Home » ISLAMI: FE E LEHTË; SUKSESI DHE MBIVENDOSJA PERFEKTE E DY BOTËVE

ISLAMI: FE E LEHTË; SUKSESI DHE MBIVENDOSJA PERFEKTE E DY BOTËVE

by Kukes Post
0 comment

Të gjithë ne në këtë jetë kemi nevojë për një sistem që të na i strukturojë jetët tona, që të na shërbejë si udhërrëfyes e rregullator me anë të të cilit të jetë e mundur të navigojmë nëpër labirinthet e të panjohurat e jetës. Ndryshe nga bimët, kafshët apo trupat qiellorë, të cilët funksionojnë sipas ligjeve natyrore të cilat i ka vendosur Krijuesi, njeriut i është lënë pjesërisht në dorë të tij suksesi, zgjedhja, apo adoptimi i sistemit me anë të të cilit mund ta jetojë jetën. Njeriu është qënie që bën përjashtim rrënjësor.

“Ne thamë, ‘Zbritni nga aty të gjithë ju! Pastaj kur udhëzimi të vijë nga Unë: kush e ndjek udhëzimin Tim, për të nuk do të ketë as frikë e as brengë.” El-Bekareh, 38.

Ky është premtimi që Allahu i bëri Ademit dhe pasardhësve të tij pasi e theu urdhërin e Tij dhe e nxorri nga xhenneti. Allahu i premtoi njerëzimit se do të zbriste një udhëzim që të shërbente si manual se si të jetohej jeta, që njeriu të mos ketë frikë për të ardhmen nëse e zbaton atë manual, e as të mos brengoset për të shkuarën.

Jeta në tokë kërkon udhëzim. Ky është fakt i verifikueshëm nga ne të gjithë. Jeta në tokë kërkon rregulla, norma, dituri, përvojë, mençuri, dhe ndihmë hyjnore që njeriu të jetojë një jetë të mirë – në fakt, jetën më të mirë e më kuptimplotë.

Në këtë aspekt, rregullat mund të na i japë shoqëria, ligjet mund t’i vendosë shteti apo elita drejtuese, zakonet mund të lindin ashtu në mënyrë spontane, stilin e jetën mund të na e mësojnë prindërit apo më të vjetrit, shumë gjëra i mësojmë në shkollë, nga mediat, apo propaganda shtetërore, ashtu sikurse edhe dispozita natyrore e njeriut mund të shërbejë si një mekanizëm për të naviguar në jetë.

Gjithsesi, asnjëra nga këto nuk është burim i sigurtë manuali jete. Asnjëra nga këto nuk mund të na sigurojë se përmban mënyrën ideale apo optimale për të jetuar. Asnjëra nga këto nuk mund të na garantojë se nëse e aplikojmë këtë apo atë sistem, stil jete, rregull, zakon, modë, ide, apo manual politik do të na garantojë sukses: që as të mos kemi frikë për të ardhmen nga vendimet që marrim, e as të mos brengosemi për të shkuarën apo pasojat e vendimeve tona.

Ligjet dhe sistemet njerëzore janë shpikje me të meta. Janë shpikje që reflektojnë interesat e njerëzve, pragmatizmin e tyre, limitin e kapacitetit të tyre intelektual, djallëzitë e tyre, injorancën dhe epshet e tyre, mungesën e njohjes së realitetit të jetës, të natyrës së njeriut, të psikologjisë njerëzore, të realitetit pas vdekjes, dhe se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Shteti, politika, ligjet, kushtetuta, apo kultura mbizotëruese e një populli nuk mund të garantojnë sukses. Madje, këto nuk mund të garantojnë gjithashtu jetën më të lehtë. Premtimeve të tyre nuk mund t’iu besojmë.

Nëse e jetojmë jetën bazuar në manualet e njerëzve, ashtu sikurse të gjithë ne kemi përvojë me këto manuale, jeta nuk bëhet më e lehtë, problemet nuk mbarojnë, shoqëria nuk bëhet me e paqshme, shteti nuk bëhet më i drejtë e më funksional, ekonomia nuk bëhet më e qëndrushme, burimet natyrore nuk shpërndahen në mënyrë më të drejtë mes njerëzve, dhe shpirtërat tanë nuk ndjehen më rehat.

