Në gjuhën arabe, fjalët moral, etikë, apo sjellje përblidhen në fjalën arabe “khuluk” – خُلُقٌ, që është koncept i përmendur në Kur’an pikërisht më këtë term kur Allahu përshkruan moralin e Profetit Muhammed (ﷺ) si kundërpërgjigje ndaj akuzave të paganëve injorantë kundër tij, duke thënë, “Me të vërtetë, ti qëndron mbi një moral (khuluk) të madh.” – Surja el-Kalem, 4. Në këtë ajet, është e habitshme dhe mënyra e artikulimit, pra duket sikur morali është vendosur në themelin mbi të cilin Profeti Muhammed (ﷺ) qëndon.
Surja el-Kalen në vetvete flet për moralin – moralin e mirë apo atë të keq, dhe menifestimin e tij në forma të ndryshme. Si shpjegim për të, kjo sureh jep shembullin e një mosbesimtari dhe sjelljen e tij të keqe – bëhet fjalë për el-Uelid ibën el-Mugirah, që, megjithë nivelit të tij intelektual, ai e refuzon Profetin Muhammed (ﷺ) nga mendjemadhësia e kryeneçësia.
Kur’ani i ka bërë një trajtim të thellë e shterrues moralit, herë duke e përmendur atë drejtëpërdretjë, herë duke sjellur shembuj të profetëve të mëparshëm për moralin e tyre, e në shumë raste të tjera duke nënvizuar e kritikuar ato cilësi e sjellje që e çojnë njeriun në humbje.
Ç’ËSHTË MORALI?
Për ta përmbledhur atë që thuhet nëpër fjalore, morali apo “el-khuluk” – shumësi, el-akhlaak, është ajo bashkësi cilësishë të njeriut të cilat diktojnë sjelljen e tij, apo që reflektohen qoftë në marrëdhinien e tij me Allahu, e qoftë edhe në marrëdhënien e tij me njerëzit, e qoftë edhe me kafshët, pra me krijesat në përgjithësi.
Ka thënë Profeti Muhammed (ﷺ) në një hadith të transmetuar nga Imam Ahmed nga Ebu Hurejrah, “Me të vërtetë jam dërguar që t’i plotësojë moralet e mira.” Duket sikur i gjithë misioni i Profetit Muhammed (ﷺ) ishte përsosja e moralit, që le për të treguar së bëhet fjalë për diçka më të rëndësishme se etika.
Kur flitet për moralin nga pikëpamja e fesë islame, nuk bëhet fjalë vetëm për sjelljen e njeriut në marrëdhëniet e tij me njerëzit e tjerë, edhe pse kjo është një pjesë e rëndësishme, por morali i referohet në mënyrë më të përgjithshme gjendjes së një individi, dijes së tij, bindjes, besimit në zemër, praktikimit të diturisë, njohjes e vetes së tij, cilësive të lindura e ato të përvetësuara, kapacitetit të tij të brendshëm, raportit të tij me Zotin, dhe raportit të tij me krijesat.
Përsosja e moralit është realizimi i balancës, dhe balanca e cilësive nuk arrihet përveç se duke ndjekur shembullin e Profetit Muhammed (ﷺ), dhe duke studiuar Kur’anin.
Morali nuk është vetëm etika e personit dhe fjalët e mira. Kjo është vetëm një pjesë e moralit.
QËNDRUESHMËRIA është prej moralit, për shembull, që reflekton një gjendje shumë pozitive e të domosdoshme të njeriut, bindjen e tij, dhe kontrollin e vetvetes. Thotë Allahu në Suran el-Fusilet, “Ata të cilët thanë, ‘Zoti ynë është Allahu,’ dhe pastaj qëndruan në këtë fjalë,” ndërsa i Dërguari i Allahut ka thënë në hadithin e njohur të trasmetuar nga Imam Muslimi, “Thuaj, ‘besoj në Allahun,’ pastaj qëndro në këtë.”
Qëndrueshmëria reflekton dituri, bindje, gjendje të balancuar psikologjike, ndriçim mendor, thellësi, guxim, dhe mbi të gjitha kjo është cilësia e profetëve. Me të kundërtën e qëndrueshmërisë janë përshkruar në mënyrë primare hipokritët të cilët jetojnë në një gjendje as pro besimtarëve e as kundër tyre haptas.
Për më tepër, MENDJEMADHËSIA, bashkë me LAKMINË dhe ZILINË, janë bazat nga të cilat buron morali i keq i njeriut dhe shkatërrimi i tij. Ishte pikërisht mendjemadhësia që e bëri Iblisin ta kundërshtojë urdhërin e Allahut, lakmia ajo që bëri që Ademi (alejhis-selam) ta humbasë xhennetin, dhe ishte zilia ajo që shkaktoi vrasjen e parë në tokë mes njerëzve. Mendjemadhësinë e ka përkufizuar vetë Profeti Muhammed (ﷺ), “refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve.”
Këto tre cilësi bazë janë përgjegjëse për sjelljen e keqe të njeriut, për luftëra, për konflikte, për vrasje, për shkatërrim të shoqërisë, për mungesë tolerance, për përçarje mes njerëzve, e për shumë fenomene të tjera negative.
