Home » SHKOLLA, FEJA, DHE SHKENCA: OBJEKTIVAT, NDRYSHIMI, DHE KEQKUPTIMI I TYRE

SHKOLLA, FEJA, DHE SHKENCA: OBJEKTIVAT, NDRYSHIMI, DHE KEQKUPTIMI I TYRE

by Kukes Post
0 comment

Vetë titulli tregon se kemi të bëjmë me dijen, për të cilën të gjithë biem në ujdi se është diçka shumë e rëndësishme. Dituria bën dallimin mes njerëzive. Ajo është nderi dhe krenaria e tyre. Njeriu që kur lind kërkon të mësojë, ta shuajë kureshjen, t’i shpjegojë fenomenet dhe të bëjë lidhjen mes shkaqeve e pasojave aq sa kalon edhe në besëtytni nga ekzagjerimi i kësaj nevoje.

Dituria mund të ndahet në disa lloje. Ajo mund të jetë dituri e dobishme apo e padobishme, dituri që ka të bëjë me jetën e individit apo me shoqërinë si të tërë, e nevojshme apo e panevojshme, esenciale apo estetike, specifike apo e përgjithshme, teknike, profesionale apo gjenerike etj.

Në këtë aspekt, një prej ndarjeve që feja islame i bën diturisë është: dituri e nevojshme në rang individual dhe e nevojshme në atë kolektiv. Për shembull, ajo dije që është e nevojshme për praktikimin e fesë në pjesën individuale, siç është falja e namazit, është individualisht obligative, që njihet me termin ‘fard ‘ajn,’ ndërsa ajo dije që ka të bëjë me atë pjesë të fesë që i përket shoqërisë, që nëse e mësojnë disa prej pjesëtarëve të saj mjafon, quhet dituri kolektivisht obligative apo ‘fard kifajeh.’

DITURIA E DETYRUESHME APO E NEVOJSHME PËR ÇDO INDIVID

Pa kaluar në një përkufizim shumë teknik apo fetar, qëllimi është të nënvizohet koncepti i diçkaje të detyrueshme apo të domosdoshme në rang individual, në këtë rast i diturisë.

Për ta thënë në mënyrë të përmbledhur, ajo pjesë e diturisë që i duhet një personi në rang individual, që përfiton prej saj parësisht ai vetë, dhe që është e domosdoshme për të, kjo lloj diturie është invididualisht e domosdoshme.

Në fenë islame, për shembull, njohja e fesë, e Krijuesit, e Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të), se si kryhet falja e namazit apo adhurimeve të tjera individuale, apo ajo pjesë e diturisë që ka të bëjë me vetë besimin dhe përkufizimin e tij apo me besimin në botën tjetër, të gjitha këto futen nën përkufizimin e diturisë individualisht të detyrushme. Me fjalë të tjera, dituria që mund të ketë një dijetar apo një imam nuk mjafton për komunitetin. Secili individ duhet të jetë i pajisur më këtë lloj diturie.

Për analogji, edhe në jetën e përditshme ka gjëra që i nevojiten çdo personi, që duhet t’i dijë çdo individ, dhe secilit nga ne i kërkohet të jetë i ditur rreth tyre edhe pse kjo mund të variojë nga një shoqëri në tjetrën.

Për shembull, gjërat që kanë të bëjnë me organizimin e shtëpisë, me gatimin, pastrimin, respektimin e hierarkisë shoqërore, pjesërisht me vetëmbrojtjen, luftën, me marrëdhëniet me të tjerët, me organizimin e ekonomisë individuale e familjare, me fitimin e të ardhurave për vetëushqyerje etj., të gjitha këto janë detyra individuale, që kanë të bëjnë me mbijetesën e vetë personit.

DITURIA KOLEKTIVISHT E DOMOSDOSHME

Ashtu siç dhe vetë fjala ‘kolektivisht’ e nënkupton, kjo lloj diturie ka të bëjë me mbijetesën e shoqërisë si e tërë. Për shembull, mjekësia, inxhinieria, kimia, fizika, matematika etj. janë shembuj tipikë të diturisë së nevojshme për mbijetesën e një shoqërie si të tërë, por jo të gjithë anëtarët e asaj shoqërie e kanë të nevojshme që ta përvetësojnë këtë dije. Shoqëria nuk ka neovojë që të gjithë të jenë matematicienë, që të gjithë të jenë mjekë apo inxhinierë sepse në fakt është e pamundur dhe e panevojshme, madje mund të jetë e dëmshme.

FEJA ISLAME DHE BALANCA E SAJ MES DY LLOJEVE TË DITURISË

Në këtë aspekt, feja islame jep modelin e përsosur të balancës mes diturisë kolektive dhe asaj individuale, qoftë në detyrimet që kanë të bëjnë me adhurimet apo qoftë edhe më gjërë në jetën individuale të çdo personi apo të shoqërisë si të tërë.