A mund të ketë një jetë më të lehtë në gënjeshtrat e politikës, në ligjet e padrejta njerëzore – që ndryshojnë me ndryshimin e nevojave të elitës drejtuese për të kontrolluar e shtypur njerëzit, në premtimet e shtetit apo të shkencës – që pasi ta çojnë jetën dëm duke ndjekur përrallat e tyre ata ndryshojnë kostumet politike, në kulturën e cila ndryshon çdo ditë – sa herë që politkës apo shoqërisë i nevojtet ndryshimi për arsye pragmatiste, në mësimet që mësojmë në shkolla – në paketën e mashtrimeve që na servir shoqëria për të na shtypur e shfrytëzuar, në shpenzimet që bëjmë duke investuar në shkollat e sekularizmit dhe më pas rezulton se gjithçka ishte mashtrim politik e strategji për të na humbur kohën, në propagandën e sistemit që shërben si intoksikant për të na vënë në gjumë apo për të na mpirë trurin, në bëmat e legjendat e paraardhësve tanë që transmetohen nga brezi në brez e që rezultojnë asgjë më shumë se gënjeshtra e injorancë, apo në shkencën moderne që është kthyer në një vegël e politikës dhe e makinerisë së saj mashtruese?

Këto sisteme, ligje, rregulla, zakone, propagandë, sistem arsimor, shkencë propagandiste etj. nuk garantojnë jetën më të mirë apo më të lehtë, dhe as sukses. Përkundrazi, nëse e jetojmë jetën sipas tyre, rezultati do të jetë: vështirësi, brenga, frikë nga ajo ç’na prejt në të ardhmen, keqardhje për të shkuarën, konfuzion, zhvendosje nga kriza në krizë e nga mashtrimi në mashtrim – një mirazh që sa më shumë t’i afrohesh, ai të largohet më tej, ekzaktësisht si premtimet e politikës apo të shteteve moderne që ngjajnë shumë me mashtrimet e kishës katolike të mesjetës në premtimin e faljes së mëkateve në shkëmbim të parave apo të pagimit të taksave.

Kur’ani e ka artikuluar në këtë mënyrë mashtrimin që na vjen nga ligjet e rregullat e padrejta njerëzore, pikërisht në Suren Taha mbas përmendjes së historisë së Ademit (alejhis-selam) dhe rrëshqitjes së tij në kundërshtimin e urdhërit të Allahu:

“E kush largohet nga përkujtimi Im, Ne do t’i japin atij një jetë të vështirë, e në Ditën e Kijametit do ta ngjallim të verbër.” Taha, 124.

FEJA ISLAME: LEHTËSI E SUKSES

Në këtë aspekt, i vetmi sistem që garanton sukses të plotë e një jetë të mirë është vetëm një sistem i shpallur nga Krijuesi i gjithëditur, ashtu siç Allahu i ka premtuar njerëzimit që në kohën e Ademit (paqja qoftë mbi të) përpara se ta zbriste në tokë.

Përveç se Allahu është krijuesi, i gjithëdijshëmi, mëshiruesi, që di të shkuarën dhe të ardhmen, që e njeh njeriun më mirë se ç’e njeh ai veten e tij, sistemi që Ai i ka zbritur njerëzimit është i pastër nga çdo interes politik, subjektivitet njerëzor, pragmatizëm për të kontrolluar njerëzit – që nuk i intereson se çfarë ndodh në afatgjatë, apo nga kufizimet e dijes.

Feja islame, si e fundit fe hyjnore, i mëson njeriut në mënyrë të qartë se çfarë i bën dobi atij e çfarë është e dëmshme për të, çfarë i garanton atij sukses e çfarë e shpie në humbje, se çfarë e çon shoqërinë përpara si të tërë e çfarë e degradon atë, se cili është roli i individit në shoqëri dhe anasjelltas, dhe gjithashtu i mëson çdo gjë që përbën bazën e një jete të lumtur: që të mos ketë keqardhje për vendimet që merr dhe as frikë nga pasojat e tyre në të ardhmen.

E gjitha kjo shprehet me një gjuhë fetare, pikërisht në atë mënyrë që njeriut e kupton më së miri si: obligim, e ndaluar, e këshilluar, e urrejtur, apo e lejuar.

