Home » PUSHTETI MODERN SEKULARIST, PSIKOLOGJIA E TIJ, MURI, DHE QËNDRIMI I FESË ISLAME

PUSHTETI MODERN SEKULARIST, PSIKOLOGJIA E TIJ, MURI, DHE QËNDRIMI I FESË ISLAME

by Kukes Post
0 comments

Besoj se të gjithë biem në ujdi se pavarësisht ideologjisë, racës, kohës, vendin, apo epokës historike, pushteti ka vetëm një objektiv: të kontrollojë – t’i kontrollojë njerëzit, t’i diktojë ata, t’ua kontrollojë zgjedhjet apo vendimet e tyre, madje edhe mendimet e tyre. Ky është qëllimi i pushtetit dhe kjo është natyra e tij.

Pushteti nuk mund të fajësohet për këtë tabiat të tij ashtu sikurse nuk mund të fajësohet forca e rëndesës për veprimin e saj mbi objektet fizike. Tendena e pushtetit është të kontrollojë sa më shumë, dhe ta përsosë artin e kontrollit të njerëzve.

Sipas fesë islame – si e vetmja fe hyjore e ngelur në rruzullin tokësor, pushteti nuk është asgjë tjetër veçse disa njerëz mbi disa të tjerë. Aq sa është i nevojshëm për mbarëvatjen e jetës njerëzore, pushteti është edhe sprovë për njeriun sipas fesë islame.

Thotë Allahu në Kur’ān,

“Po të mos i zbrapste Allahu njerëzit me anë të një grupi prej tyre, shkatërrimi do ta mbulonte tokën, por Allahu është poseduesi i mirësisë së madhe.” El-Bekareh, 251

Allahu ka zgjedhur që jeta në tokë të funksionojë në këtë mënyrë: përmes pushtetit, një grup të jetë mbi një tjetër, dhe kjo realizohet krejt natyrshëm sepse njerëzit nuk janë të barabartë, ka të pasur e ka të varfër, ka të dobët e ka të fortë, ka gra e ka burra, ka fëmije e pleq e ka njerëz të aftë për luftë. Të jetë si të jetë puna, gjithmonë disa do të jenë mbi disa të tjerë. Pikërisht, ky është pushteti.

Çështja qëndron në atë se si të sillemi me pushtetin dhe se si ta zbusim dominimin e tij, sidomos kur kalon në përbindësh, siç është rasti me pushtetin modern.

PUSHTETI MODERN SEKULARIST

Nëse çdo lloj pushteti ka tendencën të kontrollojë sa më shumë, pushteti sekularist britanik botëror ka arritur ndoshta nivelin më të lartë të kontrollit, kjo edhe për shkak të specifikave të kohës sonë, siç janë ekzistenca e teknologjisë dhe mungesa e fesë. Me fjalë të tjera, pushteti modern ka mjete logjistike për ta realizuar kontrollin e njerëve pakrahasueshmërisht më shumë e në mënyrë më të sofistikuar se kohët e mëhershme.

Kontrolli i pushtetit sekularist është maksimal. Ai kontrollon thuajse gjithçka: bën ligjet, përpilon politikat, emëron gjyqtarët, rekruton policët, printon paranë, kontrollon bankat, mbledh taksat, ka monopolin e informacionit, kontrollon ushtrinë, mediat, shkollat, botimin e librave, shpërndarjen e informacionit, përgjon qytetarët, kontrollon shëndetësinë, kufijtë, tregjet, bizneset, ekonominë, korporatat, vendet e punës, shërbimet sekrete të shtetit, rekrutimin e spiunëve shtetërorë, dhe thuajse çdo gë që ka të bëjë me jetesën e njeriut.

Pushteti sekularist britanik është modeli komunist i pushtetit ku shteti presupozohet të kontrollojë gjithçka, direkt apo indirekt, dhe, nga ana tjetër, individi nën pushtetin modern duhet të jetë i zhveshur nga çdo lloj pushteti, ai politik, ekonomik, tribal, familjar, apo financiar.

Nën pushtetin komunist britaniko-amerikan, askush nuk mund dhe as nuk duhet të dalë mbi pushtetin e shtetit, as feja e as edhe rendi familjar. Qytetari duhet të zhvishet nga çdo lloj pushteti.

Për ta nënvizuar edhe një herë, forca më e madhe e pushtetit sekularist është bërja e ligjeve, emërimi i gjykatësve, dhe monopoli ekonomik.

