LOGIN
Home » MËKATET E MËDHA POLITIKE TË ARABISË SAUDITE – VENDIN QË PADYSHIM E DUAM

MËKATET E MËDHA POLITIKE TË ARABISË SAUDITE – VENDIN QË PADYSHIM E DUAM

by Kukes Post
0 comment

Edhe pse Gadishulli Arabik është vendi më i dashur për mua, dhe arabët janë njerëzit më të dashur gjithashtu sepse aty janë Mekka dhe Medina, aty ka lindur Profeti Muhammed ﷺ, nga aty është përhapur Islami, aty flitet arabish, dhe aty ka dijetarë, kështu që arsyet për ta lavdruar atë vend do të ishin shumë më të mëdha se sa për ta kritikuar, por ky ummet nuk mund të bashkohet vetëm se në të vërtetën.

E vërteta nuk i bën dëm askujt veçse armiqve tanë. E vërteta bashkon, kurse e kota përçan. Nganjëherë kritika ndaj njerëzve tanë është në fakt një formë demaskimi ndaj kurtheve dhe strategjive të armikut, nuk është dashakeqësi ndaj miqve tanë.

Në këtë aspekt, Arabia Saudite ka disa mëkate mbi vete të cilat mendoj se duhen denoncuar publikisht në mënyrë që strategjitë e armikut ndaj kontrollit dhe vrasjeve të muslimanëve të ekspozohen, në mënyrë që armiku të njihet mirë nga muslimanët.

Edhe pse denoncimi publik i shteteve muslimane është temë tepër komplekse, duke marrë parasysh se si funksionon pushtimi politik, duke marrë parasysh se sot pushtetin e kanë paganët britanikë dhe ata amerikanë, duke marrë parasysh se ndoshta çdo lloj pragmatizmi mund të pranohet me qëllim që njerëzit të shpëtojnë vetet, familjet edhe pasuritë e tyre, e po ashtu, për të shpëtuar edhe fenë në tërësinë e saj, aq më tepër i një shteti si Arabia Saudite i cili padyshim ka kontribuar me dituri e me pasuri në mbrojtjen e fesë. Këtë nuk e mohon askush.

E para, Arabia Saudite ka kontribuar në mënyrë kyçe në përmirësimin dhe rregullimin e imazhit të armikut: të Britanisë së Madhe dhe të Amerikës. Nuk ka dyshim se mbasi muslimanët janë pushtuar nga Perandoria Britanike në fillim të shekullit të 20-të, të gjitha vendet muslimane janë strukturuar politikisht nga pushtuesi, dhe këtu nuk bën përjashtim as Arabia Saudite. Pra, kjo nuk është diçka e veçantë për këtë vend, por pushtuesit britanikë e kanë formuar çdo shtet modern dhe kanë bërë marrëveshje me secilën elitë politike për një agjendë të caktuar që i shërben para së gjithash armikut apo pushtuesit.

Kur armiqtë britanikë kanë pushtuar muslimanët, ata sigurisht që nuk kanë bërë të njejtën kontratë me çdo qeveri apo forcë politike që e kanë vënë në pushtet. Kontratat janë individuale me çdo popull, kufijtë janë vendosur në mënyrë specifike për çdo shtet, dhe çdo gjë politike është bërë në atë mënyrë që t’i shërbejë pushtetit të armikut.

