LOGIN
Home » PRETENDIMI I GËNJESHTËRT I PUSHTETIT SEKULARIST NË NDARJEN E FESË NGA SHTETI

PRETENDIMI I GËNJESHTËRT I PUSHTETIT SEKULARIST NË NDARJEN E FESË NGA SHTETI

by Kukes Post
0 comment

Përkundër asaj që perceptohet nga publiku i gjerë, apo çfarë pushteti britanik laik pretendon, pra në ndarjen e fesë nga shteti, kjo nuk është e vërtetë. Pushteti modern sekularist jo vetëm që nuk beson në parimin e ndarjes së fesë nga shteti, parim i cili bie në kundërshtim me vetë natyrën e pushtetit, por e konsideron krim një akt të tillë.

Normalisht, qëllimi i pushtetit politik, pavarësisht kohës, vendit, ideologjisë, racës, apo formimit fetar, ka vetëm një qëllim kryesor: të kontrollojë njerëzit, dhe kjo nuk është e metë e politikës. Pushteti ekziston për të kontrolluar. Nga vetë natyra, politikanët apo udhëheqësit mendojnë se si të kontrollojnë. Ata janë të obsesionuar për të kontrolluar, dhe kjo është krejt normale. Të thuash që një lider kërkon të kontrollojë, në fakt është si të thuash se një mësues është shumë i fiksuar për të mësuar nxënësit, apo një gjykatës e ka fiksim për të dhënë vendime gjyqësore. Puna e liderit është të kontrollojë. Nuk i kërkohet pushtetit të çlirojë apo të japi liri. Liria është diçka që njerëzit e fitojnë vetë si rezultat i rezistencës apo qëndresës ndaj pushtetit. Liria dhe pushteti janë antiteza, por është shumë e habitshme se si ka arritur vetë pushteti t’ua konfuzojë njerëzve këto dy gjëra.

Sa i përket kontrollit, pushteti nuk është thjesht i shqetësuar për lëvizjet e njerëzve. Kontrolli fizik i tyre është gjëja me e lehtë. Pjesa më e vështirë është kontrolli ideologjik, se çfarë njerëzit mendojnë, çfarë planesh bëjnë për jetën e tyre, çfarë vendimesh marrin, çfarë flasin me njëri tjetrin, çfarë flitet në takimet mes tyre, në dasma, në funerale, në festa e në hidhërime.

Feja, nga ana tjetër, është pushtet ideologjik. Ajo ka për qëllim kryesor t’i kthej njerëzit tek njohja, bindja dhe pranimin e vullnetit të Krijuesit me qëllim që ata të jetojnë një jetë ashtu siç Ai e ka ligjëruar, e si shpërblim, premton një jetë natyrore, të lumtur brenda caqeve të logjikës së kësaj jete, e mbas vdekjes, feja premton Parajsën.

Përveç pjesës shpirtërore apo besimit në të padukshmen apo të fshehtën, që njihet në terminologjinë islame si besimi në gajb, që është dimension i rëndësishëm gjithësesi, feja gjithashtu e ndikon dhe e dikton jetën e njerëzve në mënyrë esenciale: sjelljen, planifikimin e kohës, mënyrën e të menduarit, martesat, funeralet, kongregacionet fetare, predikimi i ditës së xhuma (për muslimanët), ekonominë personale e kolektive të besimtarëve, dhe mbi të gjitha, feja islame ka monopolin e legjislacionit, pjesë e cila ia kufizon pushtetit politik shumë diapazonin veprues.

Feja nuk është thjesht një dimension abstrakt apo një nocion filozofik që qarkullon në qarqet akademike, ashtu siç në fakt sekularizmi e dëshiron një gjë të tillë. Në përgjithësi ajo ndikon jetët e njerëzve drejtpërdrejt, ndërsa në rastin e fesë islame, ajo nuk lë asnjë pjesë të jetës së njeriut pa e prekur, dhe mbi të gjitha gjithçka bëhet me bindje e me vullnet të lirë pasi feja përmbush një nevojë të njeriut, diçka që asgjë tjetër nuk mund ta bëj.

Rrjedhimisht, duket qartë se ka një mbivendosje të objektivave të fesë, në mënyrë më specifike, të fesë islame, e të politikës e të sferës së tyre të ndikimit. Politika ka për target kryesor njeriun dhe kontrollin e tij, feja gjithashtu ka për objekt kryesor njeriun dhe udhëzimin e tij, që përfshin edhe kontrollin e tij domosdoshmërisht. Kontrolli në vetvete nuk është diçka negative. Është domosdoshmëri e jetës së njeriut si pasojë e kufizimit të aftësive të tij dhe të burimeve natyrore.

