Home » A JANË SHKOLLAT MODERNE KASAPHANET E FËMIJËVE?

A JANË SHKOLLAT MODERNE KASAPHANET E FËMIJËVE?

by Kukes Post
0 comments

Shkollat masive, uniforme, të obligueshme për fëmijët, sikur të jenë një mall serie, që aplikojnë një kurikulë apo program mësimor të hartuar në mënyrë të centralizuar, që kontrollohen rreptësisht nga qeveria apo shteti, ku roli i mësuesit është robotik dhe zbatues i verbër i ideologjisë së sistemit, është fenomen i shtetit modern britanik apo sekularist, model politik që aplikohet në të gjithë botën.

Zemra e pushtetit modern është shkolla. Aty ushtrohet kontrolli më i madh dhe aty fabrikohet mentaliteti i kontrollit. Nëse do të flisnim për zombi – person që nuk i punon truri në mënyrë optimale apo natyrale, fabrikimi i tyre bëhet në shkolla. Pa kuptuar sistemin arsimor modern, në të cilin Perandoria Britanike ka investuar pa masë, nuk mund të kuptohet sistemi politik modern dhe pasojat shkatërruese të tij në shoqëri.

Sistemi arsimor ka për qëllim të edukoj fëmijët, t’i pajis ata me dituri, e mbi të gjitha për t’i trajnuar ata me shkrim a lexim në mënyrë që ata të kenë mundësi për të pasur akes tek librat, shkenca, e po ashtu, për të zhvilluar aftësinë komunikuese me njerëzit. Komunikimi është çelësi apo tipari më dallues i shoqërisë njerëzore. Përveç ditursë bazë – shkrim e lexim, fëmijët trajnohet edhe me elementë të tjerë të dijes e shkencës si kërkesë e nevojshmë akademike për të t’u trajnuar me aftësi apo profesione që shërbejnë në shoqëri e me anë të së cilave ata sigurojnë një të ardhme e një jetë më të mirë.

Kështu që, mësuesi dhe sistemi arsimor kanë rol të madh. Ata kanë në dorë që ta mësojnë një fëmijë, ta trajnojnë, ta bëj të aftë për të jetuar një jetë dinjitoze, pra kanë mundësinë për t’ia ndryshuar jetën dikujt për mirë. Megjithatë, arsimi është thikë me dy tehe. Shkolla mund t’ia ndryshoj jetën një fëmije, por dhe mund t’ia shkatërroj atë. Procesi i mësimdhënies është shumë delikat, shumë më i komplikuar dhe i ndërlikuar se sa njerëzit e mendojnë. Me fjalë të tjera, shteti, qeveria, shkollat, e mësuesit kanë në dorë shumëçka ndaj fëmijëve – këtyre qenieve të cënueshme e të pambrojtura. Pikërisht, ata që kanë në dorë për t’ia rregulluar jetën dikujt, e ata kanë në dorë dhe për t’ia shkatërruar jetën fëmijëve.

Shumica e njerëzve sot nuk e mendojnë aspak se shkolla është thikë me dy tehe. Prindërit mendojnë se shkolla ështe vendi ku fëmija nuk ka asgjë për të humbur. “Në fund të fundit, edhe nëse nuk mëson shumë, të paktën vetëm duke ndenjur në bankë i ulur, diçka e mëson,” e dëgjojmë shpesh nga prindërit një shprehje të tillë.

Nga pikëpamja shkencore e pedagogjike, kjo nuk është e vërtetë aspak. Fëmija është qenie tepërsisht e cënueshme dhe e dobët. Nëse kafshët janë krijuar nga Krijuesi që kur të lindin, thuajse janë gati të jetojnë një jetë të pavarur nga prindërit e tyre sepse janë të pajisur me instikte të lindura, fëmijët jo. Njeriu është krijuar i tillë që të ketë nevojë për përkujdesje të gjatë nga njerëzit e tjerë – tipikisht prindërit, në mënyrë që të rritet për të jetuar një jetë të pavarur.

