Mbrojtja e shtetit ligjor dhe e institucioneve të tij është një gjë, ndërsa të përdoret një i ashtuquajtur skandal seksual për të traumatizuar një popull të tërë, për të denigruar imazhin e një zone të tërë, për të bërë pjesë të ngjarjes cënimin e reputacionit të zyrtarit të arrestuar dhe familjes së tij, kjo është diçka krejt tjetër. Kjo nuk ka të bëj aspak me luftën kundër korrupsionit apo të zbatimit të shtetit ligjor, por është një akt i qartë politik për të denigruar figurën e popullit kuksian dhe për ta goditur atë.
POR ÇFARË NDODHI NË KUKËS?!
Në të vërtetë, nuk jam aspak i interesuar të merrem me politikën banale të ditës në Shqipëri sepse është diçka krejt e padobishme. Nuk më intereson. Nuk më interesojnë as emrat e individëve apo zyrtarëve, aq më tepër të zyrtarëve të rëndomtë në hierarkinë politike, siç janë kryetarët e bashkive sepse ata nuk kanë gjë në dorë – pushteti i tyre adminstrativ e politik është skajshmërisht i limituar.
Megjithatë, më intereson qasja e medias shqiptare ndaj kësaj ngjarje, qasja e politikës, qasja e sistemit gjyqësor, dhe mbi të gjitha, qasja e Qeverisë Amerikane dhe asaj Britanike – padronët e vertetë të shtetit shqiptar, ndaj kësaj ngjarje banale, por e kthyer në një mankth për publikun.
Kundravajtja penale në lidhje me këtë skandal seksual është shumë e thjeshtë. Një qytetare shqiptare i ofron seks një zyrtari të Republikës së Shqipërisë si mjet për të arritur një benefit ekonomik të caktuar, në këtë rast, një tender në lidhje me trajtimin e problemit të qenëve endacakë, që çuditërisht ka të bëj me një aspekt imazhi të qytetit, diçka e zgjedhur më kujdes nga ata që e kanë skicuar këtë kurth seksual, si për të thënë që Kukësi është qytet i rëndomtë. Pra që këtu vërehet që nuk është aspak rastësi zgjedhja e problemit mbi të cilin është ngritur kurthi, sidomos nëse marrim parasysh mjeshterat e propagandës britanike dhe asaj amerikane; ata luajnë pa fund me detajet e imazhit. Ky detaj sigurisht që ka lidhje me gjithë ngjarjen në fjalë: prishjen e imazhit të Kukësit dhe shtantazhimit moral e politik të kuksianëve.
Sipas ligjit shqiptar, sapo të kishte një indicie për një aferë të tillë korruptive, policia dhe prokuroria duhet të viheshin menjëherë në veprim, dhe kaq. Aty duhet të mbaronte e gjithë historia. Kështu funksionon një shtet serioz dhe i pavarur, që Shqipëria nuk është për fat të keq.
Me aq sa e kuptoj unë ligjin shqiptar dhe reformën e famshme në drejtësi, që amerikanët na kanë shurdhuar veshët kaq vite duke e përmendur, nuk thuhet askund se nëse një zyrtar i shtetit konsumon një kundravatje ligjore, atëherë i gjithë shteti, mediat, shërbimi informativ, dhe spiunët e rëndomtë duhet të angazhohen me publikimin e skenave pornografike në internet, ne media kombëtare, në emisone që shikohen në prime time, dhe në rrjetet sociale duke e shpërndarë një video pornografike të tillë pafund.
Ajo që ndodhi në Kukës nuk kishte të bënte aspak me individin në fjalë, pa dhënë mendimin tim se çfarë pasojash ligjore do këtë apo se çfarë mendoj unë për atë vetë; ajo që ndodhi në Kukës ishte një pabesi e qartë e shtetit shqiptar, ashtu sikurse kjo përbën një skandal të një shkalle të lartë shtetërore e politike.
