Besoj se të githë biem dakord se diktatura nuk është gjë e mirë: autoriteti e pushteti i përqendruar në dorën e një individi mund të përfundojë në arrogancë, korrupsion, padrejtësi, shpërdorim të burimeve natyrore, dhe në skllavërim të qytetarëve.
Në këtë aspekt, një prej objektivave më madhore të fesë apo të shpalljes hyjnore është vënia e drejtësisë në tokë – që nënkupton çlirimin e besimtarit nga skllavëria e njeriut, ndërkohë që ndër shkaqet më të mëdha të padrejtësisë është pushteti. Të gjithë profetët e mëdhenj janë dërguar për të vënë drejtësi në një civilizim i cili ishte kthyer në padrejtësi.
Ibrahimi (paqja e Allahu qoftë mbi të) është dërguar në një popull në të cilin mbreti e kishte shpallur veten e tij zot e diktator absolut.
أَلَمْ تَرَ إِلَى ٱلَّذِى حَآجَّ إِبْرَٰهِـۧمَ فِى رَبِّهِۦٓ أَنْ ءَاتَىٰهُ ٱللَّهُ ٱلْمُلْكَ إِذْ قَالَ إِبْرَٰهِـۧمُ رَبِّىَ ٱلَّذِى يُحْىِۦ وَيُمِيتُ قَالَ أَنَا۠ أُحْىِۦ وَأُمِيتُ ۖ قَالَ إِبْرَٰهِـۧمُ فَإِنَّ ٱللَّهَ يَأْتِى بِٱلشَّمْسِ مِنَ ٱلْمَشْرِقِ فَأْتِ بِهَا مِنَ ٱلْمَغْرِبِ فَبُهِتَ ٱلَّذِى كَفَرَ ۗ وَٱللَّهُ لَا يَهْدِى ٱلْقَوْمَ ٱلظَّـٰلِمِينَ
“A ke dëgjuar për atë i cili debatoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij bazuar në faktin se Allahu i kishte dhënë atij pushtet, kur Ibrahimi i tha, ‘Zoti im është ai që jep jetë dhe shkakton vdekjen?’ Ai tha, ‘Edhe unë jap jetë dhe shkaktoj vdeje.’ Iu përgjigj Ibrahimi, ‘(nëse mendon se ke fuqi) Atëherë Allahu e sjell diellin nga lindja, sille ti nga perëndimi.’ Ai i i cili mohoi, u hutua; vërtetë Allahu që nuk e udhëzon popullin zullumqar.” El-Bekareh, 258.
Gjithashtu, Musa (paqja e Allahut qoftë mbi të) është dërguar tek sistemi politik faraonik, i cili ishte kthyer në një diktaturë të tmerrshe ndërkohë që vetë Faraoni e kishte shpallur veten tij Zot.
I tillë është njeriu: është i prirur të kontrollojë gjithçka. Pushteti është i frikshëm. Pushteti e tjetërson njeriun nëse nuk ka mekanizma të cilat e kufizojnë atë. Njeriu ka në natyrën e tij elementë të mjaftueshëm për ta kthyer atë në diktator nëse natyra e tij nuk disiplinohet me një udhëzim qiellor. Njeriu është lakmitar, arrogant, injorant, ka dispozitën natyrore për t’i kontrolluar të tjerët, për të përfituar nga të tjerët, për t’u mburrur, për ta shtuar pasurinë, dhe kjo dëshirë shkon deri në atë gradë se njeriu e shpall veten zot, apo të paraqitet tek njerëzit si i veçantë, që njeh të fshehtën, apo që ka dhunti të veçanta.
Shembujt kur mbretërit e kanë shpallur veten e tyre zot, apo bijë të Zotit, apo se Zoti i ka zgjedhur ata, apo se ata kanë prejardhje hyjnore, apo se ata përfaqësojnë Zotin në tokë janë pafund, që nga lashtësia e deri në ditët tona.
Për këtë arsye, feja islame e ka adresuar këtë problem me pushtetin e njeriut. Allahu e ka shpallur Kur’anin si udhëzimin më të mirë e më të drejtë për njeriu – për çdo aspekt, dhe e ka dërguar Profetin Muhammed (ﷺ) si mëshirë për botët.
إِنَّ هَـٰذَا ٱلْقُرْءَانَ يَهْدِى لِلَّتِى هِىَ أَقْوَمُ وَيُبَشِّرُ ٱلْمُؤْمِنِينَ ٱلَّذِينَ يَعْمَلُونَ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ أَنَّ لَهُمْ أَجْرًۭا كَبِيرًۭا
“Patjetër që ky Kur’an udhëzon në atë që është më e drejta, dhe i përgëzon besimtarët që bëjnë vepra të mira se për ta ka shpërblim të madh.” El-Isra, 9.
Nëse Kur’ani nuk do ta kishte adresuar pushtetin – këtë pjesë të rëndësishme të jetës njerëzore në tokë, atëherë si mund të jetë udhëzimi më i mirë?!
Nga mëshira e Tij për njerëzit, për t’i çliruar ata nga skllavëria e njeriut mbi njeriut, nga zullumi i pushtetit, nga diktatura shkatërruese, dhe nga tirania, Allahu përmes shpalljes hyjnore e ka cënguar pushtetin politik të njeriut.
Në fenë islame, pushteti politik është i kufizuar. E para, legjislacioni nuk është në dorë të pushtetit politik, por ai i përket direkt Allahut. Ligjet i bën Allahu, jo njeriu. Ligjet nuk i bën parlamenti, as mbreti, dhe as gjyqtarët. E dyta, modeli ekonomik që parashtron feja është model që i jep pushtet individit kundrejt pushtetit politik të shtetit. E treta, feja i nxit besimtarët që të urdhërojnë për mirë e të ndalojnë nga e keqja, që do të thotë, i bën ata aktivë në jetën publike, pra përfaqësojnë zërin e vërtetë kritik në popull, jo thjeshtë një opozitë fallso. Opozita e vërtetë janë dijetarët, jo partitë politike të kontrolluara po nga pushteti. E katërta, feja islame e ka shpërndarë pushtetin politik, për shembull, duke i dhënë babait pushtet real mbi familjen e pronën e tij.
Nga ana tjetër, pushteti sekularist është pushtet totalitar. E para, ligjet i bën pushtet dhe ato mund të ndryshojnë, shfuqizohet, apo amendohen sa herë që i intereson pushtetit. E dyta, ekonomia është nën kontrollin total të pushtetit, sidomos duke konsideruar se ligjet ekonomike i bën vetë pushteti. E treta, nën pushtetin sekularist, individi është i zhveshur nga çdo lloj pushteti natyror, duke përfshirë edhe pushtetin natyror të prindërit. I gjithë pushteti i përket shtetit dhe gjykatave të pushtetit. E katërta, opozita nuk është asgjë tjetër veçse një teatër i kontrolluar nga vetë pushteti si mashtrim për të mbuluar zërat e vërtetë kritik në shoqëri.
Me pak fjalë, ligji është pushteti dhe pushteti është ligji. Ndërkohë që në fenë isalme legjislativi i përket Allahut dhe ligjet nuk ndryshojnë, në pushtetin sekularist modern ligjet i bën vetë pushteti dhe ato ndryshojnë sa herë i intereson elitës drejtuese. Pra, feja islame ka bërë ndarje reale të pushtetit ndërsa pushteti sekularist ia ka dhënë njeriut pushtet të palimituar, prandaj bota sot po përballet me një tirani totalitare.
Sabri Lushi
Dhjetor 2024