LOGIN
Home » AGJËRIMI I RAMAZANIT, DEVOTSHMËRIA, DHE NJOHJA E ALLAHUT

AGJËRIMI I RAMAZANIT, DEVOTSHMËRIA, DHE NJOHJA E ALLAHUT

by Kukes Post
0 comment

Po dëgjoja një musliman se si po kritikonte një prej dijetarëve më të mëdhenj të hadithit, ndoshta ndër më të njohurit në historinë e fesë islame, i cili ka jetuar në shekullin e shtatë hixhri, që korrispondon me shekullin e trembëdhjetë të kalendarit gregorian, librat dhe puna e së cilit i kanë shërbyer kaq shumë traditës së Profetit Muhammed (ﷺ), dhe ky person mes të tjerash po thoshte për këtë dijetar të madh, “si mund t’i thuhet këtij imam kur ka gabuar në interpretimin e disa prej emrave dhe cilësive të Allahut. Ky njeri nuk njeh Zotin e tij, e si mund t’i thuhet atij imam?!”

Njohja e Zotit, pikërisht kjo është tema që doja të ndalesha pak. Sqarimet teologjike për këtë imam të madh i kemi dëgjuar edhe më përpara, dhe dijetarët me aq mjaftohen, me sqarime teologjike, pa u munduar aspak që t’ia ulin vlerën këtij dijetari të shkencës së hadithit.

Nga ana tjetër, kritikuesi në fjalë, i ri në moshë, i ulur në një karrige përpara një kompjuteri në apartamentin e tij në Gjermani, që prapa vete kishte vënë në sfond një raft librash, që madje kishte bërë edhe një libër të tërë kritik kundër tij, kishte arritur deri në konkluzionin se ai nuk e ka njohur Zotin e tij.

Pra sipas këtij djaloshi, ky imam i madh i cili ia ka dedikuar të gjithë jetën e tij mësimit të Kuranit përmendësh, leximit të tij ditë e natë, mësimit të haditheve të Profetit Muhammed (ﷺ), shpjegimit dhe përmbledhjes së tyre, që ka sakrifikuar kaq shumë për fenë, nuk e ka njohur Zotin e tij, ndërsa djaloshi duke pirë çaj në një apartament mendon se e njeh më shumë Zotin – dua të theksoj qasjen ndaj njohjes së Allahut më shumë se sa të kritikojë këtë djalosh. Nuk është ky qëllimi.

NJOHJA E ALLAHUT

Ashtu siç Allahu, Krijuesi, Mbreti, dhe Kontrolluesi i çdo gjëje, është plotësisht i ndryshëm nga krijesat e Tij, edhe njohja e Tij nuk realizohet njëlloj siç njihen krijesat.

Njohja e Zotit është dituri, por ajo nuk është thjesht informacion librash. Ajo është veprim, por veprimi gjithashtu duhet të jetë i kombinuar me dituri. Njohja është akt, veprim, devotshmëri, mundim, sinqeritet, eksperiencë, lexim, përmendje e Zotit, deklaratë publike e besimit, ndihmë që mund t’i ofrohet një të varfëri apo nevojtari, sakrificë, mëshirë, qëndrueshmëri, moral, largimi i një pengese nga rruga, mbajtja e fjalës së dhënë, falenderim e mirënjohje, ndarje e pasurisë me të tjerët, të mos mashtrosh të tjerët, të mos i presësh njerëzit në besë, fjala e mirë, respekti, modestia, mos refuzimi i të vërtetës kur ajo të sqarohet, dhe pranim i të padukshmes.

Njohja e Allahut është e ndryshme nga njohja e krijesave. Njohja e Tij nuk është si njohja e një formule matematike apo rezultat i një debati shterpë akademik apo argumentim i thatë teorik.

Allahu nuk është si një trup qiellor që mund të njihet me anë të inspektimit, proces i cili është krej i pavarur nga vullneti i vetë trupit qiellor.

Njohja e Allahut mbi të gjitha është dhuratë që vetë Ai ia jep robit të Tij. Njohja e Zotit është trokitje në derën e Tij, dhe Ai njihet aq sa Ai Vetë iu zbulohet krijesave të Tij, që është krejt e ndryshme nga njohja e krijesave, vullneti i së cilave nuk ka lidhje me procesin e njohjes.

Allahu ka dërguar të dërguarë dhe ka zbritur libra që robërit e Tij ta njohin atë, por edhe kjo përfshin vullnetin e Tij. Ka pasur plot njerëz që kanë jetuar bashkë me profetët, kanë dëshmuar mrekullira, kanë dëgjuar Kuranin nga vetë goja e Profetit Muhammed (paqja e Allahut qoftë mbi të), madje ka pasur edhe nga ata që kanë pasur dituri të librave të mëparshëm, siç është Teurati, dhe e prisnin ardhjen e tij (ﷺ), por prap ata nuk e kanë besuar Zotin sepse kush nuk i beson Profetit Muhammed (ﷺ), nuk i ka besuar e nuk e ka njohur Allahun. Të tillët nuk e kanë njohur Zotit sepse Ai nuk ua ka dhuruar një gjë të tillë për shkak të ligësisë në zemrat e tyre.

