LOGIN
Home » A E BËN FEJA JETËN MË TË LEHTË APO MË TË VËSHTIRË?

A E BËN FEJA JETËN MË TË LEHTË APO MË TË VËSHTIRË?

by Kukes Post
0 comment

Masat e gjëra të njerëzve, sidomos në vende ku është bërë propagandë e madhe kundër besimit në Zot, e perceptojnë fenë si një gogol, diçka që i përket të së shkuarës, që jep urdhëra, që i dikton njerëzit se çfarë duhet apo nuk duhet të bëjnë, që ndalon nga qejfet, me pak fjalë, feja është “shpikur” për ta bërë jetën më të vështirë. Kështu perceptohet ajo thuajse kudo në botë – diçka e vështirë, që e bën jetën të vështirë, aq më tepër kur vihet në kontrast me propagandën sekulariste e cila e përdor fjalën ‘liri’ edhe në burg.

Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Zoti i Madh e ka zbritur fenë, me gjithë ritualet, ligjet, moralet, rregullat, dhe udhëzimet për një arsye fisnike: për ta bërë jetën më të lehtë për njerëzit. Të paktën kështu thotë Kurani, dhe kështu pohon edhe Profeti Muhammed (paqja qoftë me të) – që feja islame e bën jetën më të lehtë.

PO A ËSHTË E VËRTETË QË FEJA ISLAME E BËN JETËN MË TË LEHTË?

Ndryshe nga sekularizmi perëndimor, që fjalët i ka të bukura dhe pamja e tij a jashtme të magjeps, që iu shkon për shtat epsheve dhe dëshirave momentale të njeriut, feja islame nuk angazhohet në propagandë, dhe nuk është lëvizje politike që interesohet për pushtet, sepse Zoti nuk ka nevojë për adhurimin apo bindjen e askujt – Ai e ka të gjithë pushtetin, porse ajo kërkon t’ia bëj jetën njeriut më të lehtë në çdo aspekt, dhe këtë Allahu e bën si mëshirë për njerëzit.

Këto janë disa shembuj apo manifestime se si feja islame e bën jetën më të lehtë:

E para, njeriu është krijuar i atillë që e din dhe e ndjen se gjithmonë i mungon diçka shumë e rëndësishme pavarësisht nëse e artikulon apo jo. Çdo fëmijë e din se ka një Zot – Ai që e ka krijuar atë, që kontrollon çdo gjë, që ka autoritet absolut, dhe që simbolizon të përkryerën. Kështu që, feja e sjell njeriun tek Zoti – Atë që e din thellë në shpirt që ekziston dhe e merr malli për të, edhe pse kultura në të cilën është rritur ia zbeh një ndjenjë të tillë.

Të jesh pranë Zotit, duke e ditur se është dikushi që nuk të braktis kurrë, që t’i dëgjon lutjet, që ia shpreh hallet e vështirësitë, që e din se Ai kurrë nuk bën padrejtësi, që furnizon dhe përkujdeset, kjo e bën jetën shumë më të lehtë. Njeriu pa Zot është sikur jetimi – gjithmonë ndjenë mungesën e dikujt që mund ta mbroj.

E dyta, feja e pajis njeriun me dituri, dhe kjo patjetër që e bën jetën më të lehtë. Dituria është fuqi dhe vetëbesim ndërsa mungesa e diturisë sjell hutim dhe frikë. Sa më shumë dije të ketë njeriu, rreth çdo gjëje, rreth Zotit, krijesave, historisë, të shkuarës, të ardhmes, se çfarë ndodh mbas vdekjes, rreth universit, gjuhës, moralit, psikologjisë së njerëzve, e gjitha kjo reflektohet dhe përkthehet në forcë dhe qetësi, ekzaktësisht si shembulli i një personi që din ta përdor një pajisje rrjedhshëm – kjo i sjell qetësi dhe lehtësi, ndryshe nga ai që nuk ia ka idenë se si ta përdor atë. Kurani është thesar diturie, që rrjedhimisht ia bën jetën njeriut më të lehtë.