Kështu që, gjithmonë ekziston një përplasje apo konflikt mes pushtetit politik dhe fesë. Nga këndvështrimi fetar, pushteti politik është i domosdoshëm për administrimin e njerëzve dhe të jetës së tyre, por njëkohësisht është edhe sprovë. Pushteti politik shtyp e kontrollon, nga ana tjetër, është detyrë e besimtarëve të rezistojnë e t’i kthehet Zotit për udhëzim, ndihmë, e qëndrueshmëri në mësimet e Tij.

Përfundimi i gjertanishëm është se natyra e pushtetit politik është të kontrolloj e administroj njerëzit, siç është puna kryesore e një kasapi të theri bagëtinë apo siç është zanati i një rrobaqepësi të qepë rroba. Është absurditet t’i kërkosh politikës apo të kërkosh prej politikës liri, ashtu siç nuk mund t’i kërkosh një kasapi që të shërojë bagëtitë nga plagët sepse puna kryesore e tij është e kundërta – therja, e ashtu siç nuk mund t’i kërkosh një rrobaqepësi të operojë një të sëmurë.

Në këtë aspekt, politika edhe teorikisht nuk mund ta lejoj fenë të pakontrolluar. Nuk bën vaki. Pushteti politik shqetësohet edhe nëse dy veta në rrugë takohen në mënyrë të pakontrolluar se çfarë ata mund të flasin e çfarë planesh mund të bëjnë, dhe në fakt ka të drejtë të shqetësohet sepse kjo është puna e saj, e jo më të tolerojë një ideologji të tërë në shoqëri, siç është feja, të qarkullojë jashtë kontrollit të pushtetit politik.

Përveç kontrollit fizik, ekonomik, ushtarak, dhe stilit të jetës, pushteti politik mbi të gjitha nuk mund të heqi dorë nga kontrolli ideologjik i njerëzve. Forma më e lartë e kontrollit është kontrolli ideologjik. Për këtë arsye, feja gjithmonë është kanosur nga politika, dhe gjithmonë ka përfunduar nën kontrollin e politikës dhe është korruptuar nga ajo edhe pse, në të njejtën kohë, feja është e vetmja mënyrë për t’i rezistuar apo për ta shtyrë mbrapsht kontrollin e politikës, sidomos feja islame.

Po të shkojmë mbrapa në historinë e krishtërimit, për shembull, kjo fe u korruptua dhe mori fund kur perandori romak Kostandini i Parë u konvertua nga pagan në të krishter, dhe në Këshillin e Parë të Nikesë (qytet në Turqinë e sotme) në vitin 325 pas lindjes së Krishtit, ai imponoi vendimin zyrtar mbi doktrinën e krishterë, ku pjesa më kryesore ishte se Jezusi (apo Isai) është bir i Zotit. Pra, Konstandini bëri siç bën çdo lidër politik: mblodhi klerikët fetar dhe i futi nën kontroll, dhe krishtërimi aty mori fund sepse ata që rezistuan ose u vranë ose u izoluan. Gjithësesi, krishtërimi ishte fe e përkoshme, dhe për këtë arsye ka ardhur feja islame si e fundit dhe e pandryshueshme, dhe për këtë arsye feja islame e ka barrën kryesore të rezistencës kundër politikës sekulariste, dhe për këtë arsye, muslimanët janë targeti kryesor i pushtetit politik botëror.

Edhe në historinë e civilizimit islam, liderat politikë gjithmonë kanë tentuar ta kontrollojnë fenë apo doktrinën fetare sepse kjo është tendenca e tyre, kjo është puna e tyre – ata mendojnë vetëm se si të kontrollojnë njerëzit, si të gjejnë mënyra më efikase kontrolli, si ta përsosin kontrollin, dhe mendja e tyre është e fokusuar vetëm në këtë aspekt sepse ky është specialiteti i tyre. Thuajse çdo devijim ideologjik që ka lindur në fenë islame është promovuar nga pushteti politik.

Mirëpo, në dallim nga fetë e tjera, sidomos ato aktuale, feja islame gjithmonë ka nxjerrë dijetarë që i kanë rezistuar politikës dhe kontrollit ideologjik e doktrinor të saj. Gjithashtu, mënyra se si është transmetuar feja islame – Kurani si fjala e pandryshuar e Allahut dhe raportimi i hadhitheve të Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të) me rigorozitetin më të lartë shkencor, është garanci në vetvete për t’iu dhënë besimtarëve pavarësi ideologjike nga politika pavarësisht përpjekjes natyrore të kësaj të fundit për ta kontrolluar atë.

