Home » Rama “shpall“ të pafajshëm Abdurrahim (Genc) Ballën

Rama “shpall“ të pafajshëm Abdurrahim (Genc) Ballën

ANASHKALIMI I KMSH-SË NGA KRYEMINISTRI NJË FAKT QË NXJERR NË PAH SE ARRESTIMI DHE BURGOSJA E IMAMIT GENC BALLA ISHTE VENDIM POLITIK DHE DHUNOSJE E LIRIVE TË MUSLIMANËVE AUTOKTONË SHQIPTARË

by Kukes Post
0 comments

Nuk ka dyshim se inagurimi i Xhamisë së Namazgjasë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës Turke ishte gëzim për të gjithë ne, për të gjithë muslimanët shqiptarë, dhe shpreh mirënjohjen modeste qoftë për Kryeministrin, i cili ka dhënë kontributin e tij në ndërtimin e kësaj xhamie, dhe po ashtu edhe për Presidentin Erdogan. Xhamiat janë simbol prej simboleve të Islamit dhe vendi ku falen e bashkohen besimtarët.

Gjithsesi, jeta e besimtarëve, gjaku i tyre, liria e tyre, familjet e tyre, pasuria e tyre, dhe dinjiteti i tyre janë më të vlefshme e më të rëndësishme se ndërtimi i një xhamie grandioze pavarësisht bukurisë e rëndësisë së saj për komunitetin.

Në vitin 2014, ishte po ky kryeministër, po ky shqiptaro-britanik, e po këto institucione që i tronditën besimtarët muslimanë shqiptarë me arrestimin e padrejtë e brutal të një grupi besimtarësh herët në mëngjes duke falur namazin e sabahut.

Mes të tjerëve, u arrestuan Abdurrahim (Genc) Balla e Bujar Hysa, që të dy shërbenin si imamë në dy xhami të ndryshme të ndërtuara me kontributin financiar të vetë besimtarëve. Eventualisht këta dy imamë u dënuan respektivisht me 17 e 18 vjet burg mbi akuza esencialisht politike e me një proçes gjyqësor politik e teatral.

Pavarësisht nëse ne si muslimanë pajtohemi apo jo me mendimet apo interpretimet teologjike të Abdurrahim (Genc) Ballës, kjo nuk e legjitimon aspak arrestimin e tij për arsye politike, dhe kjo nuk na e heq ne muslimanëve detyrimin që kemi për t’u solidarizuar me një musliman kur i bëhet padrejtësi.

Transmetohet nga Abdullah ibën ‘Amr se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të) ka thënë,

“Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën atij padrejtësi e nuk e dorëzon atë; kush i ofron ndihmë vëllait të tij, Allahu do ta ndihmojë atë; kush ia largon muslimanit një vështirësi, Allahu do t’i largojë atij një vështirësi nga vështirësitë e Ditës së Kijametit; e kush ia mbulon të metat muslimanit, Allahu do t’ia mbulojë të metat e tij Ditën e Kijametit.” Transmeton Imam Muslimi.

Abdurrahim (Genc) Balla, bashkë me të tjerët, u arrestua dhe u gjykua mbi akuzat se: ka nxitur konflikt ndërfetar, dhe ka nxitur qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në një konflikt në një shtet të huaj, konflikt që u njoh si terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe pse ishte Barack Obama që e kishte nisur si luftë për të rrëzuar regjimin sirian.

Gjithashtu, një akuzë tjetër që iu bë qytetarit shqiptar Abdurrahim (Genc) Ballës ishte ajo e ‘imamit të vetëshpallur’ për shkak se ai e ushtronte pozicionin e imamit në një xhami që nuk e kishte ndërtuar apo njohur KMSH dhe se nuk ishte emëruar po nga ky institucion.

Akuza ishte më shumë për konsum mediatik, për ta prishur figurën e tij e me qëllim për t’i legjitimuar akuzat politike ndaj tij.

