LOGIN
Home » A PO PËRBALLEMI ME NJË ‘ISLAM MODERN’ I CILI NXIT PËR MOSPËRDORIMIN E TRURIT?!

A PO PËRBALLEMI ME NJË ‘ISLAM MODERN’ I CILI NXIT PËR MOSPËRDORIMIN E TRURIT?!

by Kukes Post
0 comment

Nëse do ta lexoje Kurani nga fillimi deri në fund, do të vije re se ai i kushton një rëndësi të veçantë përdorimit të trurit aq sa mendoj se nuk ka libër në sipërfaqe të tokës që ta nxisë njeriun për përdorimin e mendjen ashtu siç nxit Kurani.

“A nuk po mendoni?” “A nuk po logjikoni?” “Me qëllim që ata të mendojnë.” “Që meditiojnë në krijimin e qiejve e të tokës.” “Për të zotët e mendjes.” “Ata janë njerëz që nuk kanë mend.” “Porse hipokritët nuk kuptojnë.” “Porse hipokritët nuk logjikojnë.” Këto janë vetëm disa pjesë ajetesh kuranore që nxjerrin në pah rëndësinë e përdorimit të trurit.

Nuk ka dyshim se Kurani nuk e bën këtë aksidentalisht pasi ai është “libër ajetet e së cilit janë të thurura në mënyrë të përsosur, që është i shpjeguar nga i Urti (el-Hakīm), nga Ai që njeh gjithçka me hollësi (el-Khabīr).” [Kuran, 11:1]

Vërtetë është jo vetëm mahnitës fakti se sa shumë Kurani i bën thirrje njeriut që ta përdor trurin, të logjikojë, të kuptojë, të mendojë, e të meditojë, por kjo është cilësi unike e këtij libri hyjnor. Nuk është rastësi që muslimanët themeluan një prej civilizimeve më të mëdha që bota ka parë ndonjëherë, frutat e së cilit po i korrim edhe sot. Shkenca që muslimanët zhvilluan, insfrastruktura që ata ngritën, universitetet që ata themeluan, e mijëra e miliona libra që ata botuan – që e ndriçuan botën me dritën e dijes, gjithçka ishte si rezultat i përdorimin të trurit, që Kurani i ka kushtuar një rëndësi qëndrore.

Allahu nuk e ka krijuar njeriun të jetojë si robot. Në fakt, Ai as që ka nevojë për adhurimin e njeriut. Bukuria dhe e veçanta e njeriut si krijesë qëndron tek mendja e tij. Vullneti i lirë nuk mund të ekzistojë pa përdorimin e trurit. Sa më shumë ta përdor njeriu trurin, aq më shumë i është afruar përsosjes së tij si qenie.

Në të njejtën kohë, Kurani folur edhe për faktorë që e pengojnë njeriun nga përdorimi i trurit. Të përdorësh trurin nuk është gjë e lehtë. Është një proçes që kërkon mundim, që ka pengesa, që kërkon kapërcime, që mund të shoqërohet me pagimin e një kostoje, por përdorimi i trurit është i domosdoshëm për çlirimin e njeriut nga robëria ashtu sikurse është kush i domosdoshëm për njohjen e Allahut.

“A nuk po reflektojnë ata mbi Kuranin, apo vallë kanë çelësa në zemrat e tyre?” [Kuran, 47:24]

Allahu ka përdorur një imazh shumë domethënës për faktorët që pengojnë nga meditimi apo reflektimi mbi Kuranin dhe të kuptuarit e tij. Ai i ka krahasuar ato pengesa me kyçe apo dryna, të cilat nuk lejojnë që kuptimet e Kuranit të futen në zemër. Ky është një koncept shumë interesant që Kurani e ka parashtruar, koncepti i pengesave i krahasuar me drynat.

Në fakt, ashtu siç e kanë shpjeguar dijetarët, po t’i analizojmë faktorët që e pengojnë njeriun jo vetëm nga të kuptuarit e Kuranit, por edhe nga të kuptuarit e dijes apo nga përdorimi i trurit në përgjithësi, janë nga më të ndryshmit.

Kultura apo tradita është një faktor që e pengon njeriun nga përdorimi i trurit. Rregullat kulturore apo adetet shërbejnë si një kuti për njeriun. Edhe nëse mendon, njeriu duhet të mendojë brenda kësaj kutie.

