Të thuash që feja islame është modeli i vetëm politik, shoqëror, ekonomik, dhe shpirtëror, apo alternativa e përkryer për organizimin e jetës në tokë ngjan si slogan nëse ky fakt nuk artikulohet në mënyrën e duhur, apo nuk i sqarohet publikut siç duhet.
Feja islame është e ngritur mbi parime dhe objektiva të qarta. Ndryshe nga Sekularizmit, ajo nuk i fsheh motivet e saj dhe as qëllimet, dhe kjo vihet re më së qartazi në manifestimin, praktikën, rregullat, ligjet, dhe në përgaditjen që i bën individit për t’i realizuar objektivat e saj.
Një prej objektivave të fesë islame është organizimi i shoqërisë në atë mënyrë që i siguron asaj mbijetesën apo vazhdimësinë, ashtu sikurse i jep mundësinë ndividit për të jetuar jetën më të shëndetshme, më të përshtatshme për të, dhe më natyrore të mundshme.
Për këtë arsye, feja islame e përgadit dhe e trajnon individin me rolin e tij që ka në shoqëri. Gjëja e parë apo më e rëndësishme që muslimani brumoset është koncepti i obligueshmërisë, siç njihet në fenë islame me termin ‘teklīf’. Feja e mëson individin se ai ka obligime: obligime ndaj vetes, shoqërisë, dhe mbi të gjitha, obligime ndaj Zotit – të cilat janë të nevojshme për veten e tij pasi Allahu është i Vetëmjaftueshëm [el-Ganij]; Allahu nuk ka nevojë për adhurimet e askujt.
Feja islame e bind njeriun se në këtë jetë ka obligime. Njeriu ka përgjegjësi, dhe ai do të merret në gjykim për këto përgjegjësi nga Allahu, ashtu sikurse ia bën të ditur se dështimi për t’i realizuar këto obligime kanë pasoja të drejtëpërdrejta si në jetën e tij personale ashtu edhe për shoqërinë në tërësi pavarësisht nëse ai refuzon ta besojë ekzistencën e obligimeve.
Në suren më të rëndësishme të Kur’anit, el-Fātiha, Allahu thotë:
“Falenderuar qoftë Allahu, Zoti i botërave; Mëshiruesi [i të gjitha krijesave], Mëshiruesi [i përhershëm]; Mbreti i Ditës së Gjykimit.” Surja el-Fātiha 1-3.
Pasi Allahu e përkujton njeriun me mirësitë që i janë dhënë atij, dhe kjo aludohet përmes “falenderimit” që Ai përmend, i tregon se ai do të merret nën përgjegjësi, se ai nuk është krijuar në tokë për të jetuar në mënyrë aventureske, për t’u dëfryer, apo për të shpikur rregulla sipas oreksit të tij; kjo nënkupton se vetë jeta në tokë – mirësitë e Allahut mbi njeriun apo shoqërinë njerëzore – i nënshtrohet rregullave, që nënkupton më tej, domosdoshmërinë e përgjegjësisë e të gjykimit nga Mbreti i Ditës së Gjykimit.
Ndryshe nga Sekularizmi, feja islame ka një qasje krejt tjetër. Muslimani apo besimtari në Zot është krejt i ndryshëm nga sekularisti apo njerëzit e pafe. Sekularizmi nuk ia bën të qartë njeriut rolin e tij; përkundrazi, e mashtron atë, e lë në injorancë, e hipnotizon me mashtrime duke theksuar slogane të tilla si “të drejta” dhe “liri” të individit ndërkohë që e kthen atë në një qenie të papërgjegjshme, mandje të rrezikshme.
Pasi Kur’ani ia bën të ditur njeriut se ai ka obligime, gjë që ia ngulit besimtarit, ia thekson një gjë të tillë në mënyrë të drejtëpërdrejtë e të tërthortë, është pikërisht vetë Allahu dhe i Dërguari i Tij (ﷺ) që ia bëjnë të qartë muslimanit se cilat janë këto obligime.
Për shembull, Kur’ani dhe Sunneti e saknsionojnë se cilat janë këto obligime, se cilat janë përgjegjësitë e njeriut ndaj vetës, ndaj shoqërisë, prindërve, familjes, farefisit, fëmijëve, të moshuarëve, ndaj autoriteteve politike, ndaj hierarkisë shoqërore, ashtu sikurse detajohen edhe llojet e obligimeve: financiare, morale, ushtarake, ekonomike, shoqërore, politike etj.
Thotë i Dërguari i Allahut (ﷺ),
“Secili nga ju është bari, dhe secili do të merret në gjykim për kopenë e tij; udhëheqësi i cili ka nën përgjegjësi njerëzit do të merret në gjykim për ta, burri do të merret nën përgjegjësi për familjen e tij, gruaja që është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj do të merret nën përgjegjësi, dhe shërbëtori që punon në shtëpinë e zotërisë së tij do të merret nën përgjegjësi. Vërtetë secili nga ju është i ngarkuar me përgjegjësi dhe do të merret në gjykim për të.” Transmeton Bukhariu, Muslimi dhe të tjerë nga Abdullah ibën Umer.
Sipas fesë islame, të gjithë anëtarët e shoqërisë kanë një rol të caktuar, dhe secili prej tyre ka obligime të ngarkuara nga Zoti në atë mënyrë që zbatimi i këtyre obligimeve bën që shoqëria të funksionojë në mënyrën e duhur. Në shoqërinë muslimane, nuk ka individualizëm. Ashtu siç e ka krahasuar vetë i Dërguari i Allahut Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), shoqëria ngjan me shembullin e anijes: të gjithë janë të varur nga të gjithë.