Feja islame është transparente. Ia bën të qartë njeriut çdo gjë, të mirën e të keqen, të dobishmen e të dëmshmen, por mbi të gjitha ia bën të qartë se cili është Zoti i tij, që pa besimin në Të i gjithë sistemi bie.

Kur feja islame e obligon diçka, e bën këtë sepse kjo është më e mira për njeriun, dhe kur e ndalon diçka, po ashtu e bën këtë sepse është më e dobishmja për njeriun. Ajo e ashtuquajtura vështirësi që e ngarkon atë me obligime e me largimin nga të ndaluarat, në fakt është lehtësi e transparencë. Feja islame nuk nguron t’i thotë fjalët e hidhura në fillim, nëse mund të shprehet me këtë gjuhë.

Për shembull, vështirësia e largimit nga alkooli, vjedhja, vrasja, imoraliteti, padrejtësia etj., apo ‘vështirësia’ e kryerjes së namazit, agjërimit, dhënies së zekatit etj., të gjitha këto rezultojnë eventualisht në një lehtësi të madhe për njeriun, madje dhe ajo e ashtuquajtur vështirësi fillestare e kryerjes së tyre apo të distancimit nga të ndaluarat kthehet në vetvete në kënaqësi, pa llogaritur pastaj dobinë e përgjithshme që rezulton nga to.

Feja islame me rregullat e adhurimet e saj ia strukturon jetën njeriut, i garanton atij një jetë shpirtërore afër Zotit, një jetë të shendetshme fizikisht e mendërisht, të disiplinuar, të dobishme, që e udhëzon atë në çdo fazë të jetës, e edukon atë me moralin më të mirë, me marrëdhëniet më të sinqerta me njerëzit, e pajis atë me dijen më të nevojshme për të jetuar një jetë të suksesshme, i mëson atij luftën e paqen, pastërtinë, ligjin, transparencën, bashkëpunimin, dinjitetin, pozicionin, përgjegjësinë, të drejtat e detyrimet që ka ndaj të tjerëve, ashtu sikurse i garanton atij liri të vërtetë – duke e bërë që ta njoh eventualisht vetveten.

MBIVENDOSJA E DY BOTËVE

Një prej dyshimeve që hedhin armiqtë e fesë dhe propaganduesit e politikës është se feja e pengon njeriun nga të jetuarit e një jete të lirë duke e mashtruar atë se do ta gjejë rehatinë mbas vdekjes në parajsë nëse i zbaton rregullat e saj.

Përveç se ky është një mashtrim banal i politikës dhe armiqve të fesë, që funksionon vetëm mbi një audiencë që nuk e kupton fenë, që nuk ka lexuar për të, apo që nuk e praktikon atë me baza, ky është edhe një keqkuptim ndoshta i ardhur edhe nga mos artikulimi me një gjuhë më të saktë e më të kuptueshme nga krerikët fetarë.

Është e vërtetë se të gjitha fetë hyjnore, duke përfshirë edhe fenë e fundit, që është feja islame, flasin gjërësisht për jetën mbas vdekjes, për gjykimin e madh, dhe për përfundimin ose në ferr përgjithmonë ose në parajsën e amshueshme.

E para, jeta mbas vdekjes është realitet, e jo mashtrim. Në fakt, Kur’ani kaq shumë flet për jetën mbas vdekjes, që njihet me termin në gjuhën arabe “al-akhirah,” sa nuk lë vend për dyshim, duke sjellur argumente të ndryshme logjike për ekzistencën e saj. Në këtë aspekt, nëse jeta mbas vdekjes është realitet, siç është realitet ekzistenca e diellit, hënës, shiut, gjelbërimit mbas shiut, tharjes së bimëve dhe mbirjes së tyre përsëri, atëherë përse të mos flitet për të përderisa është diçka shumë e rëndësishme. Neglizhimi i të vërtetës nuk e bën jetën më të bukur aspak. Përkundrazi, përdorimi i injorancës si mjet për kontrollin e njerëzive dhe mbajtjes së tyre në errësirë është strategji e sistemeve mashtruese njerëzore, siç është politika, për shembull.

E dyta, çdo gjë të ka të bëjë me akhiretin – gjykimin e madh dhe jetën mbas vdekjes, të paktën në këndvështrimin e fesë islame, jo vetëm që nuk e pengon të jetuarin e jetës së kësaj bote, por përkundrazi shërben si një element i domosdoshëm për ta jetuar këtë jetë në formën më të mirë, më efiçente, dhe në mënyrën më të lumtur.

