Home » I BASHKOHEM SHQETËSIMIT TË NJË IMAMI RRETH HIPOKRITËVE, POR CILËT JANË ATA?!

I BASHKOHEM SHQETËSIMIT TË NJË IMAMI RRETH HIPOKRITËVE, POR CILËT JANË ATA?!

by Kukes Post
0 comment

Një nga imamët e njohur të Tiranës po fliste për problemin e hipokritëve që janë prezent nëpër xhamia, të cilët, sipas tij, kanë për qëllim kryesor të përçajnë xhematin apo komunitetin e xhamisë. Me fjalë të tjera, ky imam po mundohej të shpjegonte se ata që përçajnë xhematin janë hipokritë, që rastësisht apo ajo, përputhet me përkufizimin që shteti apo politika i bën hipokrizisë.

Personalisht, e mbështes idenë e tij se nëpër xhamia ka hipokritë, dhe për këtë nuk ka dyshim – këtë e shohim kudo, por ndryshe nga ai, nuk pajtohem me kriterin që ai vendos, pra, përçarjen e xhematit, kriter i cili është jo i qartë, dhe në të njejtën kohë lën në hije një problem tjetër që xhamiat tona përballen vazhdimisht, që është, prezenca e spiunëve dhe agjentëve të shtetit.

Sa i përket hipokrizisë, feja islame e ka trajtuar mirë e në hollësi këtë fenomen sepse është pikërisht kjo kategori që shkakton dëme të madhe brenda komunitetit. Armiqë e brendshëm janë gjithmonë më të rrezikshëm se ata të jashtëm. Nuk ka mëdyshje në këtë fakt. Fatmirësisht, feja islame na ka treguar për shenjat që kanë hipokritet, ashtu sikurse ajo na dhënë kriteret që mund t’i përdorim për t’i identifikuar ata; kështu që, kjo nuk është në dorë të një imami, hoxhe apo politikani për të vënë kritere subjektive për të etiketuar këtë apo atë si hipokrit.

Transmetohet nga Ebu Hurejrah se i Dërguari i Allahut (ﷺ) ka thënë, “shenjat e hipokritit janë tre: kur flet, gënjenë; kur premton, nuk e mban atë; kur i lihet një emanet, e thyen atë.” [Bukhari, Muslimi]

Ndërsa në një transmetim tjetër, i Dërguari i Allahut (ﷺ) ka thënë, “katër janë cilësitë që nëse ndodhen tek dikush, ai është hipokrit i plotë, e nëse njëra prej tyre gjendet tek ai, hipokrizia e tij është e pjesshme derisa të heqi dorë nga ajo: kur i besohet diçka, tradhëton; kur flet, gënjenë; kur premton, është i pabëse; e kur përfshihet në një grindje, tejkalon kufijtë.”

Po ashtu, Kurani ka folur gjatë për hipokritët, dhe mes të tjerash, përmend se ata njihen nga mënyra e të folurit. Hipokritët të magjepsin me pamjen e tyre. Pra, një hipokrit të magjeps me fjalët e tij të bukura e me paraqitjen e tij tërheqëse – i veshur bukur, i pashëm, që aktron shumë mirë para njerëzve, por ana tij e brendshme është krejt ndryshe.

Sa i përket përçarjes së xhematit, Kurani apo hadithet e Prophetit Muhammed (ﷺ) nuk e nënvizojnë si kriter tipik dallues të hipokritëve. Përçarja mund të përdoret nga ata, ashtu siç ajo mund të përdoret edhe nga armiqtë e deklaruar. Gjithashtu, edhe një veprim i duhur i besimtarëve mund të interpretohet si përçarje nga dikush tjetër, ndërkohë që ajo është rezistencë në të vërtetën.

Edhe Profeti Muhammed (ﷺ) është akuzuar se po përçan njerëzit. Sigurisht që e vërteta i ndan njerëzit në dy grupe. Pra, bashkimi dhe uniteti janë gjëra të dëshiruara e objektiva të fesë, porse përçarja është e paevitueshme në rrugën për të arritur tek e verteta.