Është e zakonshme që muslimanët ta përdorin një ajet kuranor për të argumentuar respektin e detyruar të fëmijës ndaj prindërit, “Dhe Zoti yt ka urdhëruar që askush të mos adhurohet përveç Atij e ndaj prindërve të jini të mirësjellshëm. Nëse njëri prej tyre apo të dy arrijnë pleqërinë, mos i thuaj atyre as ‘oh’ e mos ua ço zërin atyre. Përkundrazi, komuniko me respekt me ta. Bëhu i përulur ndaj tyre e lutu, ‘o Zot, mëshiroj ata të dy siç më kanë rritur mua.” Kuran, 17: 24-25

Nuk ka dyshim se Allahu na ka urdhëuar të jemi të mirësjellshëm ndaj prindërve, por, siç e kanë shpjeguar dijetarët, dhe siç është e qartë dhe nga vetë ajeti kuranor, ky është edhe përkujtim indirekt ndaj prindërve për rolin e tyre. Shprehja “më kanë rritur mua” apo “rabbejjaani” do të thotë: të edukosh, të rrisësh fëmijën me të gjitha nevojat, qoftë ushqim, veshëmbjathje, e strehim, e qoftë edhe nga ana psikologjike e mendore. Pra, Zoti e përkujton prindin se çfarë roli ka ndaj fëmijës.

Fëmija është urdhëruar nga Allahu të jetë mirënjohës ndaj pridërve për rolin e tyre vendimtarë në jetë. Por, njëkohëshisht prindërit kanë në dorë që dhe ta shkatërrojnë jetën e fëmijes për shkak të asaj që ata kanë në dorë. Allahu i Madhëruar nuk thekson rolin e prindërit vetëm në aspektin e ushqimit, veshmbathjes, e strehimit, por dhe në aspektin e moralit, edukimit psikologjik, të të mësuarit të urtësive të jetës, pra për të rritur një qenie njerëzore të plotë e të denjë. Ky është prindi sipas Islamit.

Në të njejtën mënyrë, shkolla apo mësuesi ka në dorë shumëçka, ndoshta edhe më shumë se vetë prindi. Ka vende ku fëmija, si në Kanada, për shembull, qëndron në shkollë shtatë orë, që do të thotë se ndërvepron me mësuesin thuajse më shumë se me prindin. Kështu që, shkolla apo mësuesi aq sa ka në dorë për ta ndikuar fëmijën për mirë, aq e ka në dorë edhe për ta ndikuar për keq.

Besoj se është mëse i qartë dhe i pakundërshtueshëm fakti se shkollat kanë shumëçka në dorë në lidhje me fëmijë tanë. Nuk besoj se kjo është diçka e diskutueshme. Gjithësesi, të gjithë do të mendonim se prindi, mësuesi, apo stafi pedagogjik në përgjithësi janë njerëz, e si të tillë dhe mund të gabojnë. Nuk ka as prind e as mësues të përsosur. Njeriu është qenie e gabueshme dhe jo e përsosur. Edhe kjo besoj është diçka e padiskutueshme.

Problemi është nëse sistemi arsimor, shteti, qeveria, e mësuesit mund të jenë djallëzor dhe kanë qëllime të liga. Kjo është çështja që duhet ta shqetësoj çdo prind, dhe për këtë pjesë do të ndaj mendimin tim, e jo thjeshtë për gabimet njerëzore të sistemit arsimor apo të mësuesëve.

Për shkak të rolit të pazëvendësuar që shkollat kanë në lidhje me aksesin ndaj fëmijëve, me formësimin e tyre moral e mendor, me fabrikimin e mendësisë së tyre, sjelleve e shijeve të tyre, e me përgaditjen e tyre profesionale, që, dashje padashje, ia vulosin të ardhmen një fëmije thuajse në mënyrë të pakthyeshme, pushteti modern ka investuar pa masë në sistemin arsimor dhe e konsideron atë si çelësin e tij.

Sistemi modern arsimor është shumë më djallëzor se ç’e mendojnë njerëzit. Përveç programit shkollor, që është i mbushur me elementë idologjikë, gënjeshtra, propagandë, mashtrime, ndotje truri dhe çoroditje kulturore, shkollat janë fushat e betejës më efikase të shtetit e qeverisë për të targetuar apo goditur ideologjikisht e politikisht fëmijet.

Shkollat i japin një mundësi të artë shtetit për të mbledhur të dhëna të mjaftueshme ndaj fëmijëve, aftësive të tyre, se sa të talentuar janë, çfarë prirjesh kanë, ku mund të shkëlqejnë, ashtu sikurse mund të mbledhin të dhëna për dobësit e tyre apo vështirësitë që nxënësit kanë në të mësuar. Fare mirë, ky informacion mund të përdoret edhe kundra vetë fëmijëve.

