e bindur ndaj Zotit.

A mund të krahasohet modeli i Ibrahimit (paqja qoftë mbi të) me modelet njerëzore të cilat kanë në themel të tyre interesin, paranë, shfrytëzimin e njerëzve, mashtrimin e tyre, kontrollin politik të tyre, dhe mbajtjes së tyre në errësirë?

Feja më e mirë është feja islame, të cilën e ka shpallur Allahu, feja e Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të), e cila e ka shfuqizuar çdo ligj përpara saj. Kjo është në thelb feja e Ibrahimit (alejhis-selam), feja e të qenurit i sinqertë ndaj Zotit. Fenë më të mirë e ka ai person që pason jo ligjet e padrejta të njerëzve – që i ka vendosur njeriu për shfrytëzimin e njeriut, as kulturat, lëvizjet politike, partitë politike, apo sektet e kultet e ndryshme, që në vetvete të gjitha sillen rrotull interesit, shfrytëzimit, e kontrollit politik, por ai që pason fenë e zbritur nga Allahu – që është feja e Profetit Muhammed (ﷺ), feja e drejtësisë, e sakrificës, e transparencës, dhe që i jep njeriut modelin më të mirë e më të bukur për të jetuar.

Sabri Lushi

Prill, 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post