Edhe supozimet shkencore, hipotezat, mendimi akademike zyrtare, qëndrimet kolektive, e deri tek politikat shtetërore, të gjitha këto janë në vetvete kutia apo kyçe që e detyrojnë njeriun të kufizohet brenda tyre, apo të mendojë brenda këtyre kontrureve. Sfidimi i tyre jo vetëm që kërkon mundim të madh, por që mund të shoqërohet me pasoja serioze, si përjashtim, pushim nga puna, e deri në izolim shoqëror e ekonomik.

Kyçe të tjera që ia bllokojnë njeriut diapozonin e të menduarit janë epshet, dëshirat materialiste, argëtimi, pasionet e ulëta, rehatia, mos përballja me vështirësi, propaganda, stili i jetës, humbja e kohës në gjëra të parëndësishme, prioritetet e gabuara në jetë, anshmëritë intelektuale, interesat politike etj. Secila nga këto është pengesë për përdorimin e trurit, dhe secila nga këto shërben si një kyç për zemrën, që e pengon atë nga të kuptuarit e të vërtetës apo nga reflektimi mbi Kuranin.

Megjithatë, nëse ekziston një agjendë politike apo fetare që jo vetëm nuk e nxit apo lehtëson përdorimin e trurit, por bën krejt të kundërtën – i pengon njerëzit nga përdorimi i trurit dhe ndërmerr hapa konkret për kontrollin mendorë të njerëzve, atëherë kemi të bëjmë me një situatë shumë të rrezikshme, dhe personalisht mendoj se koha në të cilën jetojmë po përballemi pikërisht më këtë problem.

Ndryshe nga ç’pretendon zyrtarisht, politika moderne dhe e gjithë kultura sekulariste jo vetëm që nuk e stimulon përdorimin e trurit, por po bën krejt të kundërtën: i ka shpallur luftë mendjes së njeriut. Nëse kisha katolike e mesjetës vriste e burgoste ata intelektualë të cilët e sfidonin narrativën shkencore apo qëndrimin zyrtar të kishës, politika moderne sekulariste ushtron një kontroll mbi trurin e njeriut në mënyrë shumë më të sofistikuar e më drakoniane.

Për ta përmledhur me pak fjalë, sekularizmi perëndimor nuk urren gjë më shumë tek njeriu se sa mendjen e tij, dhe më e keqja është se paraqitet me një fytyrë krejt të kundërt, sikur perëndimorët e vlerësojnë mendjen e njeriut, sikur ata po vjedhin trurin e vendeve të varfëra, sikur e vlerësojnë mendimin kritik, e që kanë vlerësim për mendimet shkencore. Realiteti tregon për një perëndim krejt të kundërt: ata janë armiq të trurit e të mendjes së njeriut.

Nga ana tjetër, vëmë re edhe një degradim intelektual të botës islame dhe një zhvlerësim të papreçedent të trurit të njeriut. Muslimanët nuk e vlerësojnë trurin ashtu siç i urdhëron Kurani, apo siç tregon tradita e dijetarëve të mëdhenj të kësaj feje, të kryesuar nga tre brezat e parë.

Muslimanët janë ndarë në grupe e sekte, në shtete e në identitete kombëtare. Secili sekt, grup, shtet apo identitet kombëtar kërkon ta vendos pasimin apo identitetin e grupit mbi pasimin e të vërtetës apo të përdorimit të trurit. Nëse përdor trurin, mund të ketë penalizime.

Institucionet, shkollat dhe universitetet fetare nuk mbështesin mendjet më të ndritura. Ato nuk afrojnë pranë tyre trurin, por studentët më të dobët e më nënshtrues, të cilët nuk sfidojnë intelektualisht. Kjo është fatkeqësi e madhe. Kjo është katastrofë intelektuale.

Personalisht jam i sigurtë që dekadenca intelektuale në radhët e muslimanëve, promovimi i injorantëve, dispozicioni i institucioneve fetare apo gadishmëria e universiteteve fetare për të pranuar në radhët e tyre studentët më të dobët e më të nënshtruar mendërisht nuk ka të bëjë me vetë fenë islame. Feja nxit të kundërtën, por kjo ka të bëjë me politikat sekulariste perëndimore pushtuese të cilat nuk luftojnë asgjë tjetër më shumë se trurin e njeriut.

Nëse perëndimorët e kanë fituar luftën ushtarake me muslimanët në fillim të shekullit të 20-të, ata akoma nuk e kanë fituar luftën intelektuale me ta, e kjo luftë vazhdon të jetë më e ashpër se kurrë.

Strategjitë pushtuese perëndimore dhe masat politike për shkatërrimin e Islamit dhe të muslislimanëve përfshijnë mbi të gjitha luftën e tyre kundër trurit, mendjes, e dijetarëve.

