LOGIN
Home » PLANI TURKO-SAUDIT PËR ÇLIRIMIN E PALESTINËS, POR PA TANKE

PLANI TURKO-SAUDIT PËR ÇLIRIMIN E PALESTINËS, POR PA TANKE

by Kukes Post
0 comment

Republika e Turqisë dhe Mbretëria e Arabisë Saudite, dy shtetet kryesore që Perandoria Britanike ka formuar mbas rënies së Perandorisë Osmane dhe pushtimit të umetit islam, kanë vendosur të veprojnë. Më në fund, këto dy shtete kryesore kanë vendosur të dalin me një plan konkret për çlirimin e Palestinës dhe kthimin e Xhamisë Aksa – xhamia e tretë e shenjtë në botë, nën kontrollin e muslimanëve.

Plani i tyre është i habitshëm. Kësaj radhe nuk kanë vendosur që të zbarkojnë ushtritë e tyre, avionët e blerë nga Amerika, as tanket e mjetet e tjera të cilat ua ka dhuruar aleati strategjik, Mbretëria e Bashkuar e mbretit anglez, kundër armikut. Tanket i mbajnë për të vrarë popujt e tyre në rast revolte, jo për të luftuar armikun.

Sulltani turk në mënyrë të menjëhershme mund të fillojë me produksionin e një serie të tërë telenovelash, të cilat do ta trondisin jo vetëm Izraelin, por të gjithë armiqtë perëndimorë, sidomos Greqinë, Francën, Luksenburgun, Andorën, Qipron Greke, Belgjikën, Suedinë, Islandën etj., por jo Amerikën e Britaninë e Madhe sepse ato janë aleatët – jo pushtuesit, e muslimanëve.

Plani i Arabisë Saudite, nga ana tjetër, është më afatgjatë. Ajo ka vendosur të bëjë ofertën për organizimin e kampionatit botëror të futbollit në vitin 2034. Ky eveniment sportiv mund të ndihmojë Saudinë në planin e saj për “hapjen e vendit dhe kthimin e shoqërisë saudite ashtu siç ka qënë në vitet 60-të,” thotë princi saudit i kurorës, dhe kjo hapje mund të jetë kaq e madhe sa mund të bëhet problem për armiqtë izraelitë.

Për të trembur çifutët që po bëjnë gjenocid ndaj palestinezëve të pafajshëm, Arabia Sauditë do të blejë më shumë futbollistë – më të mirët e botës, sidomos ata që kanë dalë në pension, do të shtojë numrin e koncerteve muzikore që do të mbahen në Riad, do të ndërtojë më shumë hotele, vende zbavitje, muzikë, gradualisht do të eleminojë ndarjen apo segregimin gjinor në shkolla e plazhe, do të shtojë numrin e burgjeve dhe do t’i mbush atë me dijetarë, me rininë që kërkon të mësojë fenë, dhe me këdo që ngre zërin kundër padrejtësive shtetërore – sepse kritikat e tyre mund ta hidhërojnë Amerikën dhe Britaninë e Madhe – aleatët tanë të mirë.

Plani turko-saudit për çlirimin e Palestinës mund të funksionojë sepse kësaj radhe dy vendet kryesore muslimane kanë vendosur jo për ta goditur armikun ushtarakisht, pasi kanë menduar që një gjë e tillë nuk është e duhura tani, por ato kanë vendosur t’i ndryshojnë më parë muslimanët e t’i transformojnë ata që të bëhen si armiku. Kushdo që i reziston planit turko-saudit, do të përballet me forcën e ligjit.

***

Edhe pse kjo është ironi për të treguar gjendjen e mjeruar të umetit islam, plani turko-saudit për telenovela, për muzikë e hare, për ndërtim burgjesh e arrestim dijetarësh është i vërtetë. Turqia dhe Arabia Saudite sot janë kthyer në turpin e muslimanëve ndërkohë që pretendojnë të mbajnë mbi vete flamurin e umetit islam.

Asgjë nuk është për t’u habitur. Umeti islam është pushtuar që para një shekulli, dhe ai nuk mund të çlirohet me përralla, me ligj ndërkombëtar, por me luftë. Arabia Saudite dhe Republika Turke, si dy vendet kryesore të umetit islam, janë themeluar nga armiku, janë formuar nga armiku, kontrollohen nga armiku, i shërbejnë armikut, flasin gjuhën politike të armikut, dhe i therin mbas shpine muslimanët sa herë ua kërkon këtë armiku.

Të jesh i pushtuar nuk është gjë e re. Kjo ndodh. Ka ndodhur gjithmonë. Kjo do të ndodh në të ardhmen, ashtu siç po ndodh sot. Të jesh i pushtuar është realitet politik i shoqërisë njerëzore. Ky fakt nuk na trondit, por ajo që na rrëqeth është mashtrimi dhe gënjeshtra i liderëve muslimanë. Armiku amerikano-britanik nuk ka zgjedhur për t’i mbajtur muslimanët nën pushtim haptas, duke patrulluar policinë e tyre nëpër rrugët e qyteteve muslimane, apo duke valëvitur flamurin perandorak britanik nëpër vendbanimet tona. Armiqtë tanë kanë zgjedhur për të na kontrolluar me anë të qeverive që flasin gjuhën tonë, por që i miraton armiku dhe që i shërbejnë armikut.

Problemi i qeverisë turke dhe i asaj saudite dhe i gjithë qeverive të tjera në vendet muslimane është se ato gënjejnë muslimanët. Qëllimi kryesor i qeverive kukulla në vendet muslimane është që të mbulojnë armikun, që të zbardhin e lustrojnë fytyrën e armikut, dhe të therin mbas shpine muslimanët sa herë ua kërkon armiku.

Gjithashtu, dëmi më i madh që këto qeveri kukulla iu bëjnë muslimanëve është se na japin përshtypjen sikur nuk jemi të pushtuar, e si pasojë, ne nuk jetojmë si në luftë, marrim vendimet kryesore të jetës duke mos marrë parasysh se jemi të kontrolluar nga armiku, duke mos ditur që është armiku që i kontrollon politikat tona. Shkojmë në shkollë duke mos e ditur se armiku na i kontrollon shkollat e universitetet tona. Kërkojmë të bëjmë biznes duke mos e ditur se ekonominë e kontrollon armiku. Shkojmë në gjykata për të kërkuar të drejtat tona duke mos e çuar në mend se ato i kontrollon armiku – Britania e Madhe dhe Amerika.

Qeveritë kukulla të vendeve muslimane janë thjesht një maskë në fytyrën e armikut. Nuk ka dyshim se për ne muslimanët do të ishte shumë më mirë që armiku ta nxjerrte fytyrën gjatë gjithë kohës sepse ashtu ruhemi nga armiku, sepse ashtu mund të bëjmë diçka që ta përzënë armikun nga vendet tona. Pikërisht, kjo është arsyeja se pse Perandoria Britanike dhe Qeveria Amerikane – entitetet më të korruptuara e më terroriste në botë, kanë vendosur të rrinë të maskuara.

E mbyll me këtë lutje, të cilën muslimanët e bëjnë shpesh: “O Allah, na e shfaq të vërtetën ashtu siç është, e na e mundëso pasimin e saj, dhe na e shfaq të pavërtetën ashtu siç është, e na e mundëso evitimin e saj.”

Po ashtu, “O Allah, na e shfaq armikun ashtu siç është në mënyrë që të ruhemi prej tij dhe nënçmoji të gjithë ata që shërbejnë si maskë për armikun.”

 

Sabri Lushi

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post