Në mënyrë krejt të rrallë, Kur’ani shpalos në faqen e dytë të tij, në fillim të sures el-Bekareh, pretendimin se ‘ai është libri në të cilin nuk ka dyshim në të’. Përveç se autoritative në natyrë, kjo deklaratë është edhe sfiduese për ne të gjithë, ashtu sikurse mbart mbi vete të vërteta të mëdha të shoqërisë njerëzore, përfshirë edhe anët e saj të errëta.
Edhe pse besimtari e merr të mirëqënë këtë ajet sepse është thënë nga Zoti, ky konstatim nuk është i lehtë për ta kuptuar. Në fakt, për të arritur një kuptim real të këtij konstatimi, duhet të jetosh një jetë të gjatë, ndoshta dhjetëmijë vjeçarë, që të kesh mundësinë të përjetosh shumë fenomene të shoqërisë njerëzore e të njohësh shumë të vërteta të saj, diçka që një jetë gjashtëdhjë apo shtatëdhjetë vjeçare nuk të bën të mundur.
Pjesa më e madhe e jona, jeta e sëcilëve është e thjeshtë, e përqëndruar në gjërat bazike apo në përmbushjen e nevojave që kanë të bëjnë me mbijetesën, që jetojnë si një pjesë e vogël e një makinerie të madhe – që quhet shoqëri apo civilizim, as që mund t’i çojë ndërmend shumë pyetje sepse jeta është shumë e shkurtër dhe përtej horizontit të tij, sidomos për gjëra që kanë të bëjnë me dijen apo historinë e civilizimit njerëzor.
QË TË KUPTOSH SE Ç’DO TË THOTË, “LIBRI MË I SAKTË:”
Më parë duhet të kuptosh se ç’është dija dhe se si ajo transmetohet nga brezi në brez, se si ajo shpërndahet nëpër shkolla apo institucionet e dijes, se cilat janë vështirësitë që shoqëria ndesh në përhapjen e dijes, se cilat janë mundësitë e njerëzve për ta mësuar atë, se cilat janë kriteret e rekrutimit të studentëve të dijes – të dijes në përgjithësi, dhe se cilat janë interesat politike në lidhje me të.
Duhet të kuptosh se çfarë roli ka dituria në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, çfarë funksioni ka ajo tek njerëzit, dhe se sa e mirëpritur është ajo nga elita politike.
Duhet të kuptosh burimet natyrore, kufizimin e tyre, konkurencën e njerëzve për zaptimin e tyre, dhe mënyrën se si shoqëria njerëzore është organizuar politikisht.
Duhet të kuptosh se çfarë qasje ka politika dhe elita drejtuese ndaj diturisë, shkencës, botimit të librave, dhe shpërndarjes së tyre.
Duhet të kuptosh se cili është procesi apo vështirësitë e ruajtjes së një libri dhe cilat janë sfidat e mosndryshimit të tij, përfshirë edhe rolin e politikës apo shtetit në lidhje me kontrollin apo lejimin e tij të qarkullojë tek njerëzit.
Duhet të kuptosh se çfarë do të thotë pushtet, si mbahet ai, çfarë sfidash has në shoqëri, dhe se çfarë tundimesh ka pushteti – duke përfshirë edhe kontrollin e librave.
Duhet të kuptosh konceptin “ligj,” sidomos ai libër që përmban në të një ligj hyjnor që aplikohet në mënyrë vullnetare – pa nevojën e një pushteti qëndror. Duhet të kuptosh se çfarë efekti ka një ligj hyjnor në shoqëri dhe se çfarë tundimi apo nevoje ka politika për ta ndryshuar atë ligj apo për ta asgjësuar fare. Të mos harrojmë se ndryshimi i një fjalie apo një fjale të një ligji mund të ketë pasoja të mëdha në shoqëri, siç është qasja ndaj interesit bankar apo kamatës, për shembull.