Besimi në jetën mbas vdekjes e bën njeriun më të përgjegjshëm, më logjik, më serioz, shfrytëzues të mundësive që i vijnë, ia zhvillon aftësitë menduese e analizuese për gjërat të cilat nuk i shikon, e bën atë më të përgaditur ndaj të ardhmes edhe në këtë jetë, vendimet e tij reflektojnë afatgjatësi, dhe e bën atë më largpamës. Në fund të fundit, të gjitha ato komponentë mendorë e psikologjikë që kanë të bëjnë me besimin në botën tjetër i shërbejnë edhe për të kuptuar të ardhmen në këtë botë – e ardhmja në vetvete është një lloj akihreti apo një lloj bote tjetër.

Kështu që besimi në botën tjetër jo vetëm që është besim në një realitet apo në një të vërtetë logjike dhe lehtësisht të përceptueshme, por gjithashtu e pajis njeriun me elementë apo komponentë mendorë e moralë që i nevojiten në këtë botë dhe i jep atij avantazh krahasuar me dikë që nuk beson në botën tjetër, pa përmendur pastaj edhe faktin se i jep njeriut një qëllim madhor e një arsye krejt ndryshe për të jetuar.

Për më tepër, të gjitha adhurimet që feja islame ka ligjëruar, që nga falja e namazit, agjërimi, vizita e të sëmurëve, ndihma ndaj të varfërve, përkujdesja ndaj jetimëve, kërkimi i diturisë, respektimi i të tjerëve, gadishmëria për të sakrifikuar, apo vlerat morale që feja islame nxit, si durimi, guximi, bujaria, sinqeriteti, bashkëpunimi, mbajtja e fjalës së dhënë, besa, komunikimi i mirë etj, apo të gjitha ato gjëra që feja i ka ndaluar si alkooli, imoraliteti, vjedhja, vrasja, bixhozi, interesi bankar, përgojimi, gënjeshtra, tradhtia etj., të gjitha këto nuk ka dyshim se kanë dobi në këtë botë ashtu sikurse Allahu i shpërblen në botën tjetër. Pra, nuk janë aspak përjashtuese të njera tjetrës.

Çfarë mashtrimi qëndron mbas faljes së namazit, për shembull? Dobitë që vijnë nga ky adhurim në jetën e kësaj bote janë kaq të mëdha sa edhe po të mos kishte shpërblim për të në botën tjetër prap do t’ia vlente për ta kryer. Gjithsesi, Allahu duke e ditur dobësinë e njeriut, harresën e tij, zvarritjen dhe shtyrjen që iu bën gjërave, dritëshkurtësinë e tij, fokusimin e tij tek qejfet e momentit sepse Ai e ka krijuar atë, Mëshiruesi ia ka bërë obligim për të mirën e tij, e obligim mes të tjerash do të thotë diçka që është esenciale për jetën e njeriut e besove apo nuk e besove atë.

Namazi është ndërpjerje e rutinës së jetës së përditshme dhe shpirje e njeriut në një nivel tjetër psikologjik e shpirtëror. Në namaz njeriu flet me Zotin e Ai flet me të – pra, në fund të fundit, shkëputesh nga kjo botë e rëndomtë për pak momente dhe kalon në botën shpirtërore. Çfarë dëmi i sjell njeriut kjo? E vërteta është se çdo herë që njeriu e fal namazin ekziston mundësia që kur ta mbarojë atë e shikon jetën jo si më parë, sado i vogël qoftë ai ndryshim.

Gjithashtu, namazi është adhurim kompleks, që përfshin: pastrimin ritual përpara kryerjes së tij, mbulimin e trupit me rroba të pastërta (nga papastërtirat e jashtëqitjes apo urinës), kryerja e tij në kohë, drejtimi nga kibla (Mekka), kryerja e tij në xhami sipas mundësive në mënyre kolektive, drejtimi i rreshtave kur falet në grup dhe udhëheqja e tij nga një imam, leximin e një pjese nga Kur’ani në të, qëndrimi në këmbë, përkulja, sexhdja (gjunjëzimi në tokë), vendosja e ballit në tokë, qëndrimi sup më sup mes besimtarëve kur falen bashkë, dhe mbarim i tij duke thënë, “paqja qoftë mbi ty, paqja qoftë mbi ty.”

