Fjala ‘kufi’ është ndër fjalët më të përdorshme në jetën tonë. Kufiri mes këtij e atij shteti, lufta në kufi, kaloi kufirin, shkeli kufirin, ndalim në kufi, kombi e kufiri, kufiri ynë, kombi ynë – janë nga shprehjet tipike që të gjithë ne i dëgjojmë. Po ta shikosh hartën politike të botës, do të shohësh në të kufijë të habitshme, siç është ai mes Omanit dhe Emirates të Bashkuara Arabe, ku brenda kësaj të dytës ndodhet një zonë e Omanit dhe brenda asaj zone ndodhet përsëri një zonë tjetër e Emirateve. I habitshëm është edhe kufiri mes Kanadasë e SHBA-së i cili kalon përmes librarisë “the Haskell Free Library and Opera House,” Stanstead.
Nga ana tjetër, po ta shohësh globin nga një distancë e konsiderueshme nga hapësira, do vësh re se nuk ka kufijë mes shtetesh apo kombesh. Ato thjesht janë vija imagjinare që i kanë shpikur njerëzit për të kontrolluar njëri tjetrin. Përveç kufijëve shtetëore e ato administrativë brenda një shteti, njerëzit kanë sajuar edhe forma të tjera kufijsh, si për shembull, kufijtë racorë, kufijt mes të pasurëve e të varfërve, dhe kufijtë e interesave personale.
Po ashtu, edhe Kurani flet për kufijë dhe i referohet këtij koncept. Allahu flet për kufijt e Tij që njeriu nuk duhet t’i kaloj, “këto janë kufijtë Allahut, kështu që mos i shkelni ato” [Surja Talak, 1]. Ai flet për ndarjen mes besimtarëve e mosbesimtarëve, mes të mirëve e keqbërësve, mes atyre që bëjnë rregullime e përmirësime në tokë dhe atyre që bëjnë çrregullime e korrupsion në tokë, mes të devotshmëve ndaj Zotit dhe atyre që janë të shkujdesur, mes atyre që i respektojnë ligjet e urdhërat e Allahut dhe atyre që i shkelin ato, mes të sinqertëve dhe gënjeshtarëve, dhe mes të vërtetëve e hipokritëve.
Pikërisht, këto janë kufijtë që Kurani nënvizon dhe iu kushton rëndësi të madhe. Allahu i ka krijuar racat, ngjyrat, fiset e kombet thjesht që njerëzit të njohin njëri tjetrin, e jo të luftojnë e shtypin njëri tjetrin bazuar në këto kritere. Kufijtë që njerëzit iu kushtojmë kaq rëndësi e janë gati të japin jetën për to, tek Allahu nuk kanë rëndësi. Kufijtë e Allahut janë kufijtë e vërtetë, kufijtë mes të mirës e të keqes, besimit e mosbesimit, bindjes e mosbindjes ndaj Krijuesit, rregulluesit e çrregulluesit, të devotshmit e mëkatarit, të sinqertit e hipokritit pavarësisht racës, ngjyrës, vendlindjes e gjinisë. Këto janë kufijtë që një besimtari duhet t’i interesojnë, ndërsa kufijtë e shpikur nga njeriu – kufijtë fallso të përçarjes e shtypjes, nuk kanë vlerë tek Allahu, e për rrjedhim, ato nuk duhet të kenë vlerë edhe tek besimtarët.
Sabri Lushi