Një nga të vërtetat më të çuditshme të historisë njerëzore, e lidhur ngushtë me natyrën e njeriut, është mohimi i Zotit si një parakusht për t’u shpallur zot apo për t’iu nënshtuar një zoti tjetër përveç Zotit – Allahut Krijuesit të qiejve e të tokës.
Në këtë aspekt, mohim i Zotit të Vërtetë, shpallja e vetës zot, apo bindja ndaj zotave të rremë nuk ndodh si rezultat i një kërkimi shkencor, apo si konkluzion i sinqertë nga kërkimi i të vërtetës, mandje nuk ndodh as për arsye argëtimi – kot për dëfrim e zbavitje.
Në përgjithësi, ekziston një arsye e prekshme – një mekanizëm konkret – që e çon njeriun në mohimin e Zotit, dhe kjo arsye mund të jetë pasuria, lakmia, pushteti, dëshira për ta shtuar pasurinë, për ta zgjeruar pushtetin, për të dominuar mbi të tjerët, për të kontrolluar sa më shumë burime natyrore, për t’i shfrytëzuar njerëzit, apo edhe nga frika e mbijetesës – thjesht për të siguruar bukën e gojës.
Pra, mbrapa mohimit të Zotit dhe fabrikimit të zotave të rremë nuk ka ndonjë shpjegim të komplikuar, që do të thotë, edhe kthimi tek bindja ndaj Krijuesit nuk kërkon ndonjë kapacitet të madh intelektual; thjesht kërkon përkujtim – përkujtim mbi gjendjen e njeriut, përkujtim mbi injorancën që mosbesimtari ka rënë, apo përkujtim mbi banalitetin e gjendjes së tij psikologjike.
Thotë Allahu në Kur’an-in Madhështor:
وَذَكِّرْ فَإِنَّ ٱلذِّكْرَىٰ تَنفَعُ ٱلْمُؤْمِنِينَ
وَمَا خَلَقْتُ ٱلْجِنَّ وَٱلْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ
مَآ أُرِيدُ مِنْهُم مِّن رِّزْقٍۢ وَمَآ أُرِيدُ أَن يُطْعِمُونِ
إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلرَّزَّاقُ ذُو ٱلْقُوَّةِ ٱلْمَتِينُ
“Përkujto sepse përkujtimi iu bën dobi besimtarëve. Nuk i kam krijuar xhindët e njerëzit për asgjë tjetër veçse të më binden. Nuk dua prej tyre furnizim dhe as të më ushqejnë. Allahu është furnizuesi i përhershëm, posedues i paepur fuqie.” Edh-Dharijat 55-58
Bindja ndaj Allahut, besimi në Të, adhurimi i Tij, apo mohimi i Tij janë të lidhura ngushtë me ushqimin, pasurinë, apo furnizimin në përgjithësi, ashtu sikurse edhe pushteti është i lidhur ngushtë me ekonominë dhe kontrollin e saj. Po të kishte burime natyrore pa limit, atëherë pushteti nuk do të kishte kuptim.
Në këtë kontekst, një nga mënyrat më të përhapura që njeriu ka përdorur për t’i kontrolluar njerëzit e tjerë është përmes pretendimeve mbinatyrore apo hyjnore, ose me fjalë të tjera, pretendimet hyjnore apo mbinatyrore janë përdorur si mjete për robërimin dhe shfrytëzimin e njeriut – e kush tjetër përveç se pushteti ka qenë burimi i saj?!
Janë pikërisht pushtetarët ata që pretendojnë se janë bijë të Zotit, se kanë origjinë hyjnore, apo se ata janë përfaqësuesit e Zotit në tokë. Këtë e kanë pretenduar pushtetarët faraonikë të Egjiptit të Lashtë, perandorët romakë, ata persianë, ashtu sikurse pretendimi i prejardhjes hyjnore është bërë edhe nga pushtetarët e civilizimeve të tjera.
Kur’ani i ka kushtuar shumë rëndësi hedhjes poshtë të këtij pretendimi, se Allahu nuk ka fëmijë, nuk ka pasardhës me natyrë hyjnore, se të githë njerëzit, duke përfshirë edhe Isain (paqja qoftë mbi të), janë të vdekshëm e të varfër përpara Krijuesit të tyre.
Të besosh se Zoti ka fëmijë, kjo nuk e dëmton Atë, por dëmton njeriun sepse janë pikërisht pushtetet tiranike që e kanë përdorur këtë mashtrim për t’i robëruar njerëzit.
Allahu i Madhëruar e ka shpallur Kur’anin – fjalën e Tij, dhe e ka dërguar Profetin Muhammed (ﷺ) për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga padrejtësia e pushtetit njerëzor tek drita e drejtësisë hyjnore, nga ligjet njerëzore të shkruara nga duart e zullumqarëve dhe të pushtetarëve tiranë tek ligji i Allahut – i Atij që nuk ka nevojë as për para, as për pushtet, dhe as për ushqim sepse Ai është furnizuesi i përhershëm, e posedues i paepur fuqie.
“Thuaj: Allahu është Një; Allahu është Strehuesi; nuk ka pasardhës dhe nuk është i lindur, dhe askush nuk është i krahasueshëm me Të.” Surja El-Ikhlas.
Çdokush që pretendon se është bir i Zotit, apo që njerëzit e konsiderojnë të tillë, apo pretendon se është i shenjtë, hyjnor, se ka fuqi mbinatyrore, apo pretendon se ka autoritetin të bëjë ligje për t’i kontrolluar njerëzit, këta janë mashtrues, njerëz tiranë, që duan t’i robërojnë njerëzit, dhe e gjitha kjo lidhet me nevojën për pushtet, për t’i shfrytëzuar njerëzit, për t’ua marrë pasurinë atyre, apo kjo lidhet edhe me poshtërsinë e vetë njerëzve që iu binden zotave të fabrikuar për një kafshatë buke, për një rrogë, për një interes, dhe për pak qindarka ndërkohë që harrojnë se Allahu është furnizuesi.
Zoti nuk ka fëmijë, por është tirania e pushtetit dhe nënçmimi i njerëzve që i bëjnë vetës ata të cilët abuzojnë me besimin në Zot, që përdorin afërsinë e rreme me Zotin për t’i robëruar njerëzit e për t’i shfrytëzuar ata.
Kur’ani na përkujton se deri se në ç’shkallë ka arritur tirania njerëzore e pushtetit: ka shpikur konceptin e pasardhësve të Zotit. Jo! Allahu nuk ka fëmijë dhe askush nuk ka autoritetin apo legjitimitetin hyjnor t’i robërojë njerëzit. Njerëzit janë të barabartë përpara Krijuesit – Ai i cili posedon çdo gjë, furnizuesi i përhershëm, dhe ligjvënësi i vetëm. Vetëm atij i takon pushteti, jo zulluqarëve njerëzor e sharlatanëve mashtrues, që tipikisht janë të lidhur me pushtetin.
Dhjetor 2024