Duhet të kuptosh se ç’është pushtimi, çfarë qasje ka ai ndaj librave dhe diturisë në përgjithësi, nëse ka interes t’i kontrollojë ata apo jo, nëse ka interes t’i kofiskojë apo ndryshojë ata apo jo.
Më parë duhet të kuptosh se çfarë qasje ka pushteti dhe pushtimi ndaj dijetarëve e shkencëtarëve, nëse i lë ata të lirë të bëjnë punën e tyre apo ka tendencën për t’i kontrolluar ata.
Duhet të kuptosh faktin se ç’do të thotë të shkruash një libër, cilat janë konceptet mbi të cilat bazohesh për ta shkruajtur atë, nëse ato koncepte janë të sakta apo të marrë si të mirëqëna në shoqëri, dhe se cilat janë kufizimet ideologjike, shkencore, konceptuale, akademike, e logjike për prodhimin e një vepre.
Për t’i kuptuar të gjitha këto në mënyrë të kënaqshme apo mjaftueshme, ndoshta do të duhej një jetë dhejtëmijë vjeçare që të dëshmoje e përjetoje çdo gjë që ka të bëjë me shkrimin e një libri, transmetimin e tij nëpër breza, vështirësitë apo sfidat që has ai nga dekompozimi i tij fizik, nga kontrolli dhe zhdukja e tij nga kundërshtarët apo nga politika, nga tendenca për ta ndryshuar atë apo për ta zëvendësuar me kopje të fabrikuara, nga problemet që has gjuha me të cilën është shkruajtur ai libër, nëse gjuha ndryshon, humbet kuptimin, vdes, apo fjalëve iu jepen kuptime të reja.
Në këtë aspekt, problemi më i madh i librave fetarë ka qënë ruajta dhe mos ndryshimi i tyre. Për shembull, Teurati – libri që i është zbritur Musës (alejhis-selam) disa herë është humbur, dhe Allahu ka dërguar profetë të tjerë me qëllim që të rikuperohej ai.
Sa i përket Ungjillit, nga ana tjetër, që i është zbritur Isës (alejhis-selam), është ruajtur në gjuhën greke, jo në gjuhën origjinale që ai ka folur – gjuhën aramaike. Pra, që në fillimet e tij, Ungjilli ka pësuar ndryshim apo të mediumit të ruajtjes së tij, duke zëvendësuar gjuhën origjinale me atë greke.
Kur kjo është gjendja e librave të tillë si Teurati e Ungjilli, të cilat kanë pasur pasues që kanë qënë gati të flijoheshin për të, që janë dërguar profetë për t’i ringjallur ato tek njerëzit, mirëpo prap se prap janë ndryshuar, qoftë në aspektin e tekstit e qoftë edhe në aspektin e interpretimin të tyre, e si është halli i librave të tjerë të historisë atëherë?
Kur Bagdadi – qendra e civilizimit islam dhe kryeqyteti botëror i shkencës i asaj kohe, u pushtua nga mongolët e Xhengis Khan në shekullin e trembëdhjetë, një numër kaq i madh librash u hodhën në lum sa uji i tij ngjante me një lum boje i derdhur në një luginë – që lë për të treguar se sa shumë libra u shfarosën nga këta njerëz. Historia e pushtimit të Bagdadit është histori tipike e zhdukes së librave.
Të njejtin fat ka pësuar edhe Andalusia kur u pushtua nga evropianët katolikë në mesjetë, por, ndryshe nga mongolët, miliona librat e muslimanëve u vodhën në vend të që të hidheshin në lum.
Për ta përmbledhur, librat nuk janë lehtë të trasmetohen nga një brez në tjetrin për shumë arsye, për arsye logjistike, politike, ekonomike, linguistike, dryshime shoqërore, dhe dinamikat historike që pëson bota, duke përfshirë pushtimet e luftërat.