Sot, pas dhjetë vitesh, shumë të vërteta po dalin në shesh, dhe se veprimet e shtetit shqiptar në atë kohë ishin krejt politike, të gabuara, të pa besa, dhe që kanë tronditur themelin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.

Abdurrahim (Genc) Balla u akuzua për një konflikt që e kishte nisur vetë SHBA dhe presidenti i asaj kohe Barack Obama. Në luftën apo kryengritjen e popullit sirian ka marrë pjesë vetë Presidenti Erdogan, duke lejuar kalimin e vullnetarëve luftëtarë nga e gjithë bota për në Turqi e më pas në Siri.

Konflikti sirian ishte investim politik i fuqive të mëdha dhe i politikës globale; nuk ishte një konflikt që e kishin në dorë qytetarë të thjeshtë. Madje, edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë u shpreh publikisht dhe zyrtarisht kundër Kasapit të Lindjes së Mesme në vitin 2013, aq më tepër që legjislacioni shqiptar nuk e ndalonte pjesëmarrjen në konflikte të huaja.

Sot një dekadë më vonë mbas arrestimit të qytetarit shqiptar Abdurrahim (Genc) Balla, Kryeministri i Shqipërisë, i njëjti njeri që gërthiste përpara njëmbëdhjetë vitesh, “Kasapi i Lindjes së Mesme,” ka konsumuar akuzën e nxitjes së konfliktit ndërfetar në Republikën e Shqipërisë, ka tentuar të bëjë separatizëm, ka bërë thirrje në vitin 2013 për pjesëmarrje në konflikte të huaja me bazë terrorizmin, dhe gjithashtu, me anashkalimin e KMSH – së gjatë inagurimit të Xhamisë së Namazgjasë, u vetëshpall lidër fetar.

Mos arrestimi i kryeministrit mashtrues për të njëjtat akuza që i janë hedhur Abdurrahim (Genc) Ballës tregon se akuzat ndaj këtij të fundit ishin politike dhe se qytetari Edi Rama gëzon imunitet të padrejtë, pa përmendur rolin e tij prej kurthaxhiu.

Për të qenë i sinqertë, unë personalisht nuk e konsideroj fare gabim anashkalimin e KMSH-së sepse nuk është as antikushtetuese dhe as jo morale. Shqipëria është shtet sekular, ku feja dhe institucionet e saj janë të ndara nga shteti, kështu që KMSH (si institucion i mandatuar nga shteti) nuk mund të kontrollojë xhamiat, por po e nënvizoj faktin e anashkalimit të KMSH-së për të nxjerrë në pah mos-konsistencën morale e politike të shtetit shqiptar i cili e njollosi dhe e përdhosi pafund figurën e Abdurrahim (Genc) Ballës duke e quajtur ”imam i vetëshpallur”. Kryeministri na tregoi me fakte se dakordësia e KMSH-së nuk qenka detyrim ligjor e kushtetues për postin e imamit, dhe e falenderoj prapë kryeministrin për këtë sqarim.

E vërteta e madhe është se Abdurrahim (Genc) Balla është arrestuar për arsye politike, për të bërë shantazh politik mbi muslimanët shqiptarë, për të shtypur çdo zë muslimani i cili është i pavarur, për ta varrosur emrin e çdo muslimani që refuzon të bashkëpunojë me shërbimet sekrete të shtetit shqiptar, që predikon një islam origjinal – larg interesave politike e gjeo-politike, dhe mbi të gjiitha për ta gjetur një musliman për ta bërë kokë turku apo mish për top për një konflikt që e kishte nisur Amerika e pabesë dhe Monarkia Britanike me spiunët e agjentët e tyre nëpër botë.