E treta, Kurani, për shembull, e ndalon njeriun nga gënjeshtra, nga konsumimi i disa lloj ushqimesh e pijesh, nga vjedhja, nga pirja e alkoolit, nga shpenzimet e tepërta apo shpërdorimi, nga kamata apo interesi mbi borxhin monetar, nga marrëdhëniet intime jashtë martesore, ashtu sikur se urdhëron për kryerjen e disa riteve të caktuara, siç është falja e namazit, dhënie e një pjese të pasurisë, agjërimi i muajit të Ramazanit etj.

Po ta marrin e ta analizojmë secilën nga ato gjëra që feja islame e ndalon njeriun prej saj dhe çdo gjë që ajo ka urdhëruar për ta vepruar, do të vëmë re se në fakt ato janë ligjëruar për t’ia lehtësuar jetën njeriut. Çuditërisht, sa më shumë ta respektosh fenë, aq më e lehtë fillon e të bëhet jeta, madje lehtësimi shtohet në mënyrë progresive.

Nëse njeriu nuk gënjen, që duhet të jetë ndër moralet më kryesore të muslimanit, ai ecën mes njerëzve me plot qetësi, ndryshe nga gënjeshtari që kudo që të jetë ka frikë se po i del ndonjë gënjeshtër. Gënjeshtra e bën njeriun pa dinjitet, ia ul vlerën, ia vështirëson marrëdhëniet me njerëzit, ia shton frikën nga ata, mund të jetë shkak për t’iu bërë padrejtësi të tjerëve, dhe më e keqja, shpesh kërkohet që ai të bëj disa gënjeshtra edhe më të mëdhaja për të mbuluar një gënjeshtër fillestare. Vërtetë duket sikur në fillim kur gënjen gjërat lehtësohen, por shumë shpejt fillon rrethi vicioz i vështirësive. Me pak fjalë, gënjeshtra është një faktor që ia vështirëson jetën njeriut pa masë edhe pse njerëzit nuk e kuptojnë; kujtojnë se thjeshtë ka ca pasoja të vogla morale.

Një shembull tjetër është pirja e alkoolit. Është diçka që të dëmton gjënë më të rëndësishme: trurin. Besoj se nuk kërkon shumë mendje të ndritur për ta kuptuar se çfarë pasojash vijnë nga dëmtimi i trurit. Sa më shumë ta mbroj njeriu trurin dhe ta zhvilloj mendjen, mundësia për të pasur një jetë me të lehtë është më e madhe.

Po ashtu vjedhja dhe imoraliteti. Në çdo kulturë apo sipas çdo ligji të botës, pavarësisht propagandës apo arikulimeve politike, t’i vjedhësh dikujt pasurinë apo t’ia prekësh moralin, askush nuk e do këtë edhe në ato vende që sillen sikur janë të degjeneruara. Nëse njeriu përfshihet në marrëdhënie seksuale jashtë martesore, apo i vjedh pasurinë dikujt, përfitimi është momental dhe i papërfillshëm krahasuar me pasojat apo nga frika e pasojave.

Nuk është feja islame që e ka bërë vjedhjen apo marrëdhëniet seksuale jashtë martesore të ndaluara, është pikërisht natyrshmëria e njeriut që i urren këto gjëra dhe nuk ta fal nëse e prek në to. Feja islame thjeshtë i thotë e drejton njeriun që të ruhet nga diçka që ka pasoja. Feja të tregon në mënyrë të ndershme pasojat që do të ketë nëse i marr pasurinë dikujt me të padrejtë.