E para, feja islame i kushton shumë rëndësi që çdo person të pajiset me një sasi diturie që t’i shërbejë atij vetë drejtëpërdrejtë në rang individual. Qëllimi i fesë është t’i bëjë individët e shoqërisë të fortë, të përgjegjshëm, të ditur, të pavarur, të aftë për të mbijetuar, dhe njëkohësisht i mëson ata se si të bashkëpunojnë mes njëri tjetrit qoftë edhe pa pasur një organizim makro, siç është shteti.

Vetë Kur’ani është shembulli më i mirë i përmbledhjes së gjithë asaj diturie që i nevojitet muslimanit në rang individual, dhe i asaj diturie që i nevojitet komunitetit si të tërë. Kur’ani e ekpozon çdo musliman tek të gjitha konceptet që i nevojiten në jetë: Zoti, feja, ligji, njeriu, shoqëria, martesa, trashëgimia, divorci, prindi, prindërimi, edukimi, fëmija, farefisi, koha, shteti, ringjallja, dita e gjykimit, parajsa, zjarri, përgjegjësia, pasojat e veprimeve të individit, lufta, tregtia, ushqimi, higjiena, borxhi etj. sepse një pjesë e diturisë që ka të bëjë me të gjitha këto koncepte i nevojitet çdo personi për të jetuar apo mbijetuar.

Njëkohësisht, feja islame ofron të gjithë paketën e diturisë që i nevojitet shoqërisë si të tërë për të mbijetuar, si organizimi politik, lufta, të drejtat e detyrimet e ndërsjellta mes njerëzive, të drejtat e pakicave fetare, adhurimet kolektive etj.

Me pak fjalë, nëse një musliman lexon Kur’anin dhe hadithet e Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe i aplikon mësimet e fesë në jetë, ai është pajisur me dituri që i nevojitet individualisht në jetë, dhe gjithashtu për ata që thellohen me tepër në dituri më specifike, kjo mbulon edhe pjesën e diturisë kolektivisht të domosdoshme.

SHKOLLA, SHKENCA, DHE DISBALANCA E MADHE E ARSIMIT SEKULARIST

Nëse për analogji hedhim një vështrim tek shkollat moderne sekulariste apo sistemi shtetëror arsimor, do të vëmë re se sistemi modern, qoftë ai politik e qoftë ai arsimor, përqëndrohet në mënyrë parësore vetëm të kolektivja, apo ajo pjesë e diturisë që i shërben shtetit apo një projekti më të madh se vetë individi.

Pavarësisht se nuk artikulohet zyrtarisht, qëllimi i shkollave moderne nuk është që t’i pajisë qytetarët me dije që ata të jetojnë të pavarur, që kur të mbarojnë shkollën të jenë më të fortë e më të aftë për të mbijetuar, që t’i bëjë ata më të panevojshëm për shtetin.

Përkundrazi, programi arsimor ka për objektiv kryesor dobësimin e individit dhe aftësive të tij për të mbijetuar në rang individual, dhe e bën atë shumë të dobët e të papërgjegjshëm. Shkolla kujdeset mirë që asnjë nxënës të mos mësojë diçka që mund të përfitojë në rang individual, por që mund të përfitojë vetëm përmes shtetit; kështu që, sistemi arsimor modern prodhon një shoqëri shumë të kontrollueshme nga politika e të varur nga ajo.

Për shembull, shkollat moderne, edhe pse thuhet në program e kundërta, nuk kanë për qëllim që çdo individ të jetë i aftë të shkruajë, të bëjë hulumtime shkencore, të ngre pyetjet e duhura rreth historisë apo diturisë në përgjithësi, apo të mësojë ato lloj profesionesh që i nevojitet në rang individual në jetë.

Qëllimi i shkollave nuk është që t’i mësojnë nxënësit si të bëjnë biznes, si të mësojnë një profesion që të punojnë në mënyrë të pavarur nga shteti, si të investojnë që të bëhet ekonomikisht më të pavarur nga shteti, se si të mbrohen nga shteti, se si funksionon sistemi juridik, se ç’është rëndësia e bashkëpunimit mes njerëzve qoftë edhe për të përballuar padrejtësinë e shtetit. Në realitet, asnjë nga kjo nuk mësohet në shkollë. Përkundrazi, shteti sigurohet që studentët të dalin nga dyert e shkollave më të dobët, më të varur në shtet, më të kontrollueshëm, më të shantazhueshëm, e me një personalitet të dëmtuar, aq më tepër duke marrë parasysh kohën e humbur në bankat e shkollës.

SHKENCA

Me një fjali të vetme, shkenca është ajo pjesë e industrisë shtetërore që ka të bëjë vetëm me diturinë kolektive. Shkenca nuk është fe, as monopoli i të vërtetës, dhe as nuk e ka për detyrë si industri që ta edukojë individin e të bëjë atë më të fortë. Shkenca është industri kolektive dhe parësisht e mbikëqyrur nga shteti.