Është empirikisht i verifikueshëm fakti se sot studentët më të dobët e më bindës pranohen nëpër shkolla fetare. Kjo nuk është diçka që nxitet nga feja islame, por nga sekularizmi pushtues perëndimor.

Është empirikisht i verifikushëm fakti se studentët të cilët nuk shfaqin tendencë për të sfiduar institucionet fetare, mendimin zyrtare, apo qëndrimet sektare lejohen për të pasur sukes akademik.

Është empirikisht i verifikueshëm fakti se institucionet fetare janë mbushur me muslimanë të cilët nuk kanë ndonjë spikatje intelektuale apo ndonjë aftësi mendore të veçantë. Kjo nuk është rastë, e as pasojë e mungesës së aftësive mendore në radhët e muslimanëve, porse kjo është politikë sekulariste për shkatërrimin e islamit dhe kontrollin e muslimanëve.

Është empirikisht i verifikueshëm fakti se qeveritë sekulariste, Qeveria Amerikane, dhe Qeveria e Britanisë së Madhe i kanë shpallur luftë çdo intelektuali musliman të pavarur dhe secilit dijetar – nëse ka arritur të bëhet i tillë mes vështirësive të mëdha, që është i pavarur e nuk i bindet politikës shtypëse sekulariste.

Si kurrë më parë, bota islame po kërcënohet nga një luftë e ashpër kundër mendjes, kundër trurit, kundër dijetarëve, kundër intelektualëve të pavarur, e kundër mendimit kritik. Kjo luftë përfshin burgosjen e dijetarëve të pavarur, izolimin ekonomik të çdo muslimani të pavarur, nënçmimin dhe shtypjen e çdo studenti i cili mund të jetë talent, stigmatizimin e çdokujt që bën pyetje, që ngre pikëpyetje, që hedh dyshime, e që sfidon mendimin zyrtar i cili nuk është bindës apo që bie në kundërshtim të hapur me Kuranin dhe traditën e Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të).

Islami modern, i cili është dizenjuar nga pushtuesit e nga tiranët perëndimorë, duhet të jetë Islami i mediokërve, Islami i mos-përdorimit të trurit, Islami i pasimit të verbër, Islami i sekteve e grupeve, Islami i interpretuar nga agjentë e spiunë perëndimorë, Islami i nxënësve të dobët, Islami i imamllarëve të kontrolluar nga shteti, Islami i dijetarëve që nuk guxojnë të sfidojnë mendimin zyrtar, Islami i fasadës, Islami i të korruptuarëve e të nënshtruarëve – ekzaktësisht ashtu siç e kërkon armiku, ashtu siç e kërkojnë shfrytëzuesit amerikanë dhe sekularistët britanikë. Ky është Islami modern që kërkohet të promovohet.

Lufta e armiqve perëndimorë dhe e botës sekulariste kundër Islamit është më e ashpër se kurrë. Kjo luftë nuk po zhvillohet vetëm me armë, me burgosje, me izolim ekonomik, por edhe me anë të promovimit të spiunëve, agjentëve, e të studentëve më të dobët e më të nënshtruar intelektualisht apo me IQ-në më të ulët.

Islami është feja e mendjes dhe e përdorimit të trurit kurse sekularizmi është ideologjia e nënshtrimit, nënçmimit, dhe shtypjes së njeriut. Për këtë arsye, ata e urrejnë trurin e njeriut; ata e luftojnë mendjen dhe ndriçimin e saj. Përveç se kanë humbur veten, sekularistët barbarë kërkojnë ta shkatërrojnë edhe fenë islame me tiraninë dhe xhahilitetin e tyre.

Unë do të bëhesha shumë pesimist e i dëshpëruar kur e shikoj gjendjen e mjeruar të muslimanëve dhe luftën intelektuale që sekularistët perëndimorë po ndërmarrin kundër nesh, porse Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) na ka tregaur se nuk do të pushojë se ekzistuari një grup në umetin musliman të cilët do të jenë qartazi mbi të vërtetën, që nuk iu bën dëm atyre kush i kundërshton ata, e që nuk i frikësohen kritikës së kritikuesëve. Umeti islam është feja e dijetarëve, dhe gjithmonë do të ketë dijetarë në mesin tonë pavarësisht luftës së ashpër të injorantëve sekularistë kundër fesë e kundër mendjes së njeriut. Islami do të mbijetojë sepse Kurani do të mbijetojë, e Kurani nxit për përdorimin e trurit.

Sabri Lushi

Dhjetor 2023

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post