Fatkeqësisht, njerëzit e mendojnë shtetin sikur është një makinë që nuk ka ndjenja e djallëzira. Shteti modern paraqitet si i shpartalluar, sikur po rrëzohet dita-ditës, sikur mezi po mbahet në këmbë, e jo më të ketë kohë për qëllime të liga. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë aspak. Shteti është një grup njerëzish, që kanë qëllime, objektiva, ndjenja, politika, plane, urrejtje, frikë, djallëzi dhe dëshirë për t’u hakmarrur. Është fatale që një prind të mendoj se shteti është në esencë një entitet pozitiv. Aspak! Shteti modern është shumë më djallëzor e mafioz, e njëkohësisht, më i konsoliduar se sa mund të perceptohet. Shteti modern ka pushtet tepër të konsoliduar.

Qeveritë moderne sekulariste, që sillen sikur janë të huaja apo armike të popullit, që nuk pyesin për popullin, që sillen sikur të jenë pushtuese – e në shumicën e rasteve të tilla janë, janë në thelb djallëzore e të liga, dhe qëllimi i tyre parësor është vetëm kontrolli i popullsisë, përkundër asaj që llomotisin, si liri, demokraci, të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve, një jetë më e mirë, shëndeti e tij.

Qeveritë moderne sekulariste nuk kanë moral e as ndërgjegje njerëzore, aq më tepër që janë të deklaruara zyrtarisht se nuk aderojnë një asnjë lloj feje që adhuron Zotin. Qeveritë moderne nuk e pranojnë Zotin si autoritetin më të lartë moral-imponues. Qëllimi i tyre është kontrolli ndërsa i trajtojnë fëmijët tanë thjeshtë si qenie të pashpirtë, që mund të shfrytëzohen për të arritur objektivat e pushtetit, apo për t’i asgjësuar ata po të jetë e nevojshme. Nuk gjë më të rrezikshme se një njeri që nuk beson në Zot, e shteti modern në thelb është një bashkësi njerëzish që nuk besojnë në Zot.

Nëse pushtetit i lypset për ta targetuar një fëmijë, për ta shkatërruar atë, për t’ia vulosur jetën, këtë e bën shumë lehtë përmes shkollave, dhe madje e bën pa rënë në sy fare. Sistemi është dizenjuar për t’a bërë një gjë të mundur. Madje, qëllimi kryesor i shkollave është për t’i dhënë mundësinë shtetit që të godas e shkatërroj fëmije sa herë që i duhet. Shteti nuk pyet shumë nëse fëmijët tanë mësojnë apo jo. Ai krejt qëllimin e ka që t’i ketë ata në dorë.

Mësuesit e sistemit modern, edhe pse ka ndryshim nga individi në individ, janë trajnuar për të qënë ushtarë të bindur të sistemit. Ata nuk mund të kundërshtojnë as urdhërat informale që sistemi iu jep për të luftuar nxënësit, e as nuk mund të paraqesin vërejtjet e kundërshtimet e tyre për programin mësimor. Shkollat janë ndërtuar të funksionojnë de fakto në mënyre diktaturale e tiranike. Kjo nuk është e vërtetë vetëm në vende si Shqipëria, por kudo, duke përfshire edhe perëndimin.

Arsimi është një pjesë e rëndësishme e shtetit, në të cilin edhe shërbimet apo shteti i nëntokës fokusohet shumë. Prindërit as nuk mund ta imagjinojnë se në dorë të kujt janë fëmijët – në dorë të shteti, i cili është plot djallëzi, që ka objetiva të liga për të shkatërruar njerëzit.

Nëse feja islam e konsideron fëmijën si një emanet që Zoti ia ka dhënë njeriut, për ta rrituar e edukuar në mënyrën më të mirë, sistemi laik e kosideron fëmijën si një qenie të cilën mund ta përgadis për t’i shërbyer atij, apo për ta shkatërruar e asgjësuar nëse është e nevojshme. Shteti modern nuk ka mëshirë. Është qënie e pashpirtë dhe e ligë. Qeveritë moderne janë qenie të ndyra dhe shkatërruase që as nuk merret me mend se si i trajtojnë fëmijët.

Në fakt, është shumë e përshtatshme të përmendet këtu shembullin e Kanadasë në lidhje me fëmijët e popullsisë vendase – një gjenocid i vërtetë e një krim çnjerëzor i historisë njerëzore.