Unë personalisht nuk e di gjendjen familjare të Abdurrahim (Genc) Ballës e të farefisit të tij, por zakonisht kur shteti i korruptuar shqiptar dhe institucionet gjyqësore zullumqare vendosin për ta arrestuar dikë për arsye politike e për ta bërë shembull, ata kujdesen mirë që askush nga familja e farefisi të mos e ngre zërin. Madje ideale për shtetin është rasti kur i arrestuari nuk ka një vëlla apo prind për ta ngritur zërin kundër zullumit dhe padrejtësisë së shtetit. Abdurrahim (Genc) Ballës babai i kishte vdekur, dhe nuk jam i sigurtë nëse ka pasur ndonjë person familjar për ta mbrojtur. Shteti i modelit britanik i shikon mirë këto gjëra.

Abdurrahim (Genc) Balla u arrestua në mënyrë të padrejtë e për arsye të pastërta politike nga Qeveria Shqiptare me urdhër direkt nga SHBA, CIA, dhe Monarkia Britanike – armiqtë e muslimanëve. Abdurrahim (Genc) Balla nuk kishte shkelur asnjë ligj, dhe akuzat ishin të pa provueshme.

Akuzat ndaj Abdurrahim (Genc) Ballës ishin qesharake, të kota, të pabaza, dhe i gjithë procesi gjyqësor ishte i pështyrë dhe i padrejtë.

Në vitin 2014 shteti i së drejtës në Republikës e Shqipërisë ra. Gjykatat ranë. Shteti nxori fytyrën e tij tradhtare e të pabesë ndaj muslimanëve. Regjimi britanik i Tiranës e nxori fytyrën e armiqësisë ndaj muslimanëve.

Regjimi i Tiranës duhet të heqë dorë nga zullumi i tij i madh. Ne e dimë se ky regjim nuk përfaqëson popullin shqiptar. Ne e dimë se ky regjim është trashëgimi e pushtimit britanik të 1912-së. Ne e dimë se kryeministri shqiptar nuk është asgjë tjetër veçse një vezir apo pasha i caktuar nga monarku britanik – ata të cilët i pushtuan tokat shqiptare në vitin 1912, vit në të cilin Perandoria Osmane e humbi luftën në Ballkan kundër Perandorisë Britanike.

Familja e Abdurrahim (Genc) Ballës dhe e Bujar Hysës duhet të kërkojnë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nga Ministria e Drejtësisë, nga Presidenti i Republikës, nga Gjykata e Krimeve të Rënda, dhe nga Parlamenti Shqiptar të rihapet procesi gjyqësor për Abdurrahim (Genc) Ballën dhe Bujar Hysën. I gjithë procesi duhet të ribëhet dhe të kthehet në një betejë politike e publike kundër gjykatave shqiptare, kundër prokurorisë, kundër vetë sistemit të drejtësisë, kundër shtetit zullumqar, kundër Ambasadës Amerikane (kësaj organizate terroriste), dhe le të jetë ky proces një ekspozim i zullumit të Monarkisë Britanike.

Githashtu, familja duhet të kërkojë një dëmshpërblim prej 100 milionë dollarësh nga shteti shqiptar për këtë zullum, padrejtësi, e pabesi të madhe ndaj muslimanëve shqiptarë.

Shteti shqiptar duhet të heqë dorë nga zullumi, nga spiunazhi, nga shantazhet, nga lufta e tij ndaj muslimanëve, ndaj përçarjes së muslimanëve, dhe duhet të sillet si shtet i pavarur e jo të marrë urdhëra nga Monarkia Britanike – kjo familje zullumqare, e nga Qeveria Amerikane – qeveria e zullumit dhe terrorizmit.

Shteti shqiptar është kthyer në një turp, në një entitet të pabesë. Turp!

Nuk ka rëndësi se cili është Abdurrahim (Genc) Balla, nëse pajtohemi me të ideologjikisht apo jo; edhe po të ishte në vend të tij një katolik, ortodoks, apo edhe ateist, ne si muslimanë jemi të detyruar me tekst kuranor të mbrojmë drejtësinë e të jemi në krahun e atij që i është bërë padrejtësi. Kjo është feja islame që unë e ndjek, e drejtësia është një komponent themelor i saj. Është çështje parimore, jo interesash apo pragmatizëm politik.

Sabri Lushi

Tetor 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post