Home » PËRSE NUK DUA TË JEM I PASUR! – NJË TRAJTIM ANALITIK I SISTEMIT EKONOMIK AMERIKANO-BRITANIK

PËRSE NUK DUA TË JEM I PASUR! – NJË TRAJTIM ANALITIK I SISTEMIT EKONOMIK AMERIKANO-BRITANIK

by Kukes Post
0 comments

PËRSE NUK DUA TË JEM I PASUR! – NJË TRAJTIM ANALITIK I SISTEMIT EKONOMIK AMERIKANO-BRITANIK

Edhe pse në pamje të parë duket sikur titulli ka të bëjë me asketizmin, modestinë, apo me konceptin e vetëpërmbajtjes; në fakt, nuk ka të bëjë me një trajtim moral të kësaj teme. Përkundrazi, dua të ndaj një mendim analitik mbi sistemin ekomomik në vetvete, mbi të metat e tij, dhe mbi pasojat negative tek rinia.

Të gjithë e duam pasurinë. Secili nga ne kërkon t’i plotësojë nevojat, të bëjë një jetë të mirë, të rehatshme, të investojë, e madje të ketë edhe një pozicion të konsiderueshëm në shoqëri. Të gjitha këto janë të ngulitura në ADN-ën tonë. Lakmia për më shumë dhe dëshira për të grumbulluar pasuri janë natyrore, por kjo nuk mjafton në jetën reale për të mbijetuar. Jeta është betejë shumë e vështirë, dhe kjo betejë nuk fitohet me dëshira, me lakmi, apo ëndërra, por me mençuri e me pranim të realitetit – me këmbë në tokë siç e themi në gjuhën e përditshme.

Ekonomia moderne nuk është si ajo e një apo dy shekujve më parë. Në një botë të lirë, kur popullsia ishte shumë më e vogël, kur natyra ishte e pa shfrytëzuar plotësisht, kur shitja e mallit të prodhuar ishte e garantuar në treg, puna e sipërmarrja, sëbashku me një familje të fortë, të garantonin pasuri. Me fjalë të tjera, tregu ishte i lirë, i pakontrolluar nga shteti, paraja kishte vlerë reale, jo thjesht printim të paras fiat (pa vlerë reale në vetvete), kështu që të bëheshe i pasur apo jo varej më shumë nga aftësia personale.

Ekonomia e kohës sonë është krejt ndryshe. Shteti ka kontroll të pa imagjinueshëm e të paperceptueshëm siç duhet nga ne njerëzit e thjeshtë. Dëgjojmë të flitet shumë për aftësi sipërmarrëse apo për investime private, sidomos në vendet perëndimore. Ëndërra e shumicës së të rinjëve amerikanë apo europianë, apo tanimë kudo në botë, është që një ditë të bëhen sipërmarrës, të kenë kompanitë e tyre, të vozisin makina të shtrenjta, e të hyjnë në listën e vogël të një-përqindëshit të miliarderëve.

Ky është përshkrim tepër naiv dhe mashtrues i sistemit ekonomik amerikan, apo i sistemit ekonomik në të gjithë botës pasi amerikano-britanikët e kanë imponuar sistemin e tyre në të gjithë rruzullin tokësor. Që një ditë të bëhesh një sipërmarrës i suksesshëm nuk është asgjë tjetër veçse propagandë shtetëtore amerikane ndërkohë që rrugëve të Amerikës janë me miliona ata që kanë ngelur të pastrehë, pa sigurim shëndetësor (nuk mund të trajtohen e shërohen në spital), pa familje, dhe enden si qenë endacakë duke pritur vdekjen.

Koncepti i sipërmarrjes ekonomike është koncept amerikan që mashtron rininë, e që e pengon atë për të kuptuar ekonominë reale amerikane apo globale. Të jep përshtypjen sikur sistemi ekonomik favorizon punën e individit, dëshirat, ëndërrat, dhe aftësitë investuese. Realiteti është krejtësisht ndryshe.

Si modeli ekonomiko-politik simbol i ekonomisë moderne, Amerika reale, ndryshe nga Amerika e propagandës apo ajo që dëgjojmë në lajme e filma, është Amerika e kontrollit të madh. Ekonomia amerikane është plotësisht e kontrolluar nga Qeveria ashtu siç ishte e kontrolluar ekonomia e planifikuar socialiste në Shqipëri gjatë kohës së Enver Hoxhës, porse e paraqitur me një ambalazh apo paketim të ndryshëm.