Dobitë që mund të radhiten nga ky adhurim kompleks e i përditshëm janë të panumërta: lidhja e tij me Zotin në mënyrë të vazhdueshme, disiplina, rregullat, vetëdija ndaj kohës, orientimi gjeografik, shpirti komunitar, bashkëpunimi mes njerëzve, higjena, promovimi i konceptit të udhëheqjes së komunitetit nga një lider, edukimin e njeriut me pozicionin e tij, heshtja, leximi i Kur’anit – që në fund të fundit është dituri, dhe pengimi që i bën njeriut nga shumë gjëra të padobishe, siç janë pirja e alkoolit, humbaj e kohës, apo konsumimi i ushqimeve që shkaktojnë erë të bezdishme tek të tjerët.

Ashtu sikurse namazi, çdo adhurim tjetër i ligjëruar në fenë islame ka dobira të panumërueshme për jetën e individit në këtë botë dhe për shoqërinë gjithashtu që edhe nëse bota tjetër të ishte gënjeshtër, prap këto adhurime do të kishin vlerë për jetën e kësaj bote.

Në fakt, e vërteta e madhe është se çdo gjë që ka dobi në botën tjetër apo që shpërblehet nga Allahu në Ditën e Gjykimit, ka dobi edhe në këtë botë, kështu që sa më shumë t’i afrohesh botës tjetër me vepra e me punë, çuditërisht i afrohesh edhe të jetuarit të një jete më të mirë në këtë botë në mënyrë simetrike, ekzaktësisht sikur t’i afrohesh një pasqyre: sa më shumë të ecësh drejt saj, aq më afër të afrohet vetja.

Kjo është pikërisht mbivendosja e dy botëve. Dyshimi se bota tjetër është ‘shpikur’ për të trembur njerëzit apo për t’i vënë ata në gjumë është krejt qesharak dhe mund të hidhet poshtë lehtësisht me shembuj e me argumentim logjik. Ç’është e vërteta, janë sistemet njerëzore ato të cilat përdorin strategji e mashtrime për t’i vënë në gjumë njerëzit apo për t’i kontrolluar ata me premtime boshe, me pirje akooli, me dehje, me filma, me propagandë, me magji e gënjeshtra, me spektakle e humor, me shkolla mashtruese e me intelektualë mashtrues, me drogë, me të ashtuqujatur liri seksi, me shkatërrim familje nën flamurin e promovimit të jetës individuale, me dhënie kredish bankare që ia kthejnë jetën njeriut në ferr – përpara ferrit të botës tjetër, me lajme që përhapin vetëm frikë e konfuzion tek publiku, dhe me promovimin e çdo të keqje, injorancës, injorantëve, imoralitetit, banalitetit, dhe zotave të rremë.

SHKURT:

Islami ka vetëm një qëllim: t’ia lehtësojë jetën njeriut, dhe kjo fe është shumë e lehtë për ta zbatuar edhe pse kërkon pak mundim për ta pranuar këtë lehtësim, dhe kjo është sprova apo liria e zgjedhjes që Allahu ka vendosur për t’ia lënë në dorë njeriut.

Nga ana tjetër, sistemet e shpikura nga njeriu, politika, fetë njerëzore apo fetë e ndryshuara kanë këto qëllime: mashtrim, kontroll, joshje me qefje dhe promovim i sipërfaqësores me qëllim që njeriu të bie në kurth, e mbi të gjitha, që t’ia vështirësojnë jetën njeriut.

Për të tillët Allahu thotë në Kur’an, “Këta janë ata të cilët e shkëmbejnë udhëzimin me humbjen dhe faljen me dënimin. E si durojnë ata nga Zjarri?!” El-Bekareh, 175.

Sistemet mashturese dhe zotat e rremë i premtojnë njeriut vetëm zjarr – zjarr në këtë botë e zjarr në botën tjetër, ndërsa në mënyrë të verifikueshme feja islame i ofron njeriut paqe e jetë të lehtë në këtë botë, dhe parasjën e amshueshme në botën tjetër.

Sabri Lushi

Prill, 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post