Home » SINQERITETI: ATY KU FEJA DHE SHKENCA BIEN NË UJDI

SINQERITETI: ATY KU FEJA DHE SHKENCA BIEN NË UJDI

by Kukes Post
0 comments

Jo vetëm besimtarët, ata të cilët besojnë në Zot, besojnë në llogaridhënien e madhe apo në shpërblimin e madh që Krijuesi e ka përgaditur për ata që veprojnë sipas ligjit të Tij, por edhe njerëzit e zakontë, edhe ata të cilët nuk besojnë në Zot, edhe shkencëtarët, madje edhe ateistët e pretenduar, thellë thellë të gjithë e duan sinqeritetin apo çiltërsinë.

Të gjithë ne e çmojmë një mall të mirë, një produkt origjinal, një ushqim të gatuar pastër, një favor apo nderë të bërë pa interes, një mik që të gjendet pranë edhe kur jemi në gjendje të vështirë, një bashkëshort apo bashkëshorte që investohet në martesë me ndershmëri, një mjek të cilit mund t’ia besojmë shëndetin tonë, apo një mekanik që nuk na shpik lloj lloj defekti kush shkojmë për të ndërruar vajin e makinës.

Në terma praktik, të gjithë ne e dimë ç’është sinqeriteti dhe e vlerësojmë atë, por përse atëherë nuk jemi të sinqertë? Përse është kaq e vështirë të jemi të sinqertë? Përse feja i ka kushtuar kaq rëndësi sinqeritetit?

Sinqeriteti nuk është naivitet, as pëshpëritje e vetvetes, as një ritual i thënë me zë të lartë përpara faljes së namazit “kam bërë nijet të falem…;” aq më tepër, nuk është lustrim, ambalazh, apo stoli që e veshin gratë për t’u dukur më të bukura.

Sinqeriteti është zgjedhje, është vendim, është botëkuptim, është konkluzion i një të mençuri, dhe mbi të gjitha, sinqeriteti është e vërteta. Nuk është thjesht mirësjellje, por e vërteta. Nuk është aktrim apo teatër, por e vërteta. Është beteja e vërtetë në të cilën fitojnë të fortët dhe rrëzohen të dobëtit.

Sinqeriteti është i vështirë sepse është betejë, është mençuri, ashtu sikurse është vendim që ka një çmim.

Sinqeriteti ka çmim. Nuk është falas. Të tillë e ka bërë Zoti sepse përbën mekanizmin me anë të të cilit sprovohen njerëzit.

Të jesh i sinqeritë do të thotë që do të paguash një çmim, e në shkëmbim do të marrësh të vërtetën, do të arrish atë që kërkon nëse kërkon diçka nga të mirat e kësaj bote, e do të arrish parajsën apo takimin me Allahun nëse qëllimi yt është e vërteta absolute. Malli i mirë nuk është falas.

Nëse beson në Zot, në Zotin Një, në Krijuesin e vetëm, në të Vërtetin, në Atë i Cili kontrollon gjithçka, atëherë sinqeritet në besim tënd apo në këtë që pretendon do të thotë se ti nuk beson në një zot tjetër, nuk i bindesh një zoti tjetër, nuk i servilosesh një zoti tjetër, nuk zbaton ligjet e një zoti tjetër, dhe nuk ke frikë nga një zot tjetër, qoftë ai lloj zoti njeri, profesor, gjykatës, biznesmen, kafshë, ide, zyrë, qeveri, fenomen natyror, dëshirë, epsh, grua, burrë, shtëpi, një rrobë që mund ta veshësh, një makinë që mund ta ngasësh, apo reputacion.

Sinqeriteti është i vështirë sepse ka kosto. Ai ka një çmim. Besim i sinqertë në Zot do të thotë ndoshta të humbasësh një punë, të humbasësh para, të prishesh me njerëz, me miq, me të afërm, të persekutohesh, të të dëmtohet reputacioni shoqëror, të humbasësh karrierën, të humbasësh një biznes, të përballesh me varfëri, ndoshta të jetosh në një shtëpi të vogël, të përballesh me armiq, të të kërcënohet jeta, dhe e gjitha kjo bëhet sepse beson në Zotin e vërtetë – besimi nuk është pretendim.

