Home » KUR’ANI BËN THIRRJE PËR DURIM, JO PËR ARMË E HAKMARRJE PERSONALE

KUR’ANI BËN THIRRJE PËR DURIM, JO PËR ARMË E HAKMARRJE PERSONALE

by Kukes Post
0 comments

KUR’ANI BËN THIRRJE PËR DURIM, JO PËR ARMË E HAKMARRJE PERSONALE

 

Në kohën kur i Dërguari i Allahut Muhammed (paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të) po përballej me një kundërshtim të madh nga banorët e Mekës, nga një popull të cilin Allahu e përshkruan si “të zhytur në arrogancë e kundërshtim” [Surja Sād, 2], Allahu zbret suren Sād, e përbërë nga 88 ajete, si një mësim e ngushëllim për të e për besimtarët të cilët po persekutoheshin e po shtypeshin nga pushteti i Mekës.

 

Allahu i thotë Profetit Muhammed (ﷺ),

ٱصْبِرْ عَلَىٰ مَا يَقُولُونَ وَٱذْكُرْ عَبْدَنَا دَاوُۥدَ ذَا ٱلْأَيْدِ ۖ إِنَّهُۥٓ أَوَّابٌ

 

“Ti duro ndaj asaj që thonë ata, dhe përkujto robin Tonë Dawudin e fortë; vërtet ai gjithnjë i drejtohej Allahut.” Surja Sād

 

Ky ajet është fillimi e pjesës qëndrore të kësaj sureje e cila sjell shembujt e disa prej profetëve më të mëdhenj, të cilët kanë duruar ndaj sprovave të ndryshme: nga refuzimi që iu ka bërë populli i tyre, nga sëmundjet, humbja e pasurisë dhe pjesëtarëve të familjes, nga sprova e pushtetit, nga sprovat e dënimeve që vinin nga populli i tyre.

 

Allahu thotë,

 

وَكُلٌّۭ مِّنَ ٱلْأَخْيَارِ

“…të gjithë ishin nga të zgjedhurit” Surja Sād, 48.

 

Dijetarët nënvizojnë faktin se kjo sureh bën thirrje për durim. Durimi është çelësi i suksesit të çdo kauze, të çdo çështje e pune.

 

Allahu e mbyll këtë sureh me historinë e Iblisit – armikut më të madh të njeriut, dhe na tregon se cili është qëllimi i tij dhe se Allahu i ka dhënë jetë deri ditën e gjykimit. Allahu ia ka plotësuar atij këtë kërkesë, që të jetojë deri në ditën e ringjalljes e që është lejuar të mundohet t’i çojë njerëzit në humbje.

 

Pavarësisht injorancën, arrogancës, dhe budallallëkut të tij duke refuzuar t’i bindej Allahut, Iblisi i mallkuar e ka kuptuar që në fillim të herës se grupi i vetëm që do t’i shpëtojë kurtheve të tij janë të zgjedhurit – ata që Allahu i ka bërë të sinqertë.

 

“Betohem në madhështinë Tënde: unë do t’i largoj nga rruga e drejtë të gjithë ata përveç robërve të Tu të zgjedhur.” Surja Sād, 82-83

 

Nga shembujt e robërve të zgjedhur të Allahut janë profetët, janë Ibrahimi, Duwudi, Sulejmani, Ismaili, Ejubi etj. (paqja e Allahut qoftë mbi ta).

 

Cilësia që i bashkon të gjithë këta njerëz të dalluar të Allahut është durimi, dhe pikërisht për këtë e këshillon Allahu të Dërguarin e Tij më të madh të njerëzimit Profetin Muhammed (ﷺ) që të durojë e përsëri të durojë, ashtu siç e ka këshilluar edhe në sure të tjera, sidomos në ato të periudhës së Mekës, që të durojë.

 

Sabri Lushi

 

Maj 2025

You may also like