Shpesh establishmenti fetar duhet parë si zgjatim i establishmentit politik dhe duhet trajtuar me të njejtën mënyrë, në mos edhe më ashpër, sepse është pikërisht establishmenti ideologjik që i paraprinë korrupsionit, padrejtësisë, shkatërrimit, dhe degradimit, që më pas politika e vazhdon, aq më tepër në një kohë kur shteti ka kontroll shumë të madh në përzgjedhjen dhe promovimin e establishmentit fetar e ideologjik.
Politikës dhe shtetit gjithmonë i intereson kontrolli i establismentit fetar. Kjo nuk është gjë e re. Kjo është një e vërtetë e çdo kohe dhe çdo regjimi. Problemi i kohës sonë është se shteti sillet sikur është i shkëputur nga feja, dhe kështu që establishmenti fetar bëhet edhe më i rrezikshëm sepse luan një rol që njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për të.
Gjithësesi, lusim Allahun e Madhëruar – Udhëzuesin dhe të Drejtin, që në përfundim të këtij muaji të begatë të nxerrë nga ne një brez, që nuk është si paraardhësit tanë, që përpiqet për drejtësi, që e refuzon padrejtësinë, që e refuzon zullumin e pushtetit, që ndriçohet me dritën e Kur’anit dhe e përhap atë në shoqëri, që promovon të drejtën e të vërtetën në shoqëri, një brez me djem a vajza të sinqertë – larg nga errësira e padrejtësisë dhe interesave, të cilët e kuptojnë rolin e tyre vendimtar në shoqëri, një brez që gjen balancën mes materiales dhe shpirtërores.
Me pranimin e kontributit të çdo kujt dhe falenderimit të tyre – të të gjithë atyre që ishin para nesh, që ishin pionerë në përhapjen e fesë e drejtësisë, gjithashtu duhen pranuar edhe problemet me qëllim që të rregullohen ato.
Në këtë aspekt, establishmenti fetar nuk duhet përjashtuar nga përgjegjësia e kritika, sidomos nga përgjegjësia politike, apo nga afirmimi që i bëjnë zullumit të pushtetit, direkt apo indirekt.
Kur’ani nuk është zbritur për t’ia fërkuar shpatullat pushtetit, interesit, e zullumit, por për të shërbyer si Udhëzim, Sqarim për Udhëzimin, dhe Standard, pikërisht përballë zullumit, padrejtësië, paganizmit, shtypjes, shfrytëzimit ekonomik, shpërndarjes së padrejtë të burimeve natyrore, mashtrimit e gënjeshtrës – që promovohet parësisht nga politika dhe pushteti, dhe përballë edhe ndryshkjes së establishmentit fetar.
Sabri Lushi