Sekularizmi, nga ana tjetër, promovon një shoqëri individualiste, ku i gjithë kontrolli i kalon shtetit. I nisur nga obsesioni mbi kontrollin e shoqërisë, Sekularizmi promovon një shoqëri të papërgjegjshme, kur anëtarët e shoqërisë të gjithë duhet të presin t’i marrin direktivat nga shteti dhe nuk duhet të veprojnë mbi përgjegjësitë personale. Në një mënyrë apo tjetër, zoti i sekularistëve është shteti. Për këtë arsye, individi përgaditet mendërisht, psikologjikisht, dhe kulturalisht që të mos e kuptojë rolin e tij, aq më tepër që ligjet e Zotit janë të hequra nga shoqëria.
Sekularizmi është në vetvete komunizëm. Çdo gjë sillet rreth shtetit. I gjithë pushteti i përket shtetit. Të gjitha përgjegjësitë i vihen shtetit – qoftë edhe si koncept abstrakt. Individi ka vetëm një obligim: t’i bindet shtetit, qoftë formalisht e qoftë në mënyrë informale.
Pushteti i shtetit apo pushtetit politik në një shoqëri sekulariste, siç është Amerika, Britania e Madhe, Kina, dhe e gjithë bota në fakt, është absolut, apo punohet për të qenë absolut. Pushteti është ai që vendos për fatin e njerëzve, për dënimin apo prosperimin e tyre, për zhvillimin ekonomik, për marrëdhëniet mes individëve, për marrëdhëniet mes farefisit – që në vetvete nuk ekziston, dhe për solidaritetin mes tyre.
Se çfarë përgjegjësishë ka burri, gruaja, fëmija, komshia, mësuesi, eprori tek vendi i punës apo eprori politik, të gjitha këto i vendos shteti në një shoqëri sekulariste. Pra, në sistemin sekularist, pushteti është ekstremisht i përqendruar në dorën e pak njerëzve – në dorën e elitës drejtuese, ndërkohë që njerëzit janë trajnuar që të jenë individë lehtësisht të kontrollueshëm sepse roli i tyre përcaktohet nga shteti.
Sekularizmi prodhon një shoqëri të cënueshme, të përçarë, të dobët, me individë si robotë në dorë të shtetit, që shkatërrimi dhe korrupsioni i elitës drejtuese përhapet pa asnjë pengesë në tërë shoqërinë, siç po na shohin sytë tanë sot në atë që po ndodh në perëndimin e korruptuar e të shkatërruar, sepse në këto shoqëri nuk ka mekanizma për t’i ndaluar mbrapshtirat e pushtetit. Janë shoqëri komuniste.
Feja islame, përkundrazi, ndërton një shoqëri krejt tjetër, të shëndetshme, me njerëz të përgjegjshëm, dhe përgjegjësia personale e askujt nuk anullohet nga pushteti i shtetit. Secili ka përgjegjësinë e vet të saknsionuar nga Krijuesi: burri si kryetar i familjes ka përgjegjësinë e vet, shteti, bashkëshorti, bashkëshortja, eprori, komshiu, kolegu, fëmija, mësuesi, punëtori etj., secili ka përgjegjësinë e tij ndaj Allahut dhe do të merret në gjykim nga Ai.
Xhemati i besimtarëve është si një trup i vetëm. “Nuk është besimtar ai i cili ngopet ndërsa komshia i tij është i uritur,” ka thënë i Dërguari i Allahut (ﷺ). Sekularizmi promovon një shoqëri krejt të kundërt: të dobët, lehtësisht të kontrollueshme, të vrazhdë, dhe një shoqëri e kthyer në ujqër kundër njëri tjetrit.
Që ti të jesh një qytetar i denjë, një bashkëshort apo bashkëshorte e dobishme, një prind i rregullt, një komshi i mirë, një epror i mëshirshëm, një punëtor i ndershëm, një politikan i drejtë, apo një qytetar i rregullt, kjo fillon me të vërtetën e madhe: se Allahu të ka caktuar përgjegjësi, ta ka bërë të qartë se çfarë roli ke, të ka vënë obligime, dhe do të të marrë në gjykim për punën tënde. Pra, nuk është shteti, as shoqëria, dhe as elita drejtuese që ta përcakton rolin tënd.
Zoti yt është Allahu, jo shteti, as tekat, dëshirat apo epshet e tua personale, dhe askush tjetër. Allahu është Mbreti, Furnizuesi, Mbikëqyrësi, Ligjvënësi (Sovrani), dhe Gjykatësi i Ditës së Gjykimit.
Thotë Allahu në Kur’an:
“Pastaj të kemi caktuar ty ligjin nga feja; ndiqe atë dhe mos ndjek dëshirat (tendencën, epshet, mendimet etj) e atyre që nuk dinë.” Surja el-Xhathijeh, 18.
Ky ajet ndodhet në Suren el-Xhathijeh – që do të thotë: të gjunjëzuar Ditën e Gjykimit duke pritur gjykimin e Allahut.
Që të jesh një qytetar i mirë, ndjek atë që të ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, ndjek atë që të ka urdhëruar Mbreti i Vërtetë, Krijuesi yt, Zoti i Madh, dhe Mëshiruesi.
Sabri Lushi
Prill 2025