Përveç kësaj, ajo çfarë ua ka kufizuar pushtetin politik lidërve muslimanë është legjislacioni islam hyjnor. Në fenë islame, pushteti legjislativ nuk është pjesë e qeverisë, siç është rasti i sekularizmit, por ka dy pushtete: pushteti ekzekutiv – lideri politik bashkë me gjyqtarët, dhe legjislacioni apo sheriati, që nuk është në dorën e pushtetit ekzekutiv, por është krejt i pavarur nga lideri. Ai nxirret nga Kurani dhe tradita e Profetit Muhammed ﷺ.

Është krejt e kuptueshme që pushteti politik musliman vepron dhe ka tendencën të veprojë si çdo pushtet tjetër: të kontrollojë njerëzit dhe ideologjinë e tyre. Po të jetë në dorën e tyre, ata do të ndryshonin edhe Kuranin, në mos ndryshimin tekstual, atë kuptimor apo interpretativ të paktën, apo mund të fabrikojnë fjalë e hadithe në emër të fesë ashtu siç iu intereson atyre, mirëpo feja islame është unike sepse gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë dijetarë seriozë e të pavarur nga politika që e mbrojnë fenë.

Për t’iu kthyer temës së sekularizimit apo pushtetit botëror britanik, sot ne përballemi me ca gënjeshtra apo mashtrime të madha, magji e cila ka hipnotizuar masat e gjëra në mënyrë të papreçedentë. Në mënyrë magjike, pushteti politik na thotë se ai beson në ndarjen e pushtetit, në ndarjen e fesë nga shteti, në pavarësinë e pushteteve, dhe mbi të gjitha, mashtrimi i tij ka arritur deri në atë masë sa pretendon se pushteti e do lirinë ndërsa njerëzit jo.

Pushteti modern sekularist sillet si e kundërta e pushtetit. Sillet si opozitë apo rezistencë politike, dhe vetëm një guxim prej mashtruesi profesional mund ta pretendoj një gjë të tillë, dhe në fakt i tillë është pushteti sekularist britanik: mashtrues e gënjeshtar profesionist. Gënjeshtra është në thelbin e doktrinës së pushtetit britanik botëror.

Në të gjithë historinë njerëzore, pushteti politik nuk ka pasur luksin të ketë kaq kontroll absolut mbi njerëzit aq sa kanë qeveritë sekulariste të kohës sonë. Qeveria kontrollon çdo gjë: ushtrinë, gjykatat, shkollat, pronat, bizneset, ka monopolin e legjislacionit, rregulloreve, ka monopolin e printimit të parasë, ka monopolin e kontrollit financiar, kontrollon transportin, korporatat, tregjet, akademitë shkencore, shtëpitë botuese, mediat, komunikimin publik, propagandën e njerëzve, dhe duke marrë parasysh se bota është një shtet, politika botërore kontrollon qarkullimin e njerëzve, kufijtë ndërshtetërore, dhe politikat ekonomike e zhvillimore ndërkombëtare.

Me pak fjalë, modeli i shtetit britanik është ndërtuar në atë mënyrë që pushteti të kontrolloj çdo gjë, madje edhe familjen – bërthamën natyrore të shoqërisë, dhe ky lloj pushteti me mjaft sukses e ka përsosur kontrollin. Nuk besoj se ka pasur ndonjëherë në historinë njerëzore ndonjë pushtet politik me kaq kontroll, kjo edhe për arsye logjistike, që janë në dispozicion në kohën moderne.

Sot jetojmë në kohën e kontrollit absolut apo të super kontrollit. Nga ana tjetër, në mënyrë krejt groteske, pushteti prononcohet se po bën të kundërtën, dhe kjo e bën kontrollin sekularist edhe më të sofistikuar. Për t’i hipnotizuar njerëzit, sa më shumë të shtohet kontrolli, pushteti bën sikur po iu sjell lirinë njerëzve. Madje hipokrizia e këtij pushteti shkon deri në atë masë sa akuzon fenë se ka për qëllim kontrollin e njerzëve, dhe e bën këtë si strategji për ta fshehur kontrollin e saj absolut të njerëzve.

Duke marrë parasysh se çfarë kontrolli ushtron pushteti sekularist britanik në rang botëror, jo vetëm që nuk mund ta lejoj ndarjen e fesë nga shteti, por e ka kthyer atë në sherbim të saj. Për të qënë më të saktë, vetëm në një aspekt pushteti britanik beson në ndarjen e fesë nga shteti: që feja të mos ketë asnjë të drejtë politike për të ndikuar apo diktuar ligjet dhe vendimet e shtetit. Pra, feja duhet t’i mbaj duar larg nga ndikimi i ligjeve të pushtetit sepse ky lloj pushteti i takon vetëm qeverisë.