Ndoshta ky imam quan përçarës, e për rrjedhojë, hipokrit, këdo që nuk përputhet me mendimet e tij, apo këdo që ngren zërin kundër herezisë që ka depërtuar në fenë islame. Kriteri i përçarjes në të akuzuarin e dikujt si hipokrit është kthyer në një kartë që i hedhet surratit çdo kujt që kërkohet t’i mbyllet goja.

Nga ana tjetër, ata të cilët vërtetë kanë një objektiv të qartë për të përçarë xhematin, pra që vijnë në xhami vetëm për të shkaktuar probleme, janë spiunët dhe agjentët e shtetit. Duke marrë parasysh se shteti ka agjenda të qarta kundër fesë islame, e të mos harrojnë faktin se çfarë ka bërë shteti shqiptar për pesë dekada, përçarja është strategji lufte e qeverisë shqiptare kundër muslimanëve, e jo agjendë personale e individëve.

Nëse ky imam është vërtetë i shqetësuar për njerëz që përçajnë xhematin, atëherë le ta drejtoj gishtin tek shteti. Unë personalisht nuk e kam dëgjuar ndonjëherë imamin në fjalë të ngre problemin e spiunëve të shtetit nëpër xhamia, apo se ka imamllarë që bashkëpunojnë me shtetin në mënyrë sekrete, që ka njerëz që paguhen nga shteti shqiptar për ta shkatërruar fenë islame nga brenda. Ky imam nuk flet për këtë problem real që muslimanët përballen çdo ditë.

Përçarja, nëse bëhet thjeshtë për hirë të saj, është strategji lufte, dhe këtë nuk e bëjnë individët në mënyrë të pavarur, e as ata të cilët kërkojnë të respektojnë fenë ashtu siç duhet, që ndoshta këtij imami i duket përçarje.

Ky imam le të flasi për spiunë e shtetit, dhe të mos shtrembëroj kriteret e fesë islame. Spiunët dhe hipokritët kanë shenjat e tyre dalluese: gënjejnë, nuk mbajnë premtimin, nuk iu zihet besë, dhe tejkalojnë në grindje. Këta janë hipokritet e këta janë spiunët, që ka shumë në mesin e muslimanëve. Për këtë të flasi imami, jo për përçarjen në tym.

Sigurisht që shtetit shqiptar, si strategji për t’i mbuluar apo kamofluar spiunët nëpër xhamia, shenjat e të cilëve janë të qarta – gënjejnë, mashtrojnë, nuk mbajnë premtimin dhe nuk iu zihet në besë, i intereson që hipokrizinë t’ia atribuojë një kategorie tjetër jo të definuar mirë: ata që përçajnë xhematin. Pra, sipas shtetit shqiptar, në emër të të cilit ky imam po flet sigurisht, spiunët nuk janë ata që gënjejnë apo mashtrojnë, por ata që përçajnë – Zoti e din se kush janë ata. Nëse flet të vërtetën në xhami, dhe kjo e vërtetë në mënyrë të paevitueshme përçanë, kjo është shenjë hipokrizie sipas këtij imami, ndërsa ai harron se çfarë shenjash na ka treguar i Dërguari i Allahut për t’i dalluar ata.

Do ta këshilloja këtë imam të njohur të Tiranës që ta vazhdoj luftën kundër hipokritëve, por në mënyrën e duhur dhe kundër atij grupi që feja e quan të tillë, jo shteti apo politika. Ai duhet të flasi për problemin e spiunëve të shtetit që janë kthyer në kancerin e fesë islame jo vetëm në Shqipëri, por në rang botëror. Në fund të fundit, shteti, Amerika, Perëndimi, CIA, Britania e Madhe etj. janë armiqë të deklaruar të fesë islame, dhe ne e dimë shumë mirë aktivitetin e tyre përmes spiunëve nëpër xhamiat tona, që, për t’u pajtuar me këtë imam, edhe përçajnë.

Sigurisht që duhet ta luftojmë hipokrizinë dhe spuinizmin, e këtë duhet ta bëjmë me edukimin e xhematit rreth shenjave të tyre që na i ka mësuar feja. Kemi nevojë për një xhemat të pastër, e kërcënimi më i madh për ndotjen e tij me spiunë vjen nga shteti.

Sabri Lushi

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post