Qeveria amerikane ka monopolin e printimit të dollarit, kontrollon tokën, bën ligjet sipas nevojës së elitës drejtuese, ka të drejtën të taksojë çdo biznes apo transaksion fitimprurës, gëzon të drejtën të ndalojë me ligj çdo biznes apo transaksion fitimprurës, madje përfshirë edhe ato jofitimprurëse, siç janë donacionet, ashtu sikurse gëzon të drejtën të implementojë politike fiskale në interes të elitës drejtuese. Dhe mbas gjithë kësaj, Amerika flet për liri sipërmarrëse.

Të jesh i zoti, punëtor i fortë, e me aftë të spikatura nuk të garantojnë aspak sukses në Amerikë sepse ekonomia është rreptësisht e kontrolluar. Edhe pse në pamje të parë ndryshon me ekonominë tipike socialite, korporatat nuk janë asgjë tjetër veçse entitete ekonomike të ngjashme me ndërmarrjet ekonomike shtetërore të kohës së socializmit në Bashkimin Soviet apo të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Korporatat nuk janë entitete ekonomike të ngritura nga individë të thjeshtë, por të ngritura nga dora e shtetit. Ato janë vetë shteti, të kontrolluara nga shteti, të monitoruara nga shteti, që operojnë me lejen e shtetit, që taksohen nga shteti, e favorizohen nga shteti, dhe shteti nuk është një koncept abstrakt siç mashtrojnë e gënjejnë amerikano-britanikët, por një grup individësh – ajo që njihet si elita drejtuese.

Kjo që kërkoj të shpreh nuk ka për qëllim as të dekurajojë rininë e as për të kritikuar sistemin ekonomik amerikano-britanik sepse shumë elementë kanë të bëjnë me natyrën e ekonomisë moderne, me teknologjinë, me natyrën e industrisë së rëndë, apo me shtimin e popullsisë (që kërkon kontroll e disiplinë shtetërore), por dua të vë në dukje realitetin ashtu siç është në mënyrë që njerëzit ta ndryshojnë qasjen e tyre ndaj sistemit politik e ndaj ekonomisë.

Me fjalë të tjera, të gjithë kemi dëshirë të bëhemi të pasur e të bëjmë një jetë luksoze, e ndoshta ta kthejmë aftësinë sipërmarrëse në pjesë të historisë sonë të suksesit, por kjo varet nga realiteti politik dhe nga natyra e vërtetë e sistemit ekonomik.

Thënë shkurt, ëndërra që të bëhesh i pasur është larg realitetit ekonomik. Mund të jesh punëtor i zoti e të kesh aftësi sipërmarrëse, por kjo nuk do të thotë asgjë. Përpara dy shekujsh nëse ishe i fortë fizikisht, kjo të garantonte pasuri sepse tregu ishte i lirë dhe shitja e mallrave ishte e garantuar. Kur ekonomia ishte e thjeshtë e me teknologji jo të sofistikuar, forca dhe aftësia sipërmarrëse bënin diferencën. Pra, pasuria varej shumë nga aftësia e vetë njeriut se sa nga rregullat e tregut.

Në ekonominë moderne, pra tipikisht atë amerikane, që aftësia sipërmarrëse të garanton sukses është mashtrim i pastër. Në fakt, kjo e bën Amerikën shumë më të rrezikshme se sistemet e deklaruara komuniste, siç ishte Bashkimi Soviet, për shembull.

Dikush mund të argumentojë se ka plotë shembuj në Amerikë që e kanë nisur biznesin thuajse duke qenë të pastrehë, dhe kanë përfundur në milionerë. Sigurisht që Amerike e ka shumë të zhvilluar tregun e propagandës. Qeveria amerikane kërkon ta mashtrojë rininë amerikane, dhe rininë kudo në botë, me raste e shembuj të thurura bukur nga industria e propagandës, por nuk flet konceptualisht për modelin.

Nuk mjafton një apo dy shembuj për të vërtetuar një model ekonomik ndërkohë që shembujt që e hedhin poshtë atë janë shumë më mëdha në numër.