Çdo libër që ekziston sot, sidomos ata historikë, por edhe ata shkencorë, ne nuk jemi të sigurtë nëse janë autentikë apo jo, nëse nuk janë ndryshuar, nëse vërtetë janë shkruar nga autorët e pretenduar, nëse politika ka interesa për t’i lejuar të qarkullojnë, e nëse kopje të fabrikuara të tyre qarkullojnë mes njerëzve. Bota është e mbushur me interesa, konkurencë, luftë për ideologji e për burime natyrore, kështu që dituria apo bota e librave nuk janë të përjashtuara nga kjo luftë, për të mos thënë se lufta më e madhe fillon e mban me librat dhe kontrollin apo censurën e diturisë.
Në rastin më të mirë, edhe po të na vinte një libër përpara duarëve tona ashtu autentik dhe i pandryshuar, prap ky libër nuk do të përjashtohej nga kufizimet e natyrës njerëzore: diapazoni ideologjik e shkencor i autorit, kufizimi i tij akademik, e dobësi të tjera njerëzore.
Sa i përket botës moderne, dituria është bërë edhe më sfiduese marrë në konsideratë kontrollin e madh që ka shteti, makinën e propagandës, industrinë e fabrikimit të librave dhe përhapjes së informacionit të pavërtetë, kontrollin e shkollave, të kurrikulave, të universiteteve e të akademive shkencore, e njëkohësisht luftën e drejtëpërdrejtë të pushtetit ndaj fjalës së lirë dhe lirisë intelektuale, qoftë edhe në vendet që pretendojnë se janë demokratike në aparencë. Sot jetojmë nën një pushtet drakonik, që ka shumë kontroll dhe kapacitet logjistik për kontroll, kështu që kocepti ‘i fjalës më të saktë’ apo ‘librit që nuk ka dyshim në të’ është më relevant se kurrë.
KUR’ANI
Kur’ani, apo më saktë dy burimet e fesë islame – Kur’ani dhe Hadithet, janë transmetuar në mënyrë unike deri në ditët tona, të pakrahasuara me historinë e asnjë libri tjetër e të asnjë feje tjetër.
Feja islame dallohet për zingjirët e trasmetimit, apo ajo që quhet në arabisht “asānīd.” Që nga koha e sahabëve – shokëve të Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të), Kur’ani dhe Hadithet janë transmetuar, mësuar, interpretuar, në mënyrë gojore, por edhe të shkruar – sidomos Kur’ani, nga brezi në brez. Dijetarët muslimanë kanë bërë një punë që me standardet njerëzore arrin shkallën e mrekullisë se si ata janë kujdesuar se kush e ka trasmetuar një hadith të caktuar, nga e kanë mësuar Kur’anin, se cilët ishin mësuesit, biografia e tyre, nëse ishin të besueshëm, të aftë sa i përket kapacitetit memorizues apo aftësisë për të kuptuar, e deri në detaje të habitshme.
Feja islame është feja e transmetimit autentik, ku transmetuesit dhe dijetarët njihen me emra dhe biografitë e tyre janë pjesë kritikës shkencore e lidhur drejtëpërdrejtë me apspektin e autentifikimit. Feja islame nuk është fe e “kam dëgjuar,” “më duket,” “ndoshta thuhet,” “po mos e vë në dyshim se njerëzit nuk gënjejnë,” e gjepura si këto.
Kur’ani që kemi sot në duart tona dhe librat e haditheve janë puna marramendëse, e palodhshme, e ecur sipas një metodologjie akademike mbresëlënëse e gjeneratave të muslimanëve që nga koha e Profetit Muhammed (ﷺ) e deri në ditët tona, e pa shembullt me historinë e asnjë libri tjetër.
Përveç transmetimit autentik apo që njihet me termin teknik në fenë islame ‘mutewātir,’ – grada më e lartë e transmetimit nga brezi në brez, Kur’ani është libri më i saktë e që nuk ka dyshim në të sepse ai është i zbritur nga Allahu – i Gjithëdituri.