SHËMBËLLTYRA E MURIT

Pse jo, pushteti modern ngjan me një murë të madh, i cili simbolizon rregullat, ligjet, gjykatat, ekonominë, aplikimet për punë, lejet e biznesit apo lejet e ndërtimit, dhe në njërën anë të murit ndodhen njerëzit, e aty lindin fëmijët, të paktën për shumicën e qytetarët, ndërsa në anën tjetër ndodhet mundësia – mundësia për të punuar, për të bërë biznes, për të marrë një leje ndërtimi, një leje automjeti, një vizë, një bursë, apo çdo gjë që ka të bëjë me jetesën e qytetarit.

Në mes të murit ndodhet një portë e madhe. Mirëpo, për të kaluar përmes kësaj porte në anën e mundësisë, aty ku ndodhet jetesa e njeriut, është thuajse e pamundur. Porta përfaqëson anën zyrtare, ligjet, rregullat, gjykatat, prokurorinë, aplikimet formale, komunikimin zyrtar, dhe dinjitetin e vetë njeriut gjithashtu.

Për të kaluar në anën e mundësive përmes portës në mënyrë dinjitoze dhe të ligjshme thuajse është e pamundur sepse të tillë e ka bërë atë pushteti modern sekularist britanik. Nuk është rastësi që ajo portë është e vështirë. Pushteti ka punuar për ta arritur këtë ditë, që të kontrollojë gjithçka: portën, gardianët e portës, dhe mundësitë – anën ku ndodhet ekonomia dhe jetesa e njeriut.

Në të njejtën kohë, pushtetit nuk i intereson dinjiteti dhe nuk ka arsye t’ua japë mundësinë qytetarët me dinjitet, pra si një të drejtë që ata e meritojnë. Njerëzit me dinjitet nuk janë të lehtë për t’i kontrolluar. Një qytetar që zbaton ligjin, aplikon për punë dhe e merr atë me meritë, shkon në gjykatë dhe e merr të drejtën e tij, mundohet me djersë e djersët e tij i shpërblehen, ky lloj qytetari është i lirë dhe ka dinjitet.

Pushtetit nuk i intereson dinjiteti. Nuk është në interesin e pushtetit të edukojë apo të rrisë njerëz të lirë, madje ky nuk është as roli i pushtetit – që të japë liri apo dinjitet. Liria dhe pushteti janë antitezë, janë e kundërta e njëri tjetrit, dhe është krejt absurde që të shpresohet një gjë e tillë nga pushteti, aq më tepër nga pushteti sekularist britanik i cili nuk beson as në fe e as në Zot.

Porta ndodhet në mes të murit, por është e pakalueshme. Pushteti e përmend ditë e natë. Madje porta e bukur në mes të murit përmendet si krenaria e pushtetit sekularist – shteti ligjor, rregullat, meritokracia etj, por ajo është e pakalueshme sepse qëllimi i ligjeve e rregullave është që ta bëjnë atë portë të blinduar. Ajo portë nuk është bërë që njerëzit të kalojnë përmes saj.

E vetmja mënyrë për të kaluar në anën tjetër janë vrimat në murë, të cilat i ka hapur vetë pushteti, mirëpo këto vrima janë të paligjshme. Nëse kalon përmes tyre, kalon në anën tjetër me disavantazh të madh – humbet dinjitetin, humbet lirinë për të ngritur zërin, për të shprehur mendimin, dhe për të jetuar si qytetar normal.

Vrimat ta japin mundësinë të dalësh në anën tjetër, por me kosto të lartë. Kalon në anën tjetër, por si skllav, si i nënçmuar, jo si qytetar i lirë, dhe me frikë se një ditë pushteti do të të vijë nga pas. Pra, jeton i shantazhuar.

Këto vrima pushteti i quan korrupsion, dhe është vetë pushteti që i hap, i mirëmban, i reklamon tek njerëzit, dhe i drejton qytetarët që të kalojnë përmes tyre. Njëkohësisht, për të mos rënë në sy, shteti apo pushteti bën sikur po i mbyll këto vrima, por në realitet vetëm i shton ato.

Këto vrima njihet me terma të ndryshme në vende të ndryshme, por koncpeti është i njejtë sepse modeli i pushtetit është po ai – pushtet sekularist britanik. Në Shqipëri, këto vrima njihen me emrin ‘mik,’ ‘ryshfet,’ ‘kafe,’ ‘nder,’ ‘njohje,’ apo ‘avokat.’ Termi avokat është termi më i përhapur në të gjithë botën, dhe është manifestimi më i lartë i korrupsionit.