Individi mund të mbijetojë pa shkencë, por jo pa fe ose pa atë dituri që i nevojitet në rang personal.

KEQKUPTIMI I MADH

Një prej mashtrimeve më të mëdha që kanë bërë sekularistët apo shteti modern është se iu japin përshtypjen njerëzve se shkolla është vendi i dijes – i çdo lloj diturie, kolektive e individuale. Shteti modern lë për të treguar se shkolla apo shkenca zëvendësojnë fenë, apo se feja dhe shkolla janë të të njejtit dimension përveç se kjo e dyta e ka bërë të panevojshme të parën.

Ky është keqkuptimi i madh. As shkolla dhe as shkenca, me gjithë dobinë që kanë, nuk kanë monopolin e diturisë. Qëllimi i tyre në ranstin më të mirë është shumë specifik: t’i përgadisë qytetarët me atë pjesë diturie që i shërben shtetit apo shoqërisë, por jo domosdoshmërisht individit dhe mbijetesës së tij.

Shteti modern, që është i bazuar në konceptin e sekularizmit britanik, mbivlerëson pjesën kolektive apo shtetërore mbi atë individuale. Individi nuk ka peshë dhe nuk duhet të ketë peshë sipas shtetit modern, kështu që qytetarët nuk kanë nevojë të mësojnë gjëra që iu hyn në punë në mënyrë individuale apo në mënyrë të pavarur nga shteti.

Me fjalë të tjera, shteti modern është model komunist, që ka për qëllim kryesor kontrollin e shoqërisë, dhe për ta arritur këtë objketiv, ai shfrytëzon çdo gjë që është e mundur: shkollat, mediat, ligjet, parlamentin, madje edhe institucionet fetare.

Nga ana tjetër, feja islame nuk është sistem politik i shpikur nga shteti apo nga një elitë politike, e për rrjedhojë të ketë për qëllim kryesor kontrollin e shoqërisë. Feja është paketë hyjnore e shpallur nga vetë Krijuesi që t’i shërbejë shoqërisë në mënyrën perfekte dhe në mënyrën më të balancaur.

Feja islame ka për objektiv që çdo individ të trajtohet si i tillë sepse secili njeri ka vlerë tak Allahu, por njëkohësisht edhe shoqëria si e tërë ka të drejtat e saj. Për këtë arsye, feja islame e bën individin të fortë, e ekspozon atë tek dituria e domosdoshme, i mëson atij dinjitetin dhe rrugën për ta arritur atë, i jep atij pavarësi e krenari, e mëson atë se cilat janë përparësit në jetë, por njëkohësisht e mëson njeriun se si të bashkëpunojë me të tjerët, se si të kontribuojë për shoqërinë, të tregojë respekt për të drejtat e të tjerëve dhe të kujdeset në mënyrë të pavarur për mbijetesën e shoqërisë.

Shkolla dhe shkenca nuk kanë për objektiv që t’i mësojnë njeriut dinjitetin, pavarësinë, rëndësinë e tij si individ, apo se çfarë e ngre apo e nënçmon atë. Përkundrazi, njeriu për shkencën është vetëm një shifër apo statistikë.

Gjithsesi, shkenca nuk është e gabuar, dhe shkollat kanë rëndësinë e tyre. Problemi qëndron nëse nuk e kuptojmë rolin dhe vendin e tyre. Shkolla dhe shkenca nuk janë fe, dhe nuk kanë të njetjat objektiva si feja. Ato janë pjesë e industrisë shtetërore, që kryesisht përqëndrohen në aspektet makro apo kolektive, dhe në kontrollin e shoqërisë. Në fund të fundit, këto lloj shkollash masive janë shpikje moderne të sekularizmit.

Për shkollën dhe shkencën, ti si qytetar je vetëm një numër statistikor. Dinjiteti apo e ardhmja jote personale nuk kanë rëndësi. Ti nuk je asgjë tjetër veçse një pjesë e një makinerie të madhe sepse shkolla dhe shkenca nuk janë fe, e si të tilla, nuk është puna e tyre për t’u kujdesur për dinjitetin apo të ardhmen tënde.

Ky është roli i fesë. Shkolla dhe shkenca janë industri shtetërore specifike, që kanë një rëndësi të caktuar, por çdo individ mund të mbijetojë pa to, mandje ndoshta mund të ketë edhe më shumë sukses pa to, ndëraa pa fe nuk mbijeton dot, të paktën si njeri sepse si statistikë dhe mund të mbijetosh përkohësisht.

Çdo njeri duhet t’i kushtojë rëndësi më parë asaj diturie që ka të bëjë me mbijetesën personale përpara asaj shoqërore.

Sabri Lushi

Prill 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post