NJË MËSIM I VYER NGA REVOLUCIONI FRANCEZ PËR HOXHALLARËT, GAZETARËT, INTELEKTUALËT DHE ANALISTËT
Struktura politike franceze e të ashtuquajturit Regjim i Vjetër – e Francës para revolucionit, përbëhej nga tre grupe: klasa e klerikëve, e cila përbënte rreth 0.5 % të popullsisë ose 130 mijë, klasa e fisnikëve, që përbënte rreth 1.5 % të popullsisë ose 400 mijë, dhe klasa e masave, që përbënte rreth 98% të popullsisë.
Klasa e parë përbëhej nga klerikët katolikë të të gjitha niveleve. Për nga numri i individëve, kjo klasë ishte më e vogla, që varionte nga 100 mijë deri në 130 mijë priftërinjë, murgj, murgesha dhe anëtarë të tjerë të kishës katolike franceze. Për nga roli ideologjik, kjo ishte klasa më e korruptuar, që i qëndronte përkrah klasës së fisnikëve dhe mbretit francez, që përdorte besimin e popullit në Zot për t’i mbajtur njerëzit të shtypur nën zullumin politik dhe ekonomik të Regjimit të Vjetër.
Klasa e fisnikëve përmbante familjen mbretërore, feudalët, të pasurit, zyrtarët e lartë të pushtetit, dhe ushtarakët. Edhe pse përbënte një pjesë të vogël të popullsisë, kjo klasë zotëronte pjesën dërrmuese të pasurisë, gjë që kishte çuar në pabarazi ekonomike të skajshme në Francë deri në atë masë sa popullin francez e kishte kapluar varfëria dhe zullumi.
Klasa e tretë ishte klasa e popullsisë së gjërë, që përbënte rreth 98% të francezëve. Kjo klasë e popullit të thjeshtë ishte më e shtypura, më e varfëra, paguante pjesën më të madhe të taksave, dhe nuk kishte asnjë fuqi apo zë politik.
Sipas historianëve, kjo strukturë politike ishte një prej arsyeve që çoi në revolucionin e përgjakshëm francez. Varfëria dhe shtypja politike kishte arritur deri në një gjendje të padurueshme, dhe urrejtja e popullit francez për pushtetin dhe kishën katolike ishte akumuluar në maksimum.
Sa i përket klerikëve, si çdo pushtet, Regjimi i Vjetër i mbante ata afër, dhe përdorte autoritetin fetar për t’i kontrolluar njerëzit, për të bërë propagandën e mbretit, për t’i manipuluar njerëzit e thjeshtë, e ndoshta për t’i bindur ata se thellë thellë ishte faji i tyre se pse kishin përfunduar në atë gjedje të mjeruar.
Ashtu sikurse edhe në pushtetin modern, klasa e dyte dhe ajo e parë e kishin pushtetin në realitet. Ata përfaqësonin pushtetin dhe regjimin politik. Pushtetit i duheshin priftërinjtë me autoritetin e tyre shpirtëror për t’i qetësuar masat dhe për ta fshehur zullumin e padrejtësisë ekonomike e politike të pushtetit.
Kur shpërtheu revolucioni i përgjakshëm apo lufta civile franceze 1789-1799, urrejta e popullit kundër familjes mbretërore, fisnikëve në përgjithësi, dhe klerikëve katolikë doli jashtë kontrolli. Populli nuk bënte më dallim mes një finsiku, politikani, gjykatësi, governatori, apo një prifti. Ata ishin një grup dhe duheshin trajtuar njëlloj; të gjithë duheshin ekzekutuar.
Si rezultat, përveç ekzekutimit të Mbretit Luigji XVI dhe Mbretëreshës Marie Antoinette në vitin 1793, me mijëra priftërinj u arrestuan, u burgosën, shumë prej tyre u ekzekutuan, dhe më mijëra, rreth 30 mijë u detyruan me forcë të linin vendin. Franca e fund-shekullit 18-të ndoshta përbënte një situatë politike unike kur kaq shumë urrejtje kishte për fenë.
Pas revolucionit të përgjakshëm, Franca përfundoi në një shtet thuajse ateist. Njerëzit e urrenin fenë, dhe nuk besonin më në Zot, sepse besimi në Zot ishte abuzuar nga pushteti e nga priftërinjtë e korruptuar. Feja ishte përdorur për të larë mëkatet e pushtetit.
Nëse francezët kishin të drejtë apo jo, apo nëse Perandoria Britanike e përdori situatën për ta pushtuar Francës, këto janë pjesë të analizave historike, por nuk mohohet roli i gabuar i klerikëve, të cilët qëndruan përkah zullumit të pushtetit, që me prezencën e tyre e justifikonin zullumin.
Ky është mësimi që duhet të marrin hoxhallarët apo klerikë në përgjithësi, ashtu sikurse ky është një përkujtim i rëndësishëm edhe për intelektualët, profesorët, akademikët, mësuesit, gazetarët e analistët politikë, që me rolin e tyre publik i qëndrojnë pranë zullumit të pushtetit, dhe mirëpaguhen për këtë rol të padrejtë.