GUXIMI është një cilësi tjetër nga i cili burojnë shumë morale të mira. Pa guxim nuk mund të ketë besimtar me moral të përsosur, dhe profetët janë njerëzit me guximin më të përsosur. Guximi është forcë, llogari, dhe ndërmarrje e verpimeve të vërshtira e me pasoja të rrezikshme. Ai nuk është vetëm forca përballë armikut në luftë, por shumë më i gjërë. Është të thuash fjalën e duhur kur kërkohet, të bësh kritikën e duhur kur nevojitet, të marrësh vendimin e duhur, të qëndrosh në të vërtetën edhe nëse shoqëria e refuzon atë, të tregosh qëndrueshmëri në kohë të vështira, e të ndërmarrësh veprime me natyrë sakrifice – fizike, emocionale, materiale, e qoftë edhe në lidhje me statusin shoqëror, me bindjen se kjo është gjëja e duhur.
Thotë Allahu në Kur’an, “O ju të cilët keni besuar, kush e braktis fenë nga ju, Allahu do t’ju zëvendësojë ju me një popull tjetër të cilët i do dhe ata e duan Allahut, që janë të përulur me besimtarët dhe të ashpër me mosbesimtarët, që luftojnë në rrugë të Allahut dhe nuk i druhen qortimit të njerëzve. Kjo është mirësia e Allahut që ia dhuron kujt të dojë, dhe Allahu është i pakufizuar nga asgjë, është i gjithëdijshëm” El-Ma’ide, 54.
Një moral bazë tjetër shumë i rëndësishëm është DËLIRËSIA apo NDERSHMËRIA, që në kuptimin e përgjithshëm i referohet kapacitetit të një personi për të mos lakmuar tek të tjerët, për të mos cënuar diçka që është nën pronësinë e të tjerëve, për të mos e prekur atë që nuk është legjitime, dhe për ta vendosur dinjitetin mbi interesin e momentit, sidomos për gjërat që kanë të bëjnë me epshet apo dëshirat materiale.
Manifestimi më i lartë i dëlirësisë është ajo që ka të bëjë marrëdhëniet seksuale sepse ky është distancimi nga epshi më i shëmtuar.
Bashkë me guximin e qëndrueshmërinë, dëlirësia është forcë, reputacion, prestigj dhe status. Thotë Allahu në Suran Merjen – simboli i dëlirësisë femërore, kur përshkruan gjendjen e mjeruar të atyre brezave që e lanë rrugën e drejtë, “Dhe ata (profetët e të sinqertët) u pasuan nga gjenerata që e lanë namazin dhe ndoqën epshet e tyre, kështu që do të hidhen në zjarr.” Merjem, 59. Dhënie mbas epsheve është e kundërta e dëlirësisë.
Nga ana tjetër, TRADHTIA e HIPOKRIZIA, ashtu sikurse MENDJEMADHËSIA, ZILIA, E LAKMIA, janë minuese e shkatërruese për një besimtar, të cilat reflektojnë injorancën e tij, mungesën e diturisë ndaj Zotit, mosnjohjen e vetëvetes, verbërinë e tij, paqëndrueshmërinë psikologjike, dhe mungesën e besimit të tij se një ditë do të dali përpara Allahu e të japë llogari. Madje, një njeri me cilësi të tilla ka dështuar ta vendosë veten e tij në vendin e tjerëve.
MBYLLJE
Fjala moral është kthyer thuajse në një klishe, që përdoret për të nënkuptuar vetëm sjellen sipërfaqësore, tolerancën ndaj të tjerëve, qoftë edhe ndaj veprimeve që nuk duhen toleruar, zërin e butë, moskundërshtimin e urdhërave të eprorit, miratimin e mendimit të të tjerëve e gjëra të tilla.
Patjetër që butësia, komunikimi i sjellshëm, toleranca, dhe veprimet etike janë të domosdoshme në marrëdhëniet me njerëzit, por morali i besimtarit nuk fillon e mbaron me këto gjëra – tek sipërfaqësorja. Madje, në vetvete kjo sjelle buron edhe nga morale negative e të paqëndrueshme, si dobësia, mungesa e guximit për të kundërshtuar të kotën, nënshtrimi ndaj të tjerëve, servilizmi, apo lakmia për të arritur diçka.
Edhe pse nuk është e lehtë për ta arritur balancën optimale të të gjitha moraleve, mes butësisë dhe guximit për të kundërshtuar padrejtësitë dhe të kotën, mes bujarisë e shpërdorimit, mes respektit e servilizmit, mes nënçmimit e përulësisë, mes guximit dhe mungesës së kontrollit emocional apo shpërthimit të shkujdesur, mes dëlirësisë e dobësisë, mes qëndrueshmërisë e ndjekjes së turmave, gjithësesi besimtari jeton me procesin e përmirësimit të vazhdueshëm, të ndryshimit për mirë, dhe të përvetësimit të atyre moraleve që i mungojnë.
Dituria dhe modeli janë të domosdoshëm për përsosjen e moralit, përndryshe besimtari do të ngelet në një gjendje jo të balancuar. Burimi më i larët e më i padiskutueshëm për të mësuar moralin është Kur’ani ndërsa modeli më i mirë për ta pasuar apo imituar është Profeti Muhammed (ﷺ) që për moralin e të cilit kur është pyetur Nëna e Bisimtarëve A’ishja, ajo është përgjigjur duke thënë, “Morali i Profetit të Allahut ishte Kur’ani.” – Transmetuar nga Muslimi.
“Me të vërtetë ky Kur’ani udhëzon në më të mirën, dhe i përgëzon besimtarët të cilët bëjnë vepra të mira se për ta do të jetë shpërblim i madh.” Surah el-Israa, 9.
Morali më i lartë është morali i besimtarit me Zotin e tij.
Sabri Lushi
Mars, 2024