Ndoshta ngjarja ishte aktrim i plotë, ku dhe vetë zyrtari në fjalë mund të ketë qënë bashkëpunëtor i realizimit të kësaj videoje shokuese për publikun; apo ndoshta dhe ai vetë ka qënë viktimë; kjo nuk ka rëndësi, por është mëse e qartë se ngjarja nuk ka pasur të bëj fare me një individ, në këtë rast, me ish kryetarin e Bashkisë Kukës, të cilin as nuk e njoh dhe as nuk më intereson ta njoh. Ky i ashtuquajtur skandal seksual në zyrën e kryetarit të Bashkisë Kukës ishte një presion haptas i shtetit shqiptar ndaj banorëve të asaj zone; ishte një nënçmim për Kukësin dhe gjithë qytetarët kuksianë, ku dhe unë bëj pjesë. Pra, për ta saktësuar, nuk ishte ngjarja problemi kryesor, por qasja e shtetit, e mediave dhe e shërbimit informativ ndaj saj, duke e publikuar pafund dhe duke vazhduar akoma me zhurmë mediatike ndaj saj. Ka kaluar kufijt e një rasti të zakonshëm korruptiv.
Fakti që Qeveria Shqiptare, Shërbimi Informativ Shtetëror, mediat kombëtare e portale të agjentëve të shtetit shqiptar, dhe rrjeti social Facebook janë angazhuar direkt për ta amplifikuar këtë ngjarje, kjo i bën të gjithë këta bashkëfajtorë dhe i inkriminon politikisht.
Për më tepër, duke parë impaktin dhe goditjen që kjo ngjarje ka shkaktuar tek populli kuksian, në mënyrë aspak të merituar dhe plotësisht të pajustifikuar ligjërisht e moralisht, ne kuksianët kemi të drejtë morale të ngremë disa pyetje dhe të drejtojmë gishtin tek ata që mendojmë se qëndrojnë mbrapa këtij skandali.
Unë personalisht, si banor vendas i kësaj zone, mendoj se kurthi është organizuar nga Qeveria Britanike, ajo Amerikane dhe CIA për një qëllim të vetëm: jo për të denigruar figurën e zyrtarit në fjalë, dhe pse një gjë e tillë mund të ketë ndodhur si dëm kolateral, pavarësisht nëse ka qënë ai vetë bashkëpunëtor i vetëdijshëm apo viktimë reale e kësaj afere korruptive, por për të shantazhuar popullin kuksian, për ta goditur atë moralisht, dhe për ta denigruar atë. I akuzuar për aferë korruptive ishte vetëm një kryetar bashkie, pra drejtuesi lokal i Kukësit, dhe si i tillë nuk mund dhe nuk duhej të përdhosej figura e tij kinse po ekspozohej korrupsioni.
Britania e Madhe dhe Qeveria Amerikane i dhanë një goditje Kukësit dhe kuksianëve. Armiqtë tanë të vjetër nuk arritën dot ta fshehin dorën e tyre tradhëtare dhe të pabesë. Pavarësisht propagandës një shekullore, armiqtë ngelen armiq dhe të pabesë.
Meqë është rasti, kuksianët dhe gjithë shqiptarët duhet ta dinë mirë se para një shekulli ishte pikërisht Perandoria Britanike që na goditi, na pushtoi, na vrau e i masakroi, e na copëtoi neve në disa shtete. E maskur nën flamurin e principatave mediokre, siç ishin ajo e Greqisë dhe Serbisë, ku që të dyja drejtoheshin nga të afërm fisnorë të familjes mbretërore britanike, Perandoria Britanike e gjunjëzoi dhe e shkatërroi popullin shqiptar mbas pesë shekujsh lulëzim e prosperitet nën Perandorinë Osmane, e cila na përkiste neve më shumë se ne vetë i përkisnim asaj.
Po më tepër, shqiptarët nuk duhet ta harrojnë kurrë faktin e madh historik se legjendari dhe gjenerali i famshëm shqiptar Muhamed Ali Pasha bashkë me mijëra trima shqiptarë të tjerë, por jo vetëm, mposhtën ushtritë britanike e francezë në Egjipt në fillim të shek. 19-të. Muhamed Aliu jo vetëm i shporri britanikët dhe e shpëtoi Egjiptin nga pushtimi i pashmangshëm, por i zbrapsi ata të poshtëruar e nënçmuar, duke kapur peng katërqind ushtarë britanikë – të një perandorie që ishte në kulmin e saj ushtarak e politik.
