Home » A ISHTE PERIUDHA E PERANDORISË OSMANE EPOKA MË E NDRITSHME PËR SHQIPTARËT?

A ISHTE PERIUDHA E PERANDORISË OSMANE EPOKA MË E NDRITSHME PËR SHQIPTARËT?

by Kukes Post
0 comments

Siç thuhet në shprehjen e famshme, “historinë e shkruajnë ata që fitojnë luftën,” të shkruash për historinë është gjëja më e vështirë sepse prek drejtëpërdrejtë interesat e atyre që kanë pushtetin, e në të njejtën kohë, ky i fundit nuk lejon të qarkulloj në shoqëri asnjë version apo fakt historik i pa filtruar nga makina e propagandës së pushtetit, kështu që të kuptuarit e të shkuarës historike është një proces që kërkon përdorimin e logikës, mendimit kritik, faktet historike, se kush i ka shkruar ato, e në çfarë konteksti; po ashtu, marrja në konsideratë e realitetit politik dhe interesave të sotme të pushtetit është determinuese në njohjen e të vërtetës historike. Ashtu siç në fakt e përmendin historianët, edhe pse shumica prej tyre nuk janë më shumë se vegla të propagandës shtetërore, të kuptuarit të historisë është një proçes i ngjashëm më investigimin e një krimi, që kërkon jo vetëm dituri e profesionalizëm, por edhe intuitë të mprehtë.

Të flasësh për Perandorinë Osmane është tema historike më e vështirë për ta trajtuar sepse ata të cilën e kanë rrëzuar atë, pra Perandoria Britanike, ka akoma pushtetin ndërsa lufta kundër të parës nuk ka mbaruar plotësisht sepse ata të cilën kanë jetuar e luftuar për të akoma nuk u janë tretur eshtrat.

Në këtë aspekt, historia e shqiptarëve dhe problemet aktuale politike të tyre nuk mund të trajtohen duke anashkaluar Perandorinë Osmane, që, më saktë akoma, është thelbi i historisë moderne shqiptare, ndërsa, në opinionin tim, periudha pesë-shekullore gjatë kësaj perandorie ka qënë epoka më e ndritur për popullin shqiptar edhe pse ky opinion bie ndesh totalisht me politikën zyrtare shqiptare dhe me qëndrimin e britanikëve e amerikanëve – ata të cilët kontrollojnë Republikën e Shqipërisë dhe që kanë pushtetin aktual botëror. Megjithatë, e vërteta është më e rëndësishme se interesat politike të një grupi që ka pushtetin, dhe ne – popullit të thjeshte – duhet të na interesoj vetëm e vërteta paravësisht propagandës shtetërore apo qëndrimit që mbajnë historianët – shërbëtorët e paguar të sistemit, njerëz që flasin dhe i shtrembërojnë mendimet akademike në bazë të kërkesave të politikës e jo bazuar në fakte historike.

Si parantezë, historianët janë njerëzit më të kontrolluar, më të politizuar, njerëz që nuk kanë konsistencë e as kredibilitet akademik, dhe që i shërbejnë sistemit politik me devotshmëri të madhe. Ashtu sikurse e gjitha shkenca dhe bota akademike në përgjithësi po vuajnë nga mungesa e intelektualëve të pavarur e të besueshëm, historia është në krye të listës sa i përket kontrollit politik dhe mungesës së paanshmërisë shkencore e intelektuale.

Për të kaluar tek tema kryesore, kur Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) profetizoi përhapjen e fesë islame, ai ka thënë se ajo do të përhapet nga lindja në perëndim; dijetarët e kanë komentuar këtë hadith duke thënë që realisht Islami është përhapur gjeografikisht në mënyrë horizontale, e jo nga jugu në veri. Kuptohet, zona kryesore gjeografike veriore është Evropa, dhe pikërisht depërtimi i fesë islame në këtë kontinent gjithmonë ka hasur vështirësi – nuk ka dyshim se ka një urtësi hyjnore në këtë fakt.