Në vendet arabe, korrupsioni apo këto vrima njihen me termin ‘wāsita,’ që do të thotë ‘ndërmejtës.’ Me qëllim që të kalosh në anën tjetër të murit – të gjesh një punë, të marrësh një të drejtë studimi, një dokument zyrtar apo një leje, çdo gjë bëhet me ‘wasita’ në vendet arabe. Pa wasita nuk kalohet në anën tjetër.

Përveç avokatit, që është ndër format më të përhapura të korrupsionit në shtetet moderne, në vendet perëndimore përdoret shumë koncepti i referencës. Që të gjesh një punë, duhen disa referenca. Madje edhe për dokumente zyrtare duhen referenca. Referenca përdoret edhe në vendet arabe shumë. Gjithsesi, thelbi i referencës është përdorimi i një njeriu si ndërmjetës, që edhe pse duket si një mekanizëm i nevojshëm për vlerësimin e njerëzive, nuk është asgjë tjetër veçse model korrupsioni dhe detyrimi i njerëzve të gjejnë vrima për të kaluar në anën tjetër.

Përkundër asaj që mendojnë qytetarët, modeli i murit me vrima – t’ia dalësh me korrupsion, me mik, me avoka, me wasita, apo me referencë, ndodhet kudo, në Shqipëri, në Evropë, në vendet arabe, në Kinë, në Kanada, në Amerikë, në Britaninë e Madhe e gjetkë. Nuk mund t’ia dalësh mbanë vetëm se përmes përuljes ndaj pushtetit. Qytetari duhet të përfitojnë vetëm në mënyrë të paligjshme – ta kalojë murin përmes vrimave, sepse ashtu ai kontrollohet dhe e humbet lirinë e vërtetë.

QASJA E FESË ISLAME NDAJ VRIMAVE TË MURIT TË PUSHTETIT SEKULARIST

Për rëndësinë që ka pushteti në shoqërinë njerëzore, feja islame jep sqarimin apo përmban qasjen më të saktë e më të duhur ndaj tij.

Sipas fesë islame, secili ka përgjegjësinë apo rolin e tij. Pushteti ka rolin e tij dhe do të merret në llogari nga Allahu për atë që bën sepse në fund të fundit pushteti është një grup njerëzish – nuk janë institucione abstrakte.

Po ashtu, edhe njerëzit kanë rolin e tyre, dhe ata do të merren në llogari nga Allahu për atë ç’ka bëjnë dhe se si e fitojnë bukën e gojës.

Përmes shpalljes hyjnore, që është Kur’ani, dhe përmes shembullit të Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të), Allahu na ka dhënë instruksionet e mjaftueshme se si të sillemi me pushtetin, si ta jetojmë jetën, si ta fitojmë jetesën, si të punojmë, ku të punojmë, dhe si të sillemi me njerëzit në përgjithësi.

E para dhe më kryesorja, feja islame e ka cënguar pushtetin duke ia hequr të drejtën për të bërë ligje. Ligjet i bën Allahu, jo pushteti, dhe ky është elementi më kryesor që e bën pushtetin shumë më të limituar.

E dyta, muslimani nuk duhet t’i bindet në mënyrë kategorike askujt, asgjëje, dhe asnjë urdhëri që bie në kundërshtim me urdhin apo ligjin e Allahut edhe nëse detyrohemi nga pushteti. Në fenë islame, urdhëri i pushtetit nuk mund të dalë mbi urdhërin e Allahut apo të Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).

E treta, feja islame na ka dhënë instruksione të qarta për gjëra që janë të ndaluara, për ato që janë të lejauara, dhe për obligimet personale, kështu që jeta jetohet sipas këtyre kritereve, e jo sipas kritereve të pushtetit.

Në këtë aspekt, nëse një musliman kërkon të arrijë një mundësi dhe ajo nuk arrihet vetëm se duke kaluar nëpër vrimat e korrupsionit, atëherë pyetja është e thjeshtë: a është kjo gjë e lejaur apo e ndaluar. Nëse feja e ndalon, do të thotë që është e dëmshme për njeriun, dhe mos e vepro ato.

E katërta, Kur’ani jep instruksion të qartë mbi bashkëpunimin mes njerëzve, përfshirë edhe me pushtetin.

Thotë Allahu në Suren el-Mā’ideh,

“Bashkëpunoni në mirësi e në devotshmëri, e mos bashkëpunoni në mëkat e në thyerje rregullash.”

Të marrësh një leje, një punë, një përfitim apo një lehtësim nga pushteti duke kaluar në vrimat e kurrupsionit, kjo është e ndaluar. Ky është mëkat. Kjo është thyrje rregullash, dhe çdo mëkat nuk i sjell përfitim eventual njeriut.