Ashtu siç është vërtetuar nga historiku politik i Arabisë Saudite, ky shtet nga një anë është lejuar për të pasur disa liri fetare që shumë shtete të tjera i kanë pasur ëndërr. Ky shtet është lejuar që ta praktikojë fenë në mënyrë më të plotë, që të aplikojë shumë aspekte të ligjeve të fesë islame, duke përfshirë edhe kodin penal. Ky shtet është lejuar që të ketë liri për ndërtimin e universiteteve të mëdha teologjike, që të ketë liri të përgadisë studentë nga e gjithë bota, një liri që ndoshta nuk e kanë pasur vendet e tjera. Ky shtet është lejuar që të ngre shumë flamuj, siç është flamuri i teuhidit dhe fesë së pastër, flamuj të cilët nuk është lehtë për t’i ngritur kudo. Të gjitha këto elementë e kanë ngritur lart imazhin dhe rëndësinë e këtij shteti. Mirëpo, ashtu siç është vërtetuar qartazi nga qëndrimet politike të Arabisë Saudite, sidomos në vitin 1991 kur ky shtet i kërkoi ndihmë ushtarake armiqve më të mëdhenj të muslimanëve – Amerikës, çmimi ka qënë që ajo t’i rregullonte imazhin armiqve kur kjo të nevojitej.

Po ta marrësh nga pikëpamja e marketingut, se sa rëndësi ka imazhi, se si kontrollohet një popull përmes imazhit dhe propagandës, nuk është larg të vërtetës kjo që po mundohem të nënvizojë. Të mos harrojmë faktin e madh se edhe pse muslimanët u pushtuan nga Perandoria Britanike gjatë luftës së parë botërore, umeti islam – një umet kaq i madh, me dijetarë të shumtë, e trashëgimtar i një civilizimi të suksesshëm, nuk do t’i thoshte armikut, aq më tepër barbarëve britanikë, “mirësevini.”

Duhet ta kuptojmë se sfida më e madhe e armikut pas pushtimit të muslimanëve ka qënë imazhi i tij. Kjo është arsyeja kryesore se pse armiku nuk ka sunduar direkt me mëkëmbësit e vet, por me qeveri muslimane kukulla apo me qeveri nacionaliste. Sidomos pas luftës së dytë botërore, Perandoria Britanike është tërhequr strategjikisht, dhe e ka zëvendësuar pozicionin e saj formal me OKB-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Në këtë aspekt, Arabia Saudite ka dhënë një kontribut të madh në rregullimin e imazhit të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, sidomos në dy-tre dekadat e fundit. Zbarkimi i gjysëm milioni ushtarësh amerikanë në Gadishullin Arabik si ‘shpëtimtarë’ në vitin 1991 ka qënë një gurë kilometrazhi i rëndësishëm për marrëdhëniet e pushtuesit me muslimanët. Amerikanët u pritën si shpëtimtarë në vendin që kishte ngritur flamurin e teuhidit (monoteizmit, apo fesë së pastër).

Amerikanët u pritën si shpëtimtarë në Arabinë Saudite pikërisht në një kohë kur ishin planifikuar apo kishin filluar të bëheshin masakra të mëdha ndaj muslimanëve. Menjëherë më pas filluan masakrat e Bosnjës, shkatërrimi i Somalisë, Çeçenisë, Afganistanit, masakrat e Kosovës; një dekadë më pas u shkatërrua Iraku, që mës tej u pasua me shkatërrimin e Libisë, Sirisë, e deri tek gjenocidi i ditëve të sotme që po ndodh në Gaza.

Rëndësia politike, ekonomike, intelektuale, historike, e qoftë edhe strategjike e demografike e Egjiptit, Sirisë e Irakut janë shumë të mëdha se ato të Arabisë Sauditë ndërkohë që Iraku u shkatërrua nga amerikanët, Siria u kthye në një kasaphane të gjallë po nga amerikanët, e Egjipti përfundoi në një tirani politike të plotë – që është buzë shkatërrimit. I gjithë ky dëm i madh ndaj umetit islam lidhet me një emër: Amerikë – Amerikës së cilës Arabia Saudite po ia rregullon imazhin.

Të gjitha këto masakra, shkatërrime, vrasje, e luftëra kundër muslimanëve kanë vetëm një autor: Perandori Britanikë e Amerikë. Armiku e di që muslimanët e dinë këtë. Për këtë arsye, armiku ka punuar me strategji: i është ofruar si shpëtimtar Arabisë Saudite – që në atë kohë ishte vend tepër i dashur për muslimanët për shkak të Mekkes e Medines, me kusht që t’i rregullohet imazhi.

