Home » Ç’DO TË THOTË REALISHT TË BESOSH NË DITËN E GJYKIMIT DHE NË BOTËN TJETËR?

Ç’DO TË THOTË REALISHT TË BESOSH NË DITËN E GJYKIMIT DHE NË BOTËN TJETËR?

by Kukes Post
0 comments

Të besosh në Zot, që Ai ekziston, që ka krijuar gjithçka, që kontrollon gjithçka, apo se Ai i ndihmon njerëzit, ky lloj besimi thuajse nuk reflektohet në asgjë sa i përket jetës së njeriut. Në fund të fundit, thuajse të gjithë njerëzit, pavarësisht fesë që praktikojnë, besojnë në një farë mënyre në Zot, qoftë edhe kur ata adhurojnë statuja.

Njerëzit besojnë në Zot – kështu në mënyrë të mjergullt, por ata bëjnë padrejtësi, vrasin, vjedhin, shkatërrojnë, tradhtojnë, enden si të hutuar, punojnë ditë e natë deri sa t’u vijë vdekja e t’i marrë ashtu papritur, gënjejnë, lakmojnë pafund, garojnë në ndërtesa e posedim makinash, dhe sillen me njëri tjetrin sikur të ishin kafshë të egra sepse ky lloj besimi është i padobishëm.

Të besosh vetëm se Zoti ekziston nuk do të thotë se e njeh Atë. Madje, gjendja e një besimtari të tillë nuk ka thuajse asnjë dallim nga gjendja e atij që e mohon ekzistencën e Tij plotësisht.

Zoti ka shumë cilësi që hedhin dritë mbi të vërtetën e Tij, se kush është Ai në të vërtetë, çfarë ka fuqi të bëjë, cilët janë emrat e Tij, dhe ç’do të thotë të besosh në Të. Në këtë aspekt, një pjesë e madhe e cilësive të Zotit lidhet me faktin e madh, apo me besimin, se një ditë Ai do t’i ringjallë të gjithë njerëzit e të bëhet gjykimi i madh i tyre, e më pas fillon jeta e vërtetë siç e quan Allahu në Kur’an, “Vërtetë bota tjetër është jeta e vërtetë nëse ata kuptojnë.” El-Ankebutë, 64.

Emrat e Allahut si i drejti, i urti, i mëshirshmi, fuqiploti, ngadhënjyesi etj. nuk do të kishin kuptim pa besimin në ditën e gjykimit.

Pa besuar në jetën tjetër, në ditën e gjykimit, në marrjen në llogari, në shpërblimin apo ndëshkimin e madh, në një jetë të vërtetë – që nuk mbaron, në jetën e cila përputhet plotësisht me logjikën e pastër të njeriut, besimi në Zot jo vetëm që është i mangët, po në të vërtetë është i pavlefshëm.

Nëse njeriu nuk beson në ditën e gjykimit apo në ringjallje, ai nuk e njeh Zotin edhe nëse i lutet e i falet, nëse agjëron dhe e përmend Atë mengjes e mbrëmje, apo edhe nëse bën sakrifica për Të. Nëse i bën këto gjëra, nuk i bën se beson në Të, por ndoshta me shpresë që Zoti – siç e percepton mjergullazi në kokën e tij, mund t’ia shtojë pasurinë në këtë botë. Pra, e bën për një interes materialist.

Kështu që, të besosh në botën tjetër, do të thotë të njohësh Zotin dhe fuqinë e Tij. Kjo do të thotë se besimi yt në Zot do të reflektohet në jetën tënde – në këtë jetë, dhe ti nuk je si ai që nuk e njeh Atë.

Nëse nuk beson në jetën tjetër apo në gjykimin e madh, kjo do të thotë se ti realisht nuk e njeh Zotin – ti nuk ke shumë dallim nga një ateist, dhe ty nuk të pengon asgjë për të bërë mbrapshtira e ligësira përveç se frika nga njerëzit apo nga pamundësia, porse po të jetë në dorën tënde, nuk do të lije gjë pa bërë për aq kohë sa nuk beson në jetën tjetër. Gjithësesi, kjo është logjike.

Të mos besoh në ditën e gjykimit do të thotë se njeriu nuk e njeh Zotin; kjo do të thotë që ky njeri është i papërgjegjshëm, i padobishëm, dhe i rrezikshëm.

Ata që vrasin fëmije e gra në Palestinë, për shembull, nuk e njohin Zotin dhe nuk besojnë në ditën e gjykimit. Ata që vendosin embargo ndaj mijëra e miliona njerëzve në Jemen, Afganistan, Irak, Somali e gjetkë, kjo do të thotë se ata nuk e njohin Zotin dhe nuk besojnë në ditën e gjykimit të madh. Ata të cilët vjedhin paratë e qytetarëve, që falimentojnë biznese, që kontrollojnë ekonominë, që rrisin inflacionin e për rrjedhim me mijëra e miliona njerëz ngelen të pastrehë, këta nuk e njohin Zotin dhe nuk besojnë në ditën e gjykimit edhe nëse besojnë në ekzistencën e Krijuesit – një besim ashtu i mjergullt e i padobishëm.