Në vitin 1492, fuqia politike e muslimanëve në Spanjë mori fund. Më pas, gjatë periudhës së tmerrshme të inkuzicionit spanjol, muslimanët u përzunë, u vranë, u burgosën, u persekutuan, u ndanë nga familjet e nga fëmijët e tyre, e shumë prej tyre u detyruar të konvertohen me forcë në katolikë. Mbas tetë shekujsh qëndrimi e lulëzimi në gadishullin iberik të muslimanëve, Spanja u kthye përsëri në katolike.

Rastësi apo urtësi hyjrore, në të njejtën kohë kur spastrimi etnik e fetar po bënte tmerret në Spanjë, shqiptarët përqafojnë fenë islame në një moment që jo shumë larg prej tyre muslimanët spanjolë po konvertoheshim me forcë në të krishterë, që do të thotë, nuk ishte një kohë e rehatshme për t’u bërë musliman. Kjo tregon mençurinë e dinjitetin e shqiptarëve për të pranuar të vërtetën edhe nëse kjo mund të kishte pasoja të mëdha politike.

Gjithësesi, historia ka treguar se shqiptarët u hodhën në anën më të drejtë të historisë – në anën e të vërtetës, në anën e Islamit, në anën e suksesit politik e ekonomik. Përqafimi i fesë islame i ktheu ata, e nuk dyshim si shpërblim hyjnor për ta, në një popull shumë të rëndësishëm të Perandorisë Osmane aq sa po të thuash se kjo perandori na përkiste neve më shumë se ne i përkisnim asaj nuk është ekzagjerim e as teprim.

Shqiptarët apo muslimanët e Ballkanit banonin në zonën gjeografike më të rëndësishme të botës: në kufirin mes Perandorisë Osmane dhe Evropës së të krishterë. Kufiri ballkanik ishte kufiri më delikat e më problematik, kështu që është lehtësisht e kuptueshme se çfarë roli kanë pasur luftëtarët shqiptarë: mbrojtjen e perandorisë së tyre nga armiqtë kryesorë të saj: evropianët e krishterë, të cilët kishin një histori terrori e barbarizmi në luftërat e tyre kundër muslimanëve. Përveç terrorit spanjol, kryqëzatat evropiane kundër muslimanëve në Lindje të Mesme thjeshtë hedh më shumë dritë në faktin se ç’do të thotë të jetoje në një kufi si ai ballkanik.

Perandoria Osmane, që përveç marrjes së kalifatit islam në duar, ajo trashëgoi edhe Perandorinë Bizantine, iu dhuroi shqiptarëve mundësinë e artë të suksesit politik jo vetëm rajonal, por edhe më gjërë. Për shkak të rolit dhe pozicionit gjeografik, shqiptarët u bënë kryevezirët dhe luftëtarët më të mëdhenjë të Perandorisë Osmane. Të ishe kryevezir do të thotë të ishe numri dy i perandorisë më të madhe e më të rëndësishme të asaj kohe, e njëkohësisht do të thotë të mbikqyrje pushtetin ekzekutiv të perandorisë muslimane, ndërsa sot po të na jepet një punë si hekurkthyes në Londër, me dokumente e pa dokumente, na përmendet nga britanikët se na kanë bërë nder të madh.

Ka pasur periudha kur familje shqiptare kanë shërbyer si kryevezirë në disa breza, siç është rasti i dinastisë Koprulu, me origjinë nga Berati, që madje periudha gjatë së cilës kjo familje ka mbajtur pushtetin ekzekutiv të perandorisë njihet si epoka Koprulu. Po ashtu, rasti i Koça Sinan Pashës, i lindur në Topojan të Kukësit në vitin 1506, është një rast tjetër tregues i rolit të madh të shqiptarëve dhe suksesit të tyre politik në Perandorinë Osmane.

Natyrshëm dhe aspak rastësisht, shfaqja e Muhammed Ali Pashës në skenën politike të Perandorisë Osmane në fillim të shekullit të 19-të thjeshtë kurorëzon rolin dhe rëndësinë politike të shqiptarëve në këtë perandori dhe heroizmit të tyre kundër britanikëve e evropianëve të tjerë të cilët prisnin momentin për t’i dhënë fund kalifatit musliman.

