Ndër ajetet kur’anore që më bëri të refloktojë këto ditë është një ajet në fundin e sures el-Mu’minun. Pasi Allahu tregon se çfarë do të ndodhë në Ditën e Gjykimit me një prizëm të veçantë, se atë ditë nuk do të ketë lidhje mes njerëzve – marrëdhëniet shoqërore e fisnore nuk do të bëjnë dobi atë ditë, dhe se do të jenë vetëm veprat e tyre ato që do ta përcaktojnë destinacionin përfundimtar – parajsë ose zjarr, Ai më pas paraqet një imazh trishtues të mosbesimtarëve, se si fytyrat e buzët e tyre do të digjen e ata do të ngelen me një pamje shumë të shëmtuar e denigruese.
Pasi mosbesimtarët e kuptojnë të vërtetën, se përfundimi i tyre është zjarri, ata, nga dëshpërimi i madh, i kërkojnë Allahut t’iu japë edhe një mundësi që të kthen prap në këtë botë e ta rikuperojnë atë që e kanë humbur.
Allahu e refuzon kërkesën e tyre, dhe iu përgjigjet duke thënë,
“Heshtni aty e mos më folni. Ka qënë një grup nga robërit e Mi (nga mesi juaj) të cilët luteshin, ‘o Zot, ne kemi besuar! Na fal e na mëshiro neve! Ti je më mëshiruesi i mëshiruesëve.’ Ju talleshit me ta, dhe kjo iu bëri që ta harroni përkujtimin Tim; për më tepër, ju i përqeshnit ata.” El-Mu’minun, 109-110.
Ky është pikërisht ajeti që më ka bërë përshtypje. Allahu tregon se arsyeja e cila i bëri njerëzit ta humbasin shancin e madh në këtë botë, që të mos përfitojnë nga e vërteta, nga mësimet e besimtarëve, që të mos mendojnë, e që të mos ngrenë pyejtje rreth të vërtetës së kësaj bote ishte pikërisht tallja dhe përqeshja.
Tallja dhe përqeshja janë pengesa për të kuptuar të vërtetën, për ta përdorur trurin siç duhet, e për të arritur në gradën e seriozitetit të nevojshëm.
Fakti që këta njerëz kërkojnë të kthehen prap në tokë për të punuar punë të mira, për ta kapitalizuar kohën, e për të besuar, kjo tregon se ata janë në një gjendje të madhe dëshpërimi e zemërthyerje, se sa budallenj janë treguar në këtë botë.
Edhe pse e vërteta është në mesin e tyre, edhe pse besimtarët e ekspozojnë besimin e tyre, dhe madje i ftojnë njerëzit që të besojnë në Zot, tallja që mosbesimtarët bëjnë është faktori primar që i kthen ata në budallenj e xhahilë. Ata nuk e refuzojnë të vërtetën se janë të bindur mbi argumente, por sepse janë në një gjendje ku truri nuk iu punon. Një njeri që tallet e angazhohet me përqeshjen e të tjerëve e humbet aftësinë për të vlerësuar realitetin siç duhet, e humbet kapacitetin mendor për t’i peshuar gjërat, për t’i parë argumentet, për ta analizuar rëndësinë e kohës apo qoftë edhe të jetës.
Po ashtu, mbas sures el-‘Asr (Koha), në të cilën Allahu thekson rëndësinë e kohës dhe se si ajo mund të kapitalizohet – duke besuar, duke bërë vepra të mira, duke këshilluar njëri tjetrin për të vërtetën, e duke duruar, menjëherë vjen surja el-Humezeh.
El-Humezeh i referohet një personi që tallet e përqesh të tjerët me fjalë, ndërsa el-Lumezeh është personi që tall e përqesh të tjerët me gjeste e veprime. Allahu thotë, “Mjerë për atë që përqesh e tall të tjerët.”
Me fjalë të tjera, pasi Allahu jep mënyrën e vetme për ta kapitalizuar kohën, Ai tregon edhe arsyet që e bëjnë njeriun ta humbasë atë: duke u tallur e duke përqeshur të tjerët.
Siç duket, tallja, përqeshja, humori, komedia, e qeshura e tepërt janë shkaqe psikologjike që ia ulin vëmendjen njeriut, që e bëjnë trurin të mos punojë në formën optimale, ia ulin njeriut kapacitetin mendues, gjykues, dhe vlerësues të situatës apo të realitetit.
Fatkeqësisht, sot jemi të zhytur në një kulturë humori, qeshje, përqeshje, tallje, komedie e sarkazme aq sa nuk kuptohet se ku mbaron njëra e ku fillon serioziteti. Kjo është arsyeja se pse njerëzit janë kaq të shkujdesur, kaq të çorientuar, kaq naivë e të shfrytëzueshëm, kaq leshko, kaq lehtë të kontrollueshëm e të komandueshëm, kaq injorantë e xhahilë sa bëjnë veprime fëmijësh – në fakt fëmijët shpesh duken më seriozë e më racionalë se të rriturit.
Fundjavat dhe mbrëmjet tona kalohen duke parë humor, tallje, përqeshje, qeshje, e ofendime, qoftë në shfaqjet e komedisë e qoftë edhe në komedinë e politikës – që është e mbushur me tallje, sharje, fyerje, e përqeshje, që iu jepet si model shoqërisë.
Videot banale, komedia, gjuha denigruese etj. bëhen virale – duke u promovuar edhe nga vetë algoritmi si mekanizëm politik për kontrollin e shoqërisë e për t’i mbajtuar njerëzit të angazhuar me kotësinë.
Një shoqëri e ngërthyer nga humori, komedia, tallja, përqeshja, gjuha banale e vulgare, e nga një kulturë sarkazme, ajo shoqëri është lehtësisht e kontrolluar. Ajo shoqëri nuk ka perspektivë për të ndryshuar për mirë, dhe eventualisht përfundon në një gjendje të dëshpëruar, qoftë në këtë botë, e qoftë në Ditën e Gjykimit.
Koha është kapitali më i madh që Zoti i ka dhuruar njeriut, dhe vetëm një mendje e shëndoshë, racionale, që punon në formën më optimale, e pastër, e kthjellët dhe e pa kontaminuar nga kultura banale e talljes dhe humorit, e pa helmuar nga mbeturina kulturore pagane, dhe e pa mpirë nga alkooli është në gjendje ta kapitalizojë kohën.
Sabri Lushi
Mars, 2024