E njëjta gjë është edhe me interesin mbi borxhin monetar. I nxitur nga dëshira për të shpenzuar më shumë, shpesh në mënyrë jo racionale apo të nevojshme, njeriu e plotëson këtë mundësi nga borxhi me interes. Nga natyra, njeriu është qenie me epshe e ndjenja; kur i merr paratë, nuk mendon thellë se çfarë pasojash do të ketë, kështu që hyn në një borxh që çdo ditë që kalon i shtohet. Nga ana tjetër, borxh me interes do të thotë që borxhliu apo banka nuk ta fal atë. Nëse nuk je në gjendje pa ta shlyer në afat, do ta shlyesh më vonë edhe nëse është e nevojshme për t’i kërkuar ndihmë institucioneve ligjvënëse. Pra, nga njeri i lirë, përfundon me një mijë halle mbi vete, duke punuar çdo lloj pune po të jetë e mundur për të shlyer borxhin, diçka që ndoshta nuk ishte e nevojshme.

Kurani e lejon të marrësh borxh nga dikush, por pa kamatë, që do të thotë, edhe nëse nuk e shlyen, borxhliu nuk ka të drejtë të të robëroj, ashtu siç bën banka. Sigurisht, ai që të huazon një shumë parash pa interes, nuk e bën një gjë të tillë pa u siguruar mirë se realisht ke nevojë për ato para sepse në vetëvete borxhi potencialisht edhe mund të mos kthehet mbrapsht, ndryshe nga banka që të inkurajon të marrësh kredi, edhe nëse nuk ke nevojë, sepse ajo e ka të sigurt që t’i merr ato para mbrapsht bashkë me interesin. Me fjalë të tjera, feja e udhëzon njeriun që të mos shpenzoj për gjëra që nuk ka para, që në shumicën e rasteve nuk janë domosdoshmëri sepse kështu e bën jetën më të lehtë.

Ky është vetëm një vëzhgim përciptas dhe i shpejtë se si feja islame ta bën jetën më të lehtë e më të bukur. Qëllimi i fesë nuk është për ta dënuar njeriun, por për t’ia bërë jetën më të lehtë, më të bukur, më të rehatshme, që kur të bie në gjumë, të flej i qetë, pa frikë se po i vjen policia për ta arrestuar se i ka vjedhur pasurinë këtij, apo i ka bërë padrejtësi atij, apo me frikë se po i vjen banka tek dera për t’i kërkuar borxhin mbrapsht, apo me frikë se mund ta humb punën dhe nuk mund ta shlyej kredinë.

Kuptohet, ky është vetëm aspekti se çfarë pasojash të menjëhershme dhe të prekshme ka në jetën e përditshme nëse i kundërshtojmë urdhërat e fesë pa e trajtuar pastaj edhe aspektin e hidhërimit të Zotit mbi njeriun, që është një pasojë edhe më e madhe.

Në përfundim, përkundër asaj që njerëzit mendojnë për fenë apo pavarësisht propagandës që bëhet kundër saj, feja islame ka për qëllim t’ia lehtësoj jetën njeriut, e jo t’ia bëj atë të vështirë. Sigurisht që ka vështirësi, por ato nuk vijnë nga feja në vetvete; vështirësitë vijnë nga njerëzit që e kundërshtojnë fenë dhe nuk e praktikojnë atë. Po të jenë të gjithë në fe, jeta do të të bëhej ekstremisht e lehtë, por kjo është sprova e jetës së kësaj bote: gjithmonë do të ketë një grup që nuk janë në fe, që e bëjnë jetën më të vështirë me sjelljet dhe veprat e tyre.

Rruga e fesë nuk është e vështirë aspak, por e bëjnë të vështirë ata që ecin në drejtim të kundërt të trafikut, pra ata që nuk e respektojnë fenë.

Qëllimin e fesë islame e ka përkufizuar vetë Allahu në shumë ajete apo Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të), si për shembull,

“Allahu don lehtësim për ju, jo vështirësi.” Pjesë nga ajeti 185 i sures el-Bekare, Kuran.

“Me të vërtetë feja është e lehtë, dhe kushdo që e mbingarkon veten me të, nuk e përballon atë.” Pjesë nga hadithi që transmeton Bukhariu.

 

Sabri Lushi

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post