Arabia Saudite nuk fajësohet në mënyrë specifike se pse nuk bën luftë kundër Amerikës apo Britanisë së Madhe kur ata sulmojnë muslimanët. Këtë nuk mund ta bëjë sot asnjë vend musliman sepse nuk kanë fuqi ushtarake. Mëkati i Arabisë Saudite qëndron vetëm tek rregullimi i imazhit të armikut.

Mëkati tjetër i madh i Arabisë Saudite, që është në të njejtën linjë me të parin, është pajtueshmëri e saj me luftën e gënjeshtërt të amerikanëve kundër terrorizmit dhe rebelimit të muslimanëve. Ndërkohë që terrorizmi ka qënë një lojë e tmerrshme amerikano-britanike, e sajuar nga CIA dhe shërbimet sekrete britanike, ndërkohë që e gjithë ideja se muslimanët po rebelohen, se khawarixhët po kërcënojnë rendin dhe sigurinë e muslimanëve, se muslimanët nuk po iu binden liderave të tyre – duke çuar ujë pikërisht në atë që propagandonte Amerika dhe Britania e Madhe, ndërkohë që lufta e vërtetë e armiqve tanë ka qënë kundër muslimanëve të thjeshtë dhe kundër vetë fesë islame, Arabia Saudite i ka përforcuar dhe miratuar të gjitha këto përralla, gënjeshtra, dhe kurthe të armikut kundër muslimanëve.

Arabia Saudite është mburruar dhe e ka justifikuar të gjithë marrëdhënien e ngrohtë dhe strategjike me armiqtë më të mëdhenj të fesë islame si përballje ndaj një armiku edhe më të madh: terroristët, khawarixhët, rebelët etj. – që e gjitha kjo ka qënë kurth i vetë armikut. Terrorizmi është monopol i amerikanëve dhe britanikëve. Ata e kanë shpikur terrorizmin. Gjithashtu, kurrë nuk ka ekzistuar një frikë se mund të kishte organizime ushtarake nga muslimanët për të marrë pushtetin. Kurrë! Arabia Saudite e di mirë këtë gjë.

Nuk duhet të harrojmë faktin se mbi luftën ndaj gënjeshtrës së madhe të quajtur terrorizëm, mbi kauzën e luftës kundër ekstremizmit, kundër rebelimit, kundër islamit politik, kundër khawarixhëve – të ringjallur nga varri nga propaganduesit britanikë e amerikanë, është bërë një kërdi e madhe kundër muslimanëve të thjeshtë anembanë botës.

Më miliona muslimanë janë arrestuar, u janë shkatërruar bizneset, u është shkatërruar jeta e familja, u janë bllokuar burimet financiare, janë vrarë, janë përzënë nga vendi i tyre e janë kthyer në azil kërkues, e me miliona të tjerë edhe sot jetojnë me frikë kudo në botë për shkak të këtyre politikave famëkeqe të armikut, dhe të gjitha këto janë bërë në emër të luftës kundër terrorizmit të rremë, kundër ekstremizmit të gënjeshtërt, kundër khawarixhëve të ngritur nga varri, kundër rebelimit imagjinar, apo kundër islamit politik.

Mëkati i madh i Arabisë Saudite, i politikanëve të saj, dhe i shumë dijetarëve që kanë jetuar në atë vend është se janë bërë tok me armikun në këtë luftë, që në fakt ka qënë luftë kundër muslimanëve të thjeshtë.

