Home » REFLEKTIM KURANOR: ZOTAT E RREMË DHE DENONCIMI I TYRE NGA ALLAHU

REFLEKTIM KURANOR: ZOTAT E RREMË DHE DENONCIMI I TYRE NGA ALLAHU

by Kukes Post
0 comments

Me prioritetin më të lartë dhe me mënyrën më kuptimplotë, Kur’ani i ka trajtuar gjërësisht zotat e rremë, arsyet që çojnë në adhurimin e tyre, dhe argumentet logjike të hedhjes poshtë të tyre, ashtu sikurse Libri i Vërtetë jep argumente bindëse për njeriun se pse Allahu është Zoti i Vërtetë, dhe, për më tepër, Kur’ani i tregon njeriut se cili është ky Zot i Vërtetë.

Në radhë të parë, Kur’ani ka treguar se Allahu është një dhe i vetëm, dhe se nuk mund të ketë dy apo më shumë zota, duke thënë në Kur’an, “Allahu nuk ka fëmijë, dhe nuk ka ndonjë zot tjetër me të sepse atëherë secili zot do të mbretëronte mbi krijesat e tij, dhe ata do të përpiqeshin të dominonin mbi njëri tjetrin. I pastër është Allahu nga ajo çfarë njerëzit i përshkruajnë atij.” el-Muminun, 91.

Po ashtu, Allahu e ka përshkruar Veten e Tij shumë qartë në ajetin më madhështor – ajetin kursij, “Allahu: nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij; Ai është i gjallë përherë, mbajtësi i krijesave; nuk e kaplon atë as përgjumi e as gjumi; atij i përket çfarë ka në qiej e çfarë ka në tokë; kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij? Ai e di çfarë ka ndodhur e çfarë do të ndodhë. Askush nuk mund të kuptojë diçka nga dituria e Tij përveç çfarë Ai do. Kursija e Tij ka kapluar qiejt e tokën, dhe mbajtja e tyre nuk e lodh Atë. Ai është më i Larti dhe më Madhështori.” El-Bekare, 255.

Pra, Kur’ani e ka sqaruar në mënyrë të prerë se zoti i vërtetë është vetëm Allahu – Krijuesi dhe Mbajtësi i të gjitha krijesave, dhe se nuk ka zot tjetër të vërtetë bashkë me të.

Mirëpo, Kur’rani ka folur gjatë për zotat e rremë, për format e tyre, për natyrën e këtyre zotave, për kategoritë e tyre, për arsyet që njerëzit i adhurojnë ata, dhe për rrezikun që vjen nga ky veprim i shëmtuar. Në fakt, ne të gjithë jemi dhe vetë dëshmitarë të këtij fenomeni famëkeq, pra të politeizmit apo të adhurimit të zotave të rremë.

Allahu thotë në Kur’an, “Kemi dërguar në çdo popull të dërguar duke thënë, ‘adhuroni Allahun dhe distancohuni nga zotat e rremë.” En-Nahl, 36.

Sipas Kur’anit dhe bazuar edhe në çfarë ne vetë dëshmojmë në tokë, një kategori kryesore e zotave të rremë është vetë njeriu. Ka pasur në të kaluarën dhe vazhdon të ketë edhe sot njerëz që pretendojnë se janë zota, që adhurohen përveç Allahut, apo që kanë pretenduar se nuk ka zot tjetër përveç tyre, dhe në përgjithësi, këta zota të rremë nga njerëzit ose janë pushtetarë ose njerëz të pasur.

Sa i përket pushtetit, ai është shumë i lidhur ngushtë me zotat e rremë, qoftë kur ata zota janë nga njerëzit e qoftë edhe kur bëhet fjalë për adhurimin e statujave. Pushteti gjithmonë ka qënë një arsye apo një shtysë e madhe për përhapjen e politeizmit, që ndoshta është përdorur edhe si mekanizëm për të mbajtur pushtetin.

Kur’ani rrëfen rastin e disa mbretërve që kanë pretenduar se janë zota, siç është rasti i Faraonit në kohën e Musës (alejhis-selam) i cili ka pretenduar se është zoti i vërtetë, dhe rasti i Nemrudit në kohën e Ibrahimit (alejhis-selam). Këto janë dy shembujt tipik të mbretërve që janë adhuruar përveç Allahut, dhe shkaku që i ka çuar deri në këtë arrogancë ka qënë pushteti.

Madje edhe në rastin kur njerëzit kanë adhuruar statuja, një faktor i rëndësishëm që i ka çuar njerëzit deri në këtë shkallë verbërie ka qënë dhe mbetet pushteti. Paganizmi dhe pushteti janë shumë të lidhur njëri me tjetrin.

Aq sa pushteti është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për organizimin e shoqërisë njerëzore, aq është edhe faktor i përhapjes së politeizmit apo paganizmit në tokë. Pushtetit i nevojitet kontrolli i njerëzve, kontrolli i tyre ideologjik, mendor, psikologjik, financiar, shpirtëror, dhe fizik, dhe mënyra më e mirë është t’i bësh njerëzit që ta adhurojnë pushtetin apo njeriun që ka pushtetin, dhe fatkeqësisht pushteti ka forcën, paranë, ka në dorë zgjidhjen e problemeve, vendet e punës, taksat, mediat, propagandën, ligjet, gjykatat, dhe burgjet që i bën njerëzit që të turren mbas zotave të tillë të rremë.

