Home » RAMAZANI NUK ËSHTË MUAJ I SHENJTË, POR I BEGATË

RAMAZANI NUK ËSHTË MUAJ I SHENJTË, POR I BEGATË

by Kukes Post
0 comments

Është kthyer në normë të dëgjojmë njerëzit, politikanët, e majde edhe nga vetë muslimanët të thonë, “gëzuar muajin e shenjtë të Ramazanit,” “muaji i shenjtë i Ramazanit…” “në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit…” etj.

Pavarësisht nëse kjo është përhapur nga padituria, nga dëshira e mirë, apo edhe nga qëllimi ndoshta politik për të ndryshuar konceptin e muajit të shenjtë në fenë islame, është e rëndësishme të sqarohet nga këndvështrimi fetar se çfarë është shenjtëria e një muaji dhe se cilët janë muajt e shenjtë në fenë islame.

Para ardhjes së fesë islame, në atë që njihet si Periudha e Injorancës së Hershme, arabët mbanin katër muaj si të shenjtë, të trashëguar nga feja e Ibrahimit (paqja qoftë mbi të). Në këto muaj, ata as nuk bënin luftë dhe as nuk merrnin gjak aq sa ndonjëri prej tyre mund të takonte vrasësin e babait të tij dhe nuk e vriste për shkak të shenjtërisë së këtyre muajëve, siç e kanë përmenduar dijetarët e tefsirit të Kuranit. Qëllimi ishte shumë i qartë: që të ekzistonte një periudhë gjatë vitit kur njerëzit të mos luftonin, që të kishin mundësi të lëviznin të lirë, të bënin tregti apo punonin, dhe po ashtu për të bërë pelegrinazh në Mekke.

Katër muajtë e shenjtë janë: Rexheb (muaji i shtatë), Dhul K’adeh (muaji i njëmbëdhjetë), Dhul Hixhe (muaji i dymbëdhjetë, që është edhe muaji i haxhit), dhe Muharrem (muaji i parë). Në parim, arabët i respektonin këto muaj, nuk luftonin, dhe evitonin hakmarrjet. Megjithatë, shpesh për t’i justifikuar luftërat e tyre edhe në muaj të shenjtë, shpikën konceptin e ‘en-Nesi,’ që do të thotë, shtyrje, pra i shtynin muajtë e shenjët sipas interesit, por kjo ishte përjashtim, jo rregull.

Me ardhjen e Profetit Muhammed (paqja e Allahut qoftë mbi të), Kurani e kodifikoi konceptin e katër muajëve të shenjtë, që në vetvete kishte origjinë të saktë hyjnore, nuk ishte një zakon arab. Thotë Allahu në Suren et-Teubeh,

إِنَّ عِدَّةَ الشُّهُورِ عِندَ اللَّهِ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا فِي كِتَابِ اللَّهِ يَوْمَ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ۚ ذَٰلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ ۚ فَلَا تَظْلِمُوا فِيهِنَّ أَنفُسَكُمْ ۚ وَقَاتِلُوا الْمُشْرِكِينَ كَافَّةً كَمَا يُقَاتِلُونَكُمْ كَافَّةً ۚ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ مَعَ الْمُتَّقِينَ

“Me të vërtetë, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, të caktuar në Librin e Allahut që ditën e krijimit të qiejve e të tokës, e katër prej tyre janë të shenjtë; kjë është feja e drejtë; mos iu bëni padrejtësi veteve tuaja në këto muaj. Luftoni kundër idhujtarëve në grup ashtu sikurse iu luftojnë ata juve në grup, por dijeni se Allahu është me të dëvotshmit.”

Kurani tregon se viti ka dymbëdhjetë muaj, dhe se ky është një koncept i herdhëm. Pra, vitin me dymbëdhjetë muaj nuk e kanë shpikur romakët apo civilizimet njerëzore, por diçka e caktuar nga vetë Zoti edhe pse njerëzit mund të kenë zgjedhur për t’i emëruar muajt e vitit me emra të ndryshëm.

Po ashtu, Kurani sqaron se katër muaj janë të shenjtë dhe se shenjtëria e këtyre muajve do të thotë që njeriu të mos bëjë padrejtësi, dhe më kryesorja, të mos bëjë luftë.

Për ta mbyllur, koncepti i muajit të shenjtë është koncept kuranor dhe diçka që Allahu e ka caktuar që ditën kur ka krijuar qiejt e tokën. Arabët në Periudhën e Injorancës e kanë praktikuar këtë traditë me origjinë hyjnore, por që nuk ishin të përpiktë.

Shenjtëri do të thotë që njeriu të mos bëjë padrejtësi në këto muaj sepse padrejtësia në muajin e shenjtë është më e rëndë se në muajt e tjerë, dhe më kryesorja është se lufta është e ndaluar gjatë muajëve të shenjtë.

Muaji i Ramazanit, që është muaji i nëntë i kalendarit islam, nuk është i shenjtë. Lufta në të lejohet. Sigurisht që ky muaj është muaji i agjërimit, muaji i Kuranit, muaji i begative të mëdha, në të është një natë më e mirë se një mijë muaj – nata e kadrit, por nuk është muaj i shenjtë sepse shenjtëria është koncept fetar që ka të bëjë me ndalesën parësisht të luftës në atë kohë, jo thjeshtë me bereqetin apo famën e një muaji.

Kështu që është gabim të thuhet për muajin e Ramazanit si muaj i shenjtë duke marrë në konsideratë se shenjtëria nuk është një atribut që ne zgjedhim për ta përshkuar një muaj, por është koncept fetar, që parësisht ka të bëjë me luftën.

Nuk ka rëndësi nëse politikanët, njerëzit në përgjithësi, apo edhe vetë muslimanët e përdorin togëfjalëshin ‘Muaji i shenjtë i Ramazanit’ nga padituria apo jo, e vërteta është se muaji i Ramazanit nuk është i shenjtë.

Sabri Lushi

Mars 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post