Home » NË PRAG TË KURBAN BAJRAMIT: NË VEND TË NJË URIMI

NË PRAG TË KURBAN BAJRAMIT: NË VEND TË NJË URIMI

by Kukes Post
0 comment

Privim nga ushqimi e pija në nënyrë krejt vullnetare, lexim Kur’ani, iftare me shokë e miq, falja e namazit të taravive, dhe shpresë e besim tek Allahu që do ta shpërblejë këtë adhurim pa masë, i Cili ka thënë në një hadith kudsi, “Përveç agjërimit; ai është për Mua, dhe Unë e shpërblejë atë…” Bukhariu dhe Muslimi.

Ky është me pak fjalë agjërimi i muajt të begatë të Ramazanit; më saktë, kjo është pjesa e dukshme e tij, pjesa e prekthme apo shenjat identifikuese të këtij adhurimi kaq të bukur, kaq madhor, dhe përtej simboleve të tij qëndron thelbi i agjërimit, thelb të cilin e ka shpallur Allahu në Kur’an, “ashtu që ju të bëheni të devotshmëm.” El-Bekareh, 183.

DEVOTSHMËRIA

Rreth saj kanë folur dijetarët e fesë islame që nga brezat e parë; kanë dhënë përkufizimet e tyre; e kanë shpjeguar me fjalë e me shembuj, dhe historia e fesë islame është e mbushur me biografi të njerëzve të devotshëm, fjalë e cila nuk mund të përkthehet me një fjalë të vetme.

Devotshmëria është frikë ndaj dënimit të Allahut dhe Madhështisë së Tij, frikë e cila në vetvete reflekton dituri mbi Krijuesin, respekt për Të, vlerësim për fuqinë e Tij, njohje ndaj cilësive dhe atributeve të Tij, dhe nderim të urdhërave të Tij.

Devotshmëria është respektimi apo aplikimi i të gjithë fesë islame të cilën Allahu ia ka shpallur Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të). Falja e namazit është devotshmëri, dhënia e zekatit është devotshmëri, lutja që robi i bën Zotit të tij është devotshmëri, të besurit se ligji i Allahut është superior mbi çdo ligj tjetër është devotshmëri, aplikimi i tij në jetë është devotshmëri, të pranosh gjykimin e Allahut dhe të Profetit të Tij (ﷺ) dhe të dorëzohesh plotësisht ndaj atij gjykimi është devotshmëri, të kesh frikë të kapërcesh kufijtë që i ka caktuar Allahu – gjërat e ndaluara, është devotshmëri, të respektosh të drejtat e të tjerëve, duke filluar nga prindërit e deri edhe tek jo muslimanët është devotshmëri, e të hysh në fenë islame plotësisht është devotshmëri.

Devotshmëria është ta kontrollosh veten nga çdo gjë që të shtynë të cënosh ato gjëra që Allahu i ka ndaluar, ta ndalosh veten nga përmbushja e epsheve në mënyrë të ndaluar,

nga ushqimi apo pija e ndaluar, ta ndalosh veten nga shkelja e të drejtave të të tjerëve, si vrajsa apo përdhosja e nderit apo të reputacionit të të tjerëve, ta ndalosh veten nga dëshira apo kurioziteti për të ndërhyrë në punët e të tjerëve, për të ngatërruar të tjerët, për të përhapur probleme, zënka, për të shkatërruar jetë njerëzish, qoftë edhe nëse e bën si pjesë të punës, ta ndalosh veten nga humbja e kohës, ta edukosh veten me kufizime, disiplinë, limite, dhe kontroll. Të gjitha këto i përmban procesi i agjërimit, që duke u kryer për një periudhë një mujore, shpresa është se këto cilësi apo të vërteta i nguliten njeriut dhe i kthehen në natyrë.

Devotshmëria është proces, sakrificë, dituri, ndryshim, dhe këmbëngulje për të ndryshuar për mirë, dhe këtë proces nuk e ndihmon asgjë më shumë se agjërimi, i cili godet së pari epshet e njeriut.

Devotshmëria është feja me kohë të plotë, e jo feja me kohë të pjesshme. Ajo është zbatimi i fesë në xhami, në shtëpi, në familje, në marrëdhëniet me njerëzit, në punë, në bashkëpunimet me të tjerët, në tregti, në fitimin e të ardhurave, në edukimin e fëmijëve, në gatimin e ushqimit, në makinë, në autobuz, në luftë, në gjykimin mes njerëzve, në funeral, në gëzime e dasma, në festë, në shkollë, në shkencë, apo kudo ku mund të gjendet muslimani. Muslimani ka vetëm një standard në jetën e tij: fenë islame, e çdo gjë tjetër vjen mbas saj.

Këtë thotë Allahu në Kur’an kur flet për muajin e Ramazanit, “Muaji i Ramazanit në të cilin ka zbritur Kur’ani – udhëzim për njerëzit, sqarim i udhëzimit, dhe standard; kush e arrin nga ju këtë muaj le të agjërojë…” El-Bekareh, 185.