Ajo që bëri Muhamed Ali Pasha në Egjipt jo vetëm që e ngriti vlerën e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane dhe e çimentoi pozitën e tyre strategjike brenda kalifatit musliman, por ata u bënë deri diku tmerr për Europën. Me pak fjalë, shqiptarët mundën ushtrinë britanike në një zonë shumë strategjike – ishte koha kur anglezët po kërkonin të kontrollonin rrugët tregtare për në Indi e Azi Juglindore.
Sigurisht që Perandoria Britanike dhe Republika Amerikane, si shërbyese e monarkisë britanike, nuk e harruan kurrë goditjen që i dha legjendari Muhamed Ali Pasha dhe ushtria shqiptare brenda Perandorisë Osmane. Kur gjithë Europa, nën udhëheqjen e Perandorisë Britanike, iu vërsul nga të katër anët perandorisë së fundit myslimane për ta rrëzuar atë, që ishte edhe perandoria jonë, shqiptarët ishin të parët nën shenjestër.
Në vitin 1912, ushtritë angleze dhe aleatët e tyre vunë nën kontroll Shkodrën, Janinën e Selanikun – bastionet e fundit politike të shqiptarëve në Ballkan, ndërkohë historia na tregon neve përralla se në këtë vit Shqipëria u shpall shtet i pavarur: i pavarur nga kush? Nga vetja, kur ne kishin nën kontroll të gjithë Ballkanin? Anglezët dhe amerikanët janë mjeshtra të propagandës; ata dhe kur të vrasin, ta paraqesin sikur po të bëjnë nder.
Gjithësesi, kjo është vetëm për të zgjeruar pak kontekstin historik se pse Perandoria Britanike dhe Qeveria Amerikane janë armiqtë tanë të kahershëm, dhe se ata nuk kanë hequr dorë nga tallja me shqiptarët, nga nënçmimi i tyre, nga shtypja dhe poshtërimi i tyre. Siç duket, anglezët nuk e kanë harruar akoma goditjen që iu kanë dhënë shqiptarët këtyre barbarëve në Egjipt para dy shekujve.
Që nga pushtimi i vitit 1912, britanikët dhe amerikanët i kanë persekutuar e shtypur shqiptarët në mënyrë sistematike. Ishin pikërisht ata që na copëtuan në Konferencën e Londrës në 1913. Ishin pikërisht ata që drejtonin ushtritë serbe e greke kundra muslimanëve të Ballkanit, pra kundër shqiptarëve. Ishin pikërisht ata që vunë në pushtet Ahmet Zogun e Mustafa Kemalin, respektivisht në Shqipëri e Turqi, për të vrarë e shtypur muslimanët, e veçanërisht shqiptarët, ku një pjesë e madhe e tyre jetonin në Stamboll dhe mbas pushtimit të 1912. Ishin pikërisht ata që vunë në pushtet në Shqipëri Enver Hoxhën – këtë agjent anglez, për ta ndaluar fenë islame, për të poshtëruar e izoluar shqiptarët, për t’ua grabitur pronat, e për të skllavëruar burrat e përdhunuar gratë. Janë pikërisht barbarët britanikë e amerikanë që vazhdojnë ta shtypin këtë popull, shumica e të cilit jetojnë rrugëve të Europës si qenë endacakë – pa dokumenta, si ata qentë endacakë që ishin objekt i tenderit të shkaktoi dhe video skandalin – ky krahasim me qentë jo për t’i fyer bashkatdhetarët e mi, por për të treguar se si na trajtojnë armiqtë tanë amerikanë e britanikë.
Paturpësia amerikane e britanike shkon deri aty që fyejnë një popull të tërë, gjoja se po ekspozojnë korrupsionin apo një zyrtar të shtetit, që fundja e kanë vendosur vetë në atë punë.