E pesta, feja islame e mëson muslimanin me konceptin e përgjegjësisë personale. Çdo njeri do të japë llogari përpara Zotit për punët e tij, kështu që pushteti nuk është arsye për të bërë korrupsion. Nëse çdo qytetar do të vepronte me përgjegjësi apo me vetëdijen se ka përgjegjësi vetjake, atëherë zullumi i pushtetit do të zbutej.

E gjashta, feja islame i ka dhënë individit pushtet: pushtet në familjen e tij e pushtet mbi pronën. Nëse shteti ka një pushtet të caktuar, ai nuk është pa limit. Pushteti shtetëror ka juridiksionin e tij, por edhe pushteti familjar ka juridiksionin e tij, dhe kjo e bën pushtetin qëndror më të limituar.

Për ta përmbledhur, muslimani nuk duhet të bëjë korrupsion, nuk duhet të kalojë nëpër vrimat e korrupsionit, nuk duhet të bashkëpunojë me pushtetin në mënyrë të korruptuar, nuk duhet t’i thyej rregullat, dhe duhet të jetë i kënaqur me aq sa i ka caktuar Allahu si furnizim, por që është e ligjshme.

Nëse Allahu e ka ndaluar diçka, e ka bërë një gjë të tillë sepse është më mirë për individin edhe nëse jeta i vështirësohet pak. Qëllimi i pushtetit sekularist britanik mund të jetë shtypja e njerëzve, nënçmimi i tyre, futja e tyre në zjarr të xhehennemit, poshtërimi i tyre, kontrolli dhe skllavërimi i tyre, por ai pushtet do të merret në llogari nga Allahu për veprimet e tij. Kështu që, muslimani nuk duhet t’i bindet atij pushteti dhe nuk duhet të tundohet nga ideja se krejt po kalojnë përmes vrimave, dhe as nuk duhet të justifikohet me idenë se pushteti nuk na ka lënë rrugë përveç se të kalojmë përmes vrimave.

Është e vërtetë se pushteti sekularist britanik nuk të jep asnjë mundësi legale sepse është pushtet zullumqar dhe i korruptuar, por kjo nuk e justifikon individin.

Nëse të gjithë ne i refuzojmë vrimat e korrupsionit të pushtetit, atëherë ai do të detyrohet të mbajë drejtësi.

Ne jemi po aq fajtorë sa vetë pushteti britanik për këtë gjende të mjeruar korrupsioni. Puna e pushtetit është t’i korruptojë njerëzit, t’i detyrojë ata të bëjnë korrupsion, t’i shkelin rregullat sepse ashtu kontrollohen më kollaj, por njeriu duhet ta përdorë trurin e tij e të bëjë llogaritë e tij personale.

Allahu e ka çuar pushtetin e korruptuar si sprovë, por zullumi i këtij pushteti luftohet duke mos bashkëpunuar me të, duke mos iu bindur pushtetit për të kaluar nëpër vrimat e korrupsionit, duke e refuzuar ndihmën e paligjshme të pushtetit, dhe duke mos i shërbyer këtij pushteti si spiun.

Kalimi nëpër vrimat e korrupsionit, që i ka hapur vetë pushteti, është kalimi drejt vdekjes dhe shkatërrimit të njeriut, të fëmijëve të tij e të ardhmes së tyre. Më mirë i varfër e me dinjitet – i kënaqur me aq sa i ka caktuar Allahu robit për furnizim, se pak i pasur për momentin, por me përfitim fatal.

Të vjedhësh në shtet është haram. Të bashkëpunosh me shtetin në gjëra të ndaluara dhe në kundërshtim me fenë është haram. Të punosh si spiun për shtetin në kundrshtim me rregullat e fesë është haram. Të përfitosh nga shteti në mënyrë të padrejtë, përmes korrupsionit, me gënjeshtra, apo me bashkëpunim sekret me atë është haram.

Feja islame kërkon ta shpërtojë individin dhe shoqërinë, ndërsa pushteti i kurruptuar kërkon ta nënçmojë robin. Pushteti sekularist britanik është pushteti i mureve dhe i vrimave, kështu që ruaju nga ky lloj pushteti nënçmues.

Thotë Allahu në Kur’an,

“Vërtetë Allahu do lehtësinë për ju; Ai nuk do vështirësinë.”

Të kalosh nëpër vrimat e korrupsionit dhe të bashkëpunosh me pushtetin e zullumit është vështirësim i jetës, ndërsa të zbatosh instruksionet e fesë islame është lehtësim, liri, e dinjitet.

Bëj zgjedhjen e duhur!

Sabri Lushi

May 2024

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post