Kur shteti kanadez është shpallur i pavarur në vitin 1867, kryeminstri i saj i parë, John A. Macdonald, një kriminel i pashpirtë dhe shërbëtor i familjes mbretërore britanike, ka pasë përpiluar e miratuar një politikë se si të shkatërronte popullsinë vendase në Kanada, ato fise që njihen ndryshe si popullsia indiane. Sipas një planifikimi të hartuar në nënyrë shumë djallëzore, kryeministri kandaz ka pasë arritur në konkluzionin se për ta shkatërruar një shoqëri apo për ta gjunjëzuar atë, ky proçes fillon me fëmijët.

Bazuar në planin djallëzor të kryeministit të parë kanadez, shteti ka ndërtuar shkolla me konvikte, të quajtura “residential schools” – shkolla rezidenciale, ku janë mbushur me fëmijë indianë të marrë me forcë nga prindërit e tyre. Qëllimi i shteti ka qënë për t’iu mësuar atyre ideologjinë e shtetit, për t’i bërë të harrojnë gjuhën e kulturën e tyre, dhe njëkohësisht, për t’u shkaktuar prindërve të tyre sa më shumë trauma psikologjike sepse kanë përjetuar një makabër të vërtetë, ku fëmijët janë marrë me forcë nga nënat e tyre, e shumë prejt tyre nuk janë kthyer të gjallë më.

Luftën e shtetit kanadez ndaj fëmijëve indianë e përmbledh shprehja e famshme këtij kryeminsitri kanadaz John A. Macdonald – kriminelit të pashpirtë, “to kill the Indian in the child,” – të vrasësh indianin në fëmijëri; me fjalë të tjera, duke shkatërruar fëmijët, kështu e shkatërron atë popullsi.

Nuk po e përmend këtë shembull për të denoncuar gjenocidin dhe krimet e qeverisë kanadeze ndaj fëmijëve. Shteti kanadez ka kërkuar falje për këtë krim çnjerëzor ndaj fëmijëve të një popullsie vendase, që kishin të drejtë të jetonin në vendin e tyre më shumë se gjakderdhësit britanikë të mirërpitur në këtë tokë.

Qëllimi im është për të denoncuar rolin e arsimit. Atë që ka bërë qeveria kriminale kanadeze ndaj fëmijëve indianë dikur, deri në në shkuarën e afërt, këtë praktikisht e bën çdo shtet sot, çdo qeveri laike. Vërtetë qeveria kanadeze ka kërkuar falje, por ajo metodologji që është përdorur kundër fëmijëve indianë në Kanada përdoret kudo në botë sot, qoftë në mënyrë masive, siç e kanë përdorur qeveritë komuniste, apo qoftë në mënyrë më të kufizuar apo të maskuar nga shtetet sekulariste për të targetuar politikisht fëmijë të caktuar.

Në thelb, modelin që ka përdorur Perandoria Britanike në Amerikën e Veriut për të shkatërruar fëmijë njerëzit, këtë model e përdor çdo qeveri sot në botë, pa përjashtim.

Duke marrë parasysh rolin djallëzor të shteti modern dhe atë që mësuesit kanë në dorë në lidhje me fëmijët tanë, është imperative që çdo prind të jetë i vetëdijshëm për këtë realitet. Çdo prind duhet ta dij se shkolla e ka në dorë për ta mësuar fëmijën e tij, por ajo e ka në dorë edhe për t’ia shkatërruar jetën atij.

Prindërit duhet të jenë skeptik, dyshues, të vëmendshëm dhe të hapin sytë për të mbrojtuar fëmijët e tyre nga shkolla e nga shteti. Prindërit duhet të mos flenë gjumë kur vjen puna tek mbrojtja e fëmijëve, sidomos për emigrantët.

Njëkohësisht, mësuesit e kanë për detyrë që të kenë marrëdhënie tepër transparente me shtetin dhe të mos lejojnë që sigurimet sekrete apo shteti informal të ndërhyjnë në punën e tyre. Ta dinë se nëse i shkatërrojnë jetën dikujt, po bëjnë një krim të madh, gjë që shteti nuk mban përgjegjësi. Në të njejtën kohë, është po ashtu shumë e mundur që shteti mund të përdori dhe fëmijë kundër mësuesëve. Sigurimi i shtetit funksionon në të dyja anët, aq më tepër që ligjet e rregulloret e arsimit janë përpiluar në atë mënyrë që t’i japin mundësi shtetit të nëndheshëm të fuksionoj.