Disa prej emrave të Allahut janë: mbret, i lavdishëm, ligj-dhënës, zotërues, dhe ngadhënjyes, por shpesh pushteti ka degraduar aq sa ka kërkuar ta sfidojë Allahun në këto atribute, apo të shfaq zili, urrejtje, apo mos nënshtrim ndaj pushtetit të Allahut. Këtë sëmundje të pushtetit, Allahu e ka rrëfyer në Suren el-Buruxh kur tregon për dënimit e ashpër që i bëhet një populli besimtar nga mbreti i tyre duke i hedhur në hendeqe të mbushura me zjarr, “Dhe nuk i urrenin ata (besimtarët) për asgjë tjetër perveç se besuan Allahun, ngadhënjyesin, të lavdishmin.” El-Buruxh, 8. Allahu ka përmendur këtu dy emra që kanë të bëjnë me pushtetin: el-Aziz (ngadhënjyesi), el-Hamid (i lavdëruari).

Pushtetarët janë të sprovuar me pushtet, duke menduar se ata janë më të fortët, që meritojnë të lavdrohen e të lartësohen nga njerëzit. Froni i pushtetit shpesh i ka çuar njerëzit deri në lajthitjen ekstreme: të mendojnë se janë zota, se kanë pushtet të vërtetë, se janë mbi njerëzit, dhe jeta e vdekja të tjerëve varet nga këta zota të rremë.

Allahu i ka refuzuar këta lloj zotash duke thënë përmes gojës së Ibrahimit (alejhis-selam) në përballjen e tij me Nemrudin, “Vërtetë Allahu e sjell djellin nga lindja, sille atë atëherë nga perëndimi! Kështu u hutua ai i cili mohoi. Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë” El-Bekare, 258.

Gjithashtu Allahu thotë, “Dhe mos ec në tokë me arrogancë. Ti nuk mund ta çash tokën dhe as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve.” El-Israa, 37, ashtu sikur thotë, “Faraoni u bë arrogant në tokë, duke i përçarë njerëzit në grupe e duke e diskriminuar një grup prej tyre, duke i vrarë fëmijët e tyre e duke i lënë gjallë gratë e tyre. Vërtetë ai ishte nga shkatërruesit.” El-Kasas, 4.

Përveç njerëzve, zotat e rremë kanë qënë gjatë gjithë historisë njerëzore dhe vazhdojnë të jenë nga më të ndryshmit: statuja, vende, dielli, hëna, kafshë, toka, engjëjt, paraja, epshet, e deri tek organet gjenitale.

Qoftë kur zotat janë nga kategoria e njerëzve, apo nga kategori të tjera krijesash, Allahu ka dhënë disa kritere në Kur’an për t’i hedhur poshtë.

Çdo gjë që vdes, që ha ushqim, që nuk flet, që nuk përgjigjet, që zhduket, që ka nevojë, që harron, që fle gjumë, që nuk ka pushtet real e absolut, që nuk krijon, që nuk e di të fshehtën, që nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen, dituria e së cilit është e limituar, ky njeri apo kjo gjë nuk mund të jetë zot, e për rrjedhim nuk duhet të adhurohet.

“O ju njerëz, adhurojeni Zotin tuaj i Cili iu ka krijuar juve dhe ata të cilët ishin përpara jush, ashtu që të bëheni të ndërgjegjshëm ndaj Tij, i Cili e ka bërë tokën për ju shtrat dhe qiellin çati, që zbret shiun dhe nxjerr me anë të tij frytet si ushqim për ju, e atëherë mos i shoqëroni Allahut ortakë ndërkohë që ju e dini këtë.” El-Bekare, 21-22.

Njeriu është krijuar që ta adhurojë Zotin e tij, dhe natyrshmëria e tij e dëshmon këtë më së miri sepse ai gjithmonë është i prirur për ta adhuruar dikë, për ta marrë dikë si zot, për t’u mbështetur diku, për ta mbushur një boshllëk shpirtëror që ndodhet tek ai, e pranuam apo nuk e pranuam ne këtë fakt.

Megjithatë, fatkeqësisht shumica e njerëzve nuk adhorujnë Allahun – Zotin e Vërtetë, Ai i cili i ka krijuar ata, por përfundojnë duke adhuruar krijesat e Tij, qoftë njerëz e qoftë krijesa të tjera, si kafshë, sende, planete, apo edhe epshet e tij. Ashtu siç e ka vënë në dukje Kur’ani, një promotor i madh i përhapjes së politeizmit apo adhurimit të zotave të tjerë përveç Allahut është pushteti, qoftë duke i detyruar njerëzit që të adhurojnë një mbret apo lider politik, apo qoftë edhe duke promovuar adhurimin e statujave apo të zotave të tjerë si mjet për të mbajtur pushtetin.

Allahu e ka ndaluar adhurimin e çdo zoti të kotë, dhe një mëkat të tillë nuk e fal kurrë nëse njeriu nuk pendohet, duke hequr dorë nga ky akt injorant e i shëmtuar.

Politeizmi apo adhurimi i çdo zoti përveç Allahut, qoftë edhe adhurimi i pushtetit apo njerëzve të pushtetit, e bën të pamundur që njeriu të njoh Allahun. Politezimi dhe njohja e Zotit nuk mund të bashkohen kurrë tek i njejti person: janë përjashtuese të njëra tjetrës.

Allahu e ka nderuar birin e Ademit, dhe njeriu nuk duhet ta nënçmojë veten e tij duke iu nënshtruar zotave të tjerë përveç Zotit të Vërtetë, qoftë kur këta zota të parvërtetë janë mbretër, pushtetarë, të pasur, elitë politike, e qoftë kur ata janë sende, kafshë, planete, apo njerëz nga njerëzit e krijuar nga Allahu.

Sabri Lushi

Mars, 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post