Ndërkohë që me miliona muslimanë të pafajshëm po përballen çdo ditë me politikat shtypëse në vende të ndryshme, politika që në pamje të parë po luftojnë terrorizmin dhe ekstremizmin, Arabia Saudite ka mbajtuar flamurin kundër kësaj lufte qesharake dhe absurde. Me miliarda dollarë, me mijëra orë leksione, botime librash, ligjërata, e me mijëra aktivitete u janë kushtuar luftës kundër terrorizmit, kundër ekstremizmit, kundër khawarixhëve, kundër tekfirizmit, kundër rebelimit etj. që pikërisht kanë vërtetuar përrallat amerikane dhe ato britanike për të justifikuar luftën e tyre kundër muslimanëve të thjeshtë.

Në opinionin tim – dhe ky ngelet opinion personal, Arabia Saudite ka mëkate të mëdha politike mbi vete në rregullimin dhe përmirësimin e imazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe ndërkohë që këto vende janë armiqtë më të mëdhenj të muslimanëve. Ata janë pushtuesit tanë dhe kërcënimi më i madh i familjeve, pasurisë dhe sigurisë sonë.

Pra, Arabia Saudite i ka përforcuar dhe pohuar kauzat farsë dhe të gënjeshtërta të armikut, siç është kauza e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit kur nuk ka asnjë pikë dyshimi se këto kauza janë ngritur apo sajuar nga Amerika dhe Britania e Madhe vetëm e e vetëm për të justifikuar luftën e padrejtë kundër muslimanëve në përgjithësi.

Në realitet, lufta kundër terrorizmit apo ekstremizmit do të thotë të arrestosh një musliman që fal pesë kohët e namazit, t’i shkatërrosh biznesin një muslimani të thjeshtë, t’i detyrosh muslimanët të heqin dorë nga shumë praktika të fesë islame, t’i detyrosh muslimanët të rrinë të nënshtruar. Luftë kundër terrorizmit do të thotë të luftosh muslimanët e thjeshtë, t’ua heqësh atyre të drejtën për tu marrë me aktivitet intelektual, për të ndërtuar shkolla, xhami, për të pasur imamë të pavarur etj.

E ashtuquajtura luftë kundër terrorizmit i ka justifikuar një mijë e një të liga të armikut. Për fat të keq, Arabia Saudite ka qënë miratuesi më i rëndësishëm i kësaj lufte absurde e të bazuar mbi gënjeshtra.

Për ta mbyllur, nuk ka dyshim se ne muslimanët e duam Arabinë Saudite sepse është vend musliman dhe ka dhënë kontribute të vyera në ruajten e fesë dhe në përhapjen e diturisë, e mbi të gjitha, aty janë dy vendet e shenjta, por pushteti i këtij vendi ka bërë ca gabime fatale, siç janë përmirësimi i imazhit të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, dhe pohimi e përforcimi i gënjeshtave amerikano-britanike që kanë të bëjnë me kurthin e luftës kundër terrorizmit.

Arabia Saudite duhet të distancohet nga barbarizmi britanik dhe nga terroristët e vërtetë – qeveria amerikane. Ata janë armiqtë e Islamit. Ata vrasin. Ata shkatërrojnë. Ata nuk kanë moral. Ata janë barbarë e terroristë. Ata nuk janë ndihmuesit e muslimanëve, por kërcënuesit tanë më të mëdhenj. Amerika dhe Britania e Madhe janë pushtuesit tanë, jo aleatët tanë.

Arabia Saudite duhet të distancohet një herë e përgjithmonë nga armiqtë e muslimanëve, dhe të mos na përmendin justifikime qesharake se gjoja kanë marrëdhënie tregtare, siç është nafta, apo blerja e armëve nga amerikanët. Produkti më i madh që Arabia Saudite po i shet Amerikës është rregullmi i imazhit të armikut. Pa dyshim, ky nuk është një mëkat i vogël.

Sabri Lushi

Nëntor 2023

 

You may also like

Our Company

Kukes Post

About Links

Newsletter

Subscribe my Newsletter for new blog posts, tips & new photos. Let's stay updated!

Latest News

@2023 – All Right Reserved. Designed and Developed by Kukes Post