Ata të cilët tradhtojnë, gënjejnë, mashtrojnë, që shohin vetëm interesin personal, që bëjnë vetëm llogaritë personale qoftë edhe në kurriz të të tjerëve, që nuk pyesin se çfarë pasojash kanë veprimet e tyre, që shpifin për të tjerët, që ndezin ngatërresa e konflikte, që nuk arrijnë t’i vendosin vetet e tyre në pozicionin e të tjerëve, që iu binden eprorëve të tyre verbazi për aq kohë sa kjo bindje prodhon para, që grumbullojnë pasuri pa pyetur nëse iu bëjnë dëm të tjerëve, këta lloj njerëzish nuk e njohin Zotin e tyre sepse nuk besojnë në ditën e gjykimit të madh edhe nëse i luten e i falen atij.

Të besoh në Zot nuk do të thotë të besoh në ekzitencën e Tij, dhe besimi në ekzistencën e Tij – kështu në mënyrë të mjergullt, nuk ka asnjë dobi në jetën e njeriut. Vetëm nëse beson në ditën e gjykimit, kur Zoti do të gjykojë mes njerëzve, atëherë ky lloj besimi ka dobi, dhe kjo do të thotë se e njeh Zotin tënd.

Thotë Allahu në Kur’an në suran el-Mā’ūn.

“A e ke parë atë i cili nuk beson në Ditën e Gjykimit?

Ky është ai i cili e shikon me neveri jetimin.

Dhe që nuk nxitë për të ushqyer të varfërin.

Mjerë për ata që falen e në namazin e tyre janë të shkujdesur.

Ata të cilët kërkojnë që të duken.

Dhe madje refuzojnë të huazojnë sendet e tyre.”

Një njeri që nuk beson në ditën e gjykimit, që do të thotë se nuk e njeh Allahun, një njeri i tillë ka shumë të meta sado i civilizuar të duket e sado i lexuar të jetë. Është njeri pa esencë, pa moral, i padobishëm, dhe i papërgjegjshëm. Allahu ka përmendur disa cilësi tipike të një njeriu që nuk beson në ditën e gjykimit: nuk pyet për pjestarët e shoqërisë sepse nuk beson në ditën e gjykimit, edhe nëse kryen adhurime, siç është namazi, ato i kryen në mënyrë krejt sipërfaqësore e të shkujdesur sepse nuk beson në ditën e gjykimit, kërkon të duket, mburret, dhe fokusohet vetëm tek e jashtmja, apo se çfarë thonë të tjerët për të sepse nuk beson në ditën e gjykimit, dhe ligësia e tij shkon deri aty sa nuk ndanë me të tjerët edhe gjërat të vogla si ndihmë për ta sepse nuk beson në ditën e gjykimit; me fjalë të tjera, ky lloj njeriu nuk e njeh Zotin.

Jeta e kësaj bote është e bazuar në bashkëpunim mes njerëzve, përgjegjësi, sinqeritet, sakrificë, kontribut për shoqërinë, dhe në mirësjellje mes tyre, por kjo kurrë nuk mund të arrihet pa besimin në botën tjetër sado njerëzit të mundohen të argumentojnë ndryshe siç janë sekularistët. Jeta jonë kërkon sakrificë e përgjegjësi, që lidhen direkt me një shpërblim hyjnor e me një gjykim të madh.

Ai i cili nuk beson në ditën e gjykimit nuk e njeh Zotin edhe nëse beson në ekzistecën e Tij – besim i cili nuk i bën dobi.

Besimi në ditën e gjykimit nuk është thjesht një ide për t’i qetësuar besimtarët nëse i godet fatkeqësia, por një element i domosdoshëm dhe esencial për funksionimin e jetës së kësaj bote.

Kur Allahu përmend fenomenim e mashtrimit në peshore, apo më gjërë, në çdo transakion apo marrëdhënie mes njerëzve, thotë,

“A nuk mendojnë ata se do të ngrihen një ditë përpara Zotit të botërva, në një ditë të madhe?!” El-Mutafifinë.

Që të besosh në Zot, patjetër duhet të besoh në ditën e gjykimit, përndryshe besimi yt është besim materialist, naiv, i padobishëm, dhe ky lloj besimi nuk ka dallim me ateizmin.

Të mos besosh në botën tjetër do të thotë se beson në një Zot të dobët, të paaftë, me të meta, dhe që nuk ka fuqi të bëjë ç’të dojë. Një zot i tillë nuk mund të të ndihmojë edhe në këtë botë, kështu që besimi në të nuk ka dallim në besimin në një statujë.

Allahu është i patëmeta, që përfshin edhe aftësinë e Tij për t’i gjykuar njerëzit një ditë, siç na ka treguar në Kur’an, dhe siç përputhet plotësisht edhe me logjikën e pastër.

Sabri Lushi

Prill, 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post