LOGIN
Home » PËRKEQËSIMI I IMAZHIT TË DIJETARËVE E KLERIKËVE, SERVILIZMI NDAJ PUSHTETIT, DHE PËRHAPJA E ATEIZMIT

PËRKEQËSIMI I IMAZHIT TË DIJETARËVE E KLERIKËVE, SERVILIZMI NDAJ PUSHTETIT, DHE PËRHAPJA E ATEIZMIT

by Kukes Post
0 comment

Për të shkuar mbrapa në histori, revolucioni francez ishte ndoshta fillimi politik i ateizmit dhe urrejtjes ndaj fesë. Edhe pse nga pikëpamja politike rënia e Perandorisë Franceze dhe ekzekutimi në gijotinë i mbretit Luigji XVI ishte pushtim britanik, gjithësesi arsyet që çuan në luftën civile franceze ishin reale.

Përveç se populli e urrente pa pasë familjen mbretërore për shkak të papërgjegjshmërisë së saj politike që çoi në krizë ekonomike, nga ana tjetër, klerikët katolikë, të cilët ishin krahu i djathtë i pushtetit, ishin jo më pak të urryer. Kur ra pushteti, mbi 30 mijë priftërinjë katolikë u detyruan të largoheshin nga vendi ndërsa mijëra të tjerë u vranë nga populli.

Urrejtja që populli francez kishte ndaj fesë bëri që ata ta urrejnë edhe Zotit, gjë që çoi në përhapjen e ateizmit masiv në Francë e më pas më gjërë në kontinent. Sigurisht që naiviteti i popullit u kapitalizua politikisht nga të tjerët, dhe kjo nuk do të thotë që francezët bënë gjënë e duhur duke e urryer fenë kaq shumë, por ata kishin arsye duam apo nuk duam ne.

Klerikët katolikë ishin krahu i djathtë i pushtetit. Ata përfitonin privilegje të mëdha nga pushteti në shkëmbim të miratimit që i bënin me imazhin e tyre korrupsionit dhe padrejtësisë së pushtetit. Dijetarët e fesë përdornin imazhin e tyre prej kleriku për t’i përmirësuar imazhin pushtetit të korruptuar ndërkohë që populli po vdiste urie. Servilizmi i dijetarëve ndaj pushtetit jo vetëm që përceptohej qartë nga popullata, por sigurisht që kjo e shtoi urrejtjen ndaj fesë deri në ateizëm, pasojat e së cilët po i vuan edhe sot Franca.

Çështja nuk shtrohen nëse populli francez veproi në mënyrën e duhur apo nesë dijetarët fetarë francez ishin të detyruar të tregoheshin servilë ndaj pushtetit dhe zullumit të tij. E rëndësishme është të konstatohen faktet se ku çon servilizmi i dijetarëve dhe aprovimi me imazh që ata i bëjnë zullumit të pushtetit, qoftë edhe pa dashje.

Po të hedhim një vështrim objektiv mbi gjendjen politike të realitetit të sotëm dhe rolit të dijetarëve, klerikëve, shkencëtarëve dhe intelektualëve, për fat të keq gjendja është shokuese. Nuk është shumë më ndryshe se ajo e Francës së fund shekullit të 18-të.

Sot shkencëtarët, akademikët dhe intelektualët janë servilët më të mëdhenj të pushtetit. Ata janë njerëzit më të paguar nga pushteti, jo për shkak të profesionit të tyre apo për kontributin e tyre shkencor, por për shkak të servilizmit ndaj pushtetit dhe kontributit të tyre për përmirësimin e imazhit të pushtetit. Nuk do të jetë e largët dita kur njerëzit do t’i urrejnë shkencëtarët më shumë se çdo kënd tjetër, dhe në fakt kjo do të çojë në rënien e shkencës së vërtetë.

Por, edhe roli i klerikëve fetarë, i dijetarëve, apo aktivistëve fetarë, pavarësisht fesë, duke përfshirë edhe fenë islame, nuk është shumë më i ndryshëm nga pozicioni i priftërinjëve francez që u bënë njerëzit më të urryer në Francën revolucionare.

Të gjithë ata dijetarë, hoxhallarë, priftërinj, apo klerikë të feve të ndryshme që tregohen servilë ndaj pushtetit, që përfitojnë nga pushteti i padrejtë, pavarësisht justifikimit të tyre teknin qoftë edhe të bazuar në fe, që me servilizmin e tyre po miratojnë në sytë e publikut zullumin dhe kalbjen e pushtetit, të gjithë këta kanë përgjegjësi të madhe, dhe duhet ta dinë se janë një shkak vendimtar për përhapjen e ateizmit dhe largimit të njerëzve nga feja.

Është për të të ardhur keq se si klerikët fetarë, qoftë në perëndim e qoftë në lindje, janë kthyer në servilët më të mëdhenj të pushtetit ndërkohë që populli e percepton shumë mirë se nën çfarë pushteti të padrejtë jeton.

Në fakt, kjo është një arsye e madhe se pse ka rënë reputacioni i dijetarëve, se pse ka rënë respekti që populli apo masat kanë për dijetarët apo për klerikët, qoftë në radhët e muslimanëve e qoftë në radhët e feve të tjera.

Po t’i kthehemi shembullit të profetëve në përgjithësi, apo specifikisht rolit të Musës, Isës, apo Muhammedit (paqja e Allahut qoftë mbi ta), ata ishin shembulli më i lartë e më i qartë i refuzimit të zullumit të pushtetit dhe tiranisë së tij. Ata ishin njerëzit më të ndjeshëm për masat dhe se si ata e perceptonin zullumin e pushtetit. Profetët nuk ishin njerëz të mirëpaguar nga pushteti, që përfitonin nga privilegjet e tij, që iu hapeshin rrugët kudo që shkonin, apo që uleshin në krah të zullumqarëve të pushtetit.

Profetët e Allahut (paqja dhe bekimet e Zotit të Madh qofshin mbi ta) ishin refuzuesit e padrejtësisë. Sigurisht nuk po thuhet se ata ishin revolucionarë dhe kaotikë në luftën ndaj zullumit, por ata ishin të parët që distancoheshin nga zullumi.

Edhe pse çdo individ, dijetar, hoxhë, prift, apo klerik është rast specifik dhe jo të gjithë duhen përfshirë nën të njejtën umbrellë, fenomeni i servilizmit ndaj pushtetit është një realitet i hidhur. Ndoshta shumë dijetarë nuk kanë zgjedhje, pushteti i shfrytëzon, dhe mbase nuk është faji i tyre, porse populli apo opinioni publik gjykon mbi imazhin.

Nëse dijetarët e fesë, sidomos të fesë islame – si e vetmja fe hyjnore e vërtetë, nuk distancohen nga zullumi i pushtetit, pasojat do të jenë kolosale, pasoja të cilat po i shikojmë çdo ditë. Ne të gjithë e kemi për detyrë të largohemi, të distancohemi, e të mos përfitojmë nga zullumi i pushtetit, por dijetarët kanë një përgjegjësi më të madhe.

Ose dijetarët muslimanët do të distancohen nga zullumi dhe servilizmi ndaj pushtetit, ose fundi i tyre do të jetë ndoshta një ditë siç ishte ai i priftërinjëve katolikë francez.

Sabri Lushi

Janar 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post