Kur’ani nuk përmban këndvështrime njerëzore të kufizuar, që e shikojnë botën nga prizme të cënguara, e të bazuara mbi koncepte të marrë të mirëqena.
Kur’ani nuk është libër në të cilin politika ka futur duart në të, që është shkruajtur për interesa momentale, apo për t’i shërbyer elitës politike.
Çdo gjë që thotë Kur’ani është një qind përqind e saktë sepse është e thënë nga Zoti, i cili kaplon me diturinë e Tij çdo gjë: që nga bota mikro e deri tek ajo makro.
Kur’ani nuk është libër impresionesh, emocionesh, apo interesash, por faktesh e të vërtetash të sigurta. Çdo gjë që thotë ai, çdo fjalë, çdo sinonim i zgjedhur, çdo shkronjë, konteksti, emrat, dhënia apo mos thënia e detajeve, radhitja e ajeteve, ndryshimi i tematikës, ripërsëritja e gjërave, secila prej tyre ka një urtësi të plotë.
Çdo libër në botë mund të vihet në dyshim, mund të vihet në dyshim autenciteti i tij, autori, nëse është fabrikuar, nëse është ndryshuar, gjuha me të cilën është shkruar, nëse gjuha e ka humbur kuptimin krahasuar me kohën kur autori e ka shkruajtur atë edhe nëse nuk ka ndryshuar leksiku, aftësia e autorit, pretendimet e tij, ato çfarë thotë ai, koceptet mbi të cilat i ka bazuara idetë e tij, interesat e tij politike e ekonomike, objektiviteti e ndershmëria e tij, përveç Kur’ani.
Kur’ani është i vetmi libër të cilit mund t’i besosh plotësisht, pa vënë gjë në dyshim sepse nuk është libër njerëzor, e rrjedhimisht nuk pasqyron dobësitë e mangësitë njerëzore.
Nëse kërkon të dish të vërtetën rreth Zotit, njeriut, origjinës së njeriut, koncpetit të drejtësisë, dobësive të njeriut, çfarë e bën atë suksesshëm e çfarë e çon atë në humbje, rreth psikologjisë së njeriut, moralit, historisë së profetësve, të vërtetave të mëdha njerëzore, politikës, shtetit, natyrës së padrejtë të njeriut, luftës, armiqve, djallit, botës së dukshme e asaj të padukshme, se çfarë do të ndodhë mbas vdekjes, e shumë gjëra të tjera, libri më i saktë që t’i ofron këto është Kur’ani, dhe rrjedhimisht si pjesë së afirmimit të tij, edhe hadithet e Profetit Muhammed (ﷺ).
“Dhe të kemi zbritur ty librin që është sqarim për çdo gjë, udhëzim, mëshirë, dhe përgëzim për muslimanët.” En-Nahl, 89.
Po ashtu Allahu thohë,
“Ne e kemi shpallur Përkujtimin (Kur’anin), dhe ne jemi ruajtësit e tij.” El-Hixhr, 9.
Historia e memorizimit të Kur’anit, se si me miliona fëmijë nëpër botë, brez pas brezi, dhe vazhdojnë të garojnë mes vete se cili e memorizon më shpejt e më mirë, është një fakt që hedh dritë për të vërtetën e tij, se si Zoti ka çuar shkaqet për ruajtjne e tij, dhe se çfarë rëndësie ka tek njerëzit. Po të ishte në dorë të politikës apo të armiqve të fesë islame, ata do ta kishin ndaluar atë apo fabrikuar një Kur’an të ri, por nuk munden. Vetëm ky do të mjafton si fakt bindës për autencitetin hyjnor të tij.
Kur’ani thotë që “ai është librë që nuk ka dyshim në të.” Kjo në vetvete e bën njeriun me dije se ka libra që ka dyshim në to, një e vërtetë që ne të gjithë përballemi me të çdo ditë.
Sabri Lushi
Prill, 2024