Kjo është devotshmëria dhe islami me kohë të plotë: që të udhëzohesh nga Kur’ani, ta marrësh atë si sqarues i rrugës së drejtë, dhe ai të jetë standardi yt kudo që të jesh: në punë, në marrëdhëniet me eprorin, në urdhërat që të jepen nga eprori, nëse ato duhen zbatuar apo jo, në punën që bën, në mënyrën se si i fiton paratë, në transaksionet tregtare, apo në misionet që të ngarkon eprori. Secila prej tyre duhet t’i nënështrohet një procesi të thjeshtë: a po bëhet konform rregullave të fesë islame, apo e kundërshton Kur’anin dhe Rrugën e Profetit Muhammed (ﷺ), apo shkel ndonjë ligj të Zotit, dhe apo iu shkakton dëm të tjerëve.

Nëse gënjen, qoftë edhe për arsye pune, nëse i fiton paratë në mënyrë të padrejtë, nëse puna të ngarkon detyra apo të kërkon të bësh gjëra në kundërshtim me fenë islame dhe ligjet e saj, nëse paguhesh të gënjesh, të bësh propagandën e të tjerëve, të dëmtosh të tjerët, nëse në punë fenë islame e hedh brapa kahëve, apo qoftë edhe në jetën jashtë pune – në familje, në komunikim, në anazhime shoqërore apo qoftë edhe në dëfrim e zbavitje, kjo nuk është devotshmëri. Majde ky nuk është as islam dhe as rruga e Profetit Muhammed (ﷺ), edhe pse të gjithë jemi mëkatarë e me mangësi.

Kur’ani është i qartë dhe mes nesh. Sunneti i Profetit Muhammedm (ﷺ) është i qartë dhe mes nesh. Ky është ligji, dhe ky është standardi. Çdo gjë tjetër është nënrenditëse dhe apolikohet për aq kohë sa nuk bie në kundërshtim me fenë.

Qëllimi i agjërimit të muajt të Ramazanit është arritja e devotshmërisë ndërsa vetë Ramazani është në thelb kremtim i Kur’anit. Agjërimi nuk është thjesht muaji i urisë apo etjes, dhe i banketeve të bukura, ku serviret lloj lloj ushqimi.

Muaji i Ramazanit është muaji i devotshmërisë, muaji i Kur’anit – udhëzim, sqarim i udhëzimit, dhe standard, muaji i fesë me kohë të plotë, muaji i dijes, muaji i një kursi shpirtëror intensiv, muaji i ndryshimit, muaji i afrimit tek Zoti sepse në këtë muaj ka zbritur Kur’ani, në këtë muaj lidhen djajt, dhe në këtë muaj ndodhet një natë më e mirë se një mijë muaj – që tregon se sa begati të madhe ka ky muaj.

URIMI

Për të gjithë ata që kanë agjëruar, për sakrificën që kanë bërë, që mundimin që kanë marrë për hir të Zotit, për veprat e mira që kanë bërë, që faljen e taravive, për lutjet, ndihmën ndaj të tjerëve, për iftaret që kanë shtruar për të tjerët, e për çdo të mirë që kanë ofruar, Allahu ua pranfotë agjërimi dhe punët e mira!

Gjithsesi, objektivi i muajit të Ramazanit nuk është që t’i japë njeriut mundësinë ta praktikojë fenë me kohë të pjesshme. Kjo gjë nuk ekzistion në fenë islame – me këtë fe superiore e të plotë, pavarësisht mekateve e të metave që ne të gjithë kemi.

Qëllimi i agjërimi të Ramazanit është që të bëhemi më të devotshëm, të afrohemi më shumë tek Allahu, ta aplikojmë fenë më shumë në jetët tona, të njihemi më shumë me Kur’anin dhe me Rrugën e Profetit Muhammed (ﷺ), të bëhemi njerëz më të frikësuar ndaj dënimit të Allahut, e gjithashtu të bëhemi muslimanë më të mirë, më të sinqertë, më të dobishëm për të tjerët, dhe më me dinjitet.

Allahu është bujar, shpërblyes, shumëfishues i punëve të mira, që shikon në zemrat tona çdo pikë sinqeriteti dhe që e shumëfishon atë për aq kohë sa robi kërkon t’i afrohet Atij, që gëzohet me pendimin e robit, që ia jep çdo mundësi që t’i falen mëkatet e të shpëtojë, e Ramazani është një oportunitet që sado pak ta shfytëzosh atë, begatia është e papërshkrueshme.

“Çdo gjë të bëni për vetet tuaja nga punët e mira, do ta gjeni tek Allahu, që do të jetë më e mirë e me shpërblim më të madh.” El-Muzzemmil, 20.

Me keqardhje se po ndahemi nga ky mik i madh, nga ky bereqet, nga kjo mirësi, nga këto ditë qetësie shpirtërore, lusim Allahun – më bujarin, që t’na e pranojë agjërimin tonë pavarësisht mangësive tona.

Sabri Lushi

Ramazan 30, 1445; Prill, 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post