Mbas rënies së Francës në vitin 1793 me ekzekutimin e mbretit Louis XVI, suksesi politik i Perandorisë Britanike po ngjiste majat e suksesit, e cila ishte në kërkim të zgjerimit të fuqisë së saj, e po ashtu, në kërkim të kontrollit të burimeve natyrore e të rrugëve tregtare detare, aq të nevojshme për revolucionin industrial.

Në këtë aspekt, Egjipti ishte pikë shumë e rëndësishme. Perveç se ishte vend prodhues e eksportues i madh i pambukut – një prej produkteve më të rëndësishme të kohës, ngushtica e Suezit ishte i vetmi rrip tokësor i një rruge detare të mundshme nga subkontinenti i Indisë e Azia Juglindore në Evrope e Britani të Madhe, rrugë e cila do ta shkurtonte shumë kohën dhe koston e transportit të mallrave krahasuar me rrugën detare përqark Afrikës.

Kështu që, Perandoria Britanike kishte interesa të drejtëpërdrejta politike e ekonomike për pushtimin dhe kontrollin e Egjiptit, Sudanit, e madje edhe të Gadishullit Arabik – përfshirë Mekën e Medinën. Në fillim të shekullit të 19-të, Britania e Madhe dhe Franca – tashmë nën kontrollin e Perandorisë Britanike, zbarkojnë ushtritë në Egjipt. Sigurisht, historia zyrtare e paraqet sikur Franca dhe Britania e Madhe secila kanë luftuar në mënyrë të pavaruar për kontrollin e Egjiptit, diçka që është krejtësisht e pavërtetë.

Quaje si të duash – një shqiptar i thjeshtë, një hero, një gjeneral, një strateg lufte, një gjeni i politikës, apo një i besuar i Sulltanit, Muhammed Ali Pasha, i lindur në vitin 1769 në Kavalë të Greqësi moderne, shpëtoi Egjiptin nga pushtimi i paevitushëm britanik. Duke marrë peng katërqind ushtarë britanikë, Muhammed Ali Pasha e detyroi armikun të kthehet mbrapsht i nënçmuar, e ky armik nuk ishte një bandë guerile, por Perandoria Britanike, e cila ishte në kulmet e suksesit të saj ushtarak e politik.

Pas suksesit të tij ushtarak dhe mbrojtjes së Egjiptit me heroizëm nga pushtimi britanik, Muhammed Ali Pasha u bë governatori i Egjiptit, Sudanit, Hixhazit (Mekës e Medinës), Libanit, Sirisë, e Nexhdit (zonës së Riadit të sotëm dhe lindjes së gadishullit arabik).

Shqptarët kurrë nuk kishin pasur kaq pushtet në historinë e tyre. Tashmë ata kontrollonin e drejtonin në mënyrë të merituar zonën më të rëndësishme të botës. Shembulli i Muhammed Ali Pashës tregon se roli i shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane ishte i jo thjeshtë i nevojshëm e i pazëvendësueshëm politikisht, por, nëse mund ta themi, ishin shqiptarët që e “pushtuan” pernadorinë e jo e anasjellta.

Dinastia e Muhammed Ali Pashës dhe pozicioni politik i kësaj familje tregon se shqiptarët ishin të investuar fortë politikisht e ekonomikisht në Perandorinë Osmane, aq sa edhe po të donte Sulltani të shpërbënte perandorinë, shqiptarët nuk do ta lejonin një gjë të tillë. Ata i përkisnin perandorisë dhe perandoria iu përkiste atyre. Ishte fat historik që shqiptarët u ndodhën nën pushtetin e Perandorisë Osmane, dhe historia tregoi, siç tregon rasti i Muhammed Ali Pashës, pushtet i cili iu dha suksesin unik historik, që pa frikë mund të njihet si epoka me e ndritshme historike për shqiptarët.