Për shembull, rregullorja se një mësues nuk mund ta përjashtoj një nxënës është tipike që ka të bëj me objektivat djallëzore të shtetit. Duke detyruar apo lejuar një nxënës të rri në shkollë sido që të jetë puna, e duke detyruar një mësues që të merret me një nxënës sido që ai apo ajo të sillet, kjo është mënyra perfekte për t’i shkatërruar ta dyja palët. Sa më të paqarta të jenë rregullat dhe kontratat mes shtetit e individid – mësues apo nxënës, është shteti që del fitimtar, jo individi. Prandaj kërkohet transparencë. Përndryshe, ajo punë duhet të lihet që njeriu të mos përfundoj si ishtar djalli.

Zgjidhja do të ishte që arsimi modern të mos ishte fare i obligueshëm, që prindërit të kishin lirinë e plotë për t’i dërguar fëmijët në shkollë apo jo, që të lejohen shkolla private krejtësisht jashtë kontrollit të shtetit, që të lejohen shkolla private me programe shkollore të përpiluara në mënyrë të pavaruar, që të lejohen shkolla fetare tradicionale nëpër xhami. Kryesorja është që shtetit t’i cëngohet pushteti sa më shumë ndaj fëmijëve tanë, dhe njëkohësisht prindi të marri rol më kryesor në lidhje me kontrollin ndaj fëmijës.

Qeveritë moderne po bëhen të rrezikshme çdo ditë e më shumë. Vitin e kaluar, për shembull, presidenti amerikan arriti të kaloj një ligj për arsimin që në bazë të të cilit mësuesit kanë të drejtë të ndërveprojnë me nxënësit, t’i pyesin ata nëse janë homoseksualë apo lesbike apo nëse kanë ndonjë prirje seksuale tjetër, t’i trajnojnë ata, t’i sigurojnë kushte për ta zhvilluar homoseksualitetin e tyre, dhe e gjitha kjo mund të bëhet pa vënë në dijeni prindërit. Presidenti amerikan e quajti këtë fitore të madhe, pra që tani mësuesit kanë më shumë pushtet ndaj fëmijëve se sa vetë prindërit. Kjo që ka ndodhur në Amerikë – një rrëshqitje drejt një diktature totale, mund të ndodhi nesë edhe në Shqipëri nëse njerëzit nuk hapin sytë që sot.

Këshilla ime e fundit ndaj prindërve është: mbroni fëmijët tuaj, mbroni ata nga shteti, nga programi arsimor, nga mediat, e nga mësuesit. Mos bëni asnjë lëshim ndaj fëmijëve tuaj. Të mos ndjeheni kurrë rehat që shteti po ua merr fëmijët me forcë për t’i dërguar në shkollë. Ndërgjegjësohuni ndaj këtij fakti. Shikoni shkollat si vende të rrezikshme, ku shteti ka më shumë objektiva djallëzore e shkatërruese se sa pozitive. Shkollat e shtetit janë vendet e shkatërrimit, ku shteti i nëndheshëm dhe sigurimet sekrete kanë mundësinë perfekte për t’i targetuar fëmijët tuaj. Konsiderojeni shtetin sekularist britanik si një rrezik të madh për familjet e fëmijët tuaj.

Dijeni që fëmija është dhuratë e Zotit e amanet i Tij që ua ka lënë juve në dorë, jo shtetit, e as qeverisë, as mësuesit, as gjykatave apo halabakëve të shtetit. Mbroni fëmijet tuaj nga kasaphanet e shtetit dhe ngrini zërin tuaj kundër rregjimeve sekulariste e djallëzore. Nëse fëmija juaj shkatërrohet, ju si prind jeni fajtori kryesor, jo shteti, sepse ju po ia çoni fëmijën tuaj me dy duar shtetit për ta shkatërruar dhe nuk kujdeseni për të.

Sigurisht që shteti është në këmbë për ta shtypur çdo prind që kërkon të mbroj fëmijën e tij, siç po ndodh në Amerikën e degjeneruar e barbare, por kurrë mos iu frikësoni shtetit. Atë që shteti kriminal kanadez ka bërë me fëmijët e popullsisë indiane, atë po e bën çdo shtet sot në botë, mirëpo popullsia indiane kanadeze nuk është gjunjëzuar nga shteti. Është shembull për t’u marrë nga ne të gjithë.

Mbroni fëmijët tuaj – dhuratën e Zotit e amanetin e Tij, nga shteti e nga sistemi arsimor. Mos toleroni askënd tek fëmijet tuaj, as shtetin, as gjykatat e askënd. Shteti modern britanik është entitet kriminal e i pashpirtë ndërsa shkollat e themeluar prej tij janë kasaphanet e fëmijëve.

Sabri Lushi

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post