Të mos harroj Qeveria e Tiranës – mëkëmbësit e pushtuesëve britanikë, se janë pikërisht hidrocentralet e kaskadës së Lumit Drin, ku janë ndërtuar kryesisht në zonën e Kukësit, gjeneratorët elektrik të Shqipërisë, që kanë mbajtur me dekada e vazhdojnë ta furnizojnë me energji elektrike të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe madje një pjesë e saj dhe eksportohet jashta shtetit.
A kështu ua shpërbleni kuksianëve? A nuk kanë hequr dorë britanikët dhe amerikanët nga mbrapshtira të tilla? Nuk ka dyshim se armiqtë britanikë e amerikanë janë të pabesë e të pamoralshëm, dhe pikërisht deshën të bënin këtë mbi ne: nënçmim e shantazh. Të pabesët ngelen të pabesë i imoralë.
MESAZHI IM PËR QEVERINË SHQIPTARE DHE PADRONËT E SAJ BRITANIKË E AMERIKANË
Mos guxoni të talleni me popullin kuksian. Nëse një zyrtar i juaji ka shkelur ligjin, zbatoni ligjin mbi të ashtu siç kërkohet, por mos shantazhoni një popull me video pornografike të realizuara me kurthe të shërbimit informativ. Nuk më intereson fare indvidi në fjalë, por më intereson pabesia e shtetit dhe kurthi i CIAs. Ngjarja e Kukësit nuk kishte të bënte fare me një individ të caktuar, por kishte për synim kuksianët.
Shteti shqiptar, që nuk përfaqëson popullin tonë, por pushtuesit britanikë, të mos harroj krimet që ka bërë ndaj kuksianëve; të mos harroj se ky shtet ka ekzekutuar pikërisht në fshatin Buzmadhe në vitin 1944 njëzet e një burra në mënyrë krejt të pabëse, e një ndër ta ka qënë dhe stërgjyshi im nga nëna e babait.
Ky shtet terrorist e i pabesë të mos harroj krimet që ka bërë në Kukës e në mbarë vendin tonë, ku me mijëra paraardhës tanë janë vrarë nga dora e pabesë e këtij shteti, e shumë të tjerë janë detyruar të lënë vendin e të arratisen, siç ka qënë stergjyshi im nga babai, i cili u detyrua të braktisë fëmijët e mitur dhe të largohet ne Turqi për të mos u kthyer më kurrë.
Shteti shqiptar, si mëkëmbës i pushtimit britanik, është i larë në gjak nga krimet ndaj muslimanëve shqiptarë, pa përmendur këtu internime e përdhunime, grabitje pronash e vrasje mbas shpine, falimentime biznesesh e arrestime politike, apo dhe burgosje me ligje prapavepruese.
Qeveria Shqiptare të marri masa të menjëhershme. Të mos shantazhojë kuksianët. Qeveria duhet të arrestoj drejtuesit e Shërbimit Informativ Shtetëror të përfshirë direkt në ngjarjen e Kukësit.
Po ashtu, armiqtë tanë britanikë e amerikanë të mos guxojnë të tallen me popullin kuksian apo shqiptar. Sado të dobët mund të dukemi sot apo të shtypur, sepse kemi jetuar dhe vazhdojmë të jetojmë nën pushtimin tuaj për më shumë se një shekull, mund të vij dita që historia e asaj që ua bëri Muhamed Ali Pasha në Egjipt para dy shekujsh mund të përsëritet.
Historia ka treguar se të pabesët dhe imoralët, siç janë amerikanët dhe britanikët, që denigrojnë e tallin, që vrasin femijë e gra, siç kanë bërë në Irak, që publikojnë video porno të zyrtarëve të tyre për të shantazhuar një popull të tërë, që mezi po jeton për shkak të shtypjes ekonomike që pikërisht këta barbarë kanë imponuar, historia nuk i toleron të tillët, por i hedh në kosh të mbeturinave.
Sabri Lushi
1 Korrik, 2023