Kjo tregon qartë se njohja e Zotit nuk është thjesht pranimi i një të vërtete matematike. Po të marrësh shkencëtarin më të madh të botës e t’i flasësh për shkencë, për argumente logjike, për matematikë, për fizikë, për evidencë kozmike, dhe po të komunikosh më të me gjuhën më elekuente e më shkencore, prap ai njeri mund të mos e pranoj Zotin, dhe shembuj të tillë ka plotë.

Allahu i Madhëruar njihet nëse robi bën pjesën e tij, dhe nëse Ai pastaj e lejon robin që ta njoh Atë. Besimi në Të apo njohja e Tij është në fund të fundit dhuratë nga vetë Ai, ndërsa njohja e një fakti matematik apo trupi qiellor nuk ka të bëjë me vullnetin e vetë faktit apo trupit qiellor, prandaj qasja shkencore nuk është e majftueshme aspak për njohjen e Krijuesit. Me fjalë të tjera, nëse një shkencëtar refuzon të besoj në Zot, dhe përdor kreditin e tij shkencor për të hutuar masat – se refuzimi i tij i besimit ka peshë shkencore, ky është gabim rrënjësor në lidhje me njohjen e Zotit.

AGJËRIMI DHE NJOHJA E ZOTIT

Nëse pajtohemi me të vërtetën se njohja e Zotit nuk është si njohja e krijesave, dhe se në fund të fundit njohja e Allahut është dhuratë që Ai ia jep robit, atëherë lind pyetje e drejtë se si mund ta njohim Zotin, si të trokasim në derën e Tij me shpresë që ta njohim Atë.

Allahu i Mëshirshëm nuk i ka braktisur njerëzit. Ai nuk ka nevojë që ne ta njohim atë, por Ai e do një gjë të tillë nga mëshira e Tij për ne. Ai është pranë nesh nëse ne duam ta njohim Atë, dhe kjo nuk kërkon shkencë.

Në kontekstin kuranor ku Allahu flet në Kur’an rreth agjërimit në përgjithësi, muajit të Ramazanit, obligueshmërisë dhe dispozitave të tij, Allahu thotë,

“Kur robërit e Mi të pyesin për mua, ‘Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit. Le të më përgjigjen Mua (me bindje) dhe le të më besojnë Mua që ata të drejtohen në rrugën e duhur.” (El-Bekare, 186)

Allahu është afër. Ai nuk e refuzon robin nëse ai i lutet Atij, nëse robi kërkon ta njoh Atë, t’i kërkojë ndihmë Atij, porse njeriu duhet të bëjë pjesën e tij. Duhet të pyes për Zotin, duhet t’i drejtohet atij, t’i lutet, të nënshtrohet, ta pranojë se Ai është krijuesi, kontrolluesi dhe mbreti i vërtetë.

Agjërimi i muajit të Ramazanit është një gjë e madhe. Është akt. Është vepër. Nuk është fjalë. Të distancohesh nga ushqimi për orë të tëra si bindje ndaj Zotit është fakt i prekshëm se robi kërkon ta njoh Zotin, i Cili, nga ana tjetër, e shpërblen pa masë një akt të tillë.

Përmes agjërimit, njeriu njeh Zotin dhe njeh veten. Duke qëndruar pa ushqim, robi e përjeton dobësinë e tij dhe ia largon nga zemra iluzionet e arrogancës së tij. Pikërisht, agjërimi largon iluzionet, dhe e forcon individin tek e vërteta.

Agjërimi është një mundësi e artë për ta njohur fenë islame, për t’u afruar tek Zoti, për ta pastruar zemrën, për ta ndriçuar shpirtin, për të lexuar më shumë Kuran, për t’u bërë më i devotshëm, për ta përmirësuar veten, e në fund të fundit për t’u bërë një njeri më i mirë – më i mirë për vetën e për të tjerët, dhe shpërblimi i Zotit është pamasë.

Në realitet, agjërimi nuk është vetëm sakrificë, por dhurata që Allahu na e ka dhuruar, kështu që është një mundësi e artë që njeriu t’i afrohet Zotit.

Të gjithë ata që nuk kanë agjëruar deri më sot, është mementi për ta provuar, e Zoti nuk e humbet shpërblimit tonë. Ai është më Bujari.

Sabri Lushi

Mars 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post