Sa i përket klerikëve, dijetarëve, shkollave fetare, financave, donacioneve, xhamive, medias me qëllim predikimin e fesë, dhe aktivitet të tyre fetar, këtë pjesë pushteti nuk mund ta lë të pavarur apo të ndarë nga shteti. Përkundrazi, kur vjen puna e kontrollit të muslimanëve, aty mbaron ndarja e shtetit me fenë. Aty pushteti sekularist britanik nuk beson më në ndarjen e fesë nga shteti.

Në realitet, feja kurrë nuk ka qenë më e kontrolluar nga pushteti politik sekularist dhe kurrë nuk është kanosur kaq seriozisht nga shteti siç po ndodh tani. Sfida më e madhe e fesë islame dhe e muslimanëve sot është si t’i rezistojnë kontrollit politik të shtetit. Jo vetëm që do të ishte në të mirën e muslimanëve e të klerikëve të tyre që feja të ishte e ndarë nga shteti, por kjo do të ishte një moment i madh fitorje.

Si konkluzion, pretendimi i pushtetit politik sekularist se beson në ndarjen e fesë nga shteti është pretendim i gënjeshtërt, i pavërtetë e hipokrit. Në fakt, një pretendim i tillë do të binte në kundërshtim me vetë natyrën e pushtetit, që është kontrolli i njerëzve. Politika jo që nuk mund ta pretendoj një gjë të tillë, por është absurde, dhe nuk është në fakt politika ajo që mund ta bëj ndarjen e fesë nga pushteti. Këtë duhet të realizojnë vetë besimtarët. Kjo nuk bëhet me slogane, por me mekanizma. Sa më shumë dijetarë muslimanë të ketë, aq më e ndarë është feja nga shteti apo pushteti.

E vetmja fe që ka manualin e duhur për ndarjen e fesë nga pushteti politik e ka feja islame, dhe historia ka treguar se muslimanët e kanë arritur një gjë të tillë. Sado pushteti politik i kalifëve apo lidërve muslimanë të jenë munduar për ta kontrollaur fenë, gjithmonë ka pasur dijetarë që iu kanë dalë ballit. Pushteti i dijetarit në rrafshin ideologjik dhe të pasimit që njerëzit iu bëjnë atyre është manifestimi i vetëm i rastit kur feja ndahet nga pushtetit. Pra, ndarja bëhet me vepra, jo me vendime politike qesharake sekulariste apo me slogane boshe e mashtruese.

Në Republikën e Shqipërisë, për shembull, jo vetëm që feja nuk është e ndarë nga pushteti, pra e kam fjalën për klerikët dhe administrimin fetar të muslimanëve, por shteti e ka sanksionuar me ligj kontrollin e fesë. Imamët duhet t’i njohi qeveria, përndryshe quhet imamë të vetëshpallur. Xhamiat duhet t’i legalizoj qeveria sekulariste, përndryshe rrezikon burgun. Predikimi fetar duhet të legalizohet nga pushteti sekularist, përndryshe përballesh me luftë të pamëshirshme nga shërbimet sekrete të qeverisë apo me izolim ekonomik. Sëmundja më e madhe e klerikëve fetarë është vetëcensura apo shpesh përdorimi i predikimit fetar në shërbim të politikës.

Gjithësesi, kjo nuk është për t’u habitur. Kjo është detyra e pushtetit: të kontrollojë, mundësisht edhe ëndërrat e njerëzve dhe mendimet e tyre. Është detyre e besimtarëve dhe e qytetarëve të thjeshtë të luftojnë për liri. Detyrat janë të ndara. Qëllimi i kësaj eseje nuk është për të denoncuar faktin se pushteti sekularist kontrollon fenë. Kjo nuk është gjë e re. Kjo është puna e pushtetit. Qëllimi është demaskimi i gënjeshtrës së madhe të pushtetit sekularist britanik, se gjoja për herë të parë ata që kanë detyrë kryesore kontrollin na premtojnë liri dhe ndarje të pushtetit.

Sa më shumë liri të na japi pushteti sekularist, sa më mirë do të ishte për ne popullin e thjeshtë, sidomos për muslimanët, por kjo nuk ndodh. Të kërkosh liri tek pushteti është si t’i kërkosh jetë një xhelati.

Sabri Lushi

Ese

Tetor, 2023

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post