Struktura politike e pushtetit sot nuk ka shumë dallim nga ajo e Regjimit të Vjetër të Francës së shekullit të 18-të. Edhe sot kemi klasën e pushtetit – një elitë politike nga e cila dalin pushtetarët, zyrtrët, gjyqtarët, prokurorët, kryeagjentët e shërbime sekrete, dhe ushtarakët; kemi klasën e klerikëve apo intelektualëve që qëndron përkah zullumqarëve të pushtetit, dhe popullin e gjërë i cili punon, paguan taksat, dhe në mënyrë teatrate ‘voton’ se cili nga të zgjedhurit e politikës do të ulet në karrigen e pushtetit i cili nuk ndryshon gjithësesi.
Ashtu sikurse duket qartë, Perandoria Britanike e rrëzoi Regjimin e Vjetër të Francës, e ekzekutoi mbretin Luigji XVI, dhe i ekzekutoi me mijëra priftërinj francez, por në fakt nuk e ndryshoi sistemin politik.
Pushteti sekularist britanik ka të njejtën strukturë sepse në fakt çdo pushtet ka tendencën për të qënë i tillë, i bazuar mbi tre kalsa: pushteti dhe të pasurit, që përbëjnë një pjesë të vogël të popullsisë, klerikët fetarë dhe intelektualët, që gjithashtu janë një pjesë e vogël, dhe masat.
Si çdo pushtet, pushteti sekularist britanik ka nevojë për klerikët fetarë sepse autoriteti i tyre shpirtëror është shumë i nevojshëm për hipnotizimin e masave dhe për maskimin e zullumit të pushtetit. Për shembull, në Amerikë, Britani të Madhe, Kanada, dhe në Evropë në përgjithësi priftërinjtë, hoxhallarët apo imamllarët, dhe klerikët e feve të tjera janë njerëz të privilegjuar, të respektuar nga pushteti, iu hapen dyert nëpër zyrat e pushtetit, dhe kanë trajtim special sepse roli i tyre është jetik për pushtetin dhe për fshehjen e zullumit. Sa i përket vendeve muslimane, roli i klerikëve fetarë ka degraduar edhe më shumë, dhe heshtja e tyre ndaj zullumit është bërë edhe më e dukshme ndoshta se në perëndim.
Në realitet, Perandoria Britanike nuk e ka ndarë fenë nga pushteti, dhe në fakt nuk mund të ndahet. Pushteti gjithmonë ka nevojë për klerikë, për rolin e tyre publik, për mashtrimet e tyre ndaj masave.
Atëherë logjikshëm mësimi që duhet të nxjerrim nga eksperienca e përgjakshme e Frances është që hoxhallarët dhe imamllarët duhet të distancohen nga zullumi i pushtetit. Ndryshe nga ekstremizmi politik i disa klerikëve rreth heshtjes ndaj zullumit të pushtetit, dhe madje duke e justifikuar këtë edhe me tekste fetare, kjo jo vetëm që bie në kundërshtim me frymën e fesë islame, por të qëndruarit përkrah zullumit të pushtetit është diçka e gabuar edhe logjikisht.
Feja islame nuk nxit kaos, luftë, apo plasje të pushkës para kohe, por gjithashtu feja jonë hyjnore na e tërheq vërejtjen ashpër nga zullumi, heshtja ndaj tij, e aq më tepër nga të qëndruarit afët tij.
Nëse hoxhallarët, priftërinjtë, apo intelektualët i qëndrojnë përkrah pushtetit dhe zullumit të tij, atëherë ata duhet ta dinë se janë përgjegjësit kryesorë nëse njerëzit fillojnë dhe e urrejnë fenë, Zotin, apo edhe shkencën e diturinë. Qëndrimi i tyre pranë zullumit perceptohet si miratim ndaj tij.
Feja islame është e mbushur me histori dijetarësh që kanë qëndruar larg zullumit të pushtetit, dhe kanë preferuar vdekjen përpara të qëndruarit përkah zullumqarëve. Të gjithë ne e dimë rolin e Imam Ahmed ibn Hanbel (780-855 apo 164-241 hixhri) dhe rezistencën e tij kundër zullumit të pushtetit i cili ka dhënë shembullin më të bukur.
Ndryshe nga gazetarët, intelektualët apo analistët politikë që punojnë për para, flasin për para, dhe e duartrokasin pushtetin sa herë iu shtohet rroga, hoxhallarët duhet të bëjnë shumë kujdes. Nuk duhet t’i qëndrojnë afër zullimit të pushtetit edhe nëse iu bëhen privilegje. Hoxhallarët duhet të jenë në frontin e rezistencën kundër zullumit të pushtetit.
Bëni kujdes nga pushteti zullumqar sepse populli shikon, vështron, dëgjon, dhe roli juaj përfaqëson fenë. Nëse ju qëndroni pranë zullumit të pushtetit, populli këtë e marr si mesazh se feja e miraton zullumin ndërkohë që feja islame është armike e zullumit.
Thotë Allahu në një hadith kudsi:
“O robërit e Mi, Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes sime, dhe e kam bërë atë të ndaluar mes jush, kështu që mos bëni padrejtësi.” Transmeton Imam Muslimi.
Sabri Lushi
May 2024