Për ta mbyllur, ekonomia moderne është e kontrolluar rreptësisht nga shteti, qoftë me mekanizma formalë e ligjorë, e qoftë përmes dorës së padukshme shtetëtore të elitës drejtuese. Sigurisht që mund të jetë e shpjegueshme se pse ekonomia është kaq e kontrolluar nga shteti. Rritja e popullsisë mund të të jetë një arsye, apo natyra e industrisë së rëndë që nuk mund të zhvillohet nga sipërmarrës të thjeshtë, por nuk është ky diskutimi.

Konkluzioni është ky: ekonomia moderne i ka opsionet e limituara për të përmbushur ëndërrat e individit për t’u bërë i pasur apo sipërmarrës i suksesshëm. Ky nuk është faji domosdoshmërisht i Amerikës apo i Perandorisë Britanike. Është natyra e ekonomisë moderne që i ka mundësitë e limituara. Pra, një qytetar mesatar i klasës së mese, ku bëjmë pjesë ne të gjithë, i ka mundësitë shumë të limituara për t’u bërë i pasur pavarësisht endërrave që kemi apo embiciet që zhvillojmë për shkak të propagandës perëndimore, dhe ky është faji i Amerikës – gënjen e mashtron rininë me shembuj përjashtues të qendisura nga dora e regjimit shtetëror, me propagandë filmash, e me ideologji politike helmuese të përhapur nga politika amerikane se aftësitë sipërmarrëse janë garanci suksesi.

Suksesi i vërtetë qëndron në pranimin e realitetit. Është e vërtetë që ka njerëz të pasur, ka individë që i ka kapur lapsi i padukshëm i regjimit politik për t’i promovuar, ka njerëz që sillen si të pasur ndërkohë që janë aktorë që fshehin investitorët e vërtetë të elitës drejtuese. Secili nga këta individë mund të bëjë një jetë të mirë ndoshta, por nuk janë aty se janë atë aftë e sipërmarrës, porse ata i ka kapur lapsi, ndoshta i rastësisë e ndoshta se ata kanë ca cilësi që i hyjnë në punë makinerës ekonomike mashtruese, siç është makineria ekonomike mashtruese amerikano-britanike.

Njeriu mund të bëhet i pasur, por jo duke besuar përrallat mashtruese amerikane e ato britanike, por duke jetuar një jetë pa ëndërra boshe, me një standard brenda mundësive, duke ulur shpenzimet, duke jetuar një jetë jo sipas stilit të imponuar nga mashtrimi politik shtetëror, por ashtu siç i përshtatet nevojave të individit.

Njeriu duhet të ketë ëndërra e ambicie të mëdha. Këtë gjë e promovon edhe feja islame shumë. Muslimani nuk duhet ta çojë jetën dëm, por, ndryshe nga Amerika mashtruese, feja islame na nxit që të bëhemi të mençur, të jemi të kënaqur me aq sa na ka dhënë Allahu, e ta kërkojmë pasurinë vetëm në ato rrugë që i ka lejuar feja, dhe kjo e fundit ka shumë rëndë për të jetuar një jetë të mirë. Feja islame nuk i garanton robit pasuri me patjetër, por lumturi. Njeriu mund të jetojë i lumtur me aq pasuri sa ka. Njeriu mund të jetojë i lumtur duke mos i bërë padrejtësi të tjerëve, duke i ushqyer fëmijët me pasuri të lejuar, duke jetuar një stil jetë aq sa mund ta përballojë, e jo duke imituar mashtrimet politike shtetërore.

Stili amerikan është stili i mashtrimit ndërsa feja të mëson të hapësh sytë. Unë nuk dua të jem i pasur. Atë pasuri që e ka shkruajtur Zoti, ajo do të vijë me patjetër, por me kusht që të kërkohet me rrugë të lejuara sipas fesë. Feja garanton lumturi; pasuria është në dorë të Allahut. Ai i jep kujt të dojë dhe ia pakëson atij që do ndërsa Amerika mashtron, gënjenë, dhe shkatërron jetë njerëzisht duke e helmuar rininë me ideologji boshe se aftësitë e tyre sipërmarrëse garantojnë suksese në sistemin ekonomik amerikano-britanik ndërkohë që shteti ka kontroll absolut mbi ekonominë.



Sabri Lushi

Gusht 2026


Discover more from Kukes Post

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

You may also like