Në të njejtën mënyrë, edhe një produkt i pastër, origjinal, pa hile, apo një shoqëri e sinqertë, apo një marrëdhënie e ndershme ka çmimin e vet: në fillim mund të të mos fitosh shumë nga produkti origjinal, mund të humbasësh klientelë në fillim, mund të humbasësh para nga një shoqëri e mirë, mund të të duhet të sakrifikosh, madje shumë, për shkak të një marrëdhënie të ndershme, por ne të gjithë e dimë se në fund fitimi është më i madh se kosto.

Bota është ndërtuar me sinqeritet. Në themelin e saj është sinqeriteti apo e vërteta. Dielli lind çdo ditë sipas një kohe të parashikuar dhe perëndon po aty ku ne e dimë. Dielli nuk na gënjen. As forca e rëndesës nuk ka gënjen, as fotosinteza, as lëvizja e ujit, as era, as mali e as deti. Secili vepron sipas një saktësie. Asnjëri nga ne nuk e konsideron diellin naiv, as hënën injorante, as fotosintezën një proces të kotë, as malin një budalla dhe as detin një dritëshkurtër.

Budalla është njeriu i cili e injoron të vërtetën. Njeriu është qenie e padrejtë dhe navie. Është qenie që e gënjen vetveten, që i jep përparësi një produkti me ambalazh të bukur mbi një tjetri origjinal, që shpesh e vlerëson sipërfaqësoren me shumë se esencën sepse jepet mbas një kënaqësie mometi, mbas një fitimi të aty-për-atyshëm.

Njeriut i duket më e lehtë të besojë apo të adhurojë një zot të prekshëm, një statujë, një njeri, një zot që i premton përralla, një zot që ia hedh një kockë ashtu siç i hidhet qenit, një zot që ia jep fitimin aty për aty, e madje i duket sikur i përgjigjet aty për aty.

Për budallain, zot është një bos që e punëson, një punë, një zyrtar shtetëror që ka në dorë një benefit, një politikan, një delenxhi, por që premton diçka; zot është qeveria sepse të jep përshtypjen se mund ta mjelsëh si lopë; zot është paraja sepse ajo ‘të zgjidh’ çdo problem, por e gjitha kjo nuk është asgjë tjetër veçse një ambalazh.

T’i besosh Allahut, t’i besosh ligjit të Tij, planit të Tij, caktimit të Tij, premtimeve të Tij, daljes përpara Tij, fuqisë së Tij, kontrollit, diturisë, mbikëqyrjes, apo mbretërimit të Tij, ka një çmim, kërkon një mundim, kërkon që të heqësh dorë nga zotat e tjerë, fitimin mund të mos e shikosh përpara syshë – të paktën ashtu siç e pretendon në botëkuptimin tënd naiv, por e vërteta ngelet e vërtetë dhe sa më shumë të ecësh në të vërtetën, do ta kuptosh se ajo është gjëja më e çmuar.

Për ta mbyllur, të jesh i sinqertë nuk është naivitet, as përshpëritje e vetvetes, as sllogan apo ritual përpara një adhurimi, por vendim. Sinqeriteti është vendim, është vendim për të pranuar të vërtetën, është vendim për të paguar një kosto të vogël në shkëmbim të një fitimi kolosal, është vendim për të mos iu bindur zotave të rremë, është vendim për të hequr dorë nga ambalazhimi naiv apo sipërfaqësorja qesharake, është vendim për ta vendosur veten aty ku e ka vendin – rob i Zotit.

Sinqeriteti është e kundërta e gënjeshtrës, e kundërta e hipokrizisë, dhe është transaksion, madje tregtia më fitimprurëse, porse është tregti e të mençurëve: paguajnë pak që të marrin shumë dhe heqin dorë nga e pakta që të mos humbasin shumë.

Sinqeriteti nuk është naivitet, por dituri, mençuri, trimëri, guxim, heqje dorë nga bota e rëndomtë kafshërore dhe përpjekje për tu ngritur në botën e engjëjve: në botën e vërtetë.

Sinqeritet është t’i besosh Allahut të Vetëm, jo zotave të tjerë, çfarëdo lloj zotash qofshin ata e çfarëdo lloj gjërash premtofshin ata, e sa shumë janë shtuar zotat e rremë në kohën tonë!

Sabri Lushi

Nëntor 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post