Në fillim të shekullit të 20-të, kur Perandoria Osmane ishte dobësuar dhe po sulmohej nga të katër anët, shqiptarët ishin balli i perandorisë, kryevezirët, vezirët e gjeneralët e saj. Shqiptarët jo që nuk bënin luftë për t’u “çliruar” nga Perandoria Osmane, siç thotë propaganda zyrtare politike, por ata kishin interesat më të mëdha politike e ekonomike për të luftuar në mbrojtje të saj, dhe kështu bënë – luftuan heroikisht për perandorinë e tyre aq sa mund të thuhet se lufta britanike kundër Perandorisë Osmane në fillim të shekullit të 20-të, që kulmoi me luftën e parë botërore, ishte në esense edhe luftë kundër shqiptarëve.

Siç e citova në fillim të kësaj eseje shprehjen e famshme se historinë e shkuan ai që ka fituar luftën, propaganda britanike apo historia zyrtare aktuale i paraqet shqiptaret si një popull i vogël, që kanë jetuar përreth shpellave të Krujës, të cilët u shtypën nga Perandoria Osmane, që për t’ua bërë dënimin edhe më të dhimbshëm, shpesh i vendoste ata në pozicionin e kryevezirit – një pozicion më i rëndësishëm se ai i presidentit amerikan në kohën e sotme. Deri në këtë masë arrin absurditeti i propagandës britanike. Ata gënjejnë sepse kanë fituar luftën.

Ata gënjejnë sepse kanë fuqinë politike sot. Ata gënjejnë sepse i kanë vrarë burrat dhe elitën e shqiptarëve. Ata gënjejnë sepse ka mbi një shekull që i persekutojnë shqiptarët. Ata gënjejnë sepse nuk ka kush ta kundërshtoj gënjeshtrën e tyre sepse ata e vrasin apo izolojnë çdo zë shqiptar që flet të vërtetën. Ata gënjejnë sepse sot na trajtojnë si skllevër – edhe kur na e japin ndonjë punë skllavërie në perëndim, na e shesin si nderin më të madh, ndërkohë na thonë se Perandoria Osmane na pati pushtuar. Nëse pushtim do të thotë të bëhesh kryevezir apo pasha, gjeneral ushtrie apo ministër, governator i Egjiptit apo Sudanit, nëse pushtim do të thotë liri ekonomike, atëherë i themi këtij lloj pushtimi: mirësevjen.

E vërteta e padiskutueshme dhe logjike historike është se shqiptarët në fillim të shekullin e 20-të kanë qënë popull i madh, i krahasuar në numër popullsie me çdo vend tjetër të madh evropian, të cilët jetonin nga bregdeti perëndimor i Ballkanit, deri në Stamboll, Damask, Bagdad, Kairo e Bejrut. Se sa milionë kanë qënë shqiptarët, historia zyrtare nuk e pasqyron, por kjo thjeshtë mund të merret me mend.

Me shumë strategji e dinakëri, në vitin 1913, Britania e Madhe skicoi në hartë një zonë të vogël gjeografike dhe e quajti Principata Shqiptare, për të dhënë përshtypjen se shqiptarët ishin popull i vogël ndërkohë që ata jetonin anembanë territoreve të Perandorisë Osmane, ndërkohë që ata akoma udheqënin Egjiptin e Sudanin – sundim i cili zgjati deri në vitin 1952 kur mbreti Faruk i Parë e abdokoi fronin mbretëror.

Përkundër legjendave të neveritshme të propagandës zyrtare, shqiptarët janë popull shumë i rëndësishëm e shumë më i madh në numër se sa e paraqet politika zyrtare. Shqiptarët ishin populli që mundi Perandorinë Britanike. Ashtu siç çdo perandorie i vjen fundi, Perandorisë Osmane i erdhi fundi, por ajo perandori e ngriti popullin tonë në majat e rëndësisë politike botërore. Ata luftuan për Perandorinë Osmane, e mbrojtën atë, përfituan prej saj, dhe perfundimi i qartë e i padiskutueshëm është: periudha e Perandorisë Osmane ishte epoka më e ndritshme për popullin tonë në aspektin politik. Në fakt, po t’i shohim gjërat pak më thellë, ishte pikërisht feja islame, të cilën shqiptarët e përqafuan në një kohë të vështirë, në një kohë që muslimanët në Siçili e Spanjë pëziheshin e thereshin si kafshë nga barbarët evropianë, që i ngriti ata